Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Librat që na bënë!

Ilustrimi nga: BigEye

Leximi kritik si domosdoshmëri

Momenti i parë kur ndahemi nga shtëpia, së paku që e mbajmë sado-kudo në mend, është klasa e parë shkollore. Sekonda e mbylljes së dyerve kryesore të shkollës pas kokave tona është monumentale, në kuptimin e asaj që i bashkohemi një institucioni për një kohë relativisht të gjatë. Ashtu siç në shtëpitë tona fjala më e shpeshtë që na thuhet është ‘mos’, në klasë nuk është se ndërron fort ai realitet. Autoriteti i prindit zëvendësohet me atë të mësimdhënësit. Kontrolli mbi trupin dhe mendjen sa vjen e rritet. Do të çohesh në këmbë kur hyn e del mësuesja nga klasa, do të përgjigjesh në pyetjet që s’do, do të turpërohesh publikisht dhe s’do të lejohesh të dalësh nga klasa kur ke nevojë. Shikimi yt do kthehet kah qendra e klasës, kah pedagogu. Në këtë mikrokozm do të mësosh si të mësosh, si të lexosh, të mbash mend informata, si t’i lidhësh ato me njëra-tjetrën përmes një paradigme të vetme, paradigmën që e përcakton shteti. Mësimdhënësi mëson si ta transmetojë këtë dije në mënyrë shumë specifike shumë më parë se t’i vijë momenti të japë mësim.

Ndërkaq, shkolla nuk duhet të jetë aty të japë vetëm përgjigje të llojit faktik-praktik, por ta kultivojë mendimin e kundërpërgjigjen. Janë disa dimensione se si arsimi mund të ketë natyrë subversive, duke filluar nga si dhe çka lexojmë. Përtej kushtëzimit të nxënësve të lexojnë vetëm sasi të mëdha të librave, duhet të ekzistojë një hapësirë e vërtetë ku nxënësit mund ta rimendojnë e ta kundërshtojnë atë çka u servohet përpara. Një nga problemet më të mëdha që më kujtohet nga koha kur isha në shkollë fillore e të mesme lidhet me disa nga librat që detyroheshim t’i lexonim. Besoj se ”Verorja” nga Rexhep Hoxha ishte trauma ime e parë. Ende e mbaj mend pjesën kur Verores ia marrin foshnjat dhe ia zëvendësojnë me dy këlyshë.

Verorja është vajza e cila duhet shpëtuar, është vajza në ankth (damsel in distress), një temë e zakonshme në letërsi, duke pasur parasysh se burrat okupojnë këtë hapësirë sociale/artistike pothuajse ekskluzivisht. Në anën tjetër kemi ”Lugjet e Verdha” nga po i njëjti autor, ku personazhi kryesor është Shpendi, i biri i Bardhecit, i cili është ’viktimë’ e besës së dhënë. Më poshtë do t’i krahasojmë dy veprat dhe kopertinat e tyre

”Verorja” nga Rexhep Hoxha, botuar për herë të parë në 1983

Te ”Verorja” vërejmë disa tregues gjinorë që në shikim të parë: kopertinën ngjyrë rozë, më tutje kemi Veroren e ulur me shikim kah ’lexuesi’ potencial. Prapa Verores gjinden drunjtë e hijezuar me ngjyrë kaltër të mbyllur, të cilët shënjojnë terrin, një zonë ku nuk ka vend për vajza. Errësira gati se gjithmonë shihet si hapësirë e paokupuar nga gratë. Pra, shikimi është i kthyer kah ne si thirrje për shpëtim. Pozicioni i Verores së ulur na dëfton se ajo është duke pritur dhe se ajo nuk mundet të bëjë asgjë, përveçse të presë shpëtimtarin e saj. Në shkrimin prapa kopertinës kemi një fjali shumë të rëndësishme: ”Një ditë prej ditësh Veroren ia rrëmbejnë! E Losh Bala mbetet i vetmuar në kasollen e tij të varfër”. Kjo fjali na kanalizon te një gjë thelbësore, edhe pse Verorja llogaritet si personazhi kryesor, atë nuk e rrëmbejnë por ”ia rrëmbejnë” Loshit. Verorja si viktima e këtij krimi nuk trajtohet si subjekt, por shohim vetëm perspektivën e babait të saj të vetmuar. Një trop jo i pazakontë, ku vajzat shërbejnë si personazhe pasive përballë personazheve aktive burra. Dua të flas shkurtimisht për disa momente kyçe në veprën ”Verorja”, për rolin e babait, të ”njerkës” dhe të Verores.

Babai i Verores mishëron karakterin e traditave ’shqiptare’ të nderit, besës e urtësisë, si dhe prindit sakrifikues në mungesë bashkëshorteje. Loshit i duhet patjetër të rimartohet në mënyrë që burrëria e tij të mos cenohet më tej përgjatë veprës. Martesa e tij me Grishën, njerkën e Verores, përmbush stereotipin e betonuar të një gruaje të ligë që nuk i do fëmijët e bashkëshortit, për më tepër emri  është në fakt personifikimi i qenies së saj. Më pas, kur Veroren e rrëmbejnë dhe për të kujdesen dy gra të tjera të cilat po ashtu portretizohen në mënyrën kriminale, vërejmë se në fakt gati se të gjitha personazhet negative në këtë libër janë gra. Verorja vazhdon të ketë rol ’pasiv’ përgjatë librit dhe nga gjërat që përmenden më së shumti në raport me personalitetin dhe karakterin e saj janë bukuria dhe urtësia. Në fakt, nga momentet e pakta aktive të saj janë shtatzënia dhe lindja, një tjetër ide e ngulitur herët në fëmijëritë tona mbi rolin e gruas në botë: të përmbushë misionin e riprodhimit.

”Lugjet e Verdha” nga Rexhep Hoxha, botuar për herë të parë në vitin 1959

Edhe në këtë kopertinë vërejmë ngjashmëri sa u përket shënjuesve gjinorë, kopertina është e kaltër, një zakonshmëri tjetër për t’i dalluar gjinitë në nivel sipërfaqësor binar. Në këtë kopertinë shohim burrin i cili shikon drejt pyllit, drejt aventurës dhe heroizmit. Qëndrimi i tij na bind për trimëri dhe veshja e tij tradicionale na kujton normat kulturore të cilat duhet t’i respektojmë. Burri në fotografi në këtë rast nuk ka nevojë për ne, se mund t’i bëjë të gjitha vetë.

Shpendi, i biri i Bardhecit, sapo të lindë, duhet t’i dorëzohet ujkut delengrënës si rezultat i një bese të dhënë nga babai i tij. Shpendi është djali i parë pas motrave të tij dhe është sakrifica e dhimbshme që babai i Shpendit duhet të bëjë në mënyrë që ta mbrojë nderin dhe ’besën’ e shqiptarit. Shpendi në anën tjetër detyrohet të jetojë në pyll deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare me Plakën Ugurzezë, e cila e trajton atë mizorisht. Ashtu si në rastin e Verores, personazhet negative në libër janë gra. Kur Shpendi arrin të ikë nga pylli, takon një drenushë e cila shndërrohet në vajzë për t’u dashuruar në Shpendin, të bëjë fëmijë me të dhe më pas shndërrohet prapë në një drenushë. Edhe këtu mund të shohim rolin e vajzës si person i cili ekziston përmes burrit, pra për të. Në mënyrë që t’i shërbejë Shpendit, ndodh një transformim speciesh, ndonëse përrallat për fëmijë dhe magjitë mund të kenë tjetër kuptim, ky mund të jetë njëri nga shpjegimet.

Në të dy veprat mund të vërejmë se një nga temat kryesore është mirëmbajtja e traditave shqiptare me përqendrim te nocioni i ”besës”. Roli i burrit është ta çojë përpara këtë mision duke mishëruar tiparet e burrërisë që kanë të bëjnë me nderin, urtësinë e të qenët punëtor. Ndërkaq, roli i gruas është të jetë bashkëshorte, bijë, e bukur dhe e urtë. Të gjitha këto koncepte patjetër që duhen sfiduar vazhdimisht.

Kultivimi i leximit kritik

Këto dy vepra të cilat i kam përzgjedhur si fokus të analizës janë vetëm shembuj të cilët ilustrojnë mënyrën problematike të trajtimit të relacioneve gjinore dhe të pushtetit. Pra, nuk është qendër të vëmendjes stili apo përdorimi i ndryshëm i figurave letrare. Më tutje, përtej marrëdhënieve që ekzistojnë brenda këtyre dy veprave, duhet të përmendim diçka jashtëzakonisht të rëndësishme, duhet të flitet për ata të cilët nuk ekzistojnë fare brenda këtyre marrëdhënieve, e që është një numër i madh i njerëzve: personat me identitete seksuale, gjinore, racore e etnike të ndryshme. Insistimi i futjes së normave heteroseksuale si norma të vetme të mundshme në realitetin shoqëror si dhe përqendrimi te vetëm një grup ‘etnik’ brenda librave që lexojmë; përjashton një përqindje tejet të lartë të njerëzve jo vetëm nga diskutimi, por edhe te kënaqësia që mund të përjetohet gjatë leximit.

Mendoj se është e rëndësishme të ikim nga ‘’referati’’ si formë e vetme të kritikës. Ani pse mund të jetë e rëndësishme që nxënësit të mësojnë stil, zhanër etj., ky nuk duhet të jetë lloji i vetëm i diskutimit. Referati mund të ndihmojë në mësimin e të menduarit kronologjikisht dhe të analizojë mes rreshtave çfarë autori ka dashur të thotë, por është e rëndësishme që brenda atyre rreshtave të zbulojmë dukuri të tjera.  

Ndonëse sistemet arsimore zakonisht zotohen se mendimi kritik është prioritet ku bëhet fjalë për konstruktimin e kurrikulave, gjë që vlen edhe për Kosovën, ku në kurrikulën e re ”mendimi kritik” zë një vend jo të vogël. Në realitet shohim se pak bëhet në këtë drejtim. Kjo gjë natyrisht se nuk mund t’u faturohet vetëm mësuesve si praktikues të profesionit të tyre, por natyrës së pedagogjisë në përgjithësi. Kurrikulat, ndonëse kanë shpeshherë karakter normativ, ato janë përgjegjëse për mënyrën se si mësimdhënësit transferojnë dijen në klasë. Jam e vetëdijshme se librat që kam marrë si shembull janë libra që përgjithësisht lexohen në shkollë fillore dhe krijimi i hapësirës për kritikë normalisht që ndërron formën e saj duke pasur parasysh moshën e nxënësve. Pavarësisht kësaj, nuk duhet ta minojmë kapacitetin e nxënësve për të përbrendësuar koncepte të caktuara të cilat ndikojnë në ndërtimin e identiteteve të tyre përmes shkollimit dhe në këtë rast leximit. Pra, diskutimi është i domosdoshëm që nga klasa e parë e tutje. Rol të madh këtu luajnë mësimdhënësit si individë  që prodhojnë e riprodhojnë praktikat e tyre pedagogjike.  

Njëkohësisht përgjegjëse janë organet vendimmarrëse që përcaktojnë llojin e titujve që nxënësit janë të detyruar t’i lexojnë përgjatë vijimit të mësimeve, sidomos në shkollën fillore. Së pari, ’obligimi’ si koncept është i rrezikshëm dhe sistematizimi i leximeve në nivel nacional për të ruajtur një set idesh po bëhet gjithmonë e më problematik. Së dyti, llojet e titujve që lexohen në shkollë duhen rishikuar gjithsesi dhe së treti duhet medoemos që nxënësve që lexojnë librat e paraparë t’u ofrohet hapësira e sinqertë për të diskutuar për fenomenet shoqërore të cilat trajtohen në ato vepra.

Bibliografi

Felski, R . Literature After Feminism. Chicago & London, The University of Chicago Press, 2003.

Gerdén, M. L.  “Journeys into the Night: Othering Figures, Figurations of Otherness”, lambda nordica, 23(1-2),  pp. 167-181 2018.
Mulvey, L.  “Visual Pleasure and Narrative Cinema.”. in Screen, 16, 1975, 6-18.
Lista e lektyrave në nivelin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë: https://abetare-
ks.com/lektyra.html
Ahmeti, V. “Rexhep Hoxha – Proze”, Gjakove, UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”, 2018

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.