Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kërcënimi biologjik i racës superiore si paradigmë ideologjike

Kush janë kundërshtarët e Projekt-kodit Civil dhe Projekt-ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar të cilët frikësohen se do ta humbin pushtetin mbi burrat dhe gratë, se nuk do të mund ta ushtrojnë pushtetin e tyre mbi jetën? Çfarë janë në të vërtetë këta njerëz pa teoritë e tyre raciste përmes të cilave kërkojnë ta ushtrojnë pushtetin e tyre mbi jetët, trupat dhe dëshirat e grave? Kush janë këto roje të rendit natyror, të cilët besojnë në substanca metafizike si të vërtetat përfundimtare të njeriut? 

Ata duket se fantazojnë se përmes refuzimit të dy projekteve legjislative të cilat, mes tjerash, do ta rregullonin çështjen e bashkëjetesës mes çifteve të gjinisë së njëjtë dhe shtatzëninë e asistuar mjekësore për gratë pa partner, po e mbrojnë këtë rend natyror pa qenë të vetëdijshëm se në të vërtetë janë roje të teorive raciste. Si gardianë të këtij rendi të supozuar, ata besojnë se gjërat kanë një origjinë të pastër ku ruhen të vërtetat origjinale të kësaj dhe asaj bote. 

Por origjinali nuk ekziston, ekzistojnë vetëm kopje të kopjeve të cilat prodhohen e riprodhohen në një proces pa fillim e pa mbarim, pa burim origjinal e pa cak përfundimtar. Miti i origjinalit është miti i zanafillës, i Njeriut të Parë, fetusit mitik nga i cili buron e tërë raca njerëzore. Besimi në origjinal dhe në gjëra natyrore e të natyrshme është dëshirë për pushtet mbi jetën si proces dhe mbi jetët e individëve dhe të kolektivit, mbi natyrën dhe kafshët; është dëshirë për ta kontrolluar dhe dominuar realitetin duke mirëmbajtur një hierarki varësish e asimetrish. 

Jeta në këtë botëkuptim nuk mund të jetë rastësi, aksident, apo thjesht lotari, kombinatorikë numrash e kontingjencash. Është paragjykimi i vjetër mbi jetën si relacion i shkakut me pasojën. Çdo gjë e ka një shkak, dhe çdo shkak e ka një pasojë në një cikël të përhershëm shkak-pasojë. Ngjarjet ndodhin si pasojë e agjencisë njerëzore, sipas supozimit se njeriu ka kontroll mbi jetën dhe mjedisin e tij; se nëse e humb kontrollin është për shkak të një gabimi në gjykim ose veprim. Se vetë jeta është pasojë e një lëvizësi të parë i cili e mban atë në lëvizje të përhershme. 

Paragjykimi i dytë i vjetër është se jeta është racionale. Kozmosi është rend racional përbrenda të cilit çdo gjë ndodh si pjesë e një ekuilibri të qëllimshëm grandioz, madje të planifikuar, ku secila pjesë e tij e ka funksionin dhe qëllimin e vet përfundimtar, pavarësisht sa e vogël dhe e parëndësishme në dukje. Si për shembull, jeta njerëzore. Vetë Toka është vetëm një pikë e kaltër e zbehtë, siç e quan Karl Sagan, në universin e pafundmë. 

Rendi në tokë është imitim ose derivat i këtij gjoja rendi kozmik racional. Besimet, moralet, etika, ligjet, rregullat, dija, shkenca, filozofia, kërkimit i të vërtetës dhe konceptet bazike të drejtësisë, të gjitha këto kanë qenë të bazuara për një kohë shumë të gjatë në supozimin se jeta në thelbin e saj metafizik është racionalitet dhe racionale. Në fund, çdo gjë barazohet si kalkulim matematikor i këtij racionaliteti integral. Ideja e progresit është ky besim i vjetër se në fund të rrugës së gjatë dhe të mundimshme të përsosjes njerëzore, drejtësia dhe barazia do të ngadhënjejnë. 

Shembja e këtyre besimeve të vjetra, ironikisht si pasojë e vetë të menduarit racional e kalkulativ, para se ta sjellë nihilizmin, do t’i sjellë përpjekjet e pashpresa të njeriut për ta mbajtur kontrollin dhe dominimin mbi realitetin në tërësinë e tij, me çdo kusht. Tendenca është shtrirja e dominimit absolut mbi çdo gjë, mbi çdo formë jete, mbi çdo hapësirë dhe mbi vetë kohën. Çdo gjë dhe çdokush duhet ta ketë një dobi racionale përbrenda mekanizmit gjigand kalkulativ-funksional. Të papërshtatshmit dhe të padobishmit hidhen në çmendina, burgje, mirëqenie sociale dhe institucione të tjera rehabilitimi. Në aspektin psikologjik krijohen karaktere posesive, narcisiste, dhe dominuese. Ndërsa në sistemin politik krijohen karaktere revolucionare, historike e mesazh-bartëse nga një dimension i përtejmë; i tërë sistemi politik ndërtohet si një strukturë kuazi-religjioze me figurat e simbolikat e veta, me shenjtët e të vërtetat e tij të paprekshme.

Biopushteti dhe racizmi

Pra çorbë karakteresh, pak a shumë si kundërshtarët e dy projekt-ligjeve, kopjet e kopjeve të teoricienëve të djathtë e të majtë, liberalë e utilitarianë, të biopushtetit racist. Për këta njerëz, të heqësh dorë nga dominimi dhe kontrollimi i realitetit, është ta shtrosh pyetjen: “atëherë kush jam unë”? Mirëpo kjo do të përbënte krizë të thellë subjektiviteti, së cilës nuk jam i sigurt se ata do t’i mbijetonin. 

Pushteti mbi jetën nuk është ide origjinale e tyre, si mënyrë e intervenimit ndaj jetës, të menaxhimit, kontrollimit, shtimit, zhvillimit e mirëmbajtjes së saj, pushteti mbi jetën është zhvilluar gjatë shekujve tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë në Evropën Perëndimore. Michel Foucault e ka quajtur biopushtet intervenimin e shtetit modern mbi jetën, i cili sipas tij shtrihet përmes dy poleve. Njëri pol janë praktikat disiplinuese të cilat i shndërrojnë trupat individualë në trupa të bindur dhe të dëgjueshëm, anatomo-politika e trupit, kurse poli tjetër është menaxhimi në nivel të popullatës, biopolitika e masave (regjistrimi i numrit të vdekjeve, lindjeve, menaxhimi i epidemive, statistikat e përgjithshme, planifikimi urban, etj.). Pika ku këto dy pole kryqëzohen më së qarti janë seksi dhe seksualiteti. 

Pikërisht në këtë pikë bashkohen edhe kundërshtarët e lirive dhe të drejtave të njeriut, në nivel biopolitik duke diktuar se kush and si mund të bëjë familje, duke e definuar në radhë të parë se çfarë është familja dhe duke e mirëmbajtur atë si njësinë bazë të organizimit shoqëror, dhe në nivel të trupave individualë duke e përcaktuar se si dhe nën çfarë kushtesh mund ta organizojnë jetën e tyre individët, se me kë and si mund të jetojnë, qoftë si bashkësi familjare apo si dëshira trupore. 

Seksi dhe seksualiteti janë cak i biopushtetit edhe në një kuptim tjetër, në të kuptuarit e seksit biologjik sipas teorive të shekullit nëntëmbëdhjetë sipas të cilave njeriu mund ta ketë vetëm një seks dhe ky seks duhet të jetë në përputhje me gjininë e tij. Ai mund të jetë o burrë o grua, por nuk mund të jetë edhe burrë edhe grua, apo as burrë dhe as grua, apo ndonjë kombinim i tyre, siç ndodh me personat interseks. Ky është një kombinim makro dhe mikromenaxhimi i jetëve kolektive dhe individuale, i cili nuk është i mundur pa teoritë raciste të pastërtisë së gjakut dhe racës. Ndonëse edhe vetë Kodi Civil e Ligji për Fertilizim të Asistuar janë praktika biopolitike, ato nuk janë kufizuese sepse synojnë t’i akomodojnë interesat e të gjitha palëve të përfshira pa paragjykim. Ajo që e bën biopushtetin problematik është kur e ndërfut racizmin si mekanizëm pushteti të shtetit modern. 

Kundërshtimet se “donatori mund të jetë sllav”, se “mund të ndodhë incesti”, apo se dikush “mund të sterilizohet me dëshirë”, janë kundërshtime që në konkluzionin e tyre ekstrem e logjik kanë marrë formën e diskursit (dhe praktikës) naziste. Qëllimi i tyre është pastërtia e gjakut, e racës, e cila nuk guxon të përzihet me gjak të papastër barbar. Duke i përcaktuar dhe kontrolluar politikat e natalitetit synohet të përcaktohet ruajtja dhe perfeksionimi i racës. Në një situatë të tillë, nuk ka hapësirë për trupa jo të shëndetshëm, për trupa të sëmurë, për ‘monstra’ incesti e përdhunimesh, për njerëz me nevoja të veçanta, për trupa të ‘devijuar’, apo për ata që nuk e mishërojnë imazhin e përkryer të subjektit heteroseksual. Me një fjalë, për të papërshtatshmit e të padobishmit e këtij racionaliteti politik. Aty ka hapësirë vetëm për racën e përsosur me gjak të pastër dhe të shëndetshëm, gjaku i papastër e barbar duhet të eliminohet dhe të zhduket. Kërkimi i të përsosurës është sëmundje në vete, është narcisizëm politik që mund të çojë vetëm në çmenduri kolektive.

Sipas Foucault-së shteti modern nuk mund të funksionojë pa e integruar këtë formë tërësisht të re të racizmit në një pikë të tij, megjithëse përbrenda disa kushteve e limiteve. Ky racizëm i ri i vendos jetën e njërit dhe vdekjen e tjetrit në një relacion biologjik, e jo në kuptimin e vjetër të marrëdhënies ushtarake apo luftarake ku njëri duhet të vdesë patjetër që tjetri të jetojë. Kjo marrëdhënie biologjike do të thotë që sa më shumë pjesëtarë të species inferiore që vdesin, aq më e fuqishme bëhet jeta ime si specie, sa më shumë individë anormalë apo të degjeneruar që eliminohen aq më shumë unë jetoj dhe jeta ime shumohet. Ose për ta cituar direkt Foucault-në: “Fakti që tjetri vdes, nuk do të thotë që unë thjesht jetoj në kuptimin që vdekja e tij e garanton sigurinë time; vdekja e tjetrit, vdekja e racës së dobët, e racës inferiore (ose e të degjeneruarit, apo e anormalit) është diçka që do ta bëjë jetën në përgjithësi më të shëndetshme: më të shëndetshme dhe më të pastër” (M. Foucault, Society Must Be Defended). 

Lufta e racës

Pra ky racizëm shprehet jo vetëm në relacion me racën apo kombin kundërshtar ose armik, por shprehet më fort dhe më fuqishëm kundër anëtarëve të së njëjtës racë të cilët e ndotin dhe e dobësojnë racën. Prandaj zhdukja e tyre siguron rigjenerimin dhe përforcimin e racës. Sa më shumë që vdesin, qoftë përbrenda apo në luftëra me armiq, aq më shumë purifikohet dhe forcohet raca. Në këtë kuptim, anëtarët inferiorë të racës janë kërcënim biologjik eliminimi i të cilëve e eliminon kërcënimin biologjik dhe e përforcon racën. 

Biopushteti është mënyrë e mirëmbajtjes dhe e zhvillimit të jetës, por mënyra e vetme sesi kjo formë pushteti mund ta arsyetojë vrasjen dhe vdekjen e të tjerëve përderisa e promovon jetën, është duke e funksionalizuar racizmin si mekanizëm të shtetit modern. Gjuha biologjike, evolucioniste, e pastërtisë së racës së shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte mënyra sesi logjikohej kolonizimi, domosdoshmëria e luftërave, sesi mendohej për sëmundjet mendore e kriminalitetin: ajo qe mënyra sesi mendohej në kontekstin ‘darvinian’ të ‘përzgjedhjes natyrore’ dhe ‘mbijetesës së më të fortit’ kur bëhej fjalë për nënshtrimin dhe zhdukjen e tjetrit. 

A nuk është kjo e njëjta mënyrë rezonimi që e përdorin disa deputetë e politikanë në Kosovë? A s’e kanë ata parasysh pastërtinë dhe përforcimin e racës përmes eliminimit të kërcënimeve biologjike ndaj saj kur flasin kundër Kodit Civil e Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar? A nuk flasin gjithmonë njëjtë ata sa herë flasin për gratë e komunitetin LGBTQI+? Dhe për pakicat e tjera? 

Këtë gjuhë dhe pasojat e saj konkrete të saj shekulli i njëzetë i ka parë në formën e shtetit nazist, politikat e të cilit ishin vetëm ekstremi logjik i kësaj gjuhe dhe kësaj mënyre të të menduarit. A nuk përdoret e njëjta gjuhë sot nga ekstremi i djathtë dhe grupet radikale serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, nga vetë shteti serb, sipas të cilëve shqiptarët janë kërcënimi biologjik i racës superiore serbe? Kur mendohet sipas këtyre formave të racizmit biopushtetar, atëherë arsyetohen lehtë prej lënies së një katërvjeçareje të vdesë e deri te gjenocidi shfarosës ndaj një populli të tërë. Mjafton që ata të shpallen kërcënim biologjik për mbijetesën e racës së pastër.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.