Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Sasha & Jeton: Letra VI

Jeton, mik i dashur,

Të jesh mësues është shkathtësi e vjetër dhe plot rreziqe, e cila më së miri manifestohet po të tregojë së pari mësuesi se sa nuk di, e pastaj me atë mosdije të fillojë, sikur Zhozef Zhakoto [Joseph Jacotot], ta zgjojë te vijuesit e një kursi (çfarë është, bie fjala, punëtoria e të shkruarit kreativ) të kuptuarit e mësimit të vet. Nuk di se a më pat shkuar për dore ta vë në lëvizje së paku një pjesë të vogël të dhuntisë dhe dijes së përgjumur të vijuesëve të atij kursi por, gjersa po zdjergjesha prej Gorskikotarit kah deti, e pata një përshtypje të pagabueshme se një punë të tillë e patëm kryer gjatë viteve edhe në Polip. Natyrisht, ndoshta të kujtohen parathëniet e Betonit, që i shkruanim, së pari veç e veç, e pastaj edhe së bashku, ti, Aida, dhe unë, duke fshirë dhe shtuar fjali të caktuara? Kërkonim tokëza me ngjarjet aktuale të botës e prapë mbeteshim në trollin tonë të vjetër letrar: si për temat e përgjimit masiv, ashtu edhe për burgosjen e shkrimtarëve në Turqi, luftën në Siri dhe Ukrainë, krizën ekonomike, kulturën e leçitjes [cancel culture], trajtat e betejave kulturore në zonat e konfliktit të ngrirë, gjegjësisht temat tona jo të dashura politike që ishin fund e krye çdo gjëje. Këto parathënie tona ishin forma të replikuara të pyetjeve që na patën mbetur nga projekti i ynë i përbashkët i dy antologjive.

Ato, në fakt, rrodhën si përgjegje të armiqsisë shumëdekadëshe, pastaj të mungesës së përkthimit në mes të shqipes dhe sërbishtes—përpos situatave të skajme radikale të negociatave të luftës ose nënshkrimit të dokumentave në prani të trupave të huaja që ndërmjetsonin në konfliktin e Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkaq antologjitë ishin diçka krejt tjetër—ato lindën nga ideja se do të mund të mësonim diçka njëri nga tjetri, njëri mbi tjetrin. Të mësonim, edhepse nuk i dinim gjuhët e fqinjve (natyrisht, përpos teje, që na ke lënë një tregim fantastik mbi mësuesin Borë [Bora] në korrespondencën tonë të mëhershme). Vijonim logjikë të kundërt nga ajo të cilën e vijojnë politikanët dhe vëzhguesit-ndërmjetsuesit e huaj. Mbi konfliktin, pra, nuk donim të jepnim mësim, po të mësonim prej tij. Nuk dëshironim të impononim zgjidhje, por të dëgjonim mbi botët alternative të bashkjetesës prej vetë njerëzve dhe shkrimtarëve e shkrimtareve që na bashkangjiteshin, së pari rreth antologjive, e pastaj edhe rreth Polipit. Dhe ashtu prej vitit në vit. Ashtu që takimet serbo-shqiptare nuk qenë pjesë e imponimit të ndonjë të rrëfyeri sipëror, por pjesë e vullnetit për barazi dhe emancipim, i cili ishte pjesë e pashmangshme e procesit të ndërsjellë mësimor.

Mësuam nga çdo mysafir i Polipit. Më së shumti nga ata të cilët kishin investuar vite të jetës në proces të pajtimit, sikurse kishte vepruar Borka Paviçeviq [Pavičević]. Gjatë viteve nëntëdhjetë, Qendra e saj Për Dekontaminim Kulturor, QPDK [Centar za kulturnu dekontaminaciju, CZKD], ishte tokëz ndërlidhëse për skenat e Beogradit dhe Prishtinës. Ekspozita Përtej/Beyond/Preko e artit të ri kosovar sipas zgjedhjes së Shkëlzen Maliqit, e cila ishte e vendosur në pavilion, te Borka, ishte jo vetëm frymëzim për gjërat me të cilat merreshim, por edhe udhërrëfim. Mirëpo Borka i kishte Shkëlzenin dhe trashëgiminë jugosllave, që mundohej t’i shpëtonte gjatë viteve të luftës, e ne nuk kishim gjithaq, pos viteve plot traumë në rini. Megjithatë, të arrihej gjer te Borka, të përcillej puna e saj, të mësohej mbi njerëzit dhe ngjarjet që e kishin shënuar përfundimin e një epoke dhe lindjen e tjetrës—e cila ishte pa siguri, me dhimbje, e mbushur me makthe të së kaluarës jo fort të largët—ishte dalje në skenë të bashkëkohësisë.

Më kujtohet udhëtimi për Prishtinë, me Borkën, Alleksandra Sekulliqin [Aleksandra Sekulić], dhe Branimir Stojanoviqin, Tërshën [Branimir Stojanović Trša], jo më shumë se një vit pas Polipit të parë. Ata po punonin në projektin e Politikës së re të solidaritetit kurse ne i promovonim antologjitë si segment me rëndësi për atë solidaritet të ri—duke gjurmuar pakëz më shumë dritë, sikurse do të thoje ti kur e citoje Gëten e pragut të vdekjes së vet. Rrinim ulur atë ditë të vrerët prilli në Dit’e’Nat, kafenenë e njohur prishtinase, së bashku me Hedhësit e hijeve [Bacači senki], një trupë nga Zagrebi, përfaqësuesi i së cilës, Boris Bakall [Bakal], atë ditë po folte me lemeri mbi tekstin të cilin e kishte botuar në Beton kolegia e jonë, Ivana Bodrozhiq [Bodrožić], dhe në të cilën ajo e kritikonte presidentin e atëherëm të Kroacisë, Ivo Josipoviqin [Josipović]. Elita kulturore kroate nuk i pranoi mirë fjalët kritike mbi të ashtuquajturin kryetar të mirë, kështu që shumë gazeta nga atje e përcollën tekstin e Ivanës me lemeri—e sidomos për shkak të lidhjes së tij me Betonin beogradas, i cili fillimisht e botoi artikullin e saj, Letër kryetarit. Por në fund do të dilte se kritika e saj ndaj presidentit Josipoviq s’ishte gjë pos detektim i hershëm i paaftësisë së tij pë të bërë çkado që e kishte ndonjëfarë kuptimi, mu sikurse edhe i asaj të shokut të tij përtej kufirit, Boris Tadiqit [Tadić], i cili do ta fillonte karrierën me kapacitet të plotë demokratik, e do ta përfundonte në përqafim me partinë e Millosheviqit tashmë të vdekur, dhe me të djathtën e udhëhequr nga Alleksandar Vuçiqi, e cila ishte në rritje e sipër.

Këtë epizodë të vogël po e përmendi për të hedhë dritë në kontekstin shoqëror-politik në të cilin e kryenim punën gjatë së cilës kurrë nuk e gëzuam ndonjë simpati të veçantë nga elita kulturore e cilësdo anë, e as në të ashtuquajturin Regjion. Vepronim si një lloj i gerrilës, jo gjithaq si UÇK, pra pa armë, pa i ndjellë kujt shpresë, pa pretendime të imponimit të vështrimit tonë të botës mbi të tjerët, por me ide të qartë se duhej të mësonim diçka nga të gjitha që i kishim. Para së gjithash, se duhej të gjenim njerëz që do të kishin vullnet të mësonin së bashku me ne se si të hynin në pyll të panjohour dhe, duke ecur nëpër të, ta gjenin daljen në dritë të ditës. Për ta kryer këtë punë, na duhej ta gjenim së paku një gjë të përbashkët rreth së cilës do të tuboheshim. Kështu shkruante filozofi Zhak Ransije [Jacques Rancière] kur folte mbi eksperimentin filozofik të cilin e ndërmori mësuesi freng në Holandë, Zhozef Zhakoto, duke mos e ditur asnjë fjalë të holandishtes. Për këtë arsye u mundua ta gjente një gjë të përbashkët, dhe e gjeti në botimin dygjuhësh të romanit të njohur asokohe, Aventurat e Telemahut [Les aventures de Télémaque] të shkrimtarit freng, Fransoa Fenelo [François Fénelon]. Ua dha atë botim nxënësve me lutje që të fillojnë të mësojnë frengjisht duke u shërbyer me përkthimin në holandishte. Rezultati ishte i pabesueshëm. Kështu e kuptoi mësuesi Zhakoto se modeli i vjetër i pedagogjisë përmes të cilit duhet t’i shpjegohet dikujt diçka duke e demostruar autoritetin e mësuesit është absolutisht jorelevant dhe se është vetëm kontribut drejt budallepsjes. Prandaj i ishte kthyer konceptit të mësuesit bilmez i cili përfundimisht do të duhej të mësonte diçka prej vetë nxënësve. Gjëja e jonë e përbashkët rreth së cilës u formua festivali i Polipit ishte letërsia.

Mësuesi bilmez i kundërvehet politikanit gjitholog i cili i di të gjitha dhe çdo ditë mundohet t’i japë kombit mësim mbi faktet e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, bie fjala, ose në mes të fuqive të mëdha dhe çështjes së Kosovës, ose mbi historitë e pësimit nën okupimet e ndryshëm, ose mbi ndonjë lëndë historike, kulturologjike, apo filozofike të këtij lloji. Po ta mirrnim shembullin e presidentit të Sërbisë, Alleksandar Vuçiqit, do të mund të na binte në sy një proces i budallepsjes së skajme të qytetarëve përmes të gjithë kanaleve të mundur të medjeve. Përmes kësaj arrihet gjer te ruajtja e përhershme e ndjenjës së rrezikut të luftës, për shkak të “gjendjes në Kosovë”. Për këtë arsye u anulua edhe EuroPride 2022, sepse “s’mund të organizohet siguria e njëfarë parakalimi, atje” gjersa të jetë “në rrezik siguria e Sërbisë”. Kështu u vendos Kosova, në sajë të prezidentit Vuçiq, në tasin e dytë të peshores gjersa në të parin mbetën EuroPride bashkë me të gjitha të drejtat dhe liritë tjera qytetare. Mirë i ka ra kësaj në fije politikani gjitholog, i cili duke e shfrytëzuar pushtetin e vet absolut, qytetarëve ua qet si për anash, në një mënyrë perfide, që as mos të mbajnë shpresë për ndonjë përmirësim, apo se do të mund t’i gëzojnë të drejtat elementare, përderisa të mbesë në fuqi nyja e pazgjidhshme politike kosovare. E kjo mund të zgjasë gjer në fund të botës, gjer në fund të të gjitha politikave radikale që zhvillohen në këta vise.

Politikat e reja të solidaritetit për të cilat, pos tjerësh, angazhohej edhe Borka Stefanoviq, nuk e kanë asnjë lidhje me këtë lloj të rregullimit të botës. Festivali Polip poashtu nuk kishte tepër shumë pika të përputhjes me festivalet letrarë që donin t’u ofronin mësim dhe argëtim pjesëmarrësve dhe publikut. Përkundrazi, Festivali Polip përpiqej të mësonte prej Evropës dhe regjionit, dhe, ate çka e kishte mësuar, ta diskutonte me mysafirë dhe me miq. Mu nga një hava energjetike e tillë buruan idetë e reja, siç ishte ajo, Ndërroje gjuhën [Change Your Laguage], të cilën e lansuan Veton Surroi dhe Sreten Ugriçiqi [Ugričić] në njërën nga tribinat e mbajtura. Ky së shpejti do të bëhej moto i organizimit vijues të festivalit. Si të ndërrohet gjuha? Çfarë ndërrimi t’i bëhet? I qasjes ndaj problemit? Në vet mënyrën e të menduarit mbi problemin? Polipi e pat bërë këtë qysh në fillim, duke zgjedhur të mos e fliste gjuhën e politikës, as ate të mësuesit apo politikanit gjitholog por, përkundrazi, me zë të atij njeriut i cili e kupton se nuk e di rrugën e tejkalimit të pyllit (problemit), që ndoshta askush nuk e di, por se ndoshta, duke e mësuar gjuhën e letërsisë—përmes leximit, përkthimit, dhe të kuptuarit—do të mund të gjindej rruga gjer te ajo pikë të pyllit nga e cila fillojmë ta vërejmë depërtimin e dritës nëpër degët e trasha e të errëta të drunjve të vjetër dhe masivë.

Kam mësuar mjaft shumë duke i dëgjuar poetët dhe shkrimtarët nga Kosova, dhe duke i lexuar veprat e tyre. Kam parë shumëçka duke udhëtuar linjave ilegale të qarkullimit, të cilave ndër vite u shtohej rëndësia, dhe të cilat madje edhe legalizoheshin. Para së gjithash, atë se njerëzit e mbizotërojnë të kaluarën e vet traumatike vetvetiu në jetën e përditme. E kam parë në vepër praktikën e politikave të reja të përditme të solidaritetit kur qëllonim në kufi, në ndonjë vendkalim të parregullt, në natë pa transport, apo kudo tjetër. Më kujtohet dita kur ty, mik i dashur, së bashku me Shkëlzen Maliqin dhe disa autorë të tjerë nga Kosova, nuk ta lejuan kalimin në Merdare. Polici erdhi afër jush dhe jua kumtoi se më tej nuk do të mundeni të vazhdoni. Kërkuat të sillet një numër i telefonit, i Beogradit, por polici vetëm bëri me dorë sepse, a nuk po e dini, vallë, që prapë sapo na shpërtheu një krizë politike? Edhe po t’i bënit thirrje ministrit Daçiq (ministrit të policisë në atë kohë), tha polici, nuk do të mund të kalonit. Por megjithatë—kaluat. Atë mëngjez pat qëlluar në anën tjetër Borka Paviçeviq e cila, po të kishte qëlluar në LNÇ, sigurisht do t’i kishte komanduar njësitë partizane në luftë kundër fashistëve të të gjithë sojeve. Si në Betejë të Neretvës. Si në Sutjeskë. Si në Polip.

 

6 shtator 2022

Zagreb

Gjer në letrën tënde të ardhme.

Përshëndetje miqësore,

Sasha

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.