Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Sasha & Jeton: Letra III

‘Takimi’ me Vojislav Sheshelin në Kongo

I dashur Sasha,

Pak pasi ta nisa letrën e parë, u bëra pishman se pata drojën se mos kur shkrova për zhvillimet në Kosovë tingëllova ca si tepër optimist. Por kur jemi në ndonjë vend tjetër, gjithmonë kemi prirje ta shohim Atdheun me nostalgji dhe disi jemi më të butë në kritika. Unë isha në Shqipëri kur e shkrova atë letër; jo larg, por megjithatë kam përshtypjen që më ka tradhtuar malli për Kosovën! E ndoshta edhe ndikimi i kripës e ka bërë të veten, e pastaj u lëshova në optimizëm, e kam bërë komente të tipit “në Kosovë gjërat janë pak më mirë se sa në Serbi”. Zoti na ruajt! Ja se çfarë i bëka njeriut krypa e detit, ia shtrembëroka krejtësisht pamjen mbi realitetin…

Njëherë, para rreth 15 vitesh, kur isha në Kongo – më saktë në Goma të Republikës Demokratike të Kongos –  në një klub nate ku mund të hynin vetëm punëtorët e UN-it dhe ndërkombëtarët tjerë, takova një serb i cili nuk e di se çfarë biznesmeni ishte. Ia ktheva pasi e dëgjova tek fliste serbisht, e ai u emocionua. Kishte disa muaj atje dhe prandaj pyetja e tij e parë ishte “kako je dole” (si është atje poshtë)! “Nuk është keq”, –  ia ktheva unë. Në të vërtetë, ‘këtu poshtë’ ishte mjaft keq! Paj, gjithmonë ka qenë mjaft keq, për t’mos thënë ka qenë krejt mut që 30 vite. Sidoqoftë, parë nga atje larg, gjërat “atje poshtë” nuk dukeshin edhe aq keq. Sidomos ngaqë atje ku ndodhesha, kisha parë fëmijë të uritur skajshmërisht, rrugë të mbushura me pluhurin e mbetur të llavës së vullkanit, kisha parë mjerim, shumë mjerim…

E meqë ra fjala, kurrë nuk ia kam dalë ta kuptoj pse “atje poshtë” është bërë frazë e emigrantëve tanë për të emëruar vendet e Ballkanit. Kudo ku kam qenë, në Gjermani, Suedi, në Amerikë e kudo tjetër, kur takoj njerëz nga anët tona gjithnjë më pyesin “si është atje poshtë”, apo “a do të bëhet mirë atje poshtë”. Për nga lartësia mbidetare nuk besoj të jemi fort poshtë, nëse krahasohemi me vendet tjera, ta zëmë ato nordike! Pra, nuk besoj që kjo “poshtë” është ndonjë përkufizim gjeografik. Por ndoshta, ata pavetëdishëm, me “atje poshtë” e mendojnë mbretërinë e nëntokës, Hadin… Pra, kur ata pyesin “si është atje poshtë”, ndoshta duan të thonë  “si është atje në Hadin tonë, në mbretërinë e vdekjes…”.   

Kishte rënë mbrëmja kur i shtrënguam duart me biznesmenin serb në klubin e natës në Goma të Kongos. E kur më vonë iu afrua një llampe që ndriçonte zbehtë, i pashë maicën me fotografinë e Sheshelit të gravuar në të. I rashë pishman që i kisha folur. Por mandej kam menduar gjatë për atë tip të sëmurë nga budallakia, që do të ketë besuar se, ndoshta me atë maicë, po e mbronte sërbizmin e tij në Goma të Kongos!!! Ose kushedi, mbase ka menduar që Shesheli është shenjt që e mbron nga të ligat. Në çdo shpjegim e interpretim ai del një budalla i rëndomtë, i tillë çfarë ka pa fund edhe mes këtyre bashkëvendasve të mi kosovarë. Ta zëmë, unë s’ia dal ta kuptoj pse kur disa të rinj e të reja, kur ngjiten në maja mali nëpër botë, fotografohen me krenari pranë flamurit të Kosovës! E pastaj në mediat tona gjen artikuj koti për flamurin e Kosovës të ngritur edhe në majën më të lartë në… Në tri p… të sëmës! Jam i sigurt që plot e plot njerëzve ato foto ua nxjerrin mornicat patriotike, por mua sall më bëjnë të pyes “e çka pastaj?”. Por kushedi, ndoshta ata alpinistë besojnë që Zoti i sheh më kollaj flamujt kur janë në maja mali dhe vendosë t’u vijë në ndihmë e t’u bëhet krah shoqërive të tyre! Kushedi?!

Nejse, u xeherlisa pasi ta nisa letrën e parë, dhe, dorën në zemër, prisja që do të më pyesje me qortim: ç’të ka ndodhur Jeton, përse po i tradhëton idealet tona, për kritikë e përbuzje të çdo hajvanllëku në këto shoqëritë tona?. Megjithatë, ka shpresë që mund t’i përmirësojmë gabimet që mund të bëjmë herë pas here. Kur njëherë, në shtator të vitit 2011, unë me dy aktorët e shfaqjes “Patriotic Hypermarket”, Bajrush Mjakun dhe Kushtrim Hoxhën po ktheheshim me aeroplan të JAT-it nga Beogradi për në Shkup, turbulencat atë natë ishin tepër të fuqishme. Patëm frikë, por edhe qeshnim, e me humor i thonim njëri-tjetrit se po vdiqëm në këtë udhëtim, atëherë do të vdesim si tradhëtarë. Por, nëse do të ngelnim gjallë, thonim, atëherë do t’kishim kohë të bënim edhe ndonjë vepër patriotike dhe ta nxirrnim veten nga kjo tradhti që kishim pranuar të ndanim skenën me artistë serbë.

Teksa lexoja fillimin e letrës tënde ku po flisje për minjtë, ma kujtove subjektin e një skice drame të dramaturgut e regjisorit të njohur kosovar Fadil Hysaj, të qujtur “Perandoria e minjve”. Në këtë dramë të papërfunduar, bota e nëndheshme e minjve fillon të pushtohet nga njerëzit, të cilët, për shkak të pasigurisë dhe një lufte globale bërthamore zbresin poshtë, në botën e minjve. Njerëzit e kanë dhjerë punën në sipërfaqen e tokës dhe tani zbresin në nëntokë për të gjetur strehim. Megjithatë, gjirizet e nëntoka janë perandori e huaj, aty zotë janë minjtë… Personazhi kryesor i dramës së Hysajt është një profesor i cili, kur ka zbritur në botën e nëntokës, ka zbritur bashkë me bibliotekën e tij të madhe, të cilën tani po ia hanë minjtë. Nuk më kujtohen detajet dhe nuk e di nëse Fadili e ka përfunduar këtë dramë. Në fakt, ai rrallë i përfundon ato. Subjektet i ka fantastike, motivet të shkëlqyeshme, por, i lë skicat e papërfunduara, sepse ndërkohë ka gjetur dicka më fascinuese, është magjepsur nga një subjekt a ide tjetër… Kështu që, ngushëllohu Sashë, se të jesh mi gjirizi nuk është edhe aq keq. E madje, sipas këtij vizioni apokaliptik të Hysajt, vetëm minjtë do të mbijetojnë. Që ta dish, për shkak të veshëve llapush, si fëmijë mua më kan thirrur ‘zec’ (lepur). Paj, edhe do t’kisha pranuar të kthehesha në lepur, por besoj që mungesa ime e theksuar e frikës do t’më sillte telashe të mëdha.

Ato dy antologji letrare që i botuam, sa na kan sjelle4 kënaqësi aq edhe kokëçarje. Sidomos mua këtu në Kosovë. Njëherë mezi mblodha bashkë krejt ata shkrimtarë – rreth 20 apo sa qenë përfshirë.  Kur i ftova dhe kur ua shpjegova idenë e një antologjie letrare të Kosovës që do të botohej në Serbi, jo të gjithë më besonin dhe jo të gjithë besonin se nuk do t’ua shkërdheja karrierën e tyre letraro-patriotike. Disa, më pyesnin me mirësjellje se “a është gjithçka pastër”. Ata donin të dinin se si do të prezentoheshin në botim, si shkrimtarë të Republikës së Kosovës, apo si shkrimtarë nga Kosova, a edhe më keq, nga ‘Kosmeti’. Kjo puna e “republikës” akoma dhe tash, por sidomos atëhere që shëndërruar si një fjalë mallkimi! Po s’përdorej shpesh (s’kishte lidhje në ishte vend e pa vend), rrezikoje të cilësoheshe si ‘anti-shtet’, si dikush që i pengon republika etj. etj…. Prandaj, kur doje të ishe në të sigurtën, thjesht ia fusje dikund “republika” secilit dokument, deklaratë zyrtare, secilit e-mail që dërgoje, letre a kërkese për fonde…

E-mailat zyrtar fillonin pak a shumë kështu: “I nderuari Ministër i Kulturës i Republikës së Kosovës…”. E kur i shkruaje mikut, mund ta gjeje veten duke shkruar diçka si: “I nderuari miku im i mirë i Republikës së Kosovës”. Apo nëse po i shkruaje të dashurës tënde, ti mund ta kishe një fjali të tipit: “dashuria jonë është si republikë, e pamposhtur”. Ose nëse ankoheshe në diçka, mund të shkruaje: “republika jonë e Kosovës është mbushur mut deri në fyt… Në toaletet e Teatrit Kombëtar nuk ka letër toaleti…”. Apo, nëse kishe kryer ndonjë vjedhje, ti para hetuesit mund të përgjigjeshe me diçka si: “vodha ca blloka të kuq ndërtimi të prodhuara në Serbi, e të eksportuar në Republikën tonë të Kosovës”. Nga vjedhja edhe mund të shpëtoje, por jo nga papërmendja e ‘republikës’.

Por, që të kthehem tek ato dy ‘libra sherri’ që u botuan në Serbi e Kosovë. Kur në Kosovë e botuam “Nga Beogradi me dashuri”, ishte sikur të kishim bërë një sakrilegj. Megjithatë, ajo antologji e prozës së re serbe e botuar në Kosovë, për gardianët e moralit patriotik, nuk ishte shkas i mjaftueshëm që t’mund t’i ngrisnin shpatat për sulm. Atyre, në fakt, më tepër u interesonte formacioni i antologjisë me letërsi të re nga Kosova që ishte botuar në Beograd. Përpiqeshin të gjenin lidhjet e mundshme dhe njollat (anti-kombëtare) mes atyre shumë autorëve që ishin përfshirë. Disa nga autorët në atë botim ishin: Halil Matoshi, Arben Idrizi, Shpetim Selmani, Xhevdet Bajraj, Kujtim Pacaku, Tringa Gojani, Bekim Lumi, Anton Berishaj, Shkelzen Maliqi, Ilir Gjocaj e plot të tjerë. Prandaj, një front kundër të gjithë këtyre nuk do të ishte i lehtë. Por fronti kundër u hap shpejt, me një rast tjetër, kur Teatri Atelje 212 nga Beogradi e ftoi shfaqjen “Çifti Martin” të Bekim Lumit, që të merrte pjesë në festivalin “Ditët e Mucit”, që po mbahej nën siglën “NEXT YU”. Asokohe isha drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe ftesën nga Beogradi natyrisht e pranova. Por shpejt u nis një fatva mediale kundër prezentimit të shfaqjes në Beograd, e të cilës i prinin shkrimtarë e gazetarë të ndryshëm. U ndez një debat i jashtëzakonshëm edhe në publik. Nga ana jonë, fronin e mbante Bekim Lumi i ndjerë, Halil Matoshi, Shkelzen Maliqi dhe unë, për aq sa mundeshim. Megjithatë, ata ishin shumica dhe ata ishin në anën e ‘republikës’, të cilën ne ‘po e cënonim’ me përpjekjen për ta çuar shfaqjen në Beograd. Dhe si rezultat, ajo shfaqje nuk u dha atje. Për mua, ky ishte një rast historik i humbur.

Dimri e ha kashtën, themi ne këtej. Edhe vitet e hanë turpin. Shumë nga ata artistë që ishin kundër shkëmbimeve kulturore, edhe të letërsisë edhe kundër Festivalit polip, vite më pas u përfshinë vet në projekte bashkëpunimi me artistë nga Serbia. Ajo çfarë dikur për ta ishte një “akt tradhtie” u bë më vonë një “akt normalizimi i raporteve” – që ta përdorim këtë terminologjinë politike që ka dominuar raportet Kosovë-Serbi këto vitet e fundit. Në fakt, këta që dikur refuzonin çdo lloj bashkëpunimi me artistët serbë, tani kur u përfshinë vetë, thonin se po shkonin t’u tregonin atyre në Beograd që “edhe ne kemi art e kulturë”. Këta artistë, me siguri do ta kenë ngushëlluar veten, se nëse Thaçi – idoli i tyre – , komunikon e bashkëpunon me Vuçiqin, atëherë duhet të jetë në rregull që edhe ata të prezentojnë punën e tyre artistike në Beograd.

Megjithatë, këtë “republikën” tonë, që shumica e përdornin sall si mburojë për pisllëqet e tyre, e kemi mbajtur larg polipit, i cili ka qenë një republikë më vete. Madje, njërin prej edicioneve ne kemi pasë titualluar, “Republika Letrare”. Më kujtohet që në lexime patën ardhur njerëz të ndryshëm, ambasadorë e politikanë – Albin Kurti ka qenë njëherë a dy, Hashim Thaçi njëherë e pat paralajmëruar ardhjen, por nuk erdhi. Jo nuk i kemi thënë askujt. Përse do t’i kishim thënë jo Thaçit apo Kurtit? Por i përmenda ambasadorët. Në fillim ata i ftonim dhe gëzoheshim kur e paralajmëronin ardhjen. Se kur ata vinin, të them të drejtën, ndiheshim më të sigurt. Bashkë me ta, andej kah Qendra Multimedia e dikurshme sillej edhe policia e Kosovës. Tani, nga kjo distancë, kjo gjë mund të duket absurd, por prania policore ka qenë e domosdoshme në atë fillim të polipit, për shkak të prezencës së autorëve nga Serbia, natyrisht. Me kalimin e viteve, as nuk e lajmëronim policinë, e as ata nuk vinin, se as ambasadorët nuk na vinin – ose, vinin ambasadorë që nuk kishin nevojë për spektakle e për polici përreth…

Deri në letrën e radhës.

Mirëmbetsh.

 Jetoni

Prishtinë, 18 gusht, 2022

 

p.s.

kur dy letrat tona të para u botuan, pati një ngatërresë të çuditshme, nëse letrat ishin shkruar në qershor apo korrik! Dëshmitë në letra, edhe në fund të letrës time, por edhe në fund të letrës tënde, ishte vënë muaji qershor, megjithatë, në realitet ato janë shkruar në korrik. Por po, u desh të gjurmoja në mejlat që kemi shkëmbyer, për t’u siguruar që po, bëhet fjalë për muajin korrik dhe se shënimet në fund të letrave tona ishin gabim. Kaq për kujtesën tonë dhe kaq për besimin e verbër në fjalën e shkruar. Prandaj, ndoshta, më mirë duhet t’ua lëshojmë vendin atyre maqinave tua të Lamda-s dhe chatbot-it – e çudirave të ngjajshme teknologjike….

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.