Institucionet arsimore janë të ndërtuara asisoj që t’i përshtaten vetëm disave. Sistemi arsimor është i pashkoqitur nga fushat tjera shoqërore, dhe sipas Bourdieu-së mundësi për ta studiuar këtë është në mënyrë relacionale. Sistemi arsimor krijohet nga fusha e pushtetit e fusha e pushtetit prodhon dhe riprodhon praktikat kulturore të klasës dominuese, e që rrjedhimisht prodhon e riprodhon klasën dominuese përmes arsimit. Këtë e shohim në përditshmërinë e shkollës duke analizuar mësuesit, nxënësit, kurrikulat dhe mësimdhënien.
Për shkak se sipas Bourdieu’s sistemi arsimor diktohet nga klasa dominuese, atëherë i bie se në një mënyrë apo tjetrën do t’i shërbejë po asaj klase, ndonëse gjithmonë me përjashtime, porse përjashtimet janë në të shumtën e rasteve irrelevante. Të ‘shërbyerit’ e asaj klase ndodhë në disa mënyra: nga kush jep mësim deri tek kush i shkruan librat nga të cilët do të mësohet (që përgjithësisht vijnë nga klasë më të privilegjuara).
I pari prej dy nocioneve jashtëzakonisht të rëndësishme për të cilat flet Bourdieu është habitusi: trajektorja jetësore e përkthyer në dispozitat që një person ka në botën shoqërore, d.m.th mënyra si jeton, flet e mendon. Pra, është të qenit pa e lodhur kokën, thënë me fjalë tjera. [1] Por, koncepti i habitusit, nuk mund të ndahet nga nocioni i Bourdieu’s mbi format e ndryshme të kapitalit. I pari është kapitali ekonomik i cili sipas tij është një formë kapitali që përkthehet drejtpërdrejt në para, pronë etj. Ndërsa kapitali kulturor përmban në vetvete disa nënforma të cilat mund të jenë në gjendje të objektivizuar (posedimi i të mirave kulturore si p.sh. pikturat, librat, etj); ndërsa gjendja e mishëruar e kapitalit kulturor paraqitet nëpërmjet dispozitave të një agjenti, ose habitusit. [2] Gjendja e institucionalizuar është “Objektivizimi i kapitalit kulturor në formën e kualifikimeve akademike”. [3] Kapitali social në ana tjetër janë rrjetët dhe marrëdhëniet e akumuluara që dikush i ka në posedim. [4]
Fusha (Field), nocioni tjetër i rëndësishëm i Bourdieu’s, shpjegohet si hapësirë shoqërore ku ekzistojnë pozicione të ndryshme të cilat agjentë të ndryshëm mundohen t’i okupojnë. Okupimi i këtyre pozicioneve brenda fushave të caktuara determinohet nga habitusi dhe format e ndryshme të kapitalit të cilat dikush i ka në dispozicion dhe të cilat në fund mund të përmblidhen në kapital simbolik. Prandaj, në shkollë kemi pozicione të ndryshme të cilat janë në okupim e sipër, dhe agjentë të cilët vazhdimisht luftojnë për t’i okupuar ato. Në një përmbledhje ligjeratash të mbajtura nga Bourdieu gjatë viteve ’80, ai shpjegon nocionin ‘fushë’ si diçka që nuk është e prekshme, nuk mund të shihet dhe thjesht të vëzhgohet. Është një proces jashtëzakonisht kompleks dhe një objekt jashtëzakonisht i vështirë i sociologjisë. Sipas tij, bota sociale përbëhet nga fushat, dhe agjentët socialë që janë pjesë e këtyre fushave. Si një përkufizim i shkurtër i fushës mund të shërbejë terreni ku dija, kapitali prodhohet dhe qarkullon dhe ku ndërveprojnë agjentët socialë. [5]
Çka ndodhë në një klasë shkollore? Ky shembull tingëllon se është i pamjaftueshëm për të shpjeguar pabarazitë që riprodhohen përmes sistemeve arsimore, sidoqoftë, klasa shkollore mund të shërbejë si mikro-hapësirë që është reflektim i një makro-hapësire.
Në kontekstin kosovar, historia e arsimit është koxha e komplikuar, dhe mund të themi se vetëm pas luftës kemi arritur të konstruktojmë një sistem arsimor më të qëndrueshëm. Sido që të jetë, shpjegimet e nocionet e lartëpermendura sigurisht që mund t’i përkthejmë në kontekstin tonë. Riprodhimi i pabarazive nga sistemi arsimor është i pamohueshëm, për shkak se sistemet arsimore nuk janë unike, e në këtë rast as Kosova nuk është ndonjë rast i veçantë. Përkrah diskutimeve të vazhdueshme që ndodhin në Kosovë tash e dy dekada në raport me “cilësinë” e dobët të arsimit, sigurisht duhet t’i kushtohet një vëmendje e posaçme, por nga një prizmë tjetër. Le të përqendrohemi tek ato që i përbashkon të gjitha sistemet arsimore, e që do listohen mëposhtë.
1). Mësuesi/ja – është aty për të transmetuar dijen në një mënyrë të caktuar e të paracaktuar jo vetëm ai/ajo, por nga disa faktorë e rrethana të ndryshme. Mësimdhënësi ushtron detyrën (aksioni pedagogjik) përmes dhunës simbolike, meqë vet ideja e të dhënit mësim është pikërisht kjo: dhunë.
Dhuna simbolike është imponimi i “kuptimit” i cili legjitimohet nga pushteti. [6] Aksioni pedagogjik është procesi i ngulitjes së atij kuptimi brenda ose jashtë sistemit arsimor i cili bëhet përmes dhunës simbolike. [7] Në mënyrë që kjo ngulitje të kalojë pa probleme, duhet të kesh autoritet, i cili legjitimohet nga një fuqi arbitrare. [8] Arbitrari i dyfishtë kërkon që dikush të ndjekë praktika të caktuara arbitrare kulturore të dhëna nga një fuqi arbitrare .[9] Pra, me fjalë të tjera nuk ekziston arsyeshmëria mbi pse duhet të jetë shkolla kështu siç është. Autoriteti i mësuesit është poashtu irracional dhe vetëm i nënkuptueshëm.
Nxënësit – Të gjitha të lartëpërmendurat, shpjegimet për mësuesin, vlejnë edhe për nxënësin. Por, do të përqendrohemi tek raporti i nxënësve me mësuesin. Origjina sociale e nxënësve është përcaktuese sesi këta të fundit do të ‘performojnë’ në shkollë. Nxënësit që vijnë nga klasë më të privilegjuara, të cilët kanë fituar kapital kulturor në shtëpi do gjejnë mirëkuptim me mësuesin e tyre i cili poashtu vjen nga një klasë më e privilegjuar, pra, raporti i tyre i “mirë” do të jetë i natyrshëm.
Librin të cilin nxënësi do ta lexojë i cili është shkruar nga eksperti i një klase të privilegjuar, do të kuptohet me lehtësi nga nxënësi i privilegjuar në raport me nxënësit që vijnë nga klasa më pak të privilegjuara. Nxënësi i privilegjuar vjen me një arsenal kulturor para se të hyjë në shkollë, ai i merr të gjitha format e kapitalit jashtë shkollës dhe i kapitalizon brenda në shkollë. [10]
Gjuha nuk përdoret vetëm si mjet komunikimi. Është një mjeti i përfshirjes (të të privilegjuarve) dhe përjashtimit (më pak të privilegjuarve). Kapitali linguistik është, shpjeguar shkurtimisht, zotërimi i një lloji të fjalorit, i kompleksitetit të artikulimit dhe stilit në të cilin ky i fundit paraqitet. Të gjitha këto janë në përputhje me kulturën legjitime të klasës dominuese dhe ‘komunikimi’ përdoret si mjet matjeje për vlerësim (notim). Procesi i ngulitjes përmes gjuhës dhe kërkesa për një lloj të caktuar të gjuhës, paraqitet në një mënyrë të heshtur por të detyrueshme. Pra, kapitali linguistik nuk mund të shihet si një prirje e izoluar, por edhe si e trashëguar nga familja. [11]
Së pari, duhet trajtuar se si përdoret gjuha nga mësuesi. Ekziston një mënyrë e veçantë në të cilën manifestohet marrëdhënia e mësuesit me gjuhën, e cila shpesh është e pakuptueshme. Mësuesi është jashtëzakonisht i preokupuar me të qenit dallues deri në pikën që edhe ata që vijnë nga klasa më të privilegjuara nuk janë në gjendje ta kuptojnë. [12] Nga ana tjetër, sistemi arsimor kërkon që ata brenda tij, të zotërojnë gjuhën skolastike. Meqenëse ata nga klasat më të privilegjuara zotërojnë epërsinë për shkak të marrjes së kapitalit linguistik jashtë shkollës(familjes), klasat më pak të privilegjuara përballen me një presion të dyfishtë në lidhje me zotërimin e gjuhës skolastike. E para heqja e mënyrës së tyre të të folurit që fitohet jashtë shkollës, dhe e dyta është zhytja në gjuhën skolastike. [13]
Por, si mund ta dilet nga ky cikël? Besoj se mënyra sesi Bourdieu i drejtohet ndryshimit mund të kuptohet duke i kushtuar vëmendje punës së tij në një mënyrë më holistike. Kam hasur në artikuj të ndryshëm mbi Bourdieu-në që e konsiderojnë atë mjaft determinist dhe se kuadri i tij konceptual është ndërtuar në një mënyrë që pengon rrjedhen e ndryshimeve shoqërore. Nga ana tjetër, Bourdieu mund të shfaqet si një teoricien social që sheh marrëdhëniet shoqërore si një cikël vicioz pa asnjë shans për transformime shoqërore, edhe pse nuk duket të jetë ashtu.
Një shembull që Bourdieu merr në “In Other Words” është pasi sistemi arsimor tenton të riprodhojë një strukturë të caktuar shoqërore, me kapital kulturor të trashëguar, i cili më pas i lë ata që nuk përshtaten në këtë mjedis të rreptë të “eliminuar”. Bourdieu argumenton se si këto viktima të eliminimit mund të synojnë të transformojnë strukturat që mekanizmi i eliminimit tenton t’i ruajë. [14]
Një shembull tjetër përmendet në kapitullin përmbyllës të “The Inheritors” ku Bourdieu flet për pedagogjinë racionale, e cila deri diku nuk është plotësisht e përcaktuar, pasi që kjo e fundit ende nuk ekziston, por, Bourdieu argumenton se sistemi arsimor mund të kalojë në një proces demokratizimi kur ata që rrjedhin nga klasa më pak të privilegjuara mund të fitojnë në shkollë atë që e fitojnë klasat më të privilegjuara në shtëpi. Ideja e “dhuntisë” ose e talentit natyror duhet t’i mësohet në mënyrë metodike secilit, në mënyrë që të ekzistojë të paktën njëfarë barazie. [15]
Bibliografi
“Bourdieu’s Concept of Field”. in, 2020,
Bourdieu, Pierre, 1984. “Distinction, A Social Critique of the Judgment of Taste, Massachusetts: Harvard University Press Cambridge
Bourdieu, P, 2020. “Habitus and field“, Polity Press.
Bourdieu, Pierre, 1990. In Other Words: Essays Towards A Reflexive Sociology. Stanford, California: Stanford University Press
Bourdieu, Pierre, & Passeron, Jean-Claude, 1979. The Inheritors. Chicago and London: The University of Chicago Press
Bourdieu, Pierre, & Jean-Claude Passeron, (1990). Reproduction in Education, Society and Culture. London, SAGE Publications Ltd
Richardson, J., 1986 Handbook of Theory and Research for the Sociology of Education ,Westport, CT: Greenwood
[1] Bourdieu, P, Habitus and field , Polity Press, 2020. P. 21
[2] Richardson, J., Handbook of Theory and Research for the Sociology of Education ,1986,
Westport, CT: Greenwood, p. 17
[3] Ibid. p. 20
[4] Ibid. p. 21
[5] “Bourdieu’s Concept of Field”. in , , 2020,
[6] Bourdieu, Pierre, & Jean-Claude Passeron, (1990). Reproduction in Education, Society and Culture. in , London, SAGE Publications Ltd, p.4
[7] Ibid. p . 5
[8] Ibid. p. 8
[9] Ibid. p. 6
[10] Bourdieu, P. “Distinction, A Social Critique of the Judgment of Taste, Massachusetts: Harvard University Press Cambridge, 1984, pp. 25, 115
[11] Bourdieu, Pierre, & Jean-Claude Passeron, (1990). Reproduction in Education, Society and Culture. in , London, SAGE Publications Ltd. pp. 73, 99
[12] Ibid. 114-115
[13] Ibid. p. 119
[14] Bourdieu, Pierre, 1990. In Other Words: Essays Towards A Reflexive Sociology. Stanford, California: Stanford University Press. pp. 118-119
[15] Bourdieu, Pierre, & Passeron, Jean-Claude, (1979). The Inheritors. Chicago and London: The University of Chicago Press. p. 73