Artikulli i përkthyer.
Për dekada të tëra, Bosnjë-Hercegovina (BeH) dhe Kosova kanë aplikuar regjim vizash ndaj njëra-tjetrës, duke u bërë kështu dy vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që kërkojnë ndërsjelltazi viza për qytetarët e tyre.
Më 3 nëntor 2022, ngjau një zhvillim i rëndësishëm kur të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje të reja në Berlin, nën ombrellën e Procesit të Berlinit.
Ato arritën një marrëveshje për ta vendosur njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Veç kësaj, ato vendosën të heqin regjimin e vizave duke ua bërë të mundur qytetarëve që të kalojnë kufijtë midis BeH dhe Kosovës vetëm me letërnjoftim, duke ndërprerë regjimin e gjatë të vizave që ekzistonte më parë midis të dy vendeve.
Ky qe një hap i mirë përpara në tejkalimin e pengesave rajonale dhe përshpejtimin e ndryshimeve pozitive në rajon.
Ani pse BeH dhe Kosova janë dakorduar për heqjen e regjimit të vizave, nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do të përkthehet në udhëtim pa viza midis dy vendeve.
Kosova mbajti fjalën e saj
Në shkurt të vitit 2023, 82 deputetë në Kuvendin e Kosovës votuan pro miratimit të tri marrëveshjeve të miratuara më parë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Berlin, në nëntor 2022, si pjesë e Procesit të Berlinit.
Megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar plot katër muaj, BeH ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen, duke prolonguar udhëtimin pa viza midis Kosovës dhe BeH.
Mungesa e ratifikimit buron nga mosnjohja e Kosovës nga BeH si shtet i pavarur. Kryesisht kjo vjen si shkak i fuqisë së vetos së përdorur nga Republika Srpska, një nga dy entitetet brenda BeH, që pengon çdo përparim drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Pas Samitit të Berlinit, presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, said se BeH nuk do të vazhdojë para me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, duke nënvizuar synimin e tij për të parandaluar çfarëdo përparimi në këtë çështje.
Udhëtimi pa viza pengohet nga barrierat politike
BeH ka bllokuar vazhdimisht zbatimin e marrëveshjes që lejon udhëtimin pa viza ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe BeH. Si rrjedhojë, qytetarëve të të dyja vendeve u kërkohet ende të kalojnë nëpër procedura burokratike për të marrë viza për t’i vizituar familjet e miqtë.
Sistemi kompleks i vizave pengon marrëdhëniet tregtare midis të dy vendeve, duke çuar në një rënie drastike të tregtisë dhe duke dobësuar ekonomitë e BeH dhe Kosovës. Për më tepër, bizneset dhe organizatat duhet të ndajnë mjetet për t’i mbuluar kostot e marrjes së vizave për punonjësit e tyre.
Është me rëndësi të nënvizohet se Zoran Tegeltija, ish-kryetar i Këshillit të Ministrave të BeH dhe anëtar i SNSD (partia politike e Dodikut), nënshkroi të tri marrëveshjet në Berlin së bashku me kryeministra të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Ky akt u pa si shenjë optimizmi jo vetëm për qytetarët e të dyja vendeve por edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili gjeti shpresë në këtë shfaqje bashkëpunimi.
Në fund, është e qartë se taktikat kundërproduktive të Dodikut kanë triumfuar, pasi ai nuk do t’ia dijë për përgjegjësinë institucionale të marrëveshjes së nënshkruar.
Kjo mund të vërtetohet nga vetë deklarata e tij e bërë fillimisht në Beograd, ku pretendoi se Këshilli i Ministrave i BeH nuk miratoi ligjin e nevojshëm për ta mundësuar marrëveshjen.
Madje, ai rikonfirmoi qëndrimin e tij edhe në llogarinë personale në Twitter, teksa iu përgjigj politikanes gjermane dhe deputetes së Parlamentit Europian, Viola von Cramon, e cila bëri thirrje për ratifikimin e marrëveshjes.
as a “BE-ja së pari duhet t’i lejojë qytetarët e Kosovës dhe Metohisë të udhëtojnë lirshëm brenda kufijve të saj dhe më pastaj t’i detyrojë të tjerët ta bëjnë këtë”, tha Dodik në përgjigjen e tij.
Për ta arritur këtë, është kruciale që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare të intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe të ushtrojnë presion më të madh. Kjo bëhet edhe më evidente duke pasur parasysh faktin se përgjegjësia tani është veç e njërës palë.
Në fund të fundit, regjimi pa viza nuk do ta ndryshojë qëndrimin e BeH për njohjen e Kosovës, por do të jetë një përfitim i madh për qytetarët të cilët aktualisht përballen me procedura të shumta kur bëjnë vizita të ndërsjella.