Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rusia është në Mesdhe dhe s’e ka mendjen të largohet

Strategjia e Rusisë në Mesdhe është pjesë integrale e strategjisë së saj për teatrin më të gjërë europian, i cili ka qenë kaherë arenë qendrore e ngadhënjimeve dhe dështimeve të politikës së saj të jashtme. Pozicioni mbizotërues i Europës në agjendën e politikës së jashtme të vendit është produkt i kulturës së saj strategjike, e cila nga ana e saj formësohet nga gjeografia, trashëgimia historike dhe një botëkuptim elitist, që Perëndimin e konsideron kërcënim ndaj rendit të brendshëm politik. Është e pamundshme të kuptohet qendrimi i tashëm i Rusisë në Mesdhe, pa e vënë në kontekstin dhe historinë e gjatë të përfshirjes së vendit në rajon dhe tërheqjen gjatë çerekshekullit pas përfundimit të Luftë së Ftohtë.

Prania e Rusisë në Mesdhe është rritur që prej përfshirjes ushtarake në Siri më 2015 dhe është më shumë se sa çështje e ambicies për t’u njohur si aktor global, por është produkt i kërkesave të kahmotshme të sigurisë kombëtare, perceptimeve të kërcënimit, si dhe interesave ekonomike. Periudha prej përfundimit të Luftës së Ftohtë te aneksimi i Krimesë më 2014, gjatë së cilës Rusia kryesisht nuk ishte e pranishme në Mesdhe, ishte shmangie prej përfshirjes shumëshekullore në atë hapësirë.

Intervali relativisht paqësor i pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar dhe marrëdhëniet armiqësore mes Rusisë dhe Perëndimit janë rigjallëruar, me Mesdheun si sferë të rëndësishme të garës në teatrin europian. Prania e Rusisë në rajon pas 2014 tregon një vazhdimësi të fortë me kohërat sovjetike dhe parasovjetike, kur zhvillimet në Europë përbënin shtysën kryesore të politikave të saj.

Në të njëjtën kohë, vështirë se dinamika pas vitit 2014 është përsëritje e garës SHBA-Rusi të Luftës së Ftohtë në Mesdhe, e cila ishte tipar mbizotërues i ambientit politik dhe të sigurisë në rajon. Përderisa Rusia dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s do të mbesin aktorë të rëndësishëm në Mesdhe, dinamika mbizotëruese ka gjasë të jetë produkt i forcave të brendshme politike, ekonomike dhe shoqërore të vendeve të Mesdheut, të cilat, siç tregon përvoja, asnjëra prej këtyre fuqive të huaja nuk kanë mjetet, e me sa duket as vullnetit, që t’i ndryshojnë.

Ky hulumtim është pjesë e një serie që të do të ofrojë një shqyrtim gjithëpërfshirës të kthimit të Rusisë në Mesdhe. Pjesa e parë shqyrton trashëgiminë historike të përfshirjes së Rusisë në Detin e Zi dhe Mesdhe dhe identifikon shtysat kryesore dhe të kahmotshme të politikës së saj në ato hapësira. Pjesa e dytë rishikon historinë e politikës sovjetike në Mesdhe gjatë Luftës së Ftohtë. Pjesa e tretë ofron një pasqyrë të rikthimit të Rusisë në Mesdhe pas tërheqjes pas Luftës së Ftohtë dhe në vlerësim të gjërë të politikave, aftësive dhe rezultateve të saj deri më sot. Hulumtimi përfundon me implikime për interesat dhe politikat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në Mesdhe.

Gjeografia është pothuajse fat

Zanafilla e angazhimit të Rusisë me rajonin e Mesdheut është e pamundur të përcaktohet me saktësi, por që në shekullin  X tregtarët prej federatës Kievan Rus po bënin tregti me Konstatinopojën. Konvertimi i Kievan Rus në krishtërim më 988 gjatë sundimit të Princ Vladimirit, i cili gjithashtu u martua me motrën e perandorit bizantin, krijoi themelet për lidhje fetare mes shtetit të ri rus dhe Bizantit. Këto lidhje kanë mbijetuar deri më sot dhe më shumë se njëherë përgjatë historisë së Perandorisë Ruse, ato shërbyen si bazë për ambiciet gjeopolotike të sunduesve të tyre.

Ato ambicie mund të gjurmohen te një zinxhir i pandërprerë i përpjekjeve ushtarake dhe diplomatike në fund të shekullit XVII, përderisa Rusia u zgjerua dhe u shfaq si pjesëmarrëse e plotë në politikën europiane. Përgjatë dy shekujve të ardhshëm, shtrirja e saj drejt Mesdheut, e detyruar prej mungesës së qasjes në porte të ujërave të ngrohta, e nxitur si nga ambiciet gjeopolitike ashtu edhe interesat komerciale, mori formën e fushatave të njëpasnjëshme ushtarake kundër Perandorisë Osmane. Që prej kohës së pushtimit të qytetit të Azovit (që iu kthye Turqisë më 1711) nga Petri i Madh, secili pushtim i ri krijoi justifikimin dhe hapësirën për tjetrin, edhe pse të ndarë më dekada. Të fituarit e qasjes në Detin e Azovit krijoi situatën ku u bë thelbësore për Rusinë që të marrë kontrollin e Ngushticëssë Kerçit për të siguruar qasjen në Detin e Zi.

Përderisa shumica e pushtimeve të Petrit të Madh qenë në brigjet e Baltikut, sunduesja e ardhshme e madhe Katarina përqendroi në jug ambiciet gjeopolitike dhe pushtimet. Ajo siguroi qasjen në Detin e Zi përmes një varg luftërash me Turqinë që rezultuan me aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe fitimin e territoreve përgjatë bregut verior në fund të shekullit 18. Këto toka të reja u quajtën Novorossiya (Rusia e re). Megjithatë, qasja në Detin e Zi nuk ishte qëllim në vetvete, meqë Katarina i kishte vën syrin Mesdheut. Luftërat me Turqinë që ajo nisi dhe që u vazhduan nga pasardhësit e saj përgjatë shekullit 19, qenë pjesë e gjeopolitikës europiane të praktikuar prej zhvillimit të koalicioneve me fuqitë e mëdha.

Me pushtimin e Novorossiya-s dhe me themelimin e Odesës, Sevastopolit dhe qyteteve të tjera në tokat e sapopushtuara, u krijua edhe hapësira për të kërkuar qasje në Mesdhe. Lufta e parë e Katarinës së Madhe me Turqinë në 1768 – 1774 shënoi edhe dërgesën e parë të një skuadriljeje detare ruse në Mesdhe. Pas një udhëtimi gati njëvjeçar prej Kronshtadit rreth Europës, flota arriti në Mesdheun lindor në qershor 1770 dhe korri një fitore të madhe kundër flotës turke në Betejën e Çesmes.

Kjo fitore nënvizoi rëndësinë e sigurimit të qasjes detare në Mesdhe, meqë rivaliteti me Turqinë mbeti shqetësim madhor për politikën e jashtme ruse. Ndonëse e drejta për të kaluar përmes ngushticave të Bosforit dhe të Dardaneleve të kontrolluara nga Turqia mbeti qëllim i largët, kërkesa për prani në Mesdhe u bë mishërim i qëllimeve gjeopolitike ruse. Kjo ishte gjithashtu shpesh e padallueshme prej motiveve shpirtërore dhe fetare.

Një prej skemave më ambicioze gjeopolitike të Katarinës së Madhe kishte të bënte me përkrahjen e pavarësisë së grekëve ortodoksë nga Turqia dhe themelimin e në shteti grek të qeverisur nga nipi i saj Konstantin, me Konstantinopojën kryeqytet të saj. Përveç përparimeve territorial, Rusia fitoi shumë në fund të luftës së vitit 1774 – të drejtën për të ndërhyrë në emër të popullatave të mëdha të krishtera të Perandorisë Osmane prej Ballkanit në Gjeorgji, gjë e cila mbolli farat e shumë konflikteve mes dy perandorive.

Për më shumë se një shekull e gjysmë pas kësaj, marrëdhëniet ruso-turke u karakterizuan me luftëra dhe manovra diplomatike, ku Rusia ishte shumëherë në sulm dhe Perandoria Osmane në mbrojtje. Këto luftëra u zhvilluan që prej Kaukazit në Ballkan. Ato u shtynë prej një përzierje të gjeopolitikës me fenë, përderisa Rusia vazhdoi përpjekjet për territore të reja dhe këmbënguli në të drejtën e saj për të ndërhyrë në emër të ortodoksëve në tokat osmane.

Çmimi përfundimtar u dëshmua i vështirë (dhe ashtu mbetet edhe sot) – kontrolli i ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve për të siguruar kalim të papenguar për anijet tregtare dhe ushtarake ruse dhe për të mbajtur fuqitë armiqësore europiane jashtë Detit të Zi për të shmangur përsëritjen e luftës katastrofale të Krimesë të viteve 1853-1856. Kjo u arrit pjesërisht më 1936 me nënshkrimin e Konventës së Montrosë.

Kjo dha leje për kalimin e anijeve luftarake drejt dhe prej Detit të Zi, por përcaktoi limite për madhësinë, numrin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në Detin e Zi për anijet luftarake të kombeve që s’kanë dalje në det, si dhe disa limite për kalimin anijeve të këtyre të fundit. Turqia ruajti kontrolin e këtyre ngushticave, zbatoi këto limite dhe ruajti autoritetin për të mbyllur ngushticat për të gjitha anijet e huaja luftarake në kohë lufte. Përgjatë gati të gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Turqia mbeti neutrale dhe ngushticat u mbyllën për anijet e luftës e të dy koalicioneve që ishin në luftë.

Sfidat e vjetra mbesin edhe pas 1945

Me rënien e perandorive koloniale europiane pas Luftës së Dytë Botërore dhe me nisjen e Luftës së Ftohtë, Mesdheu përjetoi një ekspansion të pashoq të pranisë sovjatike – ushtarake, detare, diplomatike dhe ekonomike. Flota Sovjetike ndërmori hapat e parë drejt vendosjes së pranisë së vazhdueshme atije në fund të viteve 1950, të cilën e ruajti përgjatë Luftës së Ftohtë. Lista shteteve kliente sovjetike apo partnerëve përrreth Mesdheut përfshinte në një kohë apo tjetër Shqipërinë, Algjerinë, Egjiptin, Libinë dhe Sirinë.

Gara mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik për të siguruar partnerë dhe klientë mes shteteve postkoloniale të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme tërhoqi vëmendje mjaft të madhe gjatë viteve 1960 dhe 1970, ashtu si edhe tensionet mes dy superfuqive gjatë luftërave arabo-izraelite të viteve 1967 dhe 1973. Megjithatë, ajo që kalon shpesh pa u vërejtur ishte motivi i udhëheqësisë sovjetike për t’u vendosur në Mesdhe në kontekst të ngërrçit të Luftës së Ftohtë në teatrin europian: aeroplanmbajtëset amerikane dhe nëndetëset e pajisura me armë bërthamore që patrullonin Mesdheun paraqitnin kërcënim të drejtpërdrejtë për qendrën sovjetike.

Prania sovjetike në Mesdhe u vështirësua nga po të njëjtat kufizime që ishin dëshmuar aq frustruese për liderët ushtarakë dhe diplomatët e perandorisë ruse. Për shkak të gjeografisëdhe politikës, flota sovjetike ishte e kufizuar në aftësinë për t’u vendosur dhe për të ruajtur praninë e përhershme atje. Ndërkaq anëtarja e tashme e NATO-s Turqia kontrollonte ngushticat ndërkohë që partnerët rajonalë të Moskës u dëshmuan si jo të besueshëm në përkrahje të pranisë sovjetike.

Si pasojë e dallimeve ideologjike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë më 1961, flota sovjetike u desh të largohet nga baza e Vlorës ku kishte pasur qasje që prej viteve 1950. Egjipti për një kohë u konsiderua si aleat i ngushtë dhe klient i Bashkimit Sovjetik, por më 1972 presidenti i atëhershëm Anwar Sadat urdhëroi ushtrinë sovjetike që të largohet nga vendi për shkak të frustrimit me atë që e kishte perceptuar si përkrahje të pamjaftueshme nga Moska.

Ndërkaq, Muammar Qaddafi i Libisë u tregua klient i papërshtatshëm dhe i vështirë, edhe pse ai i dha leje Bashkimit Sovjetik që të shfrytëzojë ish bazën ajrore amerikane Wheelus (dhe zyrtarët amerikanë erdhën në përfundim se ai do t’i lejonte aeroplanët sovjetikë që të përdorin fushat ajrore në Libi në rast të një konflikti mes NATO-s dhe Bashkimit Sovjetik); ai ishte poashtu blerës i devotshëm i armëve sovjetike dhe pranonte këshilltarë ushtarakë sovjetikë. Kështu, Siria mbeti i vetmi partner i besueshëm i sovjetikëve në Mesdhe – e pamjaftueshme për të mbështetur një prani të madhe detare apo ushtarake përgjatë një rajon shumë të gjërë, të mbizotëruar nga Shtetet e Bashkuara me praninë e saj masive ushtarake dhe detare, si dhe një rrjeti aleatësh dhe partnerësh prej Spanjës në Turqi.

Ndërthurja e gjeografisë së vështirë – qasja në Mesdhe e kontrolluar prej dy aleateve të NATO-s (Spanja në perëndim dhe Turqia në lindje) dhe një partner amerikan (Egjipti në jug)- dhe mungesa e bazave adekuate nënkuptonte që një prani aq e kufizuar ushtarake sovjetike, posaçërisht detare, duhet të prioritizonte misionin thelbësor: mundësinë e luftës me NATO-n dhe sulmin kundër atdheut.

Bashkimi Sovjetik dislokoi gjithashtu kompletin e pafund të mjeteve – praninë diplomatike, depërtimin politik, ndihmën ekonomike, shitjen e armëve dhe këshilltarët ushtarakë, e kështu me radhë – në përpjekje për të zgjeruar rrjetin e marrëdhënieve përgjatë Mesdheut. Ai ofroi asistencë ekonomike dhe sasi të madhe të pajisjeve ushtarake klientëve aktualë dhe atyre të mundshëm, shpesh me kushte të favorshme me hua që kishin shumë pak gjasa që të paguheshin. Moska dërgoi këshilltarë dhe me raste personel luftarak, mbështeti parnterët diplomatikisht dhe ushtarakisht në kohë krizash e konfliktesh, si dhe arsimoi shkencëtarët, inxhinierët dhe doktorët e tyre në universitete sovjetike.

Kudo dhe kurdo që ishte e mundshme, kërkimi i ndikimit sovjetik në Mesdhe u mbështet te lëvizjet majtiste miqësore dhe partitë komuniste (ose çdo qeveri apo lëvizje që ishte miqësore ndaj Bashkimit Sovjetik pa marrë parasysh qendrimet ideologjike), organizatat që promovonin politika paqësore me qëllim të dobësimit të pranisë ushtarake amerikane dhe mbarëvajtjes së NATO-s, dhe përkrahje për organizatat dhe vrasjet terroriste.

Fillimisht, vendet postkoloniale të Afrikës së Veriut mirëpriten përkrahjen nga Bashkimit Sovjetik dhe dukeshin kandidatë premtues për ndërtimin e një rrjeti klientësh në Mesdhe që do të mundësonin një prani për t’i bërë ballë pozitës mbizotëruese të Shteteve të Bashkuara. Megjithëkëtë, me kohë ato u dëshmuan partnerë e klientë më pak se të besueshëm.

Disa liderësi Sadati i Egjiptit dhe Qaddafi i Libisë u frustruan me përkrahjen ruse; ndërkaq Algjeria, pasi blerje të mëdha të armëve dhe pranoi forma të tjera të ndihmës nga Bashkimi Sovjetik, u tregua ngurruese për t’iu bashkuar kampit dhe për të përqafuar Lëvizjen e Mosangazhimit, duke përfituar nga vardisja e Moskës dhe Uashingtonit, të cilat donin me çdo kusht ta kishin si kliente; Tunizia, ndonëse deklarativisht e mosangazhuar me asnjërën anë, pëlqente lidhje më të afërta me Perëndimin. Situata përgjatë skajit verior të Mesdheut ishte edhe më problematike. Që prej Spanjës në Turqi, e gjithë vija bregdetare ishte territor i NATO-s, përveç Jugosllavisë dhe Shqipërisë, të cilat Bashkimi Sovjetik nuk mund t’i llogariste si aleate në një konfrontim të mundshëm me NATO-n.

Përgjithësisht, përkundër ambicieve dhe investimeve të mëdha, e madje edhe disa sukseseve, rezultatet e kërkimit të një sfere të influencës së Bashkimit Sovjetik në Mesdhe ishin në rastin më të mirë modeste dhe shpesh zhgënjyese. Përgjatë Luftës së Ftohtë, ambiciet e tij u frenuan nga një ndërthurje e gjeografisë së vendit dhe garës Lindje-Perëndim. Pranisë së konsoliduar dhe të vazhdueshme detare i erdhi fundi më 1993.

***

Hulumtimi origjinal nga Eugene Rumer dhe Richard Sokolsky i botuar nga Carnegie Endowment, më 27 maj 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.