Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Çfarë do në të vërtetë Rusia në Ballkan

Kremlini po destabilizon Bosnjën dhe Hercegovinën në ndjekje të qëllimeve më të gjëra strategjike.

Gazetari legjendar boshnjak Boro Kontic së fundmi tha se Bosnja duket sikur filmi Groundhog Day të zgjaste një dekadë: nëshkruhen marrëveshje, themelohen e ndërtohen institucione, dorëzohen aplikaicone, fitohen e humben zgjedhje, organizohen konferenca, ngriten çështje, përgatiten vlerësime, e pastaj – asgjë. 26 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Dejton – e cila pak a shumë iu imponua liderëve boshnjakë, kroatë dhe serbë për të ndalur gjakderdhjen – gjithçka po përsëritet pa pushim, sikur të mos ekzistonte koha, kujtesa e historia.

Por ajo çfarë e bën të saktë metaforën e Groundhog Day është fakti se edhe ata që janë të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit për të ruajtur paqen, në mënyrë që Bosnja të mund të përparojë, duken sikur të kënaqur për ta lënë vendin në vetënumërim. Përkundër parasë, përpjekjes dhe kohës së investuar në shtetndërtim, kurdo që ka mosmarrëveshje, politikbërësit mendojnë se është e pranueshme që ta kthejnë vendin 26 vjet prapa, atëherë kur sapo kishte dalë prej njërit prej konflikteve më mizore që prej Luftës së Dytë Botërore. Disa zyrtarë po përpiqen të arsyetojnë këtë duke e quajtur “kthim në Dejtonin origjinal.” Fëmijët e rrethimit të Sarajavës tashmë janë në moshë të mesme. Atyre u duhet një tjetër narrativ.

Përkundrazi, nuk ka narrativ të ri dhe as realitet të ri. Bosnja përsëri po kalon nëpër një krizë të thellë, përderisa njëri anëtar i presidencës trepalëshe, lideri serbëve të Bosnjes Milorad Dodik, përdor retorikë luftënxitëse dhe sulmon ashpër institucionet e brishta të Bosnjës, në përpjekje flagrante për të shkatërruar vendin.

Dodik është fenomen interesant por jo i pazakontë. Në shumë pikëpamje, ai dëshiron të bëhet një Viktor Orban i vogël. Ashtu si kryeministri i Hungarisë, ai filloi si politikan demokratik – i zgjedhur dhe i promovuar nga Perëndimi. Me kohë, ai rrëshqiti në nacionalizëm dhe pastaj në nacionalizëm të egër. Si Orbani, ai u bë shumë i pasur gjatë kohës së tij në politikë, gjë e cila solli pashmangshëm një qeveri autokratike. Dhe ashtu si shumica e autokratëve në Evropën Lindore dhe Qendrore, ai kërkoi dhe gjeti mbrojtësit e tij në Rusi.

Dodiku ka bërë emër duke sfiduar vetë ekzistencën e Bosnjës. Dallimi kyç është se Dodiku, ndryshe nga Orbani, nuk ka shtet. Kjo e bën pozicionin e tij shumë më të pasigurt – por gjithashtu tërheqës për aktorët e jashtëm që kërkojnë të përzihen në çështjet e Ballkanit.

Në fillim të karrierës, kur Dodiku mendonte se e ardhmja e tij ishte me Perëndimin, ai kishte pranuar publikisht gjenocidin e Srebrenicës, kishte refuzuar kriminelët serbë të luftës dhe ishte pozicionuar si përkrahës i flaktë i unitetit dhe së ardhmes së Bosnjës në Bashkim Evropian. Kur filloi të ndërronte aleancë, së pari me presidentin serb Aleksandar Vucic e pastaj me Moskën për mbrojtje, politikat dhe retorikat e tij ndryshuan në mënyrë dramatike. Kjo ndodhi gradualisht, me kohë.

Këtë e vura re së pari kur mora pjesë së bashku me të në një program të një TV-je lokale në fillim të viteve 2000. S’di se qysh përfunduam duke diskutuar për futbollin kur Dodiku tha papritmas se në një ndeshje mes ekipit kryesor nga Serbia dhe rivalit të saj nga Bosnja, ai definitivisht do të bënte tifo për ekipin serb. Duke qenë se futbolli në Ballkan nuk është kurrë vetëm futboll, madje edhe në atë kohë kur ai ende shihej si aleat i Perëndimit, komentet e tij m’u duken si shenjë alarmi për ndryshimin e pozicionit të tij.

Që atëherë, Dodiku ka shërbyer si agjent i politikës serbe në destabilizimin e Bosnjes dhe si plan rezervë për paqësimin e segmentit më nacionalist të opinionit publik serb, në rast se Serbia bën marrëveshje dhe pranon Kosovën. Me atë rast, Serbia mund të shfrytëzojë politikat secesioniste të Dodikut për të arsyetuar kërkesat e saj për aneksimin e Republika Srpska-s si kompensim për humbjen e Kosovës. Mirëpo, me t’u shndërruar në instrument të gjeopolitikës së Rusisë, marrëdhënia e Dodikut me Serbinë ka ndryshuar gjithashtu. Sot, Dodiku nuk është më vetëm një gur shahu i politikës serbe. Përkundrazi, ai po e mban peng politikën serbe.

Në vetvete, Dodiku është mjaft i parëndësishëm. Kurajoja, arroganca dhe relevanca e tij janë thjesht produkt i përkrahjes ruse. Siç u shpreh edhe vetë kur kërcënoi ushtrinë boshnjake me shkatërrim dhe hodhi idenë e formimit të ushtrisë për Republika Srpskën, ‘Nëse dikush provon të na ndalojë, në kemi miq që do na mbrojnë.”

Kjo është arsyeja pse takimet e fundit të liderëve të shteteve anëtare të BE-së me Dodikun janë dukur disi patetike. Të gjitha lëshimet dhe kompromiset që janë duke ofruar – siç është kufizimi drastik i autoritetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, largimi i tre gjyqtarëve të huaj nga Gjykata Kushtetuese e vendit, ose qarkullimi i hartave dhe propozimeve që do të normalizonin ndryshimet kufitare në Ballkan -, të gjitha këto nuk e kanë kënaqur Dodikun as ndryshuar retorikën e tij përçarëse. Kjo ngjan sepse nuk është ai që në të vërtetë mund të bëjë marrëveshje.

Ç’është e vërteta, destabilizimi i Bosnjës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i mveshet vetëm Dodikut apo liderëve lokalë të ngjashëm me të. Ata janë vetëm agjentë në terren të politikës përçarëse ruse. Para se liderët e BE-së të angazhohen diplomatikisht me Dodikun ose sponsorët e tij nga Kremlini, ata duhet të mendojnë me kudjes për atë se çfarë konkretisht kërkon të përfitojë Moska nga destabilizimi i Ballkanit dhe nëse ka një zgjidhje që mund t’i shërbejë të dy palëve.

Për shumë vjetë, Rusia e ka trajtuar BE-në si klub politik të respektuar por kryesisht të padëmshëm. Kjo ndryshoi në mënyrë dramatike pas vitit 2014. Në Samitin e Partneritetit Lindor në Vilnius të Lituanisë në vjeshtë 2013, BE-ja nënshkroi marrëveshje të veçanta me Gjeorgjinë dhe Moldavinë dhe në qershor 2014 me Ukrainën. Që nga ai moment, Rusia filloi të shihte BE-në ashtu si NATO-n – pra, si armike.

Lufta në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë ngjanë njëra pas tjetrës. Reagimi i Perëndimit ishte që të vendoste sanksione, e pastaj edhe më shumë sanksione. Nuk ka dyshim se veprimet e Rusisë kërkuan dhe merituan reagime të ashpra. Megjithatë, për pasojë ndodhi prishja graduale e komunikimit mes Rusisë dhe Perëndimit.

Këshilli NATO-Rusi, njësi permanente në çdo takim ministror të NATO-s, ishte i para që u shua. Kjo u pasua nga mosftesa e ministrit të jashtëm të Rusisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në këshillet e ndryshme të BE-së. Të gjithë kanalet e komunikimeve zyrtare dhe jozyrtare filluan të zhdukeshin njëri pas tjetrit. Në të njëjtën kohë, politikat e Rusisë filluan të bëheshin më agresive, më ndërhyrëse, më përçarëse dhe më të rrezikshme.

Kremlini i vuri syrin Ballkanit si hapësirë ideale për operacionet e saj të influencimit dhe provokimit politik – duke shqyrtuar vazhdimisht se sa larg mund të shkojë para se Perëndimi të reagojë. Prej pikëpamjes ruse, Ballkani ka shumë përparësi: është relativisht i vogël, i ndarë mes shumë shteve të varfëra dhe marrë parasysh historinë e fundit, jo edhe aq vështirë për t’u përçarë dhe destabilizuar.

Ai gjithashtu rrethohet nga territori i BE-së dhe është i mbushur me vende që aspirojnë BE-në. Diplomatët dhe politikanët rusë të nivelit të lartë që merren me këtë çështje me siguri janë të befasuar me mungesën e kundërpërgjigjes së BE-së ndaj të gjitha përpjekjeve të tyre përçarëse në Ballkan Perëndimor dhe posaçërisht në Bosnje. Rajoni është transformuar në një fushë shahu virtuale, në të cilën Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim dhe të konkurrojë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. Mirëpo tash për tash, e vetmja që po luan është Rusia.

Ka një copë kohë që BE-ja ka problem që të flasë njëzëri për politikën e zgjerimit, e lëre më të ndërmarrë hapa konkretë drejt përafrimit të Ballkanit Perëndimor me anëtarësimin në BE. Goditje jashtëzakonisht e fortë për të gjithë në rajon ishte shkelja e premtimit të saj për të nisur bisedimet me Maqedoninë e Veriut, pasi që kjo e fundit arriti të negociojë zgjidhjen dypalëshe me Greqinë për çështjen gati të pazgjidhshme të emrit.

Pas kësaj, BE-ja humbi sensin e orientimit në Ballkan Perëndimor, kurse opinioni publik në rajon filloi të favorizonte gjithnjë e më shumë Rusinë dhe Kinën, si partnerë më të besueshëm se sa BE-ja. Ndërkohë që tash për tash dy aktorë të BE-së duket se janë larguar nga skena kur vjen puna te politika e BE-së në rajon: largimi i kancelarës Angela Merkel, përderisa Gjermania formon qeverinë e re, dhe presidentit francez Emmanuel Macron, i cili është fokusuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë.

Rusisë nuk i duhet Dodiku as politikanë të tjerë ballkanas. Çfarë i duhet është që të rihapë dhe rindërtojë kanale të komunikimit me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. Nëse dëshiron të zgjidhë shumë prej problemeve të saj, BE-së i duhet kjo gjithashtu. Sa për Ballkanin Perëndimor dhe për Bosnjën në veçanti, problemet mund të zgjidhen vetëm mes BE-së dhe Rusisë. Nuk ka dyshim që Rusia është përçarësi kryesor në Ballkan, duke përdorur figurat lokale për të zbatuar atë politikë. Sidoqoftë, qëllimet e saj me gjasë shkojnë përtej rajonit dhe kanë të bëjnë me gjetjen e një kompromisi më të gjërë me BE-në.

Rusia është veçanërisht e ndjeshme sa i përket të ashtuquajturës “fqinjësi të afërt” – ish republikave sovjetike që u bënë shtete të pavarura gjatë trazirave të viteve ’90. Tre shtetet baltike tashmë janë anëtare të konsoliduara të BE-së dhe NATO-s dhe agresioni i hapur ndaj tyre do të sillte më shumë telashe se përfitime për Rusinë. Kurse Ukraina dhe Gjeorgjia janë tjetër gjë. Në një moment, atyre u ishte premtuar anëtarësimi në NATO dhe më 2013 dhe 2014 të dyja nënshkruan marrëveshje disi të paqarta me BE-në që mund të lexoheshin si hap i parë drejt anëtarësimit në BE.

Në 13 vitet e fundit, Rusia ka ndërhyrë ushtarakisht edhe në Gjeorgji edhe në Ukrainë dhe ka futur Bellorusinë nën sqetull duke përkrahur diktatorin e saj të izoluar ndërkombëtarisht. Këto janë vendet të cilat Rusia i sheh si brenda sferës së interesit dhe që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë e saj. Mbajtja e tyre në një gjendje të përheshme të konfliktit të fjetur dhe të intensitetit të ulët ndërlidhet me shumë interesa të tjera ruse, sikurse çertifikimi nga Gjermania i gazsjellësit të ri Nord Stream 2. Këto janë çështje madhore për të cilat Rusia duhet të gjejë njëfarëlloj mirëkuptimi me Perëndimin.

Në këtë lojë më të gjatë, përçarësit e Ballkanit janë thjesht objekte pazari më shumë se sa lojtarë. Me kohë, liderët rusë dhe të BE-së do të duhet të ulen e të diskutojnë për gjendjen e sigurisë në Evropë. E vetmja pyetje është se a do të ndodhë kjo para, apo pas shkatërrimit të së ardhmes demokratike evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ndreqja e komunikimit me Moskën nuk do të thoshte kurrsesi miratim i politikave të Rusisë. Mirëpo pa komunikim nuk ka shans të gjendet zgjidhje diplomatike; alternativë e kësaj është politika e lojës me zjarrin si kjo që po bëhet tash, me shtete të dobëta që luhaten përherë mes kapjes së shtetit nga autokratë të përkrahur nga Rusia në njërën anë, dhe dështimit total në anën tjetër.

***

*Vesna Pusic është is zëvendëskryeministre dhe ministre e punëve të jashtme dhe çështjeve evropiane e Kroacisë.

Artikulli origjinal në Foreign Policy, publikuar më 23 nëntor 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.