Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Të përballurit me luftën e re hibride të Kremlinit në Evropë

Me Kremlinin të vendosur për të përçarë dhe dobësuar Bashkimin Evropian dhe tash duke u orvatur që të shfrytëzojë brishtësitë, fuqitë perëndimore duhet të përbashkohen dhe të kundërpërgjigjen fuqishëm. Historia ka terguar se nuk duhet të ketë akomodim apo mbyllje sysh ndaj provokimeve ushtarake, politike dhe ekonomike të Rusisë.

Me ardhjen e dimrit, Kremlini po ndërsen telashe në Evropë. Makinacionet e saj të fundit përfshijnë luftën e gazit kundër vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore; krizën e migrimit përgjatë kufirit të Bellorusisë me Lituaninë, Letoninë dhe Poloninë; rimobilizimin ushtarak në kufirin lindor të Ukrainës; dhe agjitacionin për shkëputjen serbe nga Bosnja dhe Hercegovina.

Ndonëse fushata ka qëllime të shumëfishta, ajo ka një emërues të përbashkët: dëshirën e Kremlinit për të përçarë dhe dobësuar Bashkimin Evropian. Kjo do thotë marrjen e pëlqimit të Gjermanisë për gazjellësin Nord Stream 2 sa më shpejtë që të jetë e mundur; trazimin e tregut të gazit të BE-së, me synimin për t’u kthyer në kontrata afatgjate të stilit sovjetik, ku çmimet e gazit ndërlidhen me ato të naftës; dhe dobësimi i Ukrainës dhe detyrimi i Moldavisë që të braktisë Marrëveshjen e Asociacionit Evropian në mënyrë që t’i bashkohet Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të Rusisë.

Kremlini ka prirje që të sprovojë sa më tepër, në mënyrë që të shohë se deri ku mund të shkojë pa u ndëshkuar, para se të godasë fuqishëm me t’iu paraqitur mundësia. Kjo do të thotë se Perëndimi – Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar – duhet të veprojë shpejt që të parandalojë çfarëdo që do të vijë më pas. Gabimi më i madh që bëhet në kundërpërgjigjet ndaj provokimeve ruse është që të mos bëhet asgjë, ose të reagohet shumë ngadalë dhe shumë butë. Siç argumenton Keir Giles nga Chatham House, Perëndimi duhet të kuptojë “se ballafaqimi me Rusinë nuk mund të shmanget sepse tashmë është duke ndodhur.” Historia tregon se “Rusia respekton fuqinë dhe përbuzë kompromisin dhe pajtimin.”

Për fat të mirë, Perëndimi ka tashmë në dispozicion shumë mjete të efektshme dhe me arritjen e qeverisë së re gjermane, e cila me gjasë do të jetë më pak miqësore ndaj presidentit rus Vladimir Putin, është paraqitur mundësia për një mendim të ri strategjik.

Lufta e gazit duhet të jetë mjaft e lehtë për t’u fituar. Më 21 korrik SHBA-ja dhe Gjermania nxorën një deklaratë të përbashkët lidhur me Nord Stream 2 duke deklaruar “vendosmërinë e tyre për të kërkuar llogari nga Rusia për agresionin dhe veprimtaritë dashakeqe, duke vendosur kosto përmes sanksioneve dhe mjeteve të tjera.” Pas katër muajsh të përshkallëzimit rus, administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden duhet të ndjehet e obliguar që t’i japë fund heqjes dorë nga sanksionet e miratuara nga Kongresi lidhur me Nord Stream 2, kurse qeveria gjermane duhet të pajtohet me këtë. Kjo do t’i jepte fund shumë shpejt gazsjellësit. Mirëpo, nëse administrata e Biden-it nuk reagon, Kongresi ende mund të reagojë duke shtuar sanksione të detyrueshme në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2022.

Për momentin Evropa ka rezerva të pamjaftueshme të gazit sepse Gazpromi ka bërë manovra duke krijuar mungesa artificiale. Gjiganti rus i energjisë zotëron çerekun e kapacitetit të magazinimit të gazit në Gjermani, Austri dhe Hollandë dhe i ka mbajtur ato objekte të zbrazura, ndërkohë që ka mbushur deri në fyt cisternat e tij vendore. Zgjidhja e qartë për BE-në është që t’i ndalojë Gazpromit dhe furnizuesve të tjerë të huaj që të posedojnë objekte magazinimi në BE, si dhe që të vendosë nivele minimale të magazinimit në objektet ekzistuese për magazinim. Për shkak se BE-ja është në fakt monopsoniste (blerëse e vetme) e gazit të Gazpromit, ajo duhet të fillojë që të operojë kolektivisht për të kufizuar pushtetin e monopolit të Gazpromit.

Anipse administrata e Biden-it ka pranuar Nord Stream 2-shin (përderisa ka ndaluar naftësjellësin Keystone XL nga Kanadaja), ajo ka refuzuar që të përfshihet në krizën evropiane të gazit. Kjo duhet të ndryshojë. SHBA-ja duhet të fillojë të furnizojë Evropën me gazin e lëngshëm natyror, tash që Evropa ka ndërtuar kapacitetin për të pranuar dërgesat LNG.

Sa për dramën kufitare në Bellorusi, po shohim një lloj të ri lufte hibride, të nxitur nga sundimtari i paligjshëm i Bellorusisë Aleksandr Lukashenko. NATO-ja dhe BE-ja duhet të pranojnë situatën si të tillë dhe të ofrojnë mbështetjen e plotë Polonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Këshilli i Jashtëm i BE-së pati të drejtë kur sanksionoi të gjitha kompanitë e fluturimit dhe firmat që përfshihen në trafikimin e njerëzve nga Lindja e Mesme në kufirin bellorus. SHBA-ja duhet të ndjekë të njëjtin shembull dhe të ashpërsojë sanksionet e saj (disi të buta) ndaj Bellorusisë.

Qëkur Biden-i erdhi në pushtet, SHBA-ja ka qenë e vendosur në mbrojtjen e Ukrainës, fqinjit jugor të Bellorusisë. Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në shtator ishte ngjarje vendimtare. Për më tepër, jo më pak se tre sekretarë të kabinetit amerikan kanë vizituar këtë vit Ukrainën, kurse më 10 nëntor, SHBA-ja miratoi një dokument befasisht të fuqishëm të quajtur Karta SHBA-Ukrainë mbi Partneritetin Strategjik. Dokumenti shpreh zotimin e SHBA-së në përkrahje të “së drejtës së Ukrainës që në të ardhmen të vendosë për politikën e saj të jashtme pa ndërhyrje të jashtme, gjithashtu sa i përket aspiratave të Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s.”

Menjëherë pas këtyre zhvillimeve premtuese, qeveria ukrainase sapo ka emëruar ministër të ri të mbrojtjes Oleksiy Reznikov-in, anëtarin e saj më të respektuar. Prej llogoreve në Donbas, ai pritet që të vizitojë së shpejti Uashingtonin.

Mirëpo BE-ja, NATO-ja, Gjermania dhe Franca duhet të veprojnë. Të paktën në ditët e fundit, të gjitha janë shprehur kundër agresionit rus në Ukrainë. Ka lënë mbresa dërgimi I 600 forcave speciale të Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë.

Nëse qeveria e re gjermane e ka seriozisht ruajtjen e paqes në Evropë, gjëja më e efektshme që mund të bëjë është që të mirëpresë Ukrainën në NATO. Ukrainë me vite i ka bërë ballë agresionit ushtarak rus, duke shërbyer si mburojë për pjesën tjetër të Evropës. Gjermania nuk është e gatshme të vetëmbrohet, prandaj duhet t’i ndihmojë Ukrainës duke e furnizuar me armë, ashtu siç bëjnë tashmë SHBA-ja, MB-ja, Kanadaja, Polonia dhe Lituania.

Në fund fare është edhe çështja e Ballkanit. Tensionet po rriten përsëri në ish Jugosllavi për shkak se BE-ja nuk i është përmbajtur zotimeve të saj për të nisur negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Maqedoninë e Veriut qeveria pro-evropiane sapo ka humbur pushtet pas lëshimeve të mëdha që kishte bërë ndaj BE-së në këmbim të asgjësë.

BE-ja bën mirë të bëhet më serioze në ndjekjen e idesë së “një Evrope të bashkuar dhe të lirë dhe paqësore,” siç kishte thënë George H.W. Bush në maj 1989. Duke hapur menjëherë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ajo mund të parandalojë Republika Srpskën prej flirtimit me idenë e shkëputjes nga Bosnja dhe Hercegovina.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë në dorë karta të vlefshme. Sidoqoftë, ato duhet të luajnë me to shpejt dhe efektshëm në mënyrë që t’i bëjnë ballë sulmeve ruse.

 ***

Artikulli origjinal në Project Syndicate, më 18 nëntor 2021

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.