Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si ndikon Ligji i ri i Pagave në arsimin e lartë?

Ligji i Pagave në sektorin publik hyri në fuqi më 5 shkurt 2023 dhe rreth rregullimit të tij pati kritika të shumta. Cenimi i sigurisë juridike të nëpunësve të sektorit publik, trajtimi i pabarabartë i tyre në disa raste dhe cenimi i pavarësisë funksionale të sistemit të drejtësisë, janë vetëm disa nga problemet serioze që përmban ky ligj.

Pavarësisht defekteve të ligjit në fjalë, deputetët si palë e autorizuar për ta kontestuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, vendosën të heshtin.

Kalkulimet politike se si do të ndikonte në elektorat nëse dërgohet ky ligj në Gjykatën Kushtetuese, duke e ditur që ligji ka karakter popullor dhe ndikon direkt në xhepin e qytetarëve, bëri që partitë opozitare në Kuvend të mbështesin këtë ligj në mënyrë të heshtur, duke mos e kontestuar atë.

Tashmë shpresa ka mbetur tek Avokati i Popullit, i cili ka pranuar 45 ankesa nga institucione të ndryshme të sektorit publik. Kompetencë dhe detyrë kushtetuese e avokatit të popullit është ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, brenda 6 muajsh nga data e hyrjes në fuqi.

Ndonëse ligji cenon të drejtat e punonjësve të sektorëve të ndryshëm, fokusi i këtij shkrimi do të jetë në ndikimin që ky ligj do të ketë në arsimin e lartë në Kosovë.

Degradimi i kushteve dhe pozitave në arsimin e lartë

Ligji për Arsimin e Lartë garanton mbështetjen financiare për institucionet e arsimit të lartë për hulumtim dhe shkencë (jashtë pagës bazë për personelin akademik), ndërsa Ligji (i ri) për Paga në sektorin publik shfuqizon të gjitha aktet e tjera që rregullojnë çështjen e pagave, shpërblimeve dhe shtesave, duke përfshirë edhe mbështetjen për punën kërkimore/hulumtuese.

Në këndvështrimin juridik, është e palogjikshme që një ligj që votohet me shumicë të thjeshtë të shfuqizojë dispozita juridike të një ligji (Ligji për Arsimin e Lartë) që ka status më të lartë kushtetues dhe bën pjesë në legjislacionin me interes vital sipas nenit 81 të Kushtetutës së Kosovës.

Duke pasur parasysh që pagat bazë të profesorëve universitarë janë ulur (për profesorët e rregullt 200 euro më pak, për profesorët e asocuar 150 euro më pak, për profesorët asistentë 100 euro më pak), mbështetja financiare për kërkime dhe hulumtime është ndalur, shtesat për mentorim të temave të diplomës janë ndalur gjithashtu, është e pritshme që cilësia të bjerë, sepse përkushtimi dhe vullneti për punë do të jetë më i vogël.

Sa u përket pozitave udhëheqëse, legjislacioni i ri për çështjen e pagave ka paraparë një shtesë 20% të pagës bazë për funksionin si Rektor, 18% si Prorektor, 17% si Dekan dhe 15% si Prodekan.

Me këtë rregullim të ri, vullneti i personelit akademik që të bartë pozitat udhëheqëse të lartpërmendura – të cilat kanë përgjegjësi të madhe por kompensim të vogël – do të jetë më i ulët. Pra, nuk do të ketë garë të fortë me alternativa cilësore për të udhëhequr me këto pozita.

Kjo mund të ndikojë seriozisht në cilësinë e arsimit të lartë në vend, që veçse është në gjendje jo të kënaqshme.

Ndikimi në cilësinë e arsimit të lartë

Veprimtaria kërkimore-shkencore e personelit akademik (profesorëve universitarë) nuk përmbyllet me tetë orë pune, pasi është punë e vazhdueshme. Për të marrë titujt akademikë brenda universiteteve ka kritere që duhen plotësuar, që nënkupton se duhet punë e bujshme në aspektin shkencor, e cila padyshim që kërkon mbështetje financiare.

Kur paga bazë është zbritur, normalisht është më i ulët dhe vullneti në avancimin e punës kërkimore-hulumtuese, andaj pritshmëritë janë të vogla sa i përket cilësisë së studimeve.

Mes të tjerash, personeli akademik (profesorët universitarë) shpeshherë janë të zgjedhur dhe të angazhuar në organe/komisione vendimmarrëse brenda universiteteve, pa të cilat nuk mund të funksionojnë institucionet e arsimit të lartë. Rregullorja për kompensimin për funksionin shtesë, kufizon në masë të madhe pagesën e anëtarëve që janë pjesë e këtyre komisioneve.

Jo vetëm në universitete, por në çdo institucion punëtorët paguhen për detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, andaj angazhimet shtesë që i kanë jashtë kontratës duhen paguar, duke u mbështetur në legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar, që rregullojnë marrëdhënien e punës.

Do të jetë sfiduese për universitetet që të gjejnë personel për të angazhuar në komisione që përbëjnë punë shtesë dhe që nuk paguhen, duke mos harruar që këto organe/komisione të brendshme të universiteteve janë të domosdoshme për funksionimin normal të këtyre institucioneve të dijes.

Një problem tjetër i dukshëm është mungesa e cilësisë së temave të diplomave, por nëse mendohet se zgjidhja e problemit është duke i hequr pagesat për mentorim dhe për komisionin vlerësues, është gabim fatal sepse kjo do të rrisë edhe më shumë problemin në fjalë. Nëse deri më tani ka pasur tema të diplomës që janë jocilësore, numri i tyre veçse do të rritet.

Ky ligj dhe aktet e tjera nënligjore kanë goditur në palcë institucionet e arsimit të lartë, cilësinë e studimeve dhe veprimtarinë shkencore-kërkimore. Andaj, diskursi i pushtetit se arsimi është prioritet dhe se ky ligj mbështet cilësinë në arsim, është veç një propagandë që u është servuar qytetarëve të Kosovës, sepse ky rregullim nuk mbështet rritjen e cilësisë, por uljen e saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.