Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndërprerja e lëshimit të “vërtetimit për të kaluarën kriminale” nga Policia: hap pozitiv për sigurinë juridike të qytetarëve

Illustration: Big Eye

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 1 nëntor 2024 nuk do të lëshojë më vërtetime për të kaluarën kriminale. Sipas njoftimit të Policisë, ndërprerja e lëshimit të këtij vërtetimi mbështetet në Ligjin mbi Sistemin Qendror të Evidencës Penale, ku Departamenti për Evidencë Penale pranë Këshillit Gjyqësor mbetet kompetent për këtë. 

Në fakt, Policia e Kosovës nuk ka pasur të drejtë asnjëherë që ta lëshojë këtë vërtetim, pasi kompetencën për lëshimin e dokumenteve që lidhen me dosjen penale, përkatësisht vetëm me dënimet e formës së prerë, e ka ekskluzivisht vetëm Gjykata. 

Megjithatë, “vërtetimi i së kaluarës kriminale”, i cili është lëshuar në vazhdimësi nga Policia, ka cenuar sigurinë juridike të qytetarëve, duke ua mohuar të drejtat për të hyrë në procedura ligjore, duke filluar nga aplikimi në konkurse të punës në institucione publike, procedura lidhur me shërbimin e jashtëm, fitimin e shtetësisë etj. 

Ka mjaftuar një kallëzim penal, qoftë edhe krejtësisht i pabazuar, pa nevojë, që prokurori të nisë hetime zyrtarisht, e që pastaj vërtetimi për të kaluarën kriminale të bëhet pengesë për qytetarët që të hyjnë në procedura ligjore dhe t’i përdorin të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi. 

Madje, mundësia për të dëmtuar të tjerët ka qenë mjaft e madhe, sidomos në konkurset publike, ku për të eliminuar kandidatët potencialë për një pozitë, ka mjaftuar inicimi i një kallëzimi penal, i cili është bërë shkak për shënimin e njollave të zeza në vërtetimin e ashtuquajtur “vërtetim i së kaluarës kriminale”.

Në këtë mënyrë është shkelur në vazhdimësi një nga parimet bazë të drejtësisë penale, siç është parimi i prezumimit të pafajësisë, i cili parashihet në Nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe në akte ndërkombëtare. Sipas këtij parimi, çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në shqiptimin e aktgjykimit fajësues që ka marrë formën e prerë.

Në vend të prezumimit të pafajësisë, ka ndodhur e kundërta: është prezumuar fajësia për personat që janë obliguar nga institucionet që në kuadër të dokumentacionit për të realizuar një të drejtë, ka qenë i nevojshëm edhe ky vërtetim nga Policia. 

Duke pasur parasysh se numri i lëndëve në prokuroritë themelore është mjaft i lartë në krahasim me burimet njerëzore që punojnë, ka raste të shumta kur një kallëzim penal qëndron me vite të tëra i patrajtuar. Si rrjedhojë, shumë persona janë privuar nga të drejtat e tyre themelore, sepse supozohej apriori se kishin një të kaluar kriminale. 

Dualizëm kompetencash

Rreth kompetencës për lëshimin e dosjes penale, ka pasur një dualizëm të kompetencave. Gjykatat themelore kanë lëshuar certifikata mbi dënimet, ndërsa Policia vërtetime për të kaluarën kriminale, ku të dy këto dokumente janë kërkuar në procedura të ndryshme. 

Neni 98 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës përcakton se dosja penale përmban vetëm të dhënat mbi kryesin, të dhënat mbi dënimin, vërejtjen gjyqësore, masën e trajtimit të detyrueshëm, ose lirimin e kryesit nga dënimi i shqiptuar dhe të dhënat mbi dënimet e mbajtura. Këto të dhëna mund t’u zbulohen Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës lidhur me procedurën penale kundër personit që ka qenë i dënuar, apo me kërkesën e personit kur këto të dhëna i nevojiten të njëjtit. 

Pra, sipas legjislacionit, nuk mund të figurojnë në dosje penale kallëzimet penale, hetimet e Policisë, aktvendimi për fillim të hetimit, i nxjerrë nga Prokurori i Shtetit, aktakuza e ngritur, apo edhe dënimi i shqiptuar nga Gjykata, i cili nuk është bërë i formës së prerë. Policia asnjëherë nuk ka vepruar në vijë me këtë dispozitë, sepse ka përfshirë në dosje penale të dhëna që sipas legjislacionit nuk lejohet të zbulohen, qoftë edhe nëse pala e kërkon për veten e tij.

Përveçqë Policia ka lëshuar vërtetime me anë të së cilave ka cenuar të drejtat e qytetarëve, ajo, në këtë rast, ka tejkaluar autorizimet e veta. Menaxhimi i sistemit të evidencës penale është detyrë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), bazuar në Nenin 7, pika 1.21 të Ligjit nr. 06/L-055 për KGJK-në. Andaj, kompetente për lëshimin e dokumenteve të dosjes penale janë vetëm gjykatat themelore në nivel vendi. 

Për dallim nga Policia, certifikata mbi dënimet penale, e cila lëshohet nga Gjykata, përmban vetëm të dhënat e lartshkruara se çka përmban dosja penale, andaj forma e rregullimit të KGJK-së rreth evidencës penale është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe të drejtat e njeriut.

Kjo praktikë që ka ndërtuar Policia me vite të tëra, përveçqë ka qenë e kundërligjshme, ka qenë në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. 

Megjithatë, pozitive është se nga 1 nëntori, Policia nuk do të lëshojë më vërtetime për të kaluarën kriminale, edhe nëse qytetarët e kërkojnë një dokument të tillë. Si rezultat, ky vërtetim nuk do të jetë më kriter për të plotësuar dokumentacionin për të shfrytëzuar një të drejtë, ashtu siç nuk do të duhej të ishte asnjëherë.

Ky hap do të ndikojë në rritjen e sigurisë juridike dhe jetësimin e parimit të prezumimit të pafajësisë në aspektin e evidencës penale të qytetarëve. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.