Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

22 vjetori i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe e drejta ndërkombëtare

Nën emërtimin “intervenim humanitar” në Kosovë më 24 mars 1999 për herë të parë NATO ndërmori një sulm ajror ndaj një shteti në kontinentin evropian. Bombardimet e NATO-s u bënë të pashmangshme kur Beogradi për 10 vjet me radhë kishte refuzuar thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës. Në këtë kuptim, kjo luftë e NATO-s kundër së keqes në Ballkan po ndodhte me tetë vjet vonesë. Bernard-Henry Levy, filozof i njohur francez, mendonte se Millosheviqi ishte dashur të dënohej dhe të pengohej qysh në fillim të viteve 1990, në mënyrë që të mos ndodhte shkatërrimi i qyteteve, vrasja e qindra mijëra qytetarëve dhe një shkatërrim i paparë në Evropë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht angazhimeve të shumta diplomatike që nga viti 1989 për parandalimin e shpërthimit të luftës në Kosovë, përfundimisht më 24 mars 1999 Nato-ja u detyrua të përdorte forcën ushtarake kundër caqeve ushtarake serbe në Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi dhe në Kosovë. Duke provuar të arrihej një zgjidhje politike, komuniteti ndërkombëtar kishte bërë një sërë gabimesh dhe lëshimesh pa të cilat shanset për zgjidhje politike në kohë dhe sukseset e ndërmjetësimit do të ishin më të mëdha.

Këtu vlen të përmenden ndër më kryesoret:

Në radhë të parë, ishte mbështetja e pamjaftueshme ndërkombëtare e strategjisë pacifiste të shqiptarëve të Kosovës nën drejtimin e Rugovës gjatë viteve 90-të të shekullit XX. Angazhimi i organizatave ndërkombëtare për një zgjidhje të statusit të Kosovës brenda shtetit serb, e cila nga njëra anë kufizoi hapësirën për negociata ndërkombëtare që nga fillimi. Në këtë rrethanë UÇK fitoi terren dhe shumë shpejt rekrutoi të rinjtë shqiptarë, duke i inkurajuar se pavarësia e Kosovës mund të arrihej vetëm me mjete ushtarake.

Dhe së fundi refuzimi i Beogradit për çfarëdo zgjidhjeje politike në Konferencën e Rambujesë, siç kishte ndodhur me negociatat e Dejtonit, determinuan angazhimin ushtarak të Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës.

Sigurisht, nuk mund të përfytyrohet në tërësi se çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë sikur NATO të mos kishte ndërhyrë ushtarakisht, por është e sigurt se pa ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit, krimet dhe mizoritë serbe do të vazhdonin në përmasa edhe më tragjike sesa në Bosnjë. Qysh në vjeshtë kishte indikacione të bollshme se Beogradi po planifikonte të jetësonte planin e koduar ushtarak “Paktoi”, sipas të cilit shqiptarët përfundimisht do të dëboheshin nga Kosova, në mënyrë që t’i hapej rrugë serbizimit të këtij territori, një synim i provuar pa sukses që nga luftërat ballkanike 1912/13. Po të të ishte arritur qëllimi i qeverisë serbe për një Kosove pa shqiptar, si mund të mund të realizohej plani që refugjatët të ktheheshin më vonë në shtëpitë e tyre?

Mungesa e një përgjigjeje në këto pyetje do të shpërfaqte pafuqinë e mjedisit ndërkombëtar dhe do ta humbiste kredibilitetin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe atë të NATO-s, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje afatgjate për Kosovën. Në këtë kuptim aksioni i NATO-s duhet parë si në lloj ultima radio, që duhej të ishte përgatitur mirë në kuptimin e realizimit të qëllimit, në kohën kur ishte shteruar çdo përpjekje diplomatike në Konferencën e Rambujesë dhe më pas.

Kjo rrjedhë e ngjarjeve se NATO-ja nuk kishte zgjidhje tjetër përveç luftës në pranverën e vitit 1999, pavarësisht se disa qarqe dhe grupe të së majtës ekstreme e kundërshtonin opsionin e luftës, por nuk ofronin asnjë zgjidhje për përndjekjen dhe vrasjen kolektive të shqiptarëve nga makineria ushtarake e Beogradit. Në fakt aksioni i NATO-s ndodhi pas shumë paralajmërimeve të NATO-s dhe pasi Beogradi kishte injoruar thirrjet e OKB-së, angazhimet e Grupit të Kontaktit, të OSBE-së dhe të emisarëve tjerë ndërkombëtarë. Millosheviqi tregohej konfrontues dhe arrogant me Perëndimin dhe krejt hapur deklaronte se ishte i gatshëm të shkelte mbi trupat e shqiptarëve të Kosovës, duke u thirrur në eksperiencën e komunistëve jugosllavë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me një fjalë, Beogradi nuk mori në konsideratë mjetet jo ushtarake të Perëndimit. Prandaj, NATO-ja nga pranvera e vitit 1998 e deri në fillim të vitit 1999 shteroi të gjitha instrumentet jo ushtarake efektive.

Përfaqësuesit kryesorë të NATO-s imagjinuan se, si përpara Marrëveshjes së Dejtonit, ashtu edhe tani vetëm disa goditje ajrore do të ishin të mjaftueshme për të arritur këtë qëllim. Kjo pritje shkoi paralelisht me dëshirën që problemi i Kosovës të përfundojë me sukses përpara takimit jubilar të NATO-s në Uashington më 24 prill 1999. Prandaj, mendohet se ka pasur një presion shtesë kohor për fillimin e fushatës para këtij samiti.

Pasi as BE-ja, as OKB-ja nuk kishin arritur të parandalojnë ose t’i japin fund mizorive dhe dëbimeve gjatë luftës në Bosnje midis 1992 dhe 1995, pro sulmet e ajrore të NATO-s ishin parakusht për arritjen e marrëveshjes së paqes në Dejton, edhe në rastin e Kosovës NATO-ja nuk dëshironte të priste përsëri shumë derisa të ndodhte një “Bosnjë të dytë”. Siç tregojnë deklaratat politike të liderëve perëndimorë në fillim të sulmeve ajrore, vendimi i NATO-s për intervenim ushtarak u bazua në qëllime dhe vlera humanitare, për të mos lejuar gjenocid dhe shpërngulje masive shqiptarëve të Kosovës në fund shekullit XX. Serioziteti i këtij arsyetimi mbështetet nga fakti se në rastin e Kosovës nuk bëhej fjalë për asnjë motiv gjeostrategjik ose qëllimi i sigurimit të interesave ekonomike si arsye për misionin ajror të NATO-s. Besimi, se me përgatitjen për ndërhyrje ushtarake po bëhej gjëja e duhur etike dhe politike, ishte po aq i madh sa në vjeshtë të vitit 1998. Prandaj u lanë mënjanë të gjitha debatet për të drejtën ndërkombëtare dhe NATO-ja nën drejtimin e SHBA-së evitoi bllokadën e parapërgatitur nga rusët në Këshillin e Sigurimit. Ky zhvillim gjithashtu shkaktoi një dinamikë të re që e bëri luftën me Beogradin gjithnjë e më të pashmangshme.

Në anën tjetër, Rusia me refuzimin e Marrëveshjes së Rambujesë, e kishte bërë të qartë se do ta përdorte veton e saj në Këshillin e Sigurimit, jo për ta mbrojtur parimin e legalitetit dhe legjitimitetit, por thjeshtë për ta ndërlikuar edhe më tej mundësinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe për ta sabotuar në vazhdim çfarëdo pranie të NATO-s dhe të BE-së në Kosovë. Në këtë kuptim intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë dhe goditja e caqeve ushtarake serbe paraqet ngjarjet më madhore në historinë e NATO-s deri atëherë dhe veçanërisht në kontekstin e përfundimit të Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim. Askush nuk e kishte paramenduar se të rinjtë nga SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe vende tjera anëtare të NATO-s do të merrnin pjesë në një luftë për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga përndjekja dhe kërcënimi për shfarosje që po u bënte regjimi i Millosheviqit.

Pavarësisht se intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës po ndodhte pas një vonesë të madhe, kishte edhe personalitete dhe pacifistë radikalë që e vinin në pikëpyetje legjitimitetin e intervenimit të NATO-s. “Në Kosovë paqja e muajve të fundit është paqe e varreve kolektive. Një paqe kjo, që duhet hedhur poshtë me vendosmëri. Unë nuk e kuptoj qëndrimin atyre që kërcejnë përpjetë si keca duke përsëritur: paqe, paqe, paqe, pa pyetur se me çfarë krimesh paguhet ajo,” shkruante Bernard-Henry Levy, filozof i njohur francez.

Mirëpo, meqë në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare Kosova bënte pjesë brenda Jugosllavisë së mbetur, për çka faji kryesor ishte i vendeve të BE-së, të cilat pa asnjë kusht e kishin njohur atë me 1996, tek disa vendeve anëtare të NATO-s ekzistonin dyshime mbi ligjshmërinë e një ndërhyrjeje të NATO-s, pasi me këtë aksion vihej në pikëpyetje sovraniteti i këtij shteti. Në të paktën gjashtë nga shtetet anëtare – Belgjikë, Gjermani, Francë, Greqi, Itali dhe Spanjë, gjatë kohës kishin shqetësime politike, veçanërisht shqetësime sa i përket të drejtës ndërkombëtare për një “ndërhyrje humanitare” juridikisht të diskutueshme.

Në anën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin një mbështetëse e fortë e veprimit ushtarak, dhe për këtë ndikuan edhe tek vendet e lartpërmendura. Uashingtoni ishte i kënaqur që rezolutat e OKB-së 1160 dhe 1199 ishin të bazuara në Kapitullin VII të Kartës së KB, dhe me këtë argumentonte se kjo ishte një bazë e mjaftueshme që NATO të ndërmerrte një veprim ushtarak. Edhe juristët britanikë në Foreign Office nuk e kundërshtuan interpretimin amerikan, por kërkuan një bazë ligjore për “të drejtën e ndërhyrjes”, pasi ata mendonin se Aleatët e Luftës së Gjirit në 1991 kishin aplikuar zonat e ndalim fluturimeve mbi Irakun, pa pasur një rezolutë në përputhje me Kapitullin VII.

Në këtë debat shumica e figurave publike ndërkombëtare mbronin qëndrimin se kjo luftë e NATO-s kundër caqeve ushtarake serb në territorin e Kosovës, Serbisë dhe Vojvodinës dhe Malit të Zi po ndodhte me tetë vjet vonesë. Ekzistonte pikëpamja se Millosheviqi ishte dashur të dënohej dhe të pengohej qysh në fillim të viteve 1990, në mënyrë që të mos ndodhin luftërat në Kosovë, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Slloveni, si dhe shkatërrimi i qyteteve, vrasja e qindra mijëra qytetarëve dhe një shkatërrim i paparë në Evropë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Deri në takimin e tetorit 1998 midis kancelarit të ri gjerman Gerhard Schröder dhe presidentit amerikan Bill Clinton, në qeverinë e vjetër federale të Gjermanisë nuk kishte ekzistuar një konsensus. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes Volker Rühe mbrojti qëndrimin se NATO mund të ndërhynte pa një mandat të qartë nga KB, Ministri i Jashtëm Klaus Kinkel u bashkua shumë vonë me këtë pozicion me arsyetimin se baza ligjore për një ndërhyrje ishte e bazuar në pamundësinë e Këshillit të Sigurimit për të marrë një vendim në këtë situatë të jashtëzakonshme, “në kuptimin dhe logjikën” e rezolutave 1160 dhe 1199 të OKB-së. Tani edhe gjermanët theksonin se dy rezolutat e Këshillit të Sigurimit 1160 dhe 1199 ishin një bazë e mjaftueshme juridike për përdorimin e forcës ushtarake, në përputhje me nenin 42 ose nenin 53 të Kartës së KB.

Për më tepër, ekspertët e të drejtës ndërkombëtare shtruan gjerësisht pyetjen nëse një sulm ushtarak i NATO-s mund të bazohej në aspektin e “ndërhyrjes humanitare”, d.m.th. nëse dhuna e armatosur mund të përdorej për të parandaluar shkeljet masive të të drejtave të njeriut në një vend të huaj. Intervenimi 78 ditorë ushtarak NATO-s në luftën e Kosovë, që ndodhi më 24 mars 1999, në shumë pikëpamje paraqet një pikë kthese në historinë e Aleancës dhe anëtarët e saj. Ishte hera e parë në historinë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut që ndërmerrte një veprim ushtarak jashtë territorit të shteteve anëtare të NATO-s, madje pa një mandat paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mbi të gjitha aksioni ushtarak i NATO-s nuk ishte as mbrojtje në një luftë ndërshtetërore në kuptimin klasik, por një përgjigje e NATO-s ndaj dëbimit të popullatës shqiptare nga Kosova. Nën emërtimin “intervenim humanitar” për herë të parë NATO ndërmori një sulm ajror ndaj një shteti në kontinentin evropian. Për më tepër, ky intervenimin ushtarak në Kosovë shënon edhe një zhvillim dhe ndryshim të paradigmës në të drejtën ndërkombëtare në periudhën e pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Në këtë linjë Vaclav Havel, ish-president i Çekisë, pohonte për sa i takon ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, “mendoj se ka një element që askush nuk mund ta kundërshtojë: sulmet, bombat nuk u provokuan nga ndonjë interes konkret. Ato kanë pra, një karakter tërësisht humanitar. Në lojë këtu janë parimet, të drejtat njerëzore, të cilave iu është dhënë përparësi edhe në raport me sovranitetin e shteteve. Pikërisht kjo e bën të ligjshëm sulmin ndaj Federatës Jugosllave, qoftë edhe pa mandatin e OKB-së”.

Edhe profesori i shkencave politike dhe drejtor i studimeve globale, John G. Stoessinger (1927-2017), vlerësoi se katalizatori që shpejtoi fillimin e fushatës së bombardimeve ajrore nga NATO-ja ishte i dyfishtë. Së pari, zbulimi i një numri masakrash të forcave serbe kundër shqiptarëve, duke përfshirë gratë dhe fëmijët, e shtynë NATO-n të merrte vendim. Së dyti, fuqitë perëndimore zbuluan planin e përgjithshëm strategjik të Millosheviqit për të “zgjidhur” problemin shqiptar, i njohur si plani “Patkoi”. Sipas këtij plani Kosova do të spastrohej nga shqiptarët me qëllim që të sigurohej “lebensraum” për ardhacakët serbë. Adolf Eihman, njeri i ngarkuar me dëbimin e hebrenjëve gjatë regjimit nazist, ka gjasa ta kishte vlerësuar madhësinë e operacion “Paktoi”.

Aspekt pozitiv i tragjedisë së Kosovë dhe intervenimi i NATO-s në mars 1999 është se gjenocidi nuk konsiderohet më si një problem i brendshëm i vendit ku konsumohet dhe paraqet një mësim në krahasim me 50 vjet më parë, kur pjesa më e madhe e kombeve e konsideronin gjenocidin si një problem të brendshëm. Dhe meqë NATO-ja e parandaloi gjenocidin në Kosovë, ky rast përbën një model se bota nuk do të shikojë indiferente nëse një shtet kryen spastrim etnik apo gjenocid, aq më pak brenda kontinentit evropian.

Ishte dhe forca dhe vendosmëria e NATO-s dhe angazhimi diplomatik e ushtarak i SHBA-së dhe vendeve të BE-së, të cilat bënë të pamundur realizimin e një Jugosllavie centraliste, prapa së cilës qëndronte ideja e krijimit të Serbisë së Madhe, dhe menaxhuan procesin e dekompozimit të Jugosllavisë dhe të krijimit të shteteve të reja në Ballkan. Në këtë kuadër, mund të konkludohet se Jugosllavia nën dominimin e Millosheviqit nuk pushoi së zvogëluari dhe tani ajo duhet të gjejë qetësinë e saj brenda kufijve që dikur kishte shpallur pavarësinë e saj. Në këtë prizëm, NATO-ja i kontribuoi jo vetëm lirisë së Kosovës, por edhe të vetë popullit serb në Beograd, i cili për më shumë se një dekadë ishte viktimë e politikës agresive dhe luftërave në rajon. Prandaj, ky angazhim ndërkombëtar ushtarak në luftën e Kosovës në mars të vitit 1999 na sjell ndërmend angazhimin e koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore, që rezultoi edhe me lirinë e popujve evropianë dhe në fund edhe të popullit gjerman. Ashtu si dikur që të rinjtë amerikanë dhe evropianë që ishin bashkuar në Luftën e Dytë Botërore kundër të keqes së njerëzimit, Hitlerit, ashtu edhe në luftën e Kosovës të rinjtë nga vendet evropiane dhe ShBA më 24 mars deri më 10 qershor 1999 i ishin bashkuar luftës për çlirimin e Kosovës.

Motivi moral dhe objektiva humanitare që e shtyu NATO-n të ndërmerrte një fushatë ushtarake kundër caqeve ushtarake të Beogradit me qëllim që të evitohej një katastrofë humanitare në Kosovë, u realizua. Në këtë kuptim, ajo bëri të mundur nxjerrjen e Kosovës jashtë juridiksionit të Beogradit dhe detyroi largimin e makinerisë represive të Beogradit nga Kosova si dhe bëri të mundur kthimin në shtëpitë e tyre 1 milion refugjatëve shqiptarë të Kosovës. Në të njëjtën kohë përmes këtij intervenimi NATO-ja realizoi objektivën e saj për të parandaluar Beogradin që të vazhdojë përdorimin e forcës dhe të kufizonte aftësitë ushtarake të Millosheviqit dhe në këtë mënyrë të krijonte stabilitet rajonal. Nga arsyetimi i liderëve të NATO-s, është e lehtë të konkludohet se objektivi humanitar ishte më i rëndësishmi i ndërhyrjes së NATO-s, por mund të ketë qenë një version i përdorur dhe i besuar nga qeveria perëndimore për të justifikuar angazhimin ushtarak në luftën për Kosovën.

Me gjithë përfundimin e luftës, bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë të ballafaqohet me çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, pasi lufta dhe rezultatet e saj nuk i kishin dhënë një përgjigje finale kësaj çështjeje, kjo luftë vetëm kishte hapur shtegun e ecjes së Kosovës drejt arritjes së cakut final, pavarësisë, e cila bëri të mundur vendosjen e paqes përfundimtare dhe groposjen e pjesës së fundit të Versajës.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.