Është java e dytë e nëntorit të vitit 1912. Ismail Qemali, ish-zyrtar i Perandorisë Osmane, deri edhe kryetar i Kuvendit, lëviz në mes të Vjenës dhe Budapestit. Atje përmes kontakteve të tija diplomatike fiton “sponsorimin” e Perandorisë Austro-Hungareze për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ashtu siç do ta fitonin prijësit e Kosovës në vitin 2008 sponsorimin nga SHBA-të dhe aleatët europianë.
Disa ditë më vonë, me një vapor të paguar prej austro-hungarezëve, Qemali niset prej veriut të Italisë dhe zbarkon në Durrës, ku fillimisht ishte paraparë që të shpallej pavarësia e Shqipërisë.
Dokumentet e kohës tregojnë se Qemali në Durrës hasi në pritje të ftohtë, deri edhe në reagime kërcënuese prej të fortëve të zonës. Aty si sovran e njihnin vetëm Sulltanin dhe flamurin me gjysmëhënë.
“Kush je ti dhe çfarë është ky flamur?”— kështu mbase mund të përshkruhet shkurt porosia që Qemali e merr prej administratorëve perandorak dhe prej shqiptarëve myslimanë besnik të regjimit.
Në këto rrethana pasigurie, ai merr rrugën për në Vlorë, ku ndihej më i sigurt për shkak të pronave dhe kontakteve familjare. U dërgon kumt edhe elitave prej zonave të tjera për destinacionin e ri të takimit. Bashkë me shoqëruesit e tij kalëroi disa ditë nëpër shi, mbi lumenjtë dhe tokat e mbushura me ujë të Myzeqesë.
Kronologjinë e rrugëtimit të tij dhe mobilizimit të elitës shqiptare në këto ditë kritike e përshkruan bukur Ilir Ikonomi te libri i tij “Pavarësia: rrugëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”.
Vështirësitë me të cilat Qemali u përball brenda Shqipërisë dëshmojnë se ideatorët e shtetit shqiptar – të cilët vinin kryesisht nga elita e Stambollit apo jetonin në qendrat e të tjera europiane të perandorisë – e kishin projektuar një komb i cili ishte larg prej të qenit realitet politik dhe social.
Bëhej fjalë për një shoqëri shqiptare e cila përveçse nuk ishte e organizuar në një bashkësi administrative, nuk e kishte të konsoliduar as edhe kujtesën kolektive dhe narracion historik “të të qenit një”. Dhe e cila për më tepër, përkundër rebelimeve dhe pakënaqësive lokale, në masë të madhe ishte mishëruar me perandorinë.
Tregimi mitologjik që dominon sot, i vazhdimësisë së pandërprerë identitare dhe përpjekjes çlirimtare prej Ilirëve e deri te Skenderbeu, ishte akoma në ndërtim dhe jetonte në koka të pakëta ideologësh elitarë.
Ndërkohë që kjo elitë ndodhej jashtë vendit, e integruar në qendrat e perandorisë, shqiptarët e tjerë që jetonin brenda hapësirave të sotme shqiptare jetonin kryesisht në një realitet feudal dhe fisnor.
Në këto hapësira nuk kishte asgjë të përafërt me klasën e mesme apo profesioniste, dhe as qendra urbane të prodhimit të mendimit, të kulturës dhe të organizimit modern politik (përtej atij fetar), të cilat në vendet e tjera kanë qenë shtytëse të ideve kombformuese.
Në hapësirën shqiptare pa shenja industrie dhe urbanizimi modern, për qytete llogariteshin kasabatë otomane ku bëhej tregti dhe zejtari – me ndonjë përjashtim të Shkodrës a Korçës që megjithatë ishin edhe vatra kulture. Faktorë përcaktues ishin bejlerët që sundonin mbi fshatarë të paarsimuar.
Për shkak se elitat intelektuale shqiptare e kishin pasur qendër gravitimi Stambollin (apo psh. katolikët Italinë), ato nuk e krijuan një qendër gravituese dhe unifikuese të tyren brenda hapësirë shqiptare, siç e kishin fqinjët Bukureshtin, Sofjen, Athinën apo Beogradin – qendra prej ku mund të buronte rezistenca intelektuale kombëtare.
Me fjalë të tjera hapësirat shqiptare ishin një provincë e thellë dhe e margjinalizuar brenda një perandorie që për veten e vet prej kohësh po shthurej.
Dhe brenda kësaj province të perandorisë, identiteti shqiptar nuk ishte ngjizur mirë si nyje e bashkësisë për shkak të nën-identiteteve, mungesës së elitës lokale kulturore, arsimimit në shqip, etj.
Myslimanët në realitet ishin besnik ndaj perandorisë; katolikët i kishin sytë drejt Italisë e Austro-Hungarisë që ua financonin kishat; fiset e veriut jetonin relativisht autonom me rregullat e Kanunit; ndërsa ortodoksët e jugut ndodheshin nën presionin e helenizimit kulturor prej Greqisë së pavarësuar më herët.
Ky fragmentim i shoqërisë shqiptare – fetar, krahinor, dialektor, etj – i thelluar nga ndërhyrjet e fqinjëve, nga gjeografia e vështirë që pengonte komunikimin, si dhe nga individualizmat dhe kryeneçësitë që na karakterizojnë edhe sot – bënte që shoqëria të tërhiqej nga forca të ndryshme dhe të kundërta të gravitacionit – pa një bosht përbashkues.
Simpatia për Ismail Qemalin të rritet shumëfish kur e kupton se ai zbarkoi në Durrës në kontekst të kësaj anarkie të plotë vizionesh, me synimin për ta ndërtuar këtë bosht përbashkues prej një themeli fare të dobët.
Në interpretimet tona të ideologjizuara dhe të romantizuara të historisë shqiptare – ku e kaluara kuptohet në bazë të ideve dhe bindjeve që i kemi sot – veprimet e Qemalit ngjajnë si një hap i logjikshëm dhe i natyrshëm në luftën historike për liri. Krijohet përshtypja se atmosfera ishte sikur ajo e 17 shkurtit 2008, kur të gjithë në Kosovë ishim homogjen në ambicie dhe festë.
Por në realitet, Qemalit dhe themeluesve të shtetit iu desh që t’i bindnin njerëzit e thjeshtë se këtu në këtë farë hapësire perandorake, në mesin e kaq shumë dallimeve, duhej bërë një shtet i veçantë; se komuniteti gjuhësor dhe etnik na qenka komb; dhe se ky komb i integron këto dallime. Reaksionet e mëvonshme ndaj shtetit komb integrues, si ato të Esat Pashë Toptanit, ishin treguese të problemit me legjitimimin e rendit të ri, sidomos në Shqipërinë e mesme otomane.
Shpallja e pavarësisë në masë të madhe erdhi jo sepse atë po e shtyne kohezioni i brendshëm, por sepse perandoria po shembej, dhe sepse elitat shqiptare, bashkë me segmentet e shoqërisë që ishin të acaruara me perandorinë, sidomos me mosreagimin e saj ndaj nacinalizmave të rajonit, kishin kuptuar se duhej të oragnizoheshin për të reaguar.
Në këtë kuptim – pa ia ulur aspak vlerën historike – 28 nëntori i vitit 1912 ishte më shumë një gjest simbolik, një udhëpërshkrim afatgjatë, i bërë si akt emergjence, sesa një akt që do të krijonte realitet të menjëhershëm të ri politik në hapësirat shqiptare.
Dhjetëvjeçari vijues tregoi se konteksti social shqiptar, me gjithë atë prapambeturi dhe përçarje shoqërore – pa institucione qëndrore të kulturës, arsimit, adminsitratës – nuk ishte realitet shtetformues. Shtet të centralizuar në kuptimin e kontrollit mbi territorin dhe shoqërinë ka filluar të ketë vetëm me sundimin e Ahmet Zogut. Në këtë kuptim, për shkak të dobësive të brendshme, Shqipëria mund të konsiderohet me fat që nuk pësoi tkurrje territoriale edhe më të madhe.
Kontekstin historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe forcimit gradual të shtetit vlen ta përkujtojmë vit për vit kështu të zhbeshur nga romantizimet – dhe të ndihemi të përulur para një nisme politike tepër ambicioze të Qemalit dhe të elitave shqiptare, të ndërmarrë përballë sfidave në dukje të pakapërcyeshme.
Si dhe për t’ia përkujtuar vetes në Kosovë se shpallja e pavarësisë mbetet vetëm një akt, që duhet mbushur me përmbajtje prej shteti për t’u ngjizur si realitet. Gjë që kërkon jo vetëm sakrifica, por edhe thjesht kohë. Deri në ditën kur shteti i Kosovës, si shteti i dytë i shqiptarëve, të na duket si gjëja më e natyrshme e mundshme. Ashtu siç sot na duket Shqipëria.