Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

A ishin tronditje të mëdha kulturore?

Dilema që druej se bahet e pashmangshme për çdo mendimtar që preokupohet me çështjen e kultivimit të gjuhës së shkrueme nga ana e shqiptarëve, asht kjo: nëse kemi mbërri që çështjen me e shtrue në kontekstin e plotë nji herë e mirë! Ngjarjet e mëdha historike, e për rrjedhojë edhe kulturore, që janë shpallë “fajtore” për rrjedhën e fatit të kombit, megjithatë, kanë lanë vrragë të mëdha e të patrajtueme si duhet.

Dy referenca historike janë pa veç prej nji prizmi: atij historik, i cili në kontekstin shqiptar nënkupton edhe atë ideologjik. Fjalën e kam për Kongresin e Manastirit i vjetit 1908 dhe Kongresin e Drejtshkrimit i 1972. I pari i nxorri “analfabetë” tetanë ata që deri atëherë për me e shkrue shqipen e përdornin alfabetin arab dhe ndonji tjetër (veç atij latin), ndërsa i dyti, ata që nuk e njihnin tosknishten standarde.

Bash njikto referenca historianët, albanologët, gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë etj, janë nxitue me i cilësue si akte përbashkimi kombëtar. Në nji mënyrë kështu na i rrëfen historiografia zyrtare, por pyetja asht: a i kishin “efektet e veta anësore” këto dy ngjarje të mëdha? 

Shihni, tradita e shkrimit shqip me alfabet arab besohet të ketë dhanë e të ketë krijue elita kulturore, mbase të parat në historinë e letërsisë. Prej tyne letërsia u çlirue prej diktateve të jashtme, andaj edhe i këndohej kafes e trahanit serbes, krahas ndonji teme fetare. Kështu letërsia u mvehtësue për të bredhë e lirë ashtu siç e lypë natyra e vetë. Duhet vu theksin te fakti se historia e letërsisë, ajo që mësohet sot në universitetet shqiptare, asht rrudh te pak emna, të cilët, i kanë shpëtue harresës kolektive, por që janë të pamjaftueshëm për me e shfaq “mozaikun” e plotë. Tek tash së voni pritet me dalë në dritë studime të reja që rrokin periudhën prej shekullit të XIV-të e knej, të cilat, në nji mënyrë, “e rrënojnë” narracionin e deritanishëm zyrtar. 

E veçanta e kësaj letërsie asht se nuk u kufizue në nji standard të veçantë gjuhësor, a në nji dialekt, por u ushqye me krejt varietetet e gjuhës prej jugut në veri, tue u shpërfaq me nji kolorit ngjyrash të mahnitshme. Kuptohet, shqipja e kësaj periudhe qe nën ndikimin e osmanishtes, arabishtes e persishtes, ndaj na vjen mjaft e kontaminueme barbarizmash orientalë. Përkundër kësaj vërejtje që mund ta bajnë sudiuesit, shpirti poetik asht i kandshëm, grishës dhe krejt i gjallë – në kuptimin e universalizmit të cilin e përcjell në rrafshet tematike, filozofike e estetike. 

Me i marr vargjet e Zenel Bastarit, fjala vjen, i cili asht ndër brezat e mbramë që i përkasin kësaj letërsie, të bahet se i ka vargue nji poet i sotëm, aq aktuale që tingëllojnë:

Ymrin na e kanë shkurtue

Po na shtrydhin porsi rrush,

bytym kalbi na u coptue,

me vner shpirti u mbush.

Bukë pa bukë po rrojnë fakirat,

Pa opinga, zbathë e zhveshë;

vetë janë mbulue me gjithë të mirat

si katilët rrinë tue qeshë.

Nji premisë tjetër, për t’përmbushë nji silogjizëm – nji hipotezë

Ashtu sikundër e tham më sipër se nji pjesë e madhe e trashëgimisë shpirtnore, përkatësisht e Letërsisë Alhamiade Shqipe asht zhdukë dhe kjo përban në vetvete nji tronditje të madhe kulturore, ashtu nji pjesë e perlave letrare gege, janë përçmue, stigmatizue e “syrgjynosë” përbrenda (pa)vetëdijes sonë kulturore.

Merreni me mend, kur vdiq Sheh Ilmi Maliqi (1865 – 1928), Esad Mekuli (1916 – 1993) ishte veç 12 vjeç. Sheh Mala shënjon fundin e nji tradite letrare, ndërsa Mekuli fillimin e nji tjetre. Këto dy botë, për aq dekada sa qe “i gjallë” sistemi komunist, nuk u njohën me njana tjetrën për nji kohë, e për ma tepër, e dyta provoi me e harrue të parën. Për ma shumë, përgjatë kësaj periudhe literatura jonë asht kontaminue me nji propagandë të egër, nëpërmjet së cilës u ba përpjekje me u formue “njeriu i ri”.

Literatura jonë sot e kësaj dite ka mbetë e paçlirueme prej kësaj propagande dhe kjo mundet me u ilustrue krejt lehtë.

Fjalorë elektronikë që janë në shërbim sot nëpërmjet platformash onllajn, e që kanë trashëgue gjithë gjetjet e gjuhëtarëve komunistë, edhe sot e kësaj dite u shërbejnë me shpjegime të shtrembërueme përdoruesve virtualë. Shihni ç’thonë për fjalët “fe”, “besim” apo “Islam” këta fjalorë. Është interesant shpjegimi për kuptimin e dytë që e ofrojnë për fjalën “bejte”, ku thuhet:  

  1. keq. Vargje pa vlerë, vjershë e keqe. Shkruante bejte. 

Kjo domethënë që ideja ishte me e ngulitë thellë në kulturë nji konotacion negativ për nocionin. 

Megjithëse Letërsia Alhamiade Shqipe pësoi ma shumë, as gegnishtja nuk e pati të lehtë prej ideologjisë komuniste. Figura të shqueme të kulturës e letërsisë, që i takonin traditës gege, u lanë  në harresë. Me nji strategji oruelliane ajo u fshi sistematikisht prej literaturës, ndërsa përherë e ma fort u artikulua propaganda se, gegnishtja nuk ishte e aftë me i përmbush nevojat që i lypte teksti letrar, për me e jusifikue “atentatin” ndaj gegnishtes. Deri aty ka shkue ky konstatim sa që është vu në dilemë aftësia e saj për me i përmbush krejt funksionet e domosdoshme…: 

as a “Atëherë, pra, cila dilemë mbetet? Le ta pranojmë si të mirëqenë idenë se Kosovës do t’i binte më mirë dhe do t’i shkonte më për shtat vendosja e gegërishtes në bazën e standardit të gjuhës shqipe, sepse një standard i tillë do të korrespondonte me lehtë dhe do të qëndronte më afër me Kosovën dhe me të folmen e saj. Kjo është rrethanë objektive dhe unë e pranoj si të tillë, megjithëse më parë më duhet t’i bëj të njohura disa dilema të mia rreth gegërishtes, nëse ajo do të ishte gjuhë-kornizë, e cila do të mund t’i merrte përsipër të gjitha funksionet e domosdoshme të gjuhës standarde.

Këto dilema m’u përforcuan, ndërsa tash së voni, në kontekst të shijimit të gjuhës, kam marrë të rilexoj letërsinë e autorëve gegë, në radhë të parë Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun, si dhe vëllimet e shumta të letërsisë popullore, më së shumti përrallat, poezinë lirike dhe epikolirike. Në disa raste këtë poezi e kam krahasuar me poezinë popullore të Shqipërisë së jugut dhe me atë arbëreshe. Në përgjithësi, gjuha e vargnimit epik, njësoj si gjuha tradicionale e komunikimit, është gjuhë me nocione që kufizohen me bëmat e lidhura me trimërinë ose vdekjen, pra një gjuhë hijerëndë, e palakueshme, e vështirë për komunikim të shpejtë dhe racional (“Identiteti Kosovar”, M. Kraja).

Megjithatë, autorët e brezave të mbasluftës, në Kosovë, Shqipni e vise të tjera të banueme me shqiptarë, i janë rikthye vrullshëm këtij dialekti, tue e dëshmue krejt të kundërtën e konstatimeve si shembulli i masipërm. 

Kjo e ka edhe nji domethanie tjetër: që vizioni i akademikëve ka qenë i mbështetun në nji taban të paqëndrueshëm. E tue qenë ideologjik ky taban, edhe joshkencor, për mos me thanë absurd e i pa-jetësueshëm.

Letërsia pa ideologji

Letërsia e kultivueme mbas luftës në Kosovë dhe ajo në Shqipninë post enveriste, i ka flakë tutje paragjykimet e periudhës komuniste. Gegnishtja asht rikthye vrullshëm në poezi e prozë, ndërsa autorë të shumtë kanë kapërcye kufijt e Shqipnisë etnike, tue i shpalue vlerat estetike të veprave të tyne, edhe për lexuesit e huej.

Natyrisht ende nuk asht ba nji evidencë për emnat e autorëve të post-indipendencës, por e rëndësishme asht që veprat e tyne janë nji argument i fortë se 1972-shi duhet çue tutje, tue qenë nji standard që nuk i përmbush ma teket e letërsisë.

Pavarësisht rrethanave në të cilat u mor ky vendim dhe pavarësisht efekteve anësore me të cilat u manifestue, duhet thanë se politikat gjuhësore asht mirë me e prodhue nji debat ma të gjanë që e rihap temën e reformimit të standardit të 72-tës. Jo veç me ia çelë derën paskajores së gegnishtes, e me e flakë tosknishten, por përkundrazi, me i ndih të dyja dialektet me u integrue në nji standard të ri gjuhësor. Kjo kish me qenë nji politikë kulturore përbashkuese, hap i madh drejt bashkimit kombëtar… Apo jo?

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.