A interesohet kush se si e mësojnë studentët kosovarë historinë e Luftës së Dytë Botërore? Do të duhej, sepse ajo luftë ende provokon debate të ndezura mbi atë se kush çka i bëri kujt. Nëse lufta është vazhdim i politikës përmes mjeteve tjera, atëherë në Ballkan paqja është vazhdim i luftës me mjete tjera. Ose, thënë thjesht, lufta nuk ka marrë fund ende, dhe jo vetëm në Kosovë apo ish-Jugosllavi. E tërë ish-zona lindore ka probleme me përballjen me të kaluarën. Shihni, për shembull, problemet që po i ka Polonia me historinë e vet.
Ne kemi hulumtuar se si mësuesit kosovarë i qasen Luftës së Dytë Botërore nëpër klasa, dhe kemi shkruar mbi dobësitë e mendimit kritik tek mësuesit shqiptarë, për mungesën e thellësisë tek të mësuarit e Holokaustit, si dhe lëshimet apo zbukurimet e ngjarjeve. E sa i përket mësuesve serbë? Në vijim janë disa nga gjetjet e raportit që kemi bërë në bashkëpunim me kolegë të tjerë, ndërkaq autorësia e këtij artikulli është plotësisht përgjegjësi vetëm e jona.
Në pjesën veriore të Mitrovicës, mësuesit serb besojnë se jetojnë në një situatë normale “të re”. Siç tha njëri prej tyre, “Ne jetojmë nën okupim. Përndryshe gjithçka tjetër do të ishte normale, sikur në pjesë tjera të Serbisë…” Kush janë okupuesit? NATO, amerikanët, dhe BE-ja, mes tjerësh. Reagimi tipik i tyre është injorimi i realitetit: shkollat në gjuhë serbe në Republikën e Kosovës ende kanë emra që ju referohen figurave dhe lokacioneve të para 1999-tës. Për shembull, Gimnazija u Vucitirnu sa privremenim smestajem u Kosovskoj Mitrovici (Gjimnazi i Vuçitërrnës i vendosur përkohësisht në Mitrovicën e Kosovës).
Në klasa, me përjashtim të një mësuesi në Graçanicë, shqiptarëve iu referohen si shiptar, një emërtim përulës që është ekuivalent me fjalën përulëse ndaj zezakëve (fjala N). Kjo gjuhë e urrejtjes reflekton mënyrën si përmblidhet historia e LBII në Kosovë nëpër librat shkollore serbe: shqiptarët e arritën projektin e Shqipërisë së Madhe falë Italisë fashiste, pra, ata ishin të gjithë fashistë, dhe e dëbuan tërë popullatën serbe. Këtu, të mirët dhe të këqijtë janë definuar në bazë të etnisë, sikur indianët dhe kaubojtë. Por ky s’është një film uestern. Kjo është jetë reale.
Shkrimet historike, që ushqejnë nacionalizëm helmues, janë manipulative dhe të gabuara. Librat shkollorë serbë asnjëherë nuk pyesin pse popullata kosovare shqiptare i priti sunduesit italian si çlirues. Ato do të ishin dashur ta ceknin se që prej 1912 Mbretëria e Jugosllavisë i ka trajtuar shqiptarët si të egër, të cilët ose duhet të asimilohen plotësisht ose të zhduken, siç shkruan bindshëm historiani Ivo Banac.
Raportet e zyrtarëve italianë të cilët erdhën në Kosovë në vitin 1941 i përshkruajnë shqiptarët si shumica analfabetë, të shtypur nga elita lokale serbe dhe nga policia. Mijëra nga ta vuanin nga deprivimi i arsimit dhe jetesës së mirëfilltë, për shkak të një “reforme agrare”, që në fakt ishte një vjedhje e dhunshme e tokës dhe e cila, siç shkruan historiani serb Vladan Jovanovic, kishte shkatërruar bazamentin e ekzistencës së shqiptarëve”. Pa tërë këtë kontekst, dëbimi i kolonistëve serb dhe malazez nuk mund të kuptohet.
Ky dëbim nuk ishte sulm pa dallim kundër popullatës sllave. Siç na tregon një shkollar italian që më në fund është duke e zbërthyer mitin e “popullit të mirë italian”, kishte dhunë nga të dyja palët, dhe politikanët italianë dhe shqiptarë në interesa të vet, bënin presion pro dëbimeve. Shiheni librin nga Davide Rodogno dhe Luca Micheletta.
Libri shkollor Istorija (f.201) i vitit 2014 nga Rados Ljusic and Ljubodrag Dimic, thotë se, “Terrori i vullnetarëve shqiptarë shkaktoi dëbimin e 90 mijë serbëve. Nga 1941-1944, 10 mijë serbë u vranë në Kosovë dhe Metohi”. Në vend se të luajnë kështu me numra, më mirë do të ishte t’i shikonin burimet arkivore, përfshirë këtu edhe të vetat. Shefi i oficerëve gjerman, Hermann Neubacher, dhe Komisariati Serb i Refugjatëve ofrojnë shifra që kapin nga 40 mijë deri në 48 mijë, si histori e qëndrueshme e luftës, na tregon Jozo Tomasevich.
A kanë farë rëndësie librat shkollorë? Ndoshta jo në aspektin afatshkurtër. Ne mësuam se ligjërimet e mësuesve serbë mbështeten më shumë në politikën e tyre, sesa në libra. Edhe nxënësit madje vijnë në klasa me pikëpamje tashmë të krijuara në familje. Kjo histori orale prodhon një rishkrim imagjinar të historisë, por i cili jepet si faktual, dhe i cili kërkon një zgjedhje të vrazhdë: ose je partizan, ose je çetnik. Një mësues gjithmonë e nis mësimin me pyetje frikësuese, “Ku ishte gjyshi yt gjatë luftës? Kush ishte gjyshi yt?”. Të jesh neutral apo kritik, nuk lejohet.
Lufta e vjetër civile vazhdon edhe sot në formë të përjashtimit të zbutur domestik: mësuesit pro-çetnik ëndërrojnë Serbinë, ndërsa pro-partizanët ëndërrojnë një Jugosllavi para 1974-tës, në të cilën Serbia dominotë. Konsensusi ishte kty: përderisa të gjithë serbët, partizanë e çetnikë, luftonin në anën e duhur, si antifashistë, “të gjithë muslimanët”, një tjetër fjalë kjo për shqiptarët, ishin fashistë. E kur jemi te falsifikimi i historisë, kjo e fundit është një kryevepër e trillimit të historisë.
Së pari, shqiptarët nga Kosova iu bashkuan lëvizjes partizane, siç tregon historiani Ali Hadri. Ishin më pak se serbët, po, sepse ata nuk i besonin një lëvizjeje në të cilën dominonin ish-pushtuesit. Edhe udhëheqësit serbë si Milovan Djilas dhe Aleksandar Rankovic e dinin këtë gjë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste në maj të 1945-tës. Por edhe mijëra shqiptarë të tjerë u detyruan të bashkohen nga janari në prill të 1945-tës, gjatë mobilizimit masiv për frontin e Sremit. Një pjesë e atyre që u bashkuan, u masakruan gjatë rrugës në Tivar. Ata që kundërshtuan dhe nuk iu bashkuan, u vranë në Drenicë. Historianët serbë duhet ta kuptojnë këtë tragjedi, sepse ata ankohen për mobilizimin masiv të të rinjve serbë për të njëjtin front të Sremit.
Së dyti, çetnikët nacionalistë serbë nuk ishin antifashistë. Siç tregojnë historianët Matteo Milazzo dhe Jozo Tomasevich, ata e nisën lëvizjen rezistente dhe pastaj u bënë kolaboracionistë me Boshtin. Ata ushtruan terror mbi civilët, me cak kryesor muslimanët, posaçërisht në zona të kontrollit italian.
Krejt në fund, kur mësuesit serb ua mësojnë Holokaustin, ata bëjnë me gisht kah Kroacia, në kampin e Jasenovacit, dhe madje i bëjnë bashkë vrasjen e hebrenjve dhe serbëve. Ata e shohin zhdukjen e shpejtë të të gjithë hebrenjve serb si përgjegjësi e vetme e nazistëve, stashët dhe shiptarët. Ky revizionizëm është edhe më problematik. E vërtetë, gjermanët i konsideronin serbët si “nën-njerëz” dhe i vranë pa kurrfarë frenimi, siç tregojnë Timothy Snyder and Mark Mazower. Por kjo nuk është pretekst për ta mohuar unikalitetin e Holokaustit. Gjermanët i vranë hebrenjtë që mbaheshin në Prishtinë, por shumë hebrenj gjithashtu arritën të ikin në Shqipëri dhe u shpëtuan të gjithë, siç shkruan Yad Vashem.
Lufta e Dytë Botërore është një e kaluar traumatike. Por, siç thoshte James Baldwin mbi historinë amerikane, “e kaluara do të mbetet e tmerrshme për aq kohë sa refuzojmë ta vlerësojmë për ashtu siç ishte”.