Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

A m’u g’zu kur t’çelen shkollat?

Në shumë shkolla fillore të Kosovës, ku nxanëset e nxanësit ma shumë përjetojnë e shohin ngacmim seksual sesa mësojnë a lejohen të flasin për të, është çlirim me mendu që bile për disa muaj nuk kanë shku.

Përjetimi i ngacmimit seksual n’shkollë është rasti konkret se qysh thanja “mësuesi është prindi i dytë”, t’merr n’qafë!

Të rritun në nji sistem ku roli i mësimdhanësit është idealizu deri në joracionale – deri në atë masë që nuk ka leju nxanëset e nxanësit as edhe të zhvillojnë mendim kritik të nevojshëm për t’sfidu autoritetet kur ato shtypin. Nji sistem ku nëse viktima është vajzë apo grua, dhe dhunuesi është burrë, faji çdo herë i mveshet viktimës. E kjo shkon aq larg sa shpesh nxanëset viktima të çfarëdo dhune e fajësojnë veten për veprimet e dhunueseve, duke mos e lejuar veten të sfidojnë autoritetin e mësimdhanësit as edhe në këto raste. Kur mësimdhanësi idealizohet kaq verbërisht, dhe kur viktima fajësohet kaq padrejtësisht, viktimat e dhunës seksuale në shkolla zgjedhin të heshtin, madje edhe në familjet e tyre, ku komunikimi dhe besimi midis prindërve dhe fëmijëve bëhet pothuajse i pamundur pikërisht për shkak të këtyre faktorëve. Në fakt, nxanëset edhe mund të mendojnë se është zgjedhje e tyre, por heshtja e tyre është detyrim për to.
Në fund të fundit, kshtu i konvenon më së miri këtij sistemi.

Mungesa e hulumtimeve të thellume në përmasat e ngacmimit seksual në shkolla fillore, veç e bënë të pamundun transformimin e gjithë atyre përvojave të tmerrshme në statistika, dhe e zbehë mundësinë që këto raste me gjetë drejtësi. Sidoqoftë, përvojat që me apo pa dashje kanë dalë prej privates, na mësojnë që mësimdhanësit burra (jo të gjithë) janë të prirë të ngacmojnë seksualisht nxanëset e tyre vajza, dhe në shumë raste ata kanë vazhduar të ushtrojnë dhunë seksuale edhe kur ndaj tyre ka pasur ankesa.

Edhe djemtë në shkollat tona janë viktima të dhunës seksuale, por, nisur nga ajo që kemi parë deri tash, vajzat janë shumëfish më të ekspozuara ndaj ngacmimit seksual në shkollë sesa ç’mund të jenë djemtë. Sidoqoftë, ekspozimi i këtyre të fundit ndaj rasteve të ngacmimit seksual gjatë shkollës fillore, kur fëmijët janë në kërkim të adaptimit të sjelljeve të të rriturve si sjellje të veta, i bënë ata ngacmues dhe dhunues potencialë. Ashtu qysh i bënë edhe vajzat viktima të përsëritshme të ngacmimit seksual.

Për vajzat, koncepti i dashnisë prindërore i reflektum në figurën e mësimdhanësit, ua mbjellë idenë se keqtrajtimi është mënyrë e të shprehunit t’dashnisë. Ato rriten me idenë se parahatia, që u shkaktohet nga këto subjekte me role vendimmarrëse për jetën e tyre, është procesi i vetëm nëpër të cilin duhet të kalojnë e kjo vetëm për shkak të gjinisë së tyre. Djemtë në anën tjetër, përcjellin modelin e nji prindi imagjinar, i cili ua trason rrugën e dhunës si mjeti i vetëm i komunikimit me vajzat dhe gratë.

Edhe pse në këto kohë pandemie kur mësimdhanësit e tyre po i shohin vetëm përmes televizorit, tek sforcohen me folë n’standard e sikletin ua përçojnë edhe shikuesve, nxanëset i kanë hala të freskëta momentet e tmerrshme që i kanë përjetu n’banka t’shkollës, n’korridore t’shkollës, zyra të drejtorëve e mësimdhanësve, salla të edukatës fizike e shumëku tjetër. Ka kaq shumë histori të pakallëzume për orët e edukatës fizike, ku mësimdhanësit perversitetin e tyne e shprehin kah i prekin nxanëset e tyne kinse me ua kallëzu lëvizjet, orët e artit figurativ kur mësimdhanësit t’hypin n’kry kinse me t’kallëzu qysh me vizatu, orët e biologjisë ku mësimet mbi seksualitetin e kafshëve (sepse i njerëzve nuk diskutohet) kthehen në “hajgare” ndaj trupit të çikave të klasës, e kur edhe email-at shfrytëzohen për biseda “private” me nxanëse në kërkim të fotove nudo. Sikur t’kishim kriju hapsinë që këto histori me qenë publike, shkollat tona kishin me u mshelë moti.

Titujt mediatik si “Mësuesi ngacmoi seksualisht nxënësen 12-vjeçare”, “Mësuesi ngacmoi seksualisht nxënësen në kabinetin e shkollës”, nuk i kemi pa gjatë kësaj kohe kur shkollat janë mshelë për shkak të pandemisë COVID-19. Kjo sepse edhe format e ngacmimit seksual ndaj nxanëseve i janë përshtatë izolimit. Si burimi pothuajse i vetëm i këtij informacioni, mediat e kanë ma pak të mundun këto kohë me raportu mbi format ma të mshefta të ngacmimeve seksuale siç është për shembull, komunikimi pervers virtual mes mësimdhanësve dhe nxanëseve të tyre. Bisedat e tilla, zakonisht bëhen material shantazhi ndaj nxanëseve dhe zor kanë me dalë mbi sipërfaqe, e aq ma pak me u trajtu me ligj.

Para pak vitesh kur po merresha me këtë temë, nji përfaqësues i Ministrisë së Arsimit më pat kallëzu që shkollat e kanë sistemin e vet të raportimit të ngacmimeve seksuale, i cili sipas tij është në pronësi të drejtorave të shkollave dhe vetëm ata mund t’i trajtojnë rastet e raportuara nga nxanëset.

Hajde rrenë hajde!

“Drejtorat (që me shumicë janë burra), përveçse nuk i raportojnë rastet në Drejtoritë Komunale të Arsimit me qëllim që mos mos me kallëzu që kanë dështu me i mbrojtë fëmijët, ty a s’ta merr mendja që edhe drejtori mundet me qenë ngacmues a?”- i thashë, dhe këtu përfundoj takimi.

Nga janari i vitit 2019, ngacmimi seksual radhitet si vepër penale, por viktimat e ngacmimit seksual nuk është se ia kanë pa hajrin këtij ndryshimi.

Neni 183 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pika 1, thotë, “Kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet”. Në rastin e raportit mësimdhanës-nxanëse, duhet të bëhet i qartë edhe raporti i pushtetit midis tyre të cilin e adreson pika tre e këtij neni i cili thotë, “Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet nga kryesi, i cili është mësues … apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit mbi atë person, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet”.

Sidoqoftë, përvoja (mos)ndëshkuese e rasteve publike të ngacmimeve seksuale në shkolla, na mëson se këto nene zor se i kanë hy në punë ndonjë gjykatësi nëpër gjykatat e Kosovës. Mësimdhanësit të cilët raportohet që kanë kryer ngacmim seksual ndaj nxanseve të tyne, zakonisht u pezullohet pozita e punës deri në transferimin e tyre në një shkollë tjetër, ose punohet fuqishëm në fajësim të viktimës deri në përfundim të rastit në dosjet e plunosuna të gjykatave.

Kur marrim parasysh aspektin e moshës, këto ngacmime seksuale në shkollat fillore bëhen ndaj nxanëseve të moshës nën 18 vjeç, çka këta mësimdhanës i bënë kryekëput pedofila. Prandaj, tu’ e llogaritë që pandemia nji ditë ka me kalu, nxanësit kanë me iu kthy bankave të shkollës e rrjedhimisht edhe kontaktit me këta mësimdhanës, folni me fëmijët tuj, kuptoni përvojat e tyne e avokoni që dikush me i mbajtë këta mësimdhanës dhunues e pedofila bile nja 3 vjet n’burg. Sepse për sigurinë e fëmijëve n’shkolla, zgjidhja nuk është largimi i viktimës por dënimi i agresorit. E veç qatëherë, ju e fëmijët tuj mundeni me u g’zu që po çelen shkollat.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.