Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

A mund të punojë Greqia me Bidenin për ta tejkaluar ngërçin e Ballkanit?

Ky vit shënon 200-vjetorin e lëvizjes për çlirimin kombëtar të Greqisë. Poeti anglez Lord Byron i doli krah përpjekjes greke për pavarësi. Ai vdiq bashkë me grekët të cilët ishin të vendosur të kërkonin të drejtën për gjuhën, ishujt dhe traditat dhe besimin e tyre kundrejt sundimtarëve turq.

Për fat të keq, festimet e planifikuara për lirinë dhe vetëvendosjen greke u anuluan për shkak të pandemisë.

Greqia ka qenë gjithnjë e veçuar në Evropë. Ajo ballafaqohet me një komshi armiqësor si Turqia e presidentit autoritar Recep Tayyip Erdogan.

Deri më 2007, kur Bullgaria iu bashkua BE-së, Greqia nuk kishte për fqinj asnjë shtet anëtar të BE-së.

Evropa në veri të Egjeut dhe Alpeve vazhdon të patronizojë Greqinë. Në librin e tyre të ri, La Valse Eurpéene, që trajton krizën e BE-së që prej vitit 2008, ekonomisti i shquar francez Élie Cohen dhe shkencëtari politik Richard Robert, analizojnë ndëshkimin e Greqisë nga grupi evropian i udhëhequr nga gjermanët dhe holandezët pas krizës financiare.

Ekonomia greke nuk është ngritur në nivelin e fillimviteve 2000 as para se të goditej nga pandemia. Pensionet greke u shkatërruan për ta përmbushur kërkesën e kryepriftërinjve monetarë në Bruksel. Një gjysmë milioni grekësh të rinj e të arsimuar u larguan nga vendi para një dekade, për shkak të politikave ndëshkuese të Komisionit Evropian.

Ajo ia mundësoi fitoren partisë së majtë Syriza, zëdhënësi i së cilës, ekonomisti populist Yanis Varoufakis, bëri edhe më shumë dëm me kërcënimet për t’u larguar nga euro. Pas largimit të tij u kthye stabiliteti. Më 2019, elementet turbulluese të Syrizas u zëvendësuan me partinë e modernizuar të qendrës së djathtë Demokracia e re, nën udhëheqjen e Kyriakos Mitsotakis.

Si mënyrë për ta festuar 200-vjetorin e lirisë dhe pavarësisë, a mund Greqia të marrë rol udhëheqës në Evropë në një zonë të rëndësisë së madhe për presidentin Joe Biden? Edhe si kryesues i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit, edhe si nënpresident, Bideni ka treguar interes të madh për Ballkanin Perëndimor.

Bideni vizitoi rregullisht rajonin në vitet 1990 dhe pas vitit 2000. Madje, një rrugë mban emrin e tij në Kosovë. I biri i tij, Beau Biden, i cili vdiq nga kanceri në tru në moshën 45-vjeçare, shërbeu si avokat i ushtrisë për ta ndihmuar Kosovën t’i krijojë strukturat e sundimit të ligjit pas çlirimit të Kosovës nga sundimi serb.

Ashtu si Greqia që u çlirua pjesërisht nga dominimi turk më 1821, Kosova është nën presion të madh nga Serbia, e mbështetur nga Rusia, e cila në dekadën e fundit ka intensifikuar fushatën botërore për t’ia mohuar Kosovës njohjen e plotë si shtet anëtar i KB-së.

Putini përkrah pikëpamjen nacionaliste serbe se Kosova është provincë serbe, ashtu si osmanët që refuzuan ta pranonin se Greqia kishte të drejtë të ekzistonte jo sipas kushteve turke në shekullin XIX.

Lideri grek Mitsotakis e ka ndryshuar botëkuptimin e partisë së tij të qendrës së djathtë Demokracia e Re që të pranojë ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si shtet i vogël i Ballkanit Perëndimor. Ai u ballafaqua me nacionalistë të djathtë grekë, që këmbëngulnin se liderët politikë të Shkupit po orvateshin të vidhnin identitetin kombëtar të Greqisë të ngulitur në trashëgiminë e Filipit të Maqedonisë, i cili ia dha emrin rajonit të madh grek të Maqedonisë, rajon ky shumë më i madh sesa provinca e vogël në jug të ish-Jugosllavisë.

Putini u orvat ta përmbyste marrëveshjen Athinë-Shkup, ngase Kremlini e urren idenë e integrimit të plotë të kombeve të vogla të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut në BE dhe me kohë në NATO, sikurse shtetet baltike ose ish-kolonitë e tjera sovjetike në Evropë.

Për çështjen e Maqedonisë së Veriut, Mitsotakis ua tregoi derën edhe Putinit, edhe nacionalistëve të tij grekë. Tash ai ka mundësinë të marrë rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor.

Asnjë prej lojtarëve kyç të BE-së, si Gjermania apo Franca, nuk kanë qenë të gatshëm të tregojnë lidership. Presidenti Macron mendon se nëse Shqipëria frankofone a Kosova do t’i afroheshin Evropës, kundërshtarja e tij islamofobe Marine Le Pen do ta akuzonte se po u hap rrugën dy vendeve me shumicë myslimane.

Indiferenca e Berlinit

Berlini ka qenë gjithnjë indiferent ndaj Ballkanit qëkur Bismarcku u shpreh se rajoni “nuk vlente as sa një jetë e vetme e një granatieri pomeranian”. Gjermania gjithnjë merkantiliste sapo i ka shitur Turqisë gjashtë nëndetëse të avancuara – gjë që e prish ekuilibrin e brishtë të pushtetit në Mesdheun Lindor. Një Gjermani që refuzoi të ndihmonte Greqinë gjatë krizës së euros nuk ka shumë gjasa të brengoset për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së BE-së për Ballkanin.

Ndërkohë, presidenti Biden insiston në prioritetin e sjelljes para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për masakrat dhe spastrimin etnik gjatë luftërave të viteve 1990 në Ballkan. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, shërbeu si zëdhënës i Slobodan Miloseviqit, ndërkaq mediat serbe nxisin urrejtje ndaj fqinjit të saj.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit gjithashtu e kanë bërë të qartë se Uashingtoni dëshiron ta mbajë Ballkanin Perëndimor larg ndikimit rus, turk dhe kinez.

Mënyra më e mirë përpara do të ishte integrimi i vendeve të voglave mes Egjeut dhe Alpeve në BE. Greqia mund të luajë rol kyç këtu. Zëvendësministri i Jashtëm, Kostas Frangogiannis, thotë se qëllimi afatgjatë strategjik i Greqisë është integrimi në Evropë i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ai përkrahet nga Sllovenia, një prej dy ish-vendeve jugosllave që u detyrua nga Marrëveshja e Jaltës të jetojë nën sundimin komunist pas vitit 1945, e cila ishte mjaft me fat të integrohej në BE më 2004. Tjetra është Kroacia. Por, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor u lanë në një pozitë shumë të vështirë, me BE-në të paaftë për të ofruar ndonjë zgjidhje, meqë shtetet e saj anëtare nuk mund të pajtoheshin se si të shkohet përpara.

‘Si Orbani’

Sllovenia tash ka kryesinë e presidencës gjashtëmujore të BE-së. Kryeministri i saj ekscentrik, Janesz Janša, konsiderohet si njëfarë Orbani i rajonit, por zyrtarët dhe diplomatët sllovenë janë të mençur dhe të përkushtuar në përmbushjen e procesit të zgjerimit të BE-së, që do të përfshijë territorin mes Sllovenisë në Alpe dhe Greqisë në Egje.

Qeveria sllovene po organizon një samit për Ballkanin Perëndimor në tetor.

Gjëja e fundit që i duhet rajonit është modeli i qeverisë joliberale autoritare me sulmet mbi gjyqtarë e gazetar në stilin e Orbanit dhe Janšës. Megjithatë, është fakt se shtetet anëtare të BE-së që iu bashkuan BE-së para 25 vjetëve janë shumë më të vetëdijshme për humnerën e Ballkanit Perëndimor në BE sesa shtetet e vjetra anëtare të BE-së.Në vitet 1990, Uashingtonit iu desh të ndërhyjë që ta shpëtojë BE-në në Ballkanin Perëndimor, së pari me Marrëveshjen e Dejtonit dhe më pas më 1999 me ndërhyrjen e NATO-s, që t’i parandalojë masakrat e mëtejme në Kosovë.

SHBA-ja nën George W. Bushin e keqmenaxhoi kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. Deri atëherë, Bushi ishte aq i diskredituar në Evropë pas katastrofës së Irakut, saqë menaxhimi amerikan i çështjes së pavarësisë së Kosovës pati reperkusione dhe i lejoi Putinit që të fitonte terren, meqë pushtimi i Gjeorgjisë e la Perëndimin në defansivë.

Kështu që, Greqia dhe Sllovenia kanë një rol të rëndësishëm.

Athina tashmë ka ndërmarrë një hap madhor duke normalizuar marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Hapi tjetër që do të mirëpritej në Uashingtoni do të ishte normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Kjo do t’i mbizotëronte kryetitujt botërorë dhe do të fitonte përkrahjen e presidentit Biden dhe shumicës së qeverive të NATO-s. Gjithashtu, do t’u dërgonte sinjale Putinit dhe Erdoganit se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës.

Në fund, ky do të ishte sinjal për serbët se ka ardhur koha që t’i lënë prapa luftërat e vitit 1990. Ka një të ardhme të ndritur për Serbinë si vend evropian dinamik në partneritet me ish-vendet e Jugosllavisë.

Duke punuar së bashku me Greqinë dhe ngjashëm me Francën dhe Gjermaninë pas vitit 1945, duke ofruar dorën e pajtimit Kosovës, Beogradi mund të bëhet pjesë e zgjidhjes në Ballkanin Perëndimor dhe jo më pengesë për afrimin e rajonit në Evropë.

200 vjet pasi Greqia filloi procesin e integrimit të plotë në Evropë, bashkëpunimi si partner dhe aleat i Uashingtonit mund t’i ndihmojë fqinjët e Greqisë në Ballkanin Perëndimor që të arrijnë të njëjtin qëllim.

***

Artikulli origjinal në EUobserver, më 30 korrik 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.