Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

A po zien një Luftë e Ftohtë e re në Ballkan?

Joe Biden dëshiron të rikthehet në rajonin strategjik, por Vladimir Putin-i nuk do të dorëzohet kollaj.

Ambasada ruse në Bosnje ka paralajmëruar së fundmi se do të “reagojë” nëse Bosnja ndërmerr hapa të mëtejmë drejt anëtarësimit në NATO, duke thënë se e percepton një akt të tillë si armiqësor. Pastaj, pas disa ditësh gjatë një interviste, ambasadori i sapoemëruar i Rusisë në Sarajevë Igor Kalabukhov, e krahasoi NATO-n me një armik dhe announced se “Ne duhet ta marrim parasysh këtë fakt – cenimin e kufijve tanë nga infrastruktura e NATO-s. Duhet të reagojmë në kuptimin ushtarako-teknik.”

Paralajmërimet e tilla, sado të ashpra, janë të pashoqe.

Moska qartazi beson se qëllimi i NATO-s është “të luftojë Rusinë” dhe se anëtarësimi në NATO do ta detyrojë Sarajevën të mbajë anë në “konfrontimin ushtarako-politik.” Përkundër faktit se Bosnja është e vogël dhe e dërrmuar nga lufta, një pozicion i tillë antagonist nga Rusia tregon qartë se, si i tërë, rajoni i Ballkanit luan një rol të madh në konstelacionet më të gjera gjeopolitike. Përkatësisht – Bosnja, Kosova, dhe Serbia janë të vetmet vende në Ballkan që nuk janë anëtarësuar ende në NATO. Serbia është e vendosur të mbesë jashtë aleancës, ndërsa Kosova ende duhet të përmbushë një numër parakushtesh. Sidoqoftë, duke qenë nikoqir i kampit Bondsteel – baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon – dhe vendosmërisht proamerikane në politikën e saj të jashtme, nuk ka dyshim për orientimin gjeopolitik të Kosovës. Kështu që, Bosnja praktikisht mbetet vendi i vetëm që dëshiron t’i bashkohet NATO-s (ose të paktën kjo është ajo që do gjysma e popullatës). Përkatësisht, sipas sondazheve, myslimanët boshnjakë dhe kroatët janë pro NATO-s, ndërkaq serbët e Bosnjës gravitojnë drejt Rusisë. Sipas sondazhit të vitit 2017 të Institutit Ndërkombëtar Republikan, myslimanët boshnjakë janë më së shumti të etur t’i bashkohen aleancës: 57 për qind e boshnjakëve përkrahin fuqishëm anëtarësimin në NATO, krahasuar me 53 për qind të kroatëve dhe vetëm 2 për qind të serbëve. Logjika prapa këtij arsyetimi është bukur e drejtpërdrejtë: NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, intervenoi dy herë për të shpëtuar popullatën e persekutuar myslimane nga sulmet e armikut të krishterë – në Bosnje (1994,1995) dhe në Kosovë (1999). Prandaj ekziston edhe dashuria për NATO-n. Në anën tjetër, serbët e Bosnjës, për shkak të besimit ortodoks dhe lidhjeve të përbashkëta pansllavike, u rreh zemra për Moskën.

Rusia ka mbajtur me vite qëndrim kundërshtues ndaj anëtarësimit të Bosnjës në NATO, edhe pse në vend se të kundërshtojë hapur, ka zgjedhur të bëjë thirrje për “neutralitet ushtarak”. Me Joe Biden-in në Shtëpinë e Bardhë, simpatizues i kahershëm i Bosnjës dhe Kosovës, Moska ka marrë qëndrim më armiqësor.

Për vite, një numër vëzhguesish të Ballkanit (përfshi with) kanë paralajmëruar për ndikimin gjithnjë e më të madh dashakeq rus në Bosnje dhe në rajonin e Ballkanit, veçanërisht pas zbulimin e paramilitarëve serbë që veprojnë nën radar dhe që thuhet se janë të lidhur me bandat ruse të motoçiklistëve, të njohur si “Ujqit e Natës.” “Ujqit” janë nën sanksione amerikane që një kohë për shkak të përfshirjes së tyre aktive në aneksimin e Krimesë dhe në rekrutimin e separatistëve prorusë për të luftuar në Ukrainë. Tjetërkund në rajon, ka pasur një grusht shteti të dështuar, të sajuar nga 14 njerëz (përfshi dy zyrtarë të inteligjencës ushtarake ruse) duke synuar të instalojnë një qeveri proruse dhe kundër NATO-s në Mal të Zi më 2016; përpjekjet për të mbjellë kaos në Maqedoni të Veriut para anëtarësimit të saj në NATO më 2017 – ku përsëri përgjegjës u bënë elementë prorusë – dhe përpjekja për të sabotuar marrëveshjen e ndryshimit të emrit me Greqinë më 2018 (e cila shtroi rrugën për anëtarësimin e vendit në NATO).

Për të qenë i qartë për një gjë – Rusia nuk i sheh vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor si kërcënim për sigurinë kombëtare. Mirëpo, për sa i përket Moskës, parandalimi i anëtarësimit në aleancën ushtarake Perëndimore është qëllim strategjik përbrenda objektivave më të gjerë të politikës së jashtme të cungimit të zgjerimit të NATO-s. Këtu luan rol edhe çështja e kthimit me të njëjtën monedhë: meqë NATO ka shkelur nëpër zonat e influencës së epokës sovjetike në pikat e saj të dobëta (p.sh. në Gjeorgji dhe Ukrainë), Moska ndjehet e thirrur ta bëjë të njëjtën në oborrin e NATO-s (dhe Bashkimit Europian). Rusia ka qenë duke nxitur dhe testuar përgjigjen e Perëndimit. E njëjta strategji është aplikuar në Donbas të Ukrainës, Nagorno-Karabakh, Osetinë e Jugut, dhe Abkazi, si dhe në Moldavi përmes Transdniestrisë. Duke zhvilluar aftësinë për të bërë për vete vendimmarrësit lokalë dhe për të luajtur me zjarr në konflikte të ngrira, Moska faktikisht mund ta shantazhojë NATO-n dhe BE-në dhe të nxjerrë koncesione nga ta. Kështu pra, Moska po përdor Ballkanin si mall për pazar.

Bosnja është caku më i lehtë, meqë problemet e thella mund të përkeqësohen për të shmangur vëmendjen e BE-së dhe NATO-s nga marifetet më ambicioze të Moskës. Një aleat kyç rus në Bosnje është politikani radikal Milorad Dodik, për momentin anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës. Jo vetëm që ai e ka takuar presidentin rus Vladimir Putin gati dhjetë herë në vitet e fundit, por ka shpërfillur gati të gjitha institucionet shtetërore boshnjake dhe ka treguar se partia e tij mund të paralizojë politikën e Bosnjes – kur t’ia dojë qejfi. Ndonëse jo aq i pëlqyer në Perëndim, përkrahja retorike e Moskës është e rëndësisë parësore për të. Në kohën kur kishte pushtetin e entitetit serb të Bosnjes (që përbën 49 për qind të Bosnjës) ai krijoi marrëdhënie më të afërta dhe pranoi armatim dhe këshilltarë ushtarakë nga Serbia dhe Rusia. Moska e di se mjafton vetëm retorika për të mbajtur të lumtur serbët e Bosnjës, dhe nga ana tjetër – sipas kërkesës së Moskës – ata mund të paralizojnë aftësinë e Bosnjës për të funksionuar si duhet. Nëse Rusia mund të fitojë aq shumë terren ndaj një vendi aspirues të BE-së dhe NATO-s gati pa ndonjë investim të kushtueshëm, aq më mirë.

Sistemi politik i pasluftës në Bosnje është tmerrësisht i ndërlikuar dhe burokratik. Vendi mbetet thellësisht i ndarë mes kroatëve katolikë, boshnjakëve myslimanë, dhe serbëve ortodoksë. Secili grup etnik ka një president, dhe çdo tetë muaj secili merr radhën e drejtimit të vendit. Administrativisht, Bosnja dhe Hercegovina është e ndarë në dy entitete politike: njëri i banuar nga serbët e Bosnjës (Republika Srpska), tjetri i boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve të Bosnjës (Federata). Federata është edhe më tej e ndarë në dhjetë kantone të tipit të Zvicrës. Kur nuk është funksional në vetvete, një kompozicion i tillë i dendur politik, që mbështetet kryesisht në konsensus për të marrë vendime, e bën atë jashtëzakonisht të përshtatshëm për ndërhyrje dashakeqe nga jashtë.

Rusia ka ndërmarrë me vite sulme sistematike ndaj demokracive Perëndimore – si duke u përzier në zgjedhjet amerikane, duke promovuar ngritjen e së djathtës ekstreme në Europë, apo duke avokuar për BREXIT-in – gjë që i çon ujë në mulli qëllimit përfundimtar të Kremlinit për të pasur një Bashkim Europian të dobët. Kremlini gjithashtu ka bërë shumëçka për të dëmtuar rendin ndërkombëtar të pasluftës së dytë botërore të bazuar në rregulla, i cili orvatet të mbrojë vendet më të vogla nga apetitet e të mëdhave. Ballkani Perëndimor është shfaqur si front i ri në këtë luftë jo edhe aq të fshehtë. Qëllimi strategjik i Rusisë në Ballkanin Perëndimor është jo vetëm që të bllokojë kombet aspiruese që t’i bashkohen NATO-s, por të ngulfasë zhvillimin e demokracive liberale pro perëndimore. Mediat e tyre shpërndajnë narrativa pro-ruse në Serbi dhe te serbët e Bosnjës, duke promovuar lidhjet sllave dhe ortodokse, duke ritheksuar idenë se Rusia është i vetmi aleat i vërtetë i ortodoksëve të Ballkanit, duke i dhënë vëmendje prej ylli Vladimir Putinit, dhe duke përkujtuar bombardimin e Serbisë nga NATO. Rusia po përpiqet të mbajë opinionin publik egërsisht kundër aleancës.

Ky konflikt që po zien, ka potencialin për t’u zhvilluar në një konfrontim më serioz mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, dhe mes Biden-it dhe Putin-it. Ballkani mbetet çështje e papërfunduar, e lënë pas dore që nga 1990-tat dhe tërheqja e parakohshme amerikane, e cila tash po i fanitet Uashingtonit. Prandaj, prospekti i integrimit të rajonit në Perëndim ende mbetet motori kryesor drejt arritjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Është një proces që jo vetëm se do të kërkojë përkushtim të pandërprerë dhe sinjale inkurajuese të kohëpaskohshme, por edhe përfshirje aktive të Shteteve të Bashkuara.

Gjeopolitika është kthyer në Ballkan dhe rajoni është bërë përsëri fushë shahu në “Lojën e Madhe” ku Ankaraja, Brukseli, Uashingtoni, Moska, Berlini – tash edhe Pekini – kërkojnë ndikim dhe terren gjeopolitik në ndjekje të aspiratave më të gjera.

***

Artikulli origjinal në  The National Interest, më 25 mars 2021

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.