Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Aksidentet rrugore si kërcënim i sigurisë nacionale?

Aksidentet e trafikut konsiderohen sfidë globale. Me to përballën të gjitha shtetet, pa përjashtim. Por, qytetarët e shteteve në zhvillim janë më të cenuar, krahasuar me ata në shtete të zhvilluara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i vdekjeve në botë nga aksidentet në trafik mbetet shumë i lartë, më 1.35 milion banorë që vdesin çdo vit. Por, përveç viktimave, të prekur nga aksidentet në trafik janë edhe familjarët e tyre, komuniteti dhe shoqëria në përgjithësi. Pasojat janë multidimensionale dhe konsiderohen si kërcenim i sigurisë njerëzore. Por, duke qenë se numri i aksidenteve është i madh dhe nga to preken shumë individ, vlerësohet se ato cenojnë edhe sigurinë nacionale, sepse janë atak i drejtpërdrejtë jo vetëm i personave të përfshirë, por edhe të komponentëve tjerë të sektorit ekonomik, tregut të punës, shëndetësisë dhe cilësisë së jetesës në përgjithësi.

Në marrëdhënie ndërkombëtare, për një periudhë jo të shkurtër kohore, koncepti i sigurisë është interpretuar në formë ngushtë dhe tradicionale. Zakonisht ky koncept, i vështruar nga ky këndvështrim, nënkupton, ekskluzivisht dhe para së gjithash, sigurinë e territorit të një shteti nga agresioni potencial i jashtëm, mbrojtjen e interesave kombëtare në politikën e jashtme si dhe sigurinë globale nga kërcënimet potenciale të ndonjë, siç njihet në literaturën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “holokausti nuklear”. Me kalimin e kohës ky term u modifikua duke e zgjeruar dhe adaptuar në përputhje më zhvillimet gjeopolitike globale, por edhe në harmoni më kërcënimet e reja me të cilën përballeshin shtetet dhe qytetarët e tyre.

Barry Buzan, autor i mirënjohur i studimeve të sigurisë, në librin e tij, “Security: A new framework for analysis”, argumenton se koncepti i sigurisë, në fakt, nuk mund të kuptohet vetëm në formë tradicionale, por ai përbëhet nga 5 komponentë përbërës: siguria ushtarake, politike, ekonomike, ambientale dhe shoqërore. Pra, vëmendja zhvendoset nga siguria që ka në fokus shtetin si entitet politik, në sigurinë që ka në fokus njeriun. Zhvillimi kryesor, sa i përket ridimensionimit të këtij koncepti, e ofroj UNDP-ja përmes Raportit të Zhvillimit Njerëzor, të botuar më 1994, në të cilin elaboron në mënyrë shteruese konceptin e “sigurisë njerëzore”. Sipas këtij Raporti, siguria njerëzore është koncept i cili fokusohet në sigurinë individuale dhe në sigurinë e komunitetit, duke kombinuar kështu në mes veti dy elemente të rëndësishme: të drejtat e njeriut me zhvillimin. Sipas këtij raporti, siguria njerëzore përbëhet nga dy nënkuptime kryesore: e para fokusohet në sigurinë nga kërcënimet kronike siç janë: uria, sëmundjet dhe represionet e ndryshme; kurse e dyta nënkupton mbrojtën nga dëmtimet e papritura siç janë, ndër të tjera, aksidentet e trafikut.

Një ndër kërcënimet kryesore të sigurisë njerëzore sot në botë janë vdekjet që shkaktohen nga aksidentet në trafik. Sipas raportit të OBSh-së, në vitin 2018, nga ky shkak kanë vdekur 1.35 milionë njerëz. Sot aksidentet në trafik janë shkaku numër një i vdekjeve në mesin e fëmijëve dhe të rinjve nga mosha 5-20 vjeç. Derisa në vitet e 90-ta aksidentet përbënin shkakun e nëntë të vdekjeve në botë, studiuesit që merren me analizën e trendëve konkludojnë se në vitin 2020 ato janë shkaktari i tretë në botë për numrin e vdekjeve dhe lëndimeve trupore, duke lënë kështu pas sëmundje si: HIV/AIDS apo edhe tuberkulozi. Raporti i OBSh-së konsideron se numri dukshëm i rritur i aksidenteve me fatalitete në nivel global, ndër të tjera, vjen si pasojë e rritjes së numrit të popullsisë dhe rritjes së përdorimit të numrit të mjeteve të motorizuara. Kjo është më prezente në vendet në zhvillim, ku numri i vdekjeve në trafik është tri herë më i lartë se në shtetet e zhvilluara. Pra, ka një korrelacion të drejtpërdrejtë në mes të zhvillimit ekonomik e politiko-social të një vendi dhe numrit të aksidenteve në trafik: sa më i pa zhvilluar një vend, aq më shumë ka aksidente në trafik; sa më i zhvilluar vendi, numri i aksidenteve është më i vogël. Në nivel global, Afrika përbën numrin më të lartë të aksidenteve, më rreth 20% të vdekjeve në rrugë, derisa në atë kontinent operojnë më pak se 2% të të gjitha makinave. Në anën tjetër, në shtetet e zhvilluara operojnë më shumë se gjysma e mjeteve të transportit rrugor, po përballën vetëm më 8.5% të aksidenteve me fatalitet në baza vjetore.

Kosova përballet me një numër gjithnjë e në rritje të aksidenteve në trafik. Numri i aksidenteve me fatalitet dhe të lënduarave nga to, nga viti 2004 deri më 2018, i ngjason më shumë një bilanci lufte. Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, brenda kësaj periudhe 14 vjeçare, kanë ndodhur 66,546 aksidente me lëndime, të lehta dhe rënda, trupore ku 2,154 persona kanë humbur jetën dhe 123,551 janë lënduar. Viti me numrin më të vogël të aksidenteve ishte viti 2004, më 5,097 aksidente, kurse viti me numrin më të madh ishte viti 2012 më 19,756 aksidente në total.

Institucionet relevante shtetërore nuk është se kanë marrë ndonjë masë efektive dhe të mirëmenduar për të ndryshuar këtë situatë. E gjitha çfarë është bërë është ndryshimi i kornizës ligjore dhe rritja e masës së dënimeve për ngasësit dhe pjesëmarrësit në komunikacion. Në anën tjetër, Policia dhe instancat tjera relevante, herë-pas-here, ndërmarrin aksione të shtuara monitorimi dhe patrullimi të rrugëve – sidomos gjatë muajve të verës – por, si dukët, këto masa nuk janë edhe aq efektive dhe, si pasojë, nuk japin rezultate të synuara. Pra, rritja e dënimeve, pa një strategji të mirëfilltë edukimi, nuk është treguar qasje efektive. Që të ndryshohet kultura e sjelljes në komunikacion nevojitet kohë dhe investim sistematik në mënyrë që qytetari të edukohet që nga vitet e para shkollore. Në këtë drejtim, rezultate dhe shembuj pozitiv, që duhet studiuar dhe adaptuar, ka tashmë. Në Norvegji, konkretisht në kryeqytetin e Oslos, në vitin 2019 është regjistruar vetëm një i vdekur në aksidente rrugore. Për ironi, personi fatkeq, pasi kishte humbur kontrollin dhe përplasur makinën për një gardhi, kishte humbur jetën. Kurse, asnjë këmbësor apo çiklist nuk ka humbur jetën brenda të njëjtit vit në atë kryeqytet! Në shkallë vendi, Norvegjia me popullsi prej 5.3 milionë banorë, gjatë vitit 2019, ka regjistruar gjithsej 110 aksidente me vdekje. Kurse, Kosova më 1.9 milion banorë, në vitin 2018, kishte regjistruar 12,360 persona të lënduar dhe 128 të vdekur!

Këto shifra nuk kanë vetëm rendësi statistikore për studiuesit apo institucionet e specializuara. Ato, kur analizohen në kuadër të qasjes teorike të sigurisë njerëzore, përbëjnë kërcenim serioz për mirëqenien e qytetarëve. Në fakt, duke e marrë në konsideratë numrin në rritje të aksidenteve që ndodhin sot në Kosovë, mund të vlerësohet pa hezitim se vdekjet, dëmtimet fizike, dëmet materiale si dhe efektet që shkaktohen nga këto aksidente, në komunitet dhe në shoqëri, janë kërcenim serioz për sigurinë nacionale të vendit. Në këtë kuadër, sipas kësaj qasje, aksidentet në rrugë nuk vlerësohet se kanë pasoja vetëm për ata që e kanë fatin e keq që të humbin jetën në to. Pasojat që shkaktohen edhe për personat e lënduar, familjaret e tyre, komunitetin, shoqërinë dhe cilësinë e jetës në përgjithësi, janë shumë të mëdha dhe me kosto për qytetarët e vendit. Vuajtja e viktimave është vuajtje edhe për familjet e tyre dhe komunitetin gjithashtu. Sipas kësaj qasje, aksidentet e komunikacionit paraqesin kërcenim serioz duke u vlerësuar si një nga sfidat kryesore të sigurisë njerëzore me të cilën përballën vendet në shekullin XXI. Tingëllon paradoksale por ka studiues që aksidentet e trafikut i konsiderojnë kërcenim më serioz dhe më fatal për njerëzit se sa terrorizmi. Faktet i mbështesin këto pohime, edhe pse në shikim të parë duket si paradoks. Nga shtatori i vitit 2001, çdo vit, terroristët kanë vrarë rreth 50 njerëz në Bashkimin Evropian, rreth 10 njerëz në ShBA, mesatarisht 7 njerëz në Kinë dhe 25,000 në të gjithë botën – kryesisht në Irak, Afganistan, Nigeri dhe Siri. Në dallim me këtë, në aksidente rrugore çdo vit mesatarisht vdesin rreth 80,000 evropianë, 40,000 amerikanë, 270,000 kinezë dhe 1.25 milion njerëz gjithsej. Duket se më shumë duhet t’i frikësohemi aksidenteve, se sa sulmeve potenciale terroriste.

Pasojat e aksidenteve rrugore, sa i përket sigurisë njerëzore, nuk kufizohet vetëm tek humbjet njerëzore, por pasojë direkte e tyre janë edhe kërcënimet që shkaktohen sa i përket sigurisë ekonomike, sigurisë në ushqim, sigurisë shëndetësore dhe asaj personale. Pra, disa aspekte jetike të sigurisë, në kuptimin komponentëve të definuar sipas autorit Barry Buzan, atakohen drejtpërdrejtë, duke pasur pasoja kështu edhe për sigurinë nacionale të vendit në përgjithësi.

Në kuptimin e sigurisë ekonomike, që shkaktojnë aksidentet rrugore si kërcenim i sigurisë njerëzore, pasojat janë shumëdimensionale. Humbja e jetëve, apo lëndimi i personave që janë pjesë aktive e forcës punëtore, ka pasoja ekonomike edhe për familjet e tyre. Duke qenë se numri më i madh i aksidenteve shkaktohen në vendet me të ardhura të ulëta, këto pasoja kanë efekte direkte në rritjen e varfërisë së këtyre familjeve. Numri i ditëve të punës që të aksidentuarit humbin, edhe nëse kanë fat dhe e mbijetojnë aksidentin, ndikon në të ardhurat personale dhe ekonominë familjare. Përveç kësaj, aksidentet gjenerojnë edhe shpenzime tjera që janë vështirë të përballueshme për të prekurit si: shpenzimet për funeral, shpenzime për procedura eventuale ligjore, shpenzime administrative, shpenzime mjekësore etj. Jo rrallë të përfshirë në aksidente janë ata që përbejnë pjesën më produktivitetin më të madh ekonomik për një vend: biznesmenët, menaxherët, ekspertët, mësimdhënësit, inxhinierët etj. Kjo nënkupton se aksidentet do të kenë efekte të drejtpërdrejta edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Aksidentet rrugore kërcënojnë edhe sigurinë e të ushqyerit gjithashtu, sepse shumë shpesh të aksidentuarit janë edhe mbajtës të familjes dhe furnizuesit kryesor të mjeteve financiare me të cilat familjet jetojnë. Kështu, të aksidentuarit do t’i pamundësonte ata, dhe familjet e tyre, që të kenë qasje në ushqim të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm, për t’i plotësuar nevojat e nevojshme ditore.

Aksidentet rrugore vlerësohen si kërcenim për sigurinë shëndetësore sepse, siç edhe nënkuptohet, e rrit numrin e atyre që kërkojnë trajtim mjekësor dhe kur ky shërbim nuk është adekuat, jeta e njerëzve rrezikohet seriozisht. Nëse në Kosovë, brenda 14 vjetëve, janë 123,551 persona të lënduar nga aksidentet, dhe nëse vlerësohet se për trajtimin e tyre shëndetësor janë shpenzuar, mesatarisht, 100 EUR, atëherë shuma totale e shpenzimeve i bie të jetë 12,355,100 EUR. Për një shtet më mungesë të zhvillimit ekonomik dhe probleme të pafundme sociale, kjo shifër, edhe pse e kalkuluar me shpenzime minimale, është shumë e lartë. Për më tepër, duke qenë se në vendet në zhvillim shërbimet shëndetësore nuk janë cilësore dhe nuk arrijnë që viktimave t’ju ofrohen shërbime adekuate, kjo e rrit kohën e rikuperimit të të lënduarve si dhe koston e shpenzimeve. Duke qenë se trajtimet mjekësore janë të kushtueshme, pasojat për të aksidentuarit janë edhe ekonomike gjithashtu. Pra, krijohet një rreth kuazi-vicioz që si pasojë ka jetën e të përfshirëve, direkt dhe indirekt, në aksidente rrugore. Përveç efekteve fizike, aksidentet kanë edhe pasoja psikologjike për viktimat dhe familjet e tyre, trajtimi i të cilave kërkon shërbime të specializuara dhe të kushtueshme të shëndetit mendor.

Si konkluzion, mund të vlerësohet se aksidentet rrugore në Kosovë, dhe në të gjitha vendet tjera – sidomos në ato në zhvillim – përbëjnë kërcenim serioz të sigurisë njerëzore dhe, në jo pak raste, lirisht mund të konsiderohen edhe si problem i sigurisë nacionale gjithashtu sepse cenojnë jetën e njerëzve. Ato kanë pasoja jo vetëm për viktimat, familjet e tyre dhe komunitetin, por ndikojnë edhe në zhvillimin e vendit duke prekur – direkt ose indirekt – ekonominë e familjeve të prekura. Pasojat ndikojnë edhe sigurinë ushqimore dhe atë shëndetësore. Nëse në Kosovë për 14 vjet kanë ndodhur 191,868 aksidente dhe, kur e llogarisim që potencialisht së paku 3 persona janë të përfshirë, atëherë i bie se rreth 575,600 persona janë të prekur nga pasojat që shkaktojnë aksidentet rrugore. Pra, në një mënyrë apo tjetër, rreth 30% të popullsisë i është cenuar siguria njerëzore. Dëmet ekonomike e sociale janë gjithashtu të larta. Duke u ballafaquar me këto sfida, vlerësohet se institucionet shtetërore duhet t’i trajtojnë aksidentet e trafikut si kërcenim serioz të sigurisë njerëzore dhe ta fusin atë në top prioritetet e tyre qeverisëse, së bashku me elementet tjera të sigurisë si: ndotja e ambientit, siguria në punë, siguria shëndetësore etj., përndryshe nuk është e nevojshme që ndonjë armik i jashtëm të kërcënoj sigurinë e vendit, sepse ajo cenohet seriozisht nga mungesa e administrimit dhe keq-qeverisja.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.