Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Aleancat strategjike në tokë si parakusht për bashkëpunim dhe dominim në projekte hapësinore

Shfaqja e imazheve nga NASA përmes teleskopit të ri hapësinor James Webb dhe prezantimi i tyre me entuziazëm nga Presidenti Joe Biden, nuk mund të konsiderohet vetëm si arritje kulminante shkencore, por në të njëjtën kohë, edhe si një demonstrim i potencialit të shteteve përmes të cilit synohet të projektohet fuqia dhe të vihen në spikamë avantazhet teknologjike, ekonomike, shkencore e ideologjike kundrejt shteteve tjera, duke i shtyrë kufijtë e garës ndërshtetërore edhe në domenin hapësinor.

SHBA-ja dhe Rusia janë dy vende që historikisht kanë dominuar zhvillimet dhe aktivitetet në hapësirë. Në veçanti gjatë Luftës së Ftohtë ato ishin të përfshira intensivisht në një “garë hapësinore” rivalizuese me synimin se cila do zhvillonte e para teknologjinë e nevojshme për të arritur yjet. Bashkimi Sovjetik më 1957 lëshoi në hapësirë satelitin e parë artificial “Sputnik”, ndërsa në vitin 1961 programi hapësinor sovjetik bëri një hap tjetër të madh përpara: kozmonauti Yuri Gagarin ishte njeriu i parë që udhëtoi me anijen e tij kozmike “Vostok 1” në hapësirë.

Këto zhvillime e vunë SHBA-në nën presion të konsiderueshëm, duke e detyruar Presidentin John Kennedy që po atë vit të zotohej se “do dërgojnë njeriun e parë në Hënë para fundit të dekadës”. Dhe ashtu ndodhi. NASA e rriti buxhetin për 500%, angazhoi gati gjysmë milion njerëz dhe në korrik të vitit 1969 arriti që—në kuadër të misionit hapësinor—“Apollo 11”, të dërgojë njeriun e parë në hënë.

Megjithatë, përkundër konfliktit gjeopolitik e ideologjik, këto dy vende arritën të anashkalojnë përplasjet eventuale, duke mos lejuar që mosmarrëveshjet në tokë të reflektohen edhe në raportet në hapësirë. Në tokë ato ishin të përfshira në një rivalitet ekonomik, diplomatik, ushtarak dhe ideologjik—duke pasur në të shumtën e rasteve interesa konfliktuale me njëra tjetrën. Por, në të njëjtën kohë, në hapesë kishin interesa komplementare dhe bashkëpunonin në projekte të ndryshme.

Ky trend vazhdoi për vite me radhë. I pandikuar në thelb nga ndryshimet politike, me raste edhe u intensifikua. Një ndër marrëveshjet e para që SHBA-ja dhe Rusia arritën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë ishte zotimi për të bashkëpunuar në misionet hapësinore. Ky raport i ngushtë u thellua deri në atë pikë sa në një fjalim Presidenti Bill Clinton tha se tash e tuje “në vend që të ndërtojmë armë në hapësirë, shkencëtarët rusë do të na ndihmojnë të ndërtojmë stacionin ndërkombëtar hapësinor”.

Bashkëpunimi zgjati pa ndonjë sfidë serioze deri më 2014, kur Rusia sulmoi Ukrainën, duke i aneksuar Krimenë. Këtu e tutje, raportet me SHBA-në, e cila vendosi sanksione ndaj Rusisë, u tensionuan dukshëm. Megjithatë, edhe pas ngritjes së tensioneve SHBA-Rusi si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, NASA dhe Roscosmos arritën të gjejnë një kompromis që mundësoi vazhdimin e përdorimit të bazave të njëra tjetrës për të dërguar astronautë dhe kozmonautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Megjithëkëtë, jo të gjitha shtetet shfaqin interesa të bashkëpunojnë në projektet që lidhen me eksplorimin dhe eksploatimin e hapësirës. Shumë nga to janë duke u angazhuar në projekte të pavarura, apo grupohen në blloqe shtetesh bashkëpunuese, duke garuar me gupe të tjera shtetesh. Së këndejmi, Kina synon që, në një të ardhme jo të largët, të lansojë teleskopin e saj hapësinor. Në të njëjtën kohë, Pekini ka intensifikuar bashkëpunimin me Rusinë me synim të realizimit të misioneve të përbashkëta hapësinore. E gjitha kjo ndodh duke e shfrytëzuar krisjen e aleancës shumëvjeçare hapësinore në mes të SHBA-së dhe Rusisë.

Duket se tashmë hapësira perceptohet nga shtetet e fuqishme si fushë në të cilin duhet të rivalizohet në mënyrë më agresive për dominim dhe kontroll. Andaj, shumë nga shtetet me peshë ndërkombëtare kanë lansuar iniciativa të ndryshme duke themeluar njësi të veçanta ushtarake që synojnë shfrytëzimin e hapësirës për interesa nacionale. Në këtë drejtim, në vitin 2020, ish Presidenti Trump themeloi Forcat Hapësinore (Space Force), si pjesë e Departamentit të Forcave Ajrore.

Duarkryq në këtë drejtim nuk mbeten as liderët e shteteve tjera. Më 2019, Presidenti francez Emmanuel Macron shpalli formimin e “komandës hapësinore” brenda forcave ajrore me qëllimin të përmirësimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit. Edhe shtetet si Kina e India po investojnë në mënyrë intensive në kapacitete teknologjike e humane për të ndërtuar dhe lansuar në hapësirë satelitë që kanë qëllime ushtarake. Në “Strategjinë Ushtarake të Kinës” nënvizohet fakti se shumë shtete janë të angazhuara në zhvillimin e forcave dhe instrumenteve të tyre hapësinore, duke shfaqur kështu shenja të dukshme të “militarizimit të hapësirës”. Kurse, më 2019 NATO shpalli zyrtarisht hapësirën si “fushë operacionale”. Këto zhvillime janë dëshmi e rolit që ka hapësira në operacionet ushtarake dhe rëndësia e saj në sigurinë kombëtare të shteteve.

Duke qenë se eksplorimet në hapësirë kërkojnë investime të mëdha financiare, njohuri të thellë shkencore dhe teknologji të avancuar, rishtazi është diktuar një trend i krijimit të aleancave strategjike të shteteve dhe përfshirjes së tyre në projekte të përbashkëta. Në veçanti, vendet që bashkëndajnë vlera, qëndrime dhe aleanca strategjike në tokë, po punojnë së bashku për të arritur qëllimet e tyre edhe në hapësirë.

Vetë teleskopi Webb është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë midis NASA-s, Agjencisë Europiane të Hapësirës, Agjencisë Kanadeze të Hapësirës dhe më shumë se 300 universiteteve, kompanive  dhe organizatave të specializuara. Grupime të tilla shtetesh janë identifikuar edhe në rajone të ndryshme të botës. Ndër to janë Agjencia Afrikane e Hapësirës që përfshinë 55 vende; Agjencia Hapësinore e Amerikës Latine dhe Karaibeve me 7 vende anëtare, apo Grupi Koordinues Hapësinor Arab me 11 anëtarë.

Krijimi i formacioneve të tilla ka avantazhet e veta dhe ndikon në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare, duke ngritur potencialin për rritjen e numrit dhe kualitetit të projekteve. Si rezultat i bashkëpunimit, shtetet mund t’i shfrytëzojnë resurset e njëra tjetrës për të arritur qëllime të përbashkëta me përfitime gjithëpërfshirëse. Megjithatë, konkurrenca rivalizuese, mosmarrëveshjet dhe konfliktet eventuale ndërshtetërore në tokë mund të ndikojnë në formën dhe intensitetin e bashkëpunimit të shteteve në hapësirë. Barrikadime të tilla të shteteve e intensifikojnë garën hapësinore mes tyre, duke shfrytëzuar secilën arritje shkencore apo pajisje të re teknologjike si mjet për projektimin e fuqisë dhe shtytjes përpara të interesave nacionale në hapësirë, ashtu si edhe në tokë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.