Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Antibiotikët po luftojnë për jetë

Burimi: FreePik

Rezistenca ndaj antibiotikëve po vazhdon të rritet në Europë. Kështu konstatoi në një raport Instituti europian ECDC, i cili merret me kontrollin e sëmundjeve.

Rezistenca, madje, nuk është rritë veç ndaj antibiotikëve të rëndomtë, por edhe ndaj atyre antibiotikëve të cilët u përshkruhen pacientëve vetëm në raste kur asnjë antibiotik tjetër nuk ndihmon, siç është antibiotiku Colistin.

Përdorimi i Colistinit është dyfishuar në Europë mes viteve 2010 dhe 2014.

Ajo çka zgjon shqetësimin ma të madh, pra ajo që është më seriozja, është se preparati i fundit që kemi në dispozicion, atëherë kur asgjë tjetër nuk ndihmon kundër baktereve, preparati i cili ka qenë i vetmi që ka funksionuar, nuk është më i pamposhtur. Kjo, meqë bakteret kanë filluar të tregojnë rezistencë edhe ndaj tij. Këtë shqetësim e ka shprehur së fundmi edhe Malin Grape, shefe në Institutin Shëndetësor të Suedisë.

Ndërkohë që rezistenca ndaj antibiotikëve i detyron mjekët të përshkruajnë çdo herë e ma shumë antibiotikun ma të fortë që kanë në dispozicion, njëkohësisht rritet edhe rezistenca ndaj tij. Shumë shpejt, mjekët do të jenë të pafuqishëm në luftimin e infeksioneve me baktere.

Përhapja e rezistencës në antibiotikë në Europë është e ndryshueshme. Më së keqi qëndrojnë shtetet e Europës jugore dhe asaj lindore ku përshkrimi i antibiotikëve ka qenë i pakontrolluar. Në vendet e Europës veriore, përshkrimi i antibiotikëve ka qenë më i vogël dhe si rezultat, edhe rezistenca e baktereve është më e vogël.

Në Suedi, vend ku edhe ashtu shumë pak është përdorë antibiotiku, gjatë 3-4 viteve të fundit është zvogëluar përdorimi i antibiotikëve me 9%.

Si është gjendja në Kosovë nuk e di, por duke ditur që ende secili mund të blejë antibiotikë pa përshkrim të mjekut, vetëm mund ta imagjinoj.

Si të veprojmë me sëmundjet?

Tani gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit eksplodon përhapja e sëmundjeve virale, siç janë gripi apo influenca. Ekziston një mit se viruset “ndihen mirë” në temperatura të ulëta, dhe për atë arsye ne sëmuhemi më tepër gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit. E vërteta është krejt e kundërt. Ne sëmuhemi dhe bartim virusin tek njëri tjetri gjatë kohës kur moti është i ftohtë për arsye se jetojmë më tepër në vende të mbyllura, pra shumë njerëz, bashkë, në hapësirë të vogla. Për këtë, është me rëndësi që sa më shpesh të hapen dritaret në mënyrë që ajri i pastër të hyjë brenda dhe ai i kontaminuar me virus te dalë jashtë.

Nëse keni pak temperaturë, mos pranoni të merrni antibiotik edhe nëse ndonjë mjek iu rekomandon. Lejoni trupin ta mund bakterin vet. Edhe ashtu ngritja e temperaturës së trupit gjatë infeksioneve është mekanizmi ma i mirë mbrojtës që trupi ka krijuar gjatë procesit të evoluimit tonë. Kur kemi temperaturë, truri ynë e ngritë temperaturën për ta mbrojtur trupin tonë nga trupa të huaj siç janë bakteret dhe viruset, apo për ta aktivizuar sistemin tonë imun. Kur të rritet temperatura e trupit tonë, ne zakonisht ndjejmë ftohje të madhe dhe dridhje të trupit. Trupi e ngritë temperaturën nëpërmes metabolizmit apo punës së muskujve (dridhjet që na kaplojnë).

Kur trupi të arrin temperaturën e “dëshirueshme”, atëherë më nuk ndjejmë të ftohtë dhe as nuk dridhemi. Në momentin kur temperatura e trupit fillon të bije, i sëmuri fillon të djersitet dhe kjo është mënyra e trupit të shkarkojë energjinë e tepërt dhe në këtë mënyrë e zbret temperaturën. Temperatura e trupit nuk ngritet vetëm kur ne atakohemi nga virusë e baktere. Neve na rritet temperatura edhe kur kemi apetit të dobët, kur ndihemi keq, kur kemi dhimbje koke, por edhe kur kemi aktivitete të mëdha fizike.

Temperatura e ngritur nuk është gjendje patologjike në vete. Është simptomë apo shenjë se mbrojtja e imunitetit është aktive. Temperatura e ngritur, përderisa nuk është mbi 41 gradë celsius, nuk paraqet rrezik apo dëm dhe në parim, nuk ish dashtë të trajtohet. Shumë shkencëtarë janë të pajtimit se temperatura fare nuk duhet të trajtohet, pasi që ajo në vete e përmbushë funksionin e aktivizimit të mekanizmit mbrojtës të trupit tonë, pra të sistemit imunitar.

Të jemi të qartë, shpeshherë, po sa të marrim antipiretik, pra preparate që e ulin temperaturën, ne vërejmë se simptomat e sëmundjes – dhimbje e krejt trupit, plogështia, dhimbja e eshtrave dhe muskujve – na zvogëlohen. Kjo nuk ndodhë për shkak të efektit të preparateve antipiretikë, por sepse zakonisht në preparate antipiretike ka edhe substanca analgjetike (kundër dhimbjes), dhe substanca antiinflamatorike.

Llojet e temperaturave

Ngritja e temperaturës së trupit, variacionet mëngjes – mbrëmje, ditë – natë, janë ndihmesë e madhe e mjekut për diagnostikim dhe për trajtim të infeksionit. P.sh. infeksionet në gjak manifestohen me një rritje 1-2 gradë (temp. normale 36.5 gradë celsius) dhe me variacione në ngritje mëngjes – mbrëmje.

Çdo ngritje e temperaturës tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël duhet që të kontaktohet mjeku, posaçërisht kur foshnja apo fëmijët refuzojnë të konsumojnë ujë apo lëngje. Konsumimi i lëngjeve është mënyrë e mirë që të i ndihmojë organizmit në luftimin e shkaktarëve të ngritjes së temperaturës trupore, edhe kur ngritja bëhet si rezultat i aktiviteteve fizike siç është vrapimi, apo sporte tjera.

Lufta ndaj rezistencës ndaj antibiotikëve i përket secilit

Për fat të keq, ne nuk marrim antibiotik vetëm në formë barnash kur përshkruhen nga mjeku, por edhe gjatë marrjes së ushqimit, i cili nga industria ushqimore shpesh “injektohet” me antibiotik në mënyrë që t’i zgjatet afati i përdorimit.

Ka disa vite qëAcinetobacter Baumanni, një baktere e cila nuk reagon në antibiotik, është duke bërë kërdinë nëpër Europë. Pothuajse çdo klinikë intensive ka sot pacientë te infektuar me këtë bakter. Krejt si rezultat i asaj se bakteri në fjalë ka krijuar rezistencë në antibiotik. Rreth 25,000 njerëz po vdesin çdo vit në Europë si rezultat i infektimeve me baktere të cilat kanë krijuar rezistencë në antibiotikë.

Shpresat se do të zhvillohen antibiotikë ma të fuqishëm ekzistojnë por, do të marrë shumë kohë deri sa të dalin në treg. Masa e parë që ne duhet të ndërmarrim është të vetëdijesohemi për këtë problematikë.

Zhvillimi i rezistencës është shqetësues dhe është me rëndësi jetike që njohuritë për këtë problematikë të përhapen sa më shumë. Kjo luftë na përket të gjithëve. Antibiotikët le të përdoren vetëm atëherë kur të jetë e domosdoshme.

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.