Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ardhja e kombit sipas teorisë etno-simboliste

Në studimet e kombit dhe nacionalizmit, teoria etno-simboliste është alternativë e teorisë moderniste. Teoria etno-simboliste ndërlidh karakterin modern dhe paramodern të kombit. Ajo thekson se kombet nuk janë shpikur në modernitet, siç argumenton teoria moderniste, por burojnë nga lidhjet paramoderne etnike, të cilat u shndërruan në kombe në modernitet.

Teoria etno-simboliste ka disa versione. Versioni i sociologut të historisë Anthony D. Smith, ka afërsi me pikëpamjen moderniste, pasi pranon natyrën e konstruktuar të etnive dhe kombeve, si dhe shndërrimet që ndodhin në modernitet, por ndryshon nga ajo pikëpamje, pasi vë theksin te lidhjet ose përkatësitë e hershme etnike të një popullate, e shkuara e të cilave zbulohet për të krijuar kombet në të tashmen. Me fjalë të tjera, kombet janë dukuri relativisht të reja në histori, por, megjithatë, ekziston një lidhje lineare historike e kombeve të sotme me të shkuarën e tyre më të hershme (Anthony D. Smith, The Ethnic Origins of Nations, 1986).

Kjo teori tërheq vëmendjen te kulturat paramoderne dhe traditat mitike dhe simbolike të etnive mbi të cilat ngrihen identitetet moderne kombëtare. Smithi pohon se, ndërsa kombet janë moderne, origjina e tyre nuk është e tillë. Gjurmët e  kombeve mund të gjenden në etnitë e hershme. Smithi argumenton se qysh në shekullin XV dhe XVI në rastin e disa shoqërive europiane, te një shtresë e burokratëve dhe nëpunësve, ka qenë e pranishme një lidhje e fortë e tyre me konceptin e kombit. Me fjalë të tjera, kombet nuk kanë mbirë nga asgjëja, por nga etnitë e hershme (Anthony D. Smith, Kombet dhe nacionalizmi në erën globale, 2008 [1995]).

Veçoritë etnike të popullatave janë parë si përcaktues të kombit dhe rëndom janë theksuar një a më shumë elemente të kulturës së përbashkët (p.sh., gjuha, feja, etj.), një mit për prejardhjen e përbashkët dhe kujtesa e përbashkët për të kaluarën e grupit etnik. Këto veçori të etnisë merren si themele vendimtare mbi të cilat formohet kombi. Mirëpo, përveç efektit përbashkues, ato mund të kenë edhe veprim përçarës. Për shembull, ndërsa gjuha e përbashkët mund të përfshijë në një komb popullata të shumëllojta për sa i përket tipareve tjera (bie fjala, fetare), megjithatë, ajo mund të përjashtojë popullata tërësisht të njëllojta për sa i përket po të njëjtave tipare, por që nuk kanë gjuhë të përbashkët.

Për më tepër, gjuha e përbashkët nuk mjafton për të krijuar identitet kombëtar, me gjithë tiparet e tjera të përbashkëta, si bie fjala, miti i prejardhjes së përbashkët, etj. Ilustrim i kësaj mund të jetë rasti i sllavëve të jugut: kroatët, boshnjakët dhe serbët, që flasin dialekte të ngjashme, por në procesin e konstruktimit të kombit, zhvillojnë mitin e gjuhës së tyre amtare si të ndryshëm nga gjuhët e fqinjëve të tyre. Disa gjuhë janë të veçanta dhe përjashtuese për identitetin kombëtar të disa kombeve, siç është rasti me gjuhën shqipe që është e veçantë për shqiptarët dhe që përjashton të tjerët që nuk flasin shqip. Sidoqoftë, popuj të ndryshëm mund të kenë gjuhë të përbashkët, për shembull anglishten, e të mos konsiderohen pjesëtarë të të njëjtit komb; ndërsa një komb mund të flasë disa gjuhë, siç është rasti me kombin indian, zviceran, etj. Po i njëjti arsyetim vlen për të shqyrtuar tiparet e tjera përcaktuese të etnive dhe raportet e tyre me identitetin kombëtar.

Ndonëse jovendimtare në krijimin e një numri kombesh, gjuha ka qenë veçoria më e rëndësishme e kombit, posaçërisht në Europën Qendore e Lindore. Sidoqoftë, gjuha nuk ka shndërruar më vete grupet etno-linguiste në kombe, mirëpo shndërrimi i etnive në kombe ose në pjesë integrale përbrenda kombeve është bërë i mundshëm atëherë kur gjuha e tyre popullore kaloi nga e folura në të shkruar dhe filloi të përdorej për të përkthyer Biblën dhe për të prodhuar literaturë. Në rastet ku ky kapërcim nga gjuha e folur në gjuhë të shkruar nuk ndodhi, atëherë as shndërrimi nga etnia në komb nuk mundi të ndodhte. Falë ndjenjës së veçantisë historike dhe kulturore që shkaktoi te komunitetet që e lexonin atë, gjuha e shkruar u bë thelbësore për krijimin e kombeve.

Një teoricien modernist do t’i kundërpërgjigjej teorisë etno-simboliste se baza etnike e kombeve nuk ka rëndësi qendrore në argumentin e ardhjes së kombit. Kështu, pa rolin vendimtar që luajnë shndërrimet e jetës kolektive, politike, kulturore dhe të shtetit në modernitet si dhe pa veprimin kombëtarizues të lëvizjeve nacionaliste, identitetet e lashta etnike në vete nuk mjaftojnë për shndërrimin e tyre në kombe moderne. Në këtë pikëpamje, vëmendja më e madhe që mund t’i jepet etnisë është që ajo të shihet si aksident historik, por jo qenësore në lindjen e kombit, natyrisht në rastet kur kombi përkufizohet sipas përkatësisë etnike e kulturore, por jo në raste kur ai përkufizohet me terme të qytetarisë dhe territorit.

Pavarësisht teorive të ndryshme, asnjëra nga elementet shpjeguese që teoricienët përmendin si faktorë kontribues në formimin e kombit nuk mjafton për të shpjeguar krijimin dhe përkufizimin e kombeve. Të marrim qasjen etnike, për shembull: ndonëse shpjegim i vlefshëm për disa kombe, nuk mund të thuhet ashtu edhe për të tjerët. E njëjta vlen për qasjen e industrializimit dhe kapitalizmit të shtypit, në teorinë moderniste, e kështu me radhë. Është e vështirë pra, në mos e pamundur, që të përpilohet një teori gjithëpërfshirëse për zanafillën e kombeve. Kjo vështirësi rrjedh pikërisht ngase nuk ka veçori thelbësore të kombit që do t’i jepnin këtij nocioni një kuptim të vlefshëm në mënyrë të përgjithshme, ndaj është e pamundur përpjekja e një përkufizimi totalizues të kombit. Sidoqoftë, pikëpamjet teorike ekzistuese mbi kombet dhe nacionalizmin na mundësojnë të kuptojmë larminë e formimit të kombeve në rrethana të ndryshme dhe përjetimin e tyre në kontekste të caktuara. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.