Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Armatimi i Serbisë është kërcënim për Ballkanin

Në 2 tetor, u mbajt në Tiranë mbledhja e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në vijim të një tradite të filluar në vitin 2014. Gati një javë më vonë, Serbia mobilizoi automjete të rënda, avionë luftarakë dhe mbi 2,800 trupa për një manovër stërvitore ushtarake në rrafshnaltën e Peshterit. Këto dy ngjarje nuk janë në pamje të parë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, por vlejnë për të evidentuar ndryshimin thelbësor në reagimet e tre vendeve.

Serbia thirri ambasadorin shqiptar në Beograd për t’i dorëzuar një notë proteste për takimin dhe deklaratat e mbajtura në Tiranë. Për më tepër, u aktivizuan kanalet me Rusinë dhe kjo e fundit i quajti “alarmuese” mesazhet e takimit të Tiranës. Kjo reflekton një politikë të hershme të Beogradit në rolin e zhurmuesit për çfarëdo lloj iniciative që Prishtina dhe Tirana ndërmarrin në marrëdhëniet bilaterale – madje dhe në çështjet e brendshme të tyre. Nga ana tjetër, dy kryeqytetet shqiptare vazhdojnë të jenë heshtanake përpara zhvillimit më substancial dhe më të rrezikshëm për stabilitetin e Ballkanit: shfaqjet ushtarake dhe procesi i armatimit të Serbisë.

Sikurse ndodh shpeshherë, në radarin e diskutimeve publike në trojet shqiptare nuk gjetën vend për analizë manovrat stërvitore të ushtrisë serbe. Nën vrojtimin e Presidentit Vuçiç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, trajnimi shërbeu për të demonstruar armatimet më të fundit që vinin prej Rusisë dhe Kinës. Por, teksa politikëbërësit në dy shtetet shqiptare janë të ngërthyer në beteja me vetveten, armatimi i Serbisë është kërcënim serioz për sigurinë dhe paqen rajonale.

Në gusht, Serbia konfirmoi se ishte pranë blerjes së sistemit kundër-ajror FK-3 nga Kina, çka solli dhe reagim zyrtar nga ambasada amerikane në Beograd. Ky nuk është rast i veçuar. Në fakt, në shkurt Serbia bleu sistemin Pantsir S1 nga Rusia. Në pamje të parë, vështirë të qortohen blerjet e sistemeve mbrojtëse. Shpeshherë, Presidenti Vuçiç është fshehur pikërisht prapa këtij justifikimi. Për fat të keq, jo të gjitha prokurimet përfshihen në këtë kategori.

Serbia u bë vendi i parë europian që mori në dorëzim dronë CH-92A nga Kina si dhe arriti marrëveshjen me Partinë Komuniste të Kinës për transfertën e teknologjisë së nevojshme për mundësimin e prodhimit lokal nga Serbia të dronëve luftarakë. Në këtë aspekt, Beogradi nuk e ka fshehur synimin për të zgjeruar arsenalin ushtarak me dronë dhe për t’u bërë operatori kryesor i dronëve në rajon.

Këto pasojnë dërgesa të përsëritura ushtarake ruse që kanë përfshirë automjete të blinduara, tankehelikopterë and avionë luftarakë.

Përgjatë pranisë së tij në konferencën vjetore të AIPAC në Uashington, në mars të këtij viti, presidenti serb shprehu dëshirën për të blerë armë nga Izraeli. Së fundmi, ai shfaqi interesin për të blerë drone luftarakë nga Turqia.

Në krahasim me një vit më parë, në vitin 2019 Serbia rriti me 326 milionë dollarë ose gati 43 përqind buxhetin ushtarak, për një shumë totale 1.14 miliardë dollarë. Ky është një trend shqetësues.

Arsyetimet zyrtare të Beogradit për këto investime në sektorin ushtarak kanë në thelb premisën e dekurajimit të çfarëdo rreziku ose kërcënimi. Por, në parim, këto shpenzime ushtarake mbeten të pajustifikuara. Nën petkun e ndërtimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe të lënies pas të së shkuarës së dhimbshme, Serbia duhet të ishte vendi më i interesuar për të demilitarizuar Ballkanin dhe për të investuar në stabilitetin e rajonit. Mbi të gjitha, kjo do ishte dhe pasojë logjike e politikës së saj të neutralitetit ushtarak, duke u nisur nga predispozita e mungesës së rreziqeve konkrete.

Një arsye e dytë, e pranuar heshturazi, është ajo e nevojës së Beogradit për marrëdhënie transaksionale me Moskën dhe Pekinin – më rishtazi me Izraelin dhe Turqinë – për të konsoliduar raportet me to. Gjithsesi, në këtë rast, fare mirë mund të përzgjidheshin sektorë të tjerë bashkëpunimi, shumë më pak kontraversë dhe kërcënues, për të thelluar këto marrëdhënie bilaterale.

Përkundër të gjitha këtyre arsyetimeve jobindëse, armatimi serb i shërben politikës agresive dhe imponuese serbe në rajon. Serbia ka ravijëzuar tashmë një politikë afatgjatë për të dominuar zhvillimet rajonale duke u shndërruar në një kontrollor ekonomik dhe diplomatik. Kjo kalon pashmangshmërisht nëpërmjet një hegjemonie rajonale dhe intimidimit të fqinjëve. Retorika e ngarkuar dhe patetizmi nacionalist që vazhdojnë të dominojnë skenën mediatike dhe politike serbe janë zgjatim i këtij synimi.

Kjo nuk do të thotë se ka nevojë për alarmizëm të tepruar, por kjo qasje thërret për syçeltësi. Vetë elita politike serbe është e interesuar për të ushqyer tensione rajonale nëpërmjet të cilave pozicionohet si faktor kyç dhe roje e stabilitetit rajonal. Kjo politikë me dy korsi ka dhënë deri më sot frute, si në forcimin dhe kapjen e pushtetit të brendshëm nga klasa aktuale politike, ashtu edhe në ripozicionimin e vendit në skakierën ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Kosova deri më sot e kanë sakrifikuar reagimin ndaj këtyre zhvillimeve -respektivisht nën preludin e rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe të një marrëveshjeje iluzive më Beogradin. Qeveritë shqiptare në të dy shtetet bëjnë mirë që investohen në çtensionimin e situatës dhe predikojnë bashkëpunim rajonal dhe dialog. Megjithatë, faktori shqiptar nuk mund të jetë thjesht një vëzhgues.

Historia e rishtë ka treguar se nuk ka kërcënim më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit se sa militarizmi serb i mbështetur nga faktorë jo-perëndimorë.

Tirana dhe Prishtina e kanë të domosdoshme reagimin. Të dyja shtetet nuk kanë kapacitete financiare për të garuar me Serbinë në armatime dhe, mbi të gjitha, kjo është e padëshirueshme. Megjithatë, ka hapa konkretë që duhet të ndërmerren për t’iu kundërpërgjigjur premisave të këtij fenomeni.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, duhet ta bëjë kazus këtë armatim të pajustifikuar të Serbisë, duke theksuar mungesën e rreziqeve serioze që mund ta legjitimojnë atë. Retiçenca e derimësotme e aleancës për këtë kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit është problematike. Përkundër këtij armatimi që duhet të krijonte shqetësim në hallkat drejtuese, NATO ka rritur bashkëpunimin me Serbinë. Padyshim që dialogu, bashkëpunimi dhe ndërveprimi me Serbinë, si një vend me rëndësi në zemër të Ballkanit, është i nevojshëm. Por, kjo nuk duhet të vijë në kurriz të presionit ndaj veprimeve destabilizuese të Serbisë.

Përballë memecërisë shqiptare, ishte Kongresmeni Elliot Engel që ngriti zërin. Në janar të këtij viti, Kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, reagoi dhe tërhoqi vëmendjen e admiralit James Foggo, komandant i Forcave Detare Amerikane në Europë si dhe drejtues i komandës ushtarake të NATO-s në Napoli. Ky i fundit, lavdëroi në një intervistë bashkëpunimin e Serbisë me aleancën dhe shprehu dëshirën për ta parë në të ardhmen anëtare të saj. Ligjvënësi amerikan shprehu shqetësim për faktin që admirali Foggo anashkaloi thellimin e bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që burojnë prej këtij bashkëpunimi.

Përtej reagimit të strukturave ndërkombëtare të sigurisë, ka dhe vende të tjera të Ballkanit të cilat duhet t’i shikojnë me vëmendje prokurimet dhe demonstrimet ushtarake të Serbisë. Në këtë kategori hyjnë Kroacia dhe Bullgaria. Shqipëria dhe Kosova duhet të shfrytëzojnë këtë shqetësim të përbashkët për të intensifikuar marrëdhëniet me këto dy vende – por edhe me vende të tjera ballkanike – për të koordinuar ose bashkërenduar një përgjigje të përbashkët.

Së treti, një hap i domosdoshëm është një qasje më aktive ndaj Shteteve të Bashkuara, që mbeten ende garanti kryesor i sigurisë së Ballkanit. Pasqyrimi i situatës në Uashington dhe informimi i vendimmarrësve të lartë amerikanë për shqetësimet që paraqesin veprimet e Serbisë është i domosdoshëm.

Është bërë e qartë se Serbia ka rritur efektivitetin e lobimit në Shtetet e Bashkuara dhe përafrimi i Beogradit me Uashingtonin është shqetësues. Overturat serbe kanë dhënë rezultate konkrete që përfshijnë jo vetëm freskimin e imazhit, por edhe, në disa qarqe, mbështetje për politika thelbësisht problematike për stabilitetin e rajonit.

Deri më sot, ka pasur mungesë të veprimeve konkrete nga Uashingtoni për të frenuar ose konfrontuar ambiciet ushtarake të Serbisë. Blerja e armatimeve ruse duhet të ishte shkak për sanksionimin e Serbisë nga Shtetet e Bashkuara si shkelje flagrante e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Përfaqësuesit zyrtarë të dy shteteve shqiptare duhet të nisin një ofensivë në Uashington për të kërkuar një kundërvënie më të madhe amerikane ndaj këtyre zhvillimeve të cilat, në disa raste, shkelin dhe vetë ligjet amerikane.

Arkitektura ndërkombëtare dhe angazhimi i partnerëve perëndimorë deri më sot ka mbajtur larg fantazmat e rikthimit të konflikteve të dhunshme. Megjithatë, është momenti që vetë faktorët lokalë të shfaqin një qasje më të kujdesshmë dhe aktive. Ngrirja e reagimeve, qoftë edhe të brendshme, në Shqipëri dhe Kosovë kundrejt armatimit serb është një tregues atrofizimi dhe mungese largpamësie strategjike. Formati aktual i ndërveprimit nuk mund të vazhdojë më në kushtet e një shteti serb që forcon imazhin dhe rolin në Ballkan dhe ndërkohë vazhdon me retorikë agresive dhe veprime destabilizuese.

——-

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.