Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

BE-ja dënon ashpër ‘kthesën autoritare’ të Kinës dhe mospërmbushjen e premtimeve ekonomike

A report that circulated in the EU report this past week noted that Beijing has taken a "more assertive line" over the past two years | Nelson Ching/Bloomberg via Getty Images

Qëndrimi i ashpërsuar ndaj Kinës vjen pas planeve të Joe Biden-it për ta vizituar Brukselin në qershor, ku me gjasë Pekini do të jetë temë kryesore në agjendë.

Qendrimi i Bashkimit Europian ndaj Kinës po ashpërsohet dhe kjo do t’i pëlqejë Uashingtonit.

Vetëm katër muaj pasi Pekini dhe Brukseli u pajtuan për parimet e marrëveshjes historike të investimeve, një raport i brendshëm i profilit të lartë i siguruar nga POLITICO tregon se BE-ja është gjithnjë e më pesimiste për sa i përket ndarjes së interesave biznesore nga brengat politike lidhur me atë që e quan “kthesë autoritare” të presidentit Xi Jinping. Kjo gjuhë e ashpërsuar reflekton një qasje të re në komunikimin zyrtar të BE-së mbi Kinën.

“Raporti i progresit” i BE-së për Kinën gjithashtu dënon ashpër Pekinin për “përparime të vogla” në përmbushjen e premtimeve ekonomike të bëra nga udhëheqësia komuniste, veçanërisht në lidhje me hapjen e tregjeve digjitale dhe bujqësore, adresimin e kapacitetit të tepërt të çelikut dhe frenimin e subvencioneve industriale. Ajo bën thirrje për masa “të mëtejmë dhe të fuqishme” për t’u përballur me sfidat e reja që paraqet Kina, ekonomia e së cilës po rimëkëmbet me shpejtësi marramendëse nga pandemia e koronavirusit.

“E vërteta është se BE-ja dhe Kina kanë dallime thelbësore, si në sistemet e tyre ekonomike dhe menaxhimin e globalizimit, demokraci dhe të drejta të njeriut, ose lidhur me atë se si merren me vendet e treta. Këto dallime do të jenë aty për të ardhmën e afërt dhe nuk duhet të fshihen nën qilim,” thanë më 21 prill presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, në nje letër që përvijon raportin e Këshillit të Europës, i cili përbëhet nga 27 vendet e BE-së.

Zëdhënësi i Borrell-it konfirmoi se raporti për Kinën i ishte dërguar Këshillit.

“Për të qenë plotësisht e efektshme, BE-ja do të ketë nevojë gjithashtu që të punojë për së afërmi me partnerë të tjerë. Administrata e re e SHBA-së ka konfirmuar synimin e saj për t’u riangazhuar me institucionet shumëpalëshe dhe për të punuar për së afërmi me aleatët dhe partnerët, gjithashtu për sa i përket Kinës … Duhet ta pranojmë dorën e shtrirë dhe të punojmë së bashku, ndërkohë që mbrojmë qendrimin dhe interesat tona në skenën botërore,” thanë ata.

Raporti i BE-s vlerëson dinamikën e ndryshuar që prej botimit të konceptit strategjik BE-Kinë në vitin 2019. Të pranuarit e BE-së se ambienti i tashëm është “më sfidues” reflekton një prishje të shpejtë e të papritur të marrëdhënieve diplomatike që prej dhjetorit. Që atëherë, ka pasur rritje të shqetësimit ndërkombëtar lidhur me politikën e rrezikshme ushtarake të Kinës ndaj Tajvanit, si dhe masat shtypëse ndaj myslimanëve ujgurë në rajonin e Xinjiangut dhe ndaj aktivistëve të demokracisë në Hong Kong.

Vendimi i Komisionit Europian për të nënshkruar Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investime [CAI] me Kinën në dhjetor qe kundërthënës, dhe administrata e re e presidentit amerikan Joe Biden ka bërë me dije se do të donte që Brukseli të konsultohej me Uashingtonin para se të merrte vendim. Brukseli nuk i mori parasysh këto shqetësime dhe çau përpara me një marrëveshje që supozohej se do t’i jepte një shtysë të madhe prodhuesve europianë të veturave që kanë fabrika në Kinë.

Duke u përpjekur që t’i mbesin në zemër Xi-së, edhe Franca edhe Gjermania kundërshtuan idenë e Biden-it që Europa të bashkohet me Uashingtonin për të krijuar një front të përbashkët demokratik kundër Kinës.

Megjithatë, përpjekja e Europës që të mbajë të ndara interesat biznesore dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut, u shemb në mars. Kur BE-ja vendosi sanctions disi të vogla kundër zyrtarëve kinezë lidhur me shtypjen e ujgurëve në rajonin e Xinjiangut, Pekini përshkallëzoi konfliktin me sanksione hakmarrëse ndaj diplomatëve, anëtarëve të Parlamentit Europian dhe akademikëve që punojnë në think-tanket europiane. Shumë deputetë të PE-së e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të miratojnë marrëveshjen e investimeve BE-Kinë, për sa kohë që kolegët e tyre janë të sanksionuar.

Raporti i BE-së vëren se Pekini ka ndërmarrë një “linjë më të ashpër” në dy vitet e fundit. “Kina ka vazhduar me kthesën autoritare me mbylljen e mëtejme të hapësirës së brendshme politike, rritjen e kontrollit social dhe shtypjes në Xinjiang dhe Tibet. Ajo gjithashtu ka shtypur liritë themelore në Hong Kong… gjëra të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet BE-Kinë.” “BE-ja ka interesa të qarta kur është çështja te paqja dhe stabiliteti në Detin e Kinës Jugore. Ngritja e tensioneve përgjatë Ngushticës së Tajvanit duhet të përcillet me vëmendje.”

Urëzimi i Atlantikut

Kjo gjuhë është shumë më e afërt me atë të Uashingtonit dhe vjen pas planeve të Biden-it për të vizituar Brukselin në samitin BE-SHBA në qershor, ku Kina pritet të jetë tema kryesore.

Në përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët, BE-ja ende këmbëngul se “mbetet me rëndësi të madhe” që Kina të trajtohet jo vetëm si garuese strategjike dhe rivale sistemike, por gjithashtu si “partnere negociuese për bashkëpunim,” përfshi temat e ndryshimit klimatik apo “tranzicionin demokratik në Mianmar.”

Sidoqoftë, Europa po anon kah një qëndrim më ballafaques, sesa në raportet e mëhershme, duke thënë se: “Qasja shumështresore … duhet të mbetet mënyra e parapëlqyer për BE-në në marrëdhëniet me Kinën. Në të njejtën kohë, janë të nevojshme përpjekje të mëtejme dhe më të vendosura për zbatimin e aksioneve ekzistuese dhe për adresimin e një sërë sfidash të reja.

I pyetur lidhur me raportin e marsit, Borrell tha se sanksionet e Kinës mbi zyrtarët e BE-së kanë krijuar “një atmosferë të re” dhe “një situatë të re.” “Jam i sigurt se kur të paraqesim këtë raport në Këshillin e Bashkimit Europian, liderët do të diskutojnë rreth tij dhe do të marrin parasysh ngjarjet e fundit.”

Udhëheqësi i fraksionit më të madh në Parlamentin Europian, Partia e Popullit Europian, Manfred Weber tha: “Kur është çështja te Kina, është urgjente dhe thelbesore që Europa të punojë aktivisht për të unifikuar pozicionin tonë me SHBA-në, për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta dhe refuzuar vendosmërisht agresionin që vjen nga Kina kundër aleatëve tanë nëpër botë.”

Tregtia dhe teknologjia

BE-ja tashmë ka parashtruar një agjendë të përbashkët me administratën e Biden-it për të adresuar problemet me Kinën, veçanërisht në fushat e tregtisë dhe teknologjisë. Këto dy tema spikaten në raportin e brendshëm, i cili hedh dritë mbi taktikën e vonesave të Pekinit kur është çështja te premtimet për reforma.

Lidhur me atë se si Pekini po derdh para në mënyrë të padrejtë në industri përmes subvencioneve, BE-ja tha se Kina “deri më tash nuk është angazhuar në substancë, duke pretenduar se mandati i grupit të përbashkët BE-Kinë për reforma kufizohej në shkëmbimin e informacionit, por jo negociatave.”

Një problem shoqërues është kapaciteti i tepërt. “Kriza e pandemisë ka përkeqësuar edhe më shumë problemin, meqë prodhimi kinez i çelikut ka vazhduar të rritet,” thuhet në raport. “BE-ja është e shqetësuar gjithashtu për sektorët tjerë që tash ose në të ardhmen mund të dëmtohen nga kapaciteti i tepërt si pasojë e subvencionimit në Kinë, si për shembull alumini dhe sektorët tjerë të teknologjisë, sikurse tipe të caktuara të gjysëmpërçuesve.”

Pas shumë vitesh pasivitet, Brukseli tash po kërcënon me lëvizje të shpejtë për të vendosur barriera firmave kineze në tregun e prokurimit publik të BE-së – tenderët e mëdhenj të infrastrukturës – duke vërejtur në raport se ka pasur “momentum të ri politik dhe vetëdijësim të shteteve anëtare” për vështirësitë që kanë bizneset e BE-së për të pasur qasje në tregjet e prokurimit në Kinë.

“Puna është shtuar me qëllimin për të arritur pozicion të përbashkët në Këshill para përfundimit të presidencës portugeze në gjysmën e parë të 2021,” thuhet në raport. “Pas kësaj do të fillojnë diskutimet trepalëshe me Parlamentin Europian dhe Këshillin, me syinimin për të miratuar një propozim nga ligjvënësit, mundësisht deri në fund të vitit 2021.”

Dokumenti i BE-së godet gjithashtu premtimet e Pekinit për qasje në treg – duke theksuar prapambetjet e asaj që Komisioni Europian e quajti arritje historike në marrëveshjen për investime BE-Kinë. “Përkundër sigurive të ofruara nga udhëheqësia kineze, përfshi ato lidhur me shqetësimet e BE-së për qasje në treg në sektorët e bujqësisë, digjital dhe të ushqimit, ka pasur shumë pak përparim, me përjashtim të disa rezultateve të arritura në fushën e shërbimeve financiare,” thuhet në raport.

Frustrimi i Komisionit nuk është vetëm me Pekinin, por i drejtohet gjithashtu mungesës së përparimit brenda BE-së, ngase 10 shtete anëtare ende nuk kanë krijuar mekanizmat për mbikëqyrjen e investimeve, për shkak të shqetësimeve se firmat e përkrahura nga Kina mund të krijojnë përparësi në rënien ekonomike pas pandemisë dhe të kaplojnë sektorë kyç në Europë, ashtu siç ndodhi, për shembull, me portin e Pireut në Greqi gjatë krizës financiare të para një dekade.

“BE-ja garon me Kinën në fushën e teknologjisë dhe nuk ndan të njejtat parime dhe vlera për sa i përket qeverisjes digjitale. Duke parë nga e ardhmja, BE-së do t’i duhet të vazhojë përforcimin e sigurisë së infrastrukturës së saj kyçe dhe bazës teknologjike,” thuhet në raport. “Komisioni është i gatshëm të punojë me shtetet anëtare për të identifikuar dhe adresuar rreziqet e sigurisë dhe shqetësimet e të drejtave të njeriut, që lidhen me tregtinë në teknologjitë strategjike dhe kritike, posaçërisht për sa i përket teknologjive të mbikëqyrjes kibernetike dhe teknologji të tjera.”

***

Artikulli origjinal në POLITICO, më 25 prill 2021.

***

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.