Kjo pjesë është e shkëputur nga artikulli më i gjatë me të njëjtin titull, të cilin mund ta gjeni të plotë në fund të shkrimit.
Filmi BOTA, me skenar dhe regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit, dhe realizuar me fonde relativisht të mëdha nga Bashkimi Europian, Kosova, Italia dhe Shqipëria, ka fituar një sërë çmimesh në Europë – regjisorja ka numëruar 17 prej tyre – dhe është shfaqur disa herë në Kosovë e Shqipëri. Filmi është shfaqur edhe në Shtetet e Bashkuara, si Nju Jork e San Françisko. Në intervistat dhe materialet promocionale na thuhet se filmi merret me të kaluarën e afërt të Shqipërisë, pasojat e komunizmit, tranzicionin shqiptar, etj., ashtu siç kjo e kaluar përjetohet nga tre personazhe që përfaqësojnë brezin e ri të klasës së ish-të persekutuarve. Ne argumentojmë që filmi nuk merret me këto çështje, por që Elezi i ka përdorur këto koncepte si “buzzwords” për të siguruar fonde prodhimi e për t’i dhënë peshë filmit në diskursin e saj. Në këtë ese diskutojmë gjithashtu meritat artistike të filmit dhe, përmes një analize tekstuale, tregojmë se Elezi duket ta ketë bazuar skenarin e saj në novelën “Klubi Karavasta” të Maks Velos (Toena, 2004). Pjesa tjetër e asaj që argumentojmë, me të cilën fillojmë dhe e përfundojmë shkrimin, ka të bëjë me mungesën e kulturës së kritikës (intolerancës dhe keqkuptimit të saj) nga elita kulturë-bërëse shqiptare, duke marrë Elezin si shembull.
Literalisht, kjo është sfida jonë kryesore, a do mundet ky film të komunikojë me publikun tonë. [1] – Iris Elezi, regjisore e filmit Bota.
I
Bota
Në Shqipëri termat “arti ambasador” dhe “arti diplomat” janë të stërpërdorur, si nga politikanët si nga artistët, kur flitet për kinematografinë dhe rolin e saj shoqëror. Në rastin e filmit Bota (2014), me regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit, vlera e tij është diskutuar, sidomos nga Elezi, jo vetëm në sajë të çmimeve të shumta që i janë dhënë në festivale ndërkombëtare, pra ekspozimit që i ka sjellë vetë Shqipërisë në botë, por edhe në saje të vlerës historike dhe shoqërore që ky film ka për “popullin” shqiptar; filmi është prezantuar si një tentativë për t’i përballur qytetarët shqiptarë me të shkuarën e papërtypur komuniste, sidomos vuajtjen dhe shtypjen që shkaktoi ajo e shkuar.
Filmi Bota, që premierën e pati më 2014 në Çeki, u soll edhe në Museum of the Moving Image (MoMi) në Astoria, Nju Jork, më 31 Maj 2015, në kuadër të Panorama Europe Film Festival, pasi Bota tashmë kishte kaluar disa cikle në festivale të ndryshme. Filmi u soll në ekran nga Albanian Institute New York [2], dhe u shfaq në një sallë gati plot, me shumë spektatorë edhe nga diaspora shqiptare. E pranishme për të folur mbi filmin dhe diskutuar me spektatorët ishte edhe Iris Elezi.
Bota sjell në ekran eksperiencën e disa ish-të përndjekurve gjatë periudhës komuniste të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë pasur mundësi të largohen nga zonat e ish-persekutimit apo rikthehen aty ku jetonin përpara. Ata i mban së bashku e kaluara, por edhe një kafe e vogël në buzë të detit me emrin “Bota.” Juli (interpretuar nga Flonja Kodheli), një nga personazhet kryesore të filmit, është rritur me gjyshen e saj (interpretuar nga Tinka Kurti), mbasi e ëma u ekzekutua “për veprimtari armiqësore” gjatë komunizmit, gjë për të cilën Juli nuk ka dijeni. Ajo i kalon ditët duke u përkujdesur për gjyshen, e cila duket se vuan nga një sëmundje pleqërie që prek kujtesën, dhe duke punuar si kameriere në kafen “Bota.” Kushëriri i Julit dhe pronari i kafes, Beni (interpretuar nga Artur Gorishti), mundohet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë, por edhe njerëzit, për të përfituar sa më shumë, duke epitomizuar shqiptarin oportunist dhe hileqar. E dashura e tij, Nora (interpretuar nga Fioralba Kryemadhi), të cilën kushtet e kanë bërë të jetë e varur krejt nga Beni, duket të ketë një përqasje naive ndaj gjërave që ndodhin apo kanë ndodhur. Kafe “Bota” është pikërisht nyja ku e kaluara dhe e tashmja, e brendshmja dhe e jashtmja, ndeshen në jetët e personazheve të filmit, për të sjellë një fund shpresëplotë, pavarësisht vazhdës së tragjedive që ndodhin.
Filmi hapet me imazhin e një grupi pallatesh parafabrikatë, tarracat e të cilëve janë mbushur me antena satelitore, mes një fushe të hapur dhe të zbrazët. Lëvizjet e vetme në këto skena janë të një tufe dhensh dhe më tej të një furgoni që reklamon “fruta-perime” me megafon, lëvizje që parashtrojnë ritmin e ngadaltë dhe të këndshëm të filmit në përgjithësi. Për shikuesin këto skena janë disi treguese mbi jetën e protagonistëve: ndërkohë që fusha e hapur nënkupton izolim total – gjë që e konfirmojnë Juli dhe Nora më vonë, të cilat nuk kanë qenë asnjëherë në kryeqytet – dendësia e sateliteve tregon ekspozim ndaj një bote përtej. Kompozimi dhe harmonia estetike e sekuencave të para, ku shikuesi më tej prezantohet me luginat, kënetat dhe rrugët e ngushta, vijon përgjatë filmit. Në fakt, fotografia lakonike është njëra nga pjesët e tij më të arritura; prezantimi estetik i Botës rivalizon jo vetëm kinematografinë gjeorgjane, rumune apo sllovene, që janë shpesh pika krahasimi me kinematografinë shqiptare për Elezin [3], por edhe filmat e nën-zhanrit të dramës romantike prodhuar në Spanjë, Itali apo Francë gjatë dekadave të fundit. Bota gjithashtu është një shembull i përdorimit të mirë të montazhit në planin teknik – duke sjellë së bashku elemente të ndryshme pamore dhe tematike – që e bën këtë film vizualisht të “rrjedhshëm” dhe mjaft joshës, një tjetër element që i jep orientimin komercial të dramave dhe komedive romantike.
Bota vë përballë njëri-tjetrit personazhe me marrëdhënie të ndryshme ndaj së kaluarës. Noja, gjyshja e Julit, ia ka mbajtur qëllimisht të fshehtë mbesës së saj ekzekutimin e së ëmës, një errësirë nga e cila Juli nuk ka arritur dot ose nuk ka dashur të dalë. Injoranca ose padituria gati e qëllimshme e Julit mbi të kaluarën – ajo nuk duket të ketë bërë ndonjë tentativë për të kërkuar ose mësuar – paralelizohet me pamundësinë e Nojes (e cila vuan nga amnezia) për ta kujtuar të kaluarën, ndërkohë që ajo e përsërit atë. Në një nga skenat e hershme ku Noja me Julin hanë darkë, ajo i drejtohet mbesës me emrin e së bijës, Alba. Kjo mund të interpretohet si një metaforë e fuqishme mbi mënyrën se si gjenerata të ndryshme shqiptarësh kanë folur (ose kanë evituar të flasin) mbi të kaluarën komuniste. E kaluara ndrydhet ose injorohet, duke ngelur gjithmonë e papërpunuar, e paartikuluar, dhe akoma më pak e analizuar; ndërkohë që ajo përsëritet në praktika të ndryshme kulturore dhe politike që iu ngjajnë atyre të sistemit të mëparshëm. E njëjta ide përsëritet më vonë në film, në mënyrë akoma më të drejtpërdrejtë, kur Nora, Juli dhe Beni argëtohen duke pirë hashash dhe kokteje në tarracën e kafes. Ndërkohë një skaf, që po kërkon trupat e ish-të përndjekurve të vrarë dhe të hedhur në kënetë gjatë komunizmit, kalon përballë “Botës” dhe Julit i kujtohet befas e kaluara: “Mendon se si gjërat kanë qenë më parë?” e pyet ajo Norën. “Jo,” i përgjigjet Nora, “prandaj edhe pi.” Kjo skenë sërish vë në dukje raportin e pandërgjegjshëm dhe të paangazhuar që protagonistet kanë me të kaluarën.
Një tjetër koment i rëndësishëm shprehet nëpërmjet personazhit të Benit; gatishmëria e tij për të kënaqur italianët që po ndërtojnë autostradën afër “Botës” e bën të përfaqësojë arketipin e shqiptarit oportunist, shfrytëzues, por edhe servil. Sapo Beni vihet në dijeni të ndërtimit të autostradës, ai sugjeron të organizojë një festë në mënyrë që t’i bindë ata të vendosin një shenjë për kafen “Bota,” për të rritur kësisoj biznesin e tij. Beni flet italisht, edhe atëherë kur italiani i drejtohet në shqip. Kur e diskuton idenë e festës me Julin, ai mendon t’iu organizojë një “natë të vërtetë italiane,” duke iu shërbyer birra italiane. Ndërkohë që Beni dëshiron t’iu shërbejë atë që italianët supozohet se preferojnë, Juli e kundërshton duke thënë se është më mirë t’iu shërbehet diçka vendase: “Italianët e kanë Italinë e tyre, më mirë të marrim birra Korça dhe raki.” Edhe pse Beni fillimisht bie dakord, madje duke i vlerësuar mendimin nëpërmjet klishesë “Ç’do bëja unë pa ty!,” në vijim të filmit përqasja e tij servile ndaj “Perëndimit” rishfaqet pikërisht gjatë përgatitjeve për festën. “Si shumë po lodhemi për t’i bërë përshtypje një italiani,” thotë Juli. Në kundërpërgjigje, Beni thotë se “ky është vetëm fillimi, do shikosh, gjërat do ndryshojnë,” çka vë në dukje edhe një herë synimet e tij oportuniste, të cilat më pas shprehen edhe nga Nora kur i kujton Julit bakshishet që kanë për të marrë.
Momentet e lartpërmendura vënë në dukje jo vetëm marrëdhënien e nderë që shqiptarët kanë me komunizmin, por edhe tendencat shpesh servile përkundrejt Perëndimit. Në nivel sipërfaqësor, nxjerrja e tyre në pah mund të konsiderohet si një meritë e filmit. Por, parë më thellë, këto momente janë edhe ndër dobësitë dhe problemet e tij. Këto janë vetëm momente që ngelin pezull dhe të pazhvilluara. Për rjedhojë Bota nuk arrin të bëjë atë që premton: të përballë publikun me të kaluarën e hidhur komuniste dhe efektet e saj sot. Përkundrazi, filmi ofron një imazh romantik dhe shpesh historikisht të pasaktë të së kaluarës komuniste dhe jetës në periferitë e Shqipërisë sot; një imazh që na duket të jetë i përtypshëm vetëm për një spektator që di fare pak, ose që s’di asgjë, për Shqipërinë dhe historinë e saj. Ky konstatim i yni dëshmohet nga vetë shkrimet e kritikëve joshqiptarë mbi Botën, interpretimet e të cilëve nuk duket të kenë pasur një përqasje kritike mbi filmin përballë faktit historik. Për shembull, në një shkrim lavdërues nga Diane Sippl, titulluar “Bota, A Balkan Phoenix,” autorja e nis analizën me dy pyetje të goditura të cilat, sipas saj, përbëjnë thelbin e filmit:
Në kërkimet e saj për këtë projekt, historitë e shumta që ajo [Elezi] mblodhi përgjatë rajonit kërkonin të thuheshin, ashtu sikurse kërkonte të konsiderohej edhe e kaluara e Shqipërise: ç’do të thotë të mbijetoje komunizmin gjatë regjimit të Hoxhës, dhe si u ndikuan individët nga traumat e asaj kohe? Çfarë kontradiktash kanë dalë në sipërfaqë në sjelljet e atyre që kanë mbetur, dhe ç’të ardhme shohin shqiptarët? [përkthimi ynë] [4]
Edhe pse ky citim duket të jetë marrë kallëp nga shprehje që Elezi i përdor shpesh (pjesë të të cilave gjenden tek Shënimet finale për shtypin)[5] , vetë titulli i kësaj interviste e krahason Botën me një feniks – një metaforë rilindjeje nga hiri i së kaluarës, një ide të cilën e përmbajnë edhe pyetjet më sipër. Sado poetike metafora dhe ndonëse pyetjet e lartpërmendura shtrohen si parësore, Sippl nuk vijon t’i tregojë lexuesit se deri në ç’pikë i trajton ato Bota, apo të problematizojë ndopak faktin se pyetjet shtrohen vetëm në plan diskursiv nga regjisorja (ndoshta per t’i shtuar peshën historike dhe shoqërore filmit), ama duke ngelur gjithmonë të palëvruara. Përkundrazi, shkrimi i Sippl merret kryesisht me tregimin e dramës që zhvillohet në film si dhe aspektet kinematografike të tij, ato që kanë, sipas saj, panache apo stil, si për shembull homazhin që Elezi i bën letërsisë së Kadaresë apo pionierëve të kinemasë shqiptare si Dhimitër Anagnosti.
Botës nuk i mungon panache, për të përdorur fjalën e zgjedhur nga Sippl, edhe pse Sippl nuk thellohet as në aspektin artistik të filmit. Gjithsesi, fotografia dhe montazhi së bashku, sado tërheqës, e bëjnë filmin vështirësisht të besueshëm për publikun shqiptar. Tipike për fotografinë e Botës janë pamjet e hapura dhe të pastra, të cilat krijojnë një efekt paqësor tek shikuesi, çka nuk i përshtatet një situate ku mbizotërojnë varfëria, vuajtja, maskilizmi, shtypja dhe, mbi të gjitha, pasojat e një të kaluare traumatike. Edhe portretet mjaft tërheqëse të protagonistëve, të cilët shpesh kapen nga afër, pra jashtë kontekstit të ngarkuar ku ata pretendohet të jetojnë, i shtojnë efektin përgënjeshtrues fotografisë së Botës, duke krijuar idenë se mund të jesh duke parë një dramë mes personazhesh që jetojnë në Lubjanë apo Tiranë, ama që vetëm nga Adriatiku nuk janë.
Nga ana tjetër, montazhi, si një teknikë për manipulimin e hapësirës, i shërben, ndër të tjera, zhvillimit të strukturës narrative, duke synuar plotësimin e një personazhi apo zhvillimin e një pikëpamjeje. Ai përdoret për t’i dhënë formë dhe kontekst historisë që tregohet, për të përcaktuar historinë që regjisorja do të tregojë, etj. Për më tepër, teknikat e manipulimit të kohës (kronologjisë) përmes kthimit mbrapa në kohë (flashback) apo projektimit në të ardhmen (flashforward), duke na paraqitur kujtesën, ëndrrat, fantazitë apo fantazmat, marrin gjithashtu një rol të rëndësishëm në ofrimin e një konteksti historik më të thellë karshi së tashmes të personazheve. Për shembull, kthimi mbrapa siç është përdorur në rastin e Julit, kur sheh ëndrrën nga e kaluara, mund të ishte përdorur më shpesh për t’i dhënë shikuesit të kuptojë peshën që ka e kaluara në të sotmen e personazheve dhe preokupimin e tyre rreth kësaj të kaluare. Nga ana tjetër, projektimi në të ardhmen, i cili nuk është aplikuar në asnjë rast, mund të qe përdorur për të shprehur ëndrrat dhe shpresat e personazheve. Por këto dy aspekte teknike janë përdorur në një mënyrë që të lë përshtypjen se filmi nuk adreson shikuesin shqiptar, por atë të huaj, i cili supozohet i painteresuar për këtë kontekst.
Por për të krijuar një realitet filmik bindës për publikun që e njeh më imtësisht realitetin historik, social dhe estetik të cilin Bota pretendon të shfaqë, filmit do t’i ishte duhur një montazh i atillë që vendos personazhet si në të kaluarën (përmes flashback-ut), ashtu edhe në të ardhmen (përmes flashforward-it). Në fakt, fundi i filmit, siç e kishin parashikuar fillimisht regjisorët (sipas intervistës me Elsa Demon), është në të vërtetë skena e parafundit kur Juli merr valixhen dhe niset për të kapur mikrobuzin. Por Elezi dhe Logoreci më pas vendosën të japin edhe katër minuta të tjera ku Nora (apo fantazma e saj) tregohet duke kërcyer, shoqëruar nga tingujt e Rudolf Stambollës. Si pasojë, kjo zgjedhje montazhi nuk na lejon të mendojmë për Julin dhe të ardhmen e saj, duke na e bërë madje të pamundur reflektimin mbi historinë që sapo ka mbaruar me largimin e saj nga fshati i ish-internimit. Ndërkaq, regjisorët kërkuan diçka që iu dukej më “organike,” më organike madje edhe se sugjerimi tjetër i tyre që fundi të ishte pa tinguj, pa zë, thjesht me zhurmën e erës. Në vend të këtij fundi regjisorët, bashkë me montazhierin, zgjodhën një variant shumë më sipërfaqësor, duke na ofruar fantazmën e Norës shoqëruar nga tinguj muzikorë që ndjellin ndjenja kënaqësie, shprese dhe optimizmi. Përmes kësaj zgjedhjeje teknike, që Elezi e quan çuditërisht “sfiduese” për shikuesin, ata zgjodhën “botën e re.”[6]
Edhe pse regjisorët Elezi dhe Logoreci, thuajse në çdo intervistë që kanë dhënë, qoftë për shtypin apo mediat e huaja, qoftë për ato shqiptare, thonë se ballafaqimi me të kaluarën është një domosdoshmëri për të ecur përpara, filmi Bota e trajton të kaluarën në mënyrë krejt aluzive dhe, më tej, jep ide të gabuara mbi të sotmen. Për shembull, e kaluara përmendet vetëm shkarazi dhe në mënyrë sipërfaqësore kur Mili i tregon biznesmenit italian se banorët e Adriatikut janë degdisur aty nga regjimi komunist, ndërkohë që ky i fundit duket i painteresuar dhe nuk reagon; po ashtu edhe kur Nora tregon për ndodhinë e pabesueshme në furgon për të bërë gallatë. Nga ana tjetër, muzika e këndshme dhe romantike, e influencuar nga stilet perëndimore xhaz dhe suing, që përbën kolonën zanore të filmit, është muzikë që s’ka të bëjë as me të kaluarën komuniste, as me të sotmen. Veshjet perëndimore të protagonistëve dhe personazhet ekstra me gërsheta rasta përcjellin idenë se ata janë jo nga Adriatiku apo Bedati, por nga baret trendi të Tiranës. Kinematografia e stilizuar, sado e këndshme për syrin, fashit dhimbjen, vuajtjen dhe varfërinë që mbizotëron në atë zonë gjeografike-politike. Filmi Bota bën atë që Beni këshillohet të mos bëjë: i shërben spektatorit perëndimor “birrë italiane,” duke i servirur atë që mendohet se ai pret të shohë ose ka mundësi të kuptojë në rehatinë e botëkuptimit të tij.
Pra është e kuptueshme pse, në një rencension tërësisht pozitiv të botuar së fundmi në një numër të revistës KinoKultura, autores Ewa Marzierska i duket se “filmi paraqet në mënyrë bindëse historinë e së tashmes në Shqipëri, ndërkohë që tregon rrëfenjën e zakontë të një gruaje të varfër që dëshiron një jetë më të mirë.”[7] Kjo e pavërtetë mund t’i falet një autoreje polake që vërtet nuk e njeh situatën shqiptare të ish-kampeve e ish-të përndjekurve sot, apo të vërtetën e pasojave të komunizmit, përveçse nga larg dhe në vija të përgjithshme. Elezi dhe Logoreci kanë premtuar lëvrimin e një të kaluare të hidhur, me pasoja të shumta dhe të pazgjidhura, por për spektatorë që e njohin realitetin shqiptar, dhe sidomos për spektatorë që e kanë përjetuar të qenit të përndjekur, ky film nuk paraqet bindshëm as të kaluarën dhe as të tashmen shqiptare. Në fakt, disonanca mes së tashmes siç paraqitet në film dhe së tashmes në realitet ishte ngacmuese dhe këmbëngulëse edhe gjatë shfaqjes së filmit në Nju Jork, gjë që i provokoi autoret e këtij shkrimi ta pyesnin Elezin pikërisht mbi marrëdhënien e filmit me realitetin aktual shqiptar, në planet estetike, sociale dhe politike. Për ta shtjelluar me tepër këtë kritikë, si fillim i rikthehemi vetë titullit të filmit: Bota.
*
Titulli Bota supozohet të kapë diçka universale, në mos në kuptim absolut, të paktën për sa i takon përvojës së shumë shqiptarëve. Në një intervistë me Blendi Salajn, Elezi thotë se janë personazhet ata që ia japin asaj titullin e filmit, sepse jeta e tyre, me sa duket, përfaqëson botën, ose të paktën përpjekjet apo synimet e të rinjve kudo në botë. Nuk është e qartë se në ç’mënyrë personazhet mishërojnë apo përfaqësojnë “një botë,” apo formojnë “një kozmos individësh…që ne të gjithë i njohim, në mos kemi qenë vetë.”[8] Vallë, a është e vërtetë se i njohim, apo se i njohim ashtu siç na paraqiten, si gjenerata e të rinjve post-persekutimit? Bota, pohon Elezi diku tjetër, “i qaset të gjithë atyre që do të shohin një pasqyrim të vështirësive vetjake të gjithësecilit.”[9] Ky gjykim mund të mos i tingellojë problematik intervistueses Ana Grgic e cila, edhe pse nuk duket të ketë njohuri mbi ish-të persekutuarit apo realitetin shqiptar përtej “Bllokut,” është duke ndërtuar rezumenë e saj përkrah Elezit si anëtare e bordit të Albanian Cinema Project. Por për shikuesin shqiptar nuk është e qartë se çfarë vështirësish ka parasysh regjisorja, duke qenë se vështirësitë e Benit, Julit apo Norës nuk pasqyrojnë ndonjë vështirësi tipike të ish-të persekutuarve, apo të të rinjve shqiptarë. Cilat janë saktësisht vështirësitë e Julit? Nuk e marrim vesh kurrë cilat janë shqetësimet e saj, ndoshta me përjashtim të një dëshire të vagullt, të nënshtruar, për t’u lidhur me Milin. Po dëshira e Norës për të pasur një fëmijë me Benin, a përfaqëson domosdoshmërisht një problem tipik të vajzave shqiptare në përgjithësi (dhe ish-të persekutuarave në veçanti), për të cilat shtatzania jashtë martese do të ishte telashi i fundit që do donin të kishin? Edhe dredhitë e Benit nuk është se janë të identifikueshme me vështirësitë tipike të ish-të persekutuarve, sidomos duke pasur parasysh faktin se shumica e njerëzve me përkatësi në këtë klasë kryesisht janë larguar nga ish-kampet e internimit ose e kanë braktisur fare vendin që në fillim të viteve ’90.
Mospërputhja midis asaj që ndodh në film dhe mënyrës se si është folur për të, qoftë në prezantimin në Nju Jork, qoftë në intervistat e shumta televizive, është problematike. Për të është folur si një film që përballet me të shkuarën e hidhur komuniste, ose që të paktën ka të bëjë me të. Ndërkaq, shikuesja shqiptare e ka të vështirë ta shohë veten të “përfaqësuar,” domethënë ta shquajë ngjarjen e filmit si ngjarje me të cilën mund të identifikohet një e re (e ish-e persekutuar ose jo) ngecur në një fshat të humbur. Në vend të kësaj, filmi na paraqet një sërë pasaktësish historike, një keqparaqitje pikërisht të atij realiteti që prentendohet se po rrok.
Në një episod me gjasa tepër të pakta, na tregohet një histori nga e kaluara. Gjatë momenteve në tarracën e “Botës”, ku po argëtohen protagonistët, Nora i tregon Benit dhe Julit për një burrë nga Vlora, që e kishte takuar më herët në furgon, historia e te cilit i kishte bërë përshtypje. Vëllai i personit në fjalë kishte tentuar të arratisej gjatë komunizmit dhe mbasi ishte kapur, ishte ekzekutuar, ndërkohë që familja nuk kish marrë kurrë të dhëna mbi fatin e tij. Mbas vdekjes dhe zhdukjes së vëllait, ai vijoi të kryente studimet në Tiranë dhe pasi u bë mjek e profesor, kthehet në Vlorë si mësues. Gjatë një ekskursioni me studentët në Muzeun e Vjetër të Shkencave, ai zbulon trupin e pajetë, të balsamosur dhe përndryshe të pandryshuar të vëllait, përveç një plumbi mbas shpine. Një situatë si kjo e paraqitur në film do të kishte pasur gjasa shumë të pakta në realitet. Nëse dikush tentonte të arratisej dhe më tej ekzekutohej, ose qe arratisur me kohë, gjasat ishin se, edhe nëse familja nuk degdisej në kamp internimi, pjesëtarëve të mbetur zakonisht nuk u lejohej të vazhdonin studimet universitare, sidomos në degë elitare si mjekësia, jo më t’iu lejohej marrja e dy diplomave njëra pas tjetrës.
Por problemi kryesor që shohim në film, për sa i përket vlerës së tij historike ose ndërgjegjësuese, është mënyra se si trajtohen “dosjet” dhe dëmshpërblimet ofruar ish-të përndjekurve. Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europën Qendrore dhe Lindore që nuk i ka hapur të ashtuquajturat “dosje” të periudhës totalitare, edhe pse më 2015 u votua për hapjen e tyre. Hapja e dosjeve dhe lustracioni në vende të tjera është trajtuar si një detyrë për të ndihmuar publikun të ndërgjegjësohet mbi ato që ndodhën gjatë komunizmit, ose për të vënë para përgjegjësisë elitën komuniste, që në shumë raste tentoi dhe arriti të qëndronte ende në pushtet edhe mbas 1989-ës. Në Shqipërinë e filmit Bota, dosjet jo vetëm rezultojnë të hapura, por shteti shqiptar madje iu ka ofruar ish-të përndjekurve dëmshpërblime financiare si shpagim për të pushkatuarit, të burgosurit dhe të internuarit gjatë regjimit. Është e vërtetë se në faza të caktuara të periudhës post-komuniste, dhe me mundime të mëdha nga ana e ish-të persekutuarve, një pjesë e tyre kanë marrë dëmshpërblime të pjesshme. Por duke i prezantuar dosjet si të hapura dhe dëmshpërblimet të marra me kaq kollajllëk, pra duke mos u përfshirë dhe thelluar fare në mënyrën se si ky proces është zhvilluar dhe përjetuar në realitet nga ish-të persekutuarit, Bota rrafshon pikërisht atë që duhet të jemi duke diskutuar: gënjeshtrat, manipulimet dhe vuajtjet që vazhdojnë të orientojnë ecurinë e ketij procesi.
Nga fundi i filmit, na bëhet e qartë se Nojes i është dhënë një shumë lekësh që mbush plot një valixhe kur Beni i tërheq nga banka për të larë borxhet e veta. Pavarësisht se Beni nuk del dot përtej skuthllëkut dhe oportunizmit të tij, Bota na thotë se shteti shqiptar ka arritur kulmin e emancipimit moral dhe politik. Për shembull, filmi jep përshtypjen sikur ekziston një kërkim i vazhdueshëm, edhe në orët e muzgut, për eshtrat e të pushkatuarve që janë depozituar në kënetat e zonës. Kjo ide jepet në skenat e fillimit ku Juli, duke parë jashtë dritares së apartamentit, i tregon Nojes se ata vazhdojnë të jenë “prapë aty” duke kërkuar, ndërsa Noja i përgjigjet me bindje se “s’kanë për të gjetur gjë.” Më tej, ideja përsëritet kur Beni dhe Nora gjenden mbi çatinë e “Botës” ku, mbasi shohin pjesëtarë të ekipit kërkimor, Beni i përgjigjet vëzhgimit të Norës “[p]rapë aty ata,” se ata “s’kanë për të gjetur gjë.” Në një skenë tjetër, Juli sheh jashtë parafabrikatit ku jeton klientin që frekuenton kafen, që duket të kryesojë ekipin kërkimor për eshtrat e të pushkatuarve, duke ngushëlluar një çift pleqsh të veshur me të zeza, të cilët shikuesi mund të supozojë të kenë humbur dikë gjatë regjimit dhe që më në fund po mësojnë të vërtetën. Më vonë, kur Juli kërkon të njoftojë Benin se Noja ka vdekur, polici në skenë jo vetëm i jep të përdorë telefonin e tij, por më tej edhe ia dhuron, duke shprehur një përkujdesje që as nuk mund të imagjinohet të ekzistojë nga policia përkundrejt publikut shqiptar. Ndërsa në fund të filmit, kur Julit më në fund i thuhet se ç’i ka ndodhur së ëmës, udhëtimi në Tiranë për të lexuar dosjet dhe marrë eshtrat i është paguar nga shteti. Kjo përkujdesje nga ana e shtetit shqiptar mund të mos i bëjë përshtypje shikuesit të huaj por ngjan krejt absurde për shikuesin shqiptar, duke zbehur kështu edhe besueshmërinë e narrativës së përgjithshme të filmit.
Këto mospërputhje nuk paraqesin ndonjë problem për regjisoren Elezi, edhe pse në një intervistë me Zërin e Amerikës ajo shpreh dëshirën për t’u marrë me “tranzicionin tejësisht të gjatë të popullit tim.”[10] Në po të njëjtën intervistë, ajo shprehet se procesi kërkimor dhe hulumtues gati katër vjeçar, por i paspecifikuar,[11] që ka sjellë Botën në ekran, e provokoi “të vendosë gishtin në plagë,” dhe të merret me “disa nga anët e errëta.”[12] Në realitet filmi jo vetëm që nuk vë gishtin në plagë, por ose i trajton plagët si gërvishtje, ose i mbulon duke vënë një fasho mbi to. Vënia e gishtit në plagë do kish kërkuar vënien në dukje të mungesës së transparencës që rezulton nga moshapja e dosjeve. Vënia e gishtit në plagë do të thoshte identifikimin e përdorimit që u është bërë dosjeve si gur shahu në lojën për pushtet mes partive politike, sidomos gjatë sezoneve elektorale, dhe jo paraqitjen në film të një shteti shqiptar post-lustracion. Të gjitha këto të detyrojnë të vësh në pikëpyetje se çfarë kërkimesh kanë bërë saktësisht Elezi dhe Logoreci mbi subjektin që trajtojnë, kur në filmin e tyre japin një ide kaq të gabuar mbi realitetin e të qenit ish-i persekutuar në Shqipëri. Ndaj s’na ngelet gjë veç të mendojmë se frytet e pjesëmarrjes në Workshop-e si Binger Filmlab, Berlinare Talents, e të tjera, që Elezi i përmend shpesh, kanë qenë të kufizuar tek aspekti teknik. Ndërsa çmimet e shumta që filmi ka marrë në rajon, me të cilat Elezi përpiqet të legjitimojë vlerën e filmit, sugjerojnë jo domosdoshmërisht vlerën e tij artistike e kritike sesa gatishmërinë për të ofruar pikërisht atë që Perëndimi e ka më të lehtë për të vlerësuar: një Shqipëri në zhvillim, me një estetikë të njohur e të këndshme, që po e kalon më së miri traumën e saj kolektive. Europë, thotë Bota e Elezit, harroi paragjykimet që ke për Shqipërinë, sepse ajo është fiks si ti.
__________
Foto: Posteri i filmit
[1] Intervistë për shtypin, ABC News, 16/6/14 (https://www.youtube.com/watch?v=o0oY7DimMKo)
[2] Albanian Institute New York, themeluar nga Dino Korça në vitin 2014, është një institucion, në dukje, i artit modern shqiptar dhe jo-fitim-prurës, por që pretendon edhe sipërmarrje të ardhshme nga fusha e investimeve dhe e biznesit, dhe deri tek ajo e kuzhinës. Për më tepër shih websitin: http://albanianinstitute.org/
[3] Intervistë me Enkel Demin, “Shih Progamin,” TVSH, 18/4/2015 (https://www.youtube.com/watch?v=8XMIxRGJAfE&index=8&list=PLngn1MXwygP5jWoUVVX73x2_IWRUJYwDI).
[4] “In her research for this project, the many stories she collected throughout the region begged to be told just as they called for contemplation of Albania’s past: what did it mean to survive communism as it evolved under the Hoxha regime, and how did the traumas of the times mark individuals in diverse ways? What contradictions have surfaced in the behaviors of those who remain, and where do Albanians today see themselves headed?” “Bota: A Balkan Phoenix,” Diane Sippl, Kinocaviar, 5/9/15 (http://www.kinocaviar.com/bota.php).
[5] Final Press Notes for “Bota,” a film by Iris Elezi and Thomas Logoreci, presented by Erafilm & Partner Media Investment, in Association with I’s Continuum & Flex Film, f. 7, pargrafi 3. (http://textlab.io/viewer_next/web/viewer.html?file=http%3A%2F%2Fvs1.textlab.io%2Fstore%2Fdata%2F000475861.pdf%3Fkey%3D6d2f0839c7ecb6e0169b43728546b319%26r%3D1).
[6] Intervistë me Elsa Demon, Takimet e Kulturës, ABC News Albania, min. 20, 17/11/14 (https://www.youtube.com/watch?v=OHi0rwgLCHE).
[7] Mazierska, Ewa, “Iris Elezi and Thomas Logoreci: Bota (2014),” KinoKultura, Special Issue 16: Albanian Cinema, mars 2016 (http://www.kinokultura.com/specials/16/R_bota.shtml).
[8] Intervistë me Blendi Salajn, Ora News, 6/3/15 (https://www.youtube.com/watch?v=Om-ZkDu0KsU).
[9] “Interview with Iris Elezi and Thomas Logoreci,” Ana Grgic, East European Film Bulletin, 19/2/2015. “I strongly feel that Bota, while opening a window into little-known Albania, also appeals to all people who will see a reflection of their own struggles. Hence the title of the film which means ‘world’ in Albanian.” (https://eefb.org/archive/february-2015/interview-with-iris-elezi-and-thomas-logoreci/)
[10] “Regjisorja Elezi: Suksesi i ‘Botës’ është tredimensionaliteti i personazheve,” Zëri i Amerikës, 5/5/15 (http://www.zeriamerikes.com/content/article/2750169.html).
[11] Në një intervistë me Valeria Dedajn për Shekullin me 14/11/14, ku intervistuesja pyet Elezin se çfarë kërkimesh ka bërë për filmin, regjisorja e anashkalon thelbin e pyetjes duke thënë vetëm se kërkimet zgjatën tre deri në katër vjet. (http://www.shekulli.com.al/p.php?id=60288).
[12] “Regjisorja Elezi: Suksesi i “Botës” është tredimensionaliteti i personazheve,” Zëri i Amerikës, 5/5/15 (http://www.zeriamerikes.com/content/article/2750169.html).