Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Cënimi i lirisë së shtypit në Hong Kong

Mbyllja me zor e gazetës pro demokratike Apple Daily është shenja më e fundit shqetësuese për gazetarët në territorin kinez.

Edhe pse të lira prej kufizimeve të vendosura mbi gazetarinë në Kinën kontinentale fqinje, mediat e ashpra dhe politikisht diverse të Hong Kongut janë përballur me kërcënime të ndryshme përgjatë viteve. Por, pas ligjit drakonian të sigurisë kombëtare që hyri në fuqi para një viti, ato sfida janë shumëfishuar në mënyrë dramatike.

Rritja e presionit mbi mediat u vërtetua të mërkurën kur gazeta pro demokratike Apple Daily, e cila është shpesh kritike ndaj qeverive të Kinës dhe Hong Kongut, njoftoi se nuk kishte zgjidhje tjetër postë mbyllej. Duke qenë njëra prej më të lexuarava në Hong Kong, gazeta është nën hetim në baza të sigurisë kombëtare, përmes të cilit është burgosur edhe themeluesi i saj, Jimmy Lai.

Përkundër të drejtës së lirisë së shprehjes të mbrojtur me kushtetutën lokale, territori kinez tash radhitet i 80-ti prej 180 vendeve dhe rajoneve në Indeksin botëror të lirisë së shprehjes, plot 18 vende më poshtë që prej botimit të indeksit të parë nga Gazetarët pa Kufij më 2002.

“S’ka dyshim se këto janë kohërat më të errëta,”  i tha muajin e kaluar gazetës The New York Times kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Hong Kongut, Chris Yeung. Ja disa prej mënyrave se si po cënohet liria e shtypit në Hong Kong.

Një ligj i ri i mjegullt

Në qershor 2020, qeveria kineze miratoi një ligj spastrues të sigurisë kombëtare me qëllim të shtypjes së opozitës ndaj pushtetit të saj në Hong Kong, një ish koloni britanike që iu kthye Pekinit më 1997. Ligji u miratua pas muajsh protestash kundër qeverisë në Hong Kong, që paraqitën sfidën më të madhe politike për Pekinin me dekada, me disa protestues që bënë thirrje për pavarësinë e territorit.

Ndonëse ligji përqendrohet në katër krimet e terrorizmit, përmbysjes, shkëputjes dhe marrëveshjeve të fshehta, ekspertët ligjorë thonë se mënyra e mjegullt në të cilën është shkruar ligji ka implikime për mediat. Komandanti i policisë së Hong Kongut, Chris Tang paralajmëroi në fillim të këtij viti se policia do të hetonte mediat që konsiderohen se rrezikojnë sigurinë kombëtare, duke cituar si shembull Apple Daily-n.

Zyrtarët nuk kanë qenë shumë të qartë se çfarë do të thotë kjo. Në fjalën e saj javën e kaluar shefja ekzekutive e Hong Kongut Carrie Lam la të kuptohet se është në dorën e vetë gazetarëve që të kuptojnë se si t’i shmangen shkeljes së ligjit të sigurisë kombëtare. Ligji nuk prek “punën normale gazetareske,” tha ajo, ndonëse nuk shpjegoi se çfarë nënkuptonte me normale.

Në një situatë ku askush nuk është i sigurt se ku janë vijat e trasha, një reagim i zakonshëm ka qenë vetëcenzura. Gazetarët i shmangen temave të caktuara në intervista, aktivistët kanë fshirë historitë e tyre në mediat sociale dhe libraritë kanë hequr nga raftet librat e figurave pro demokratike për t’i rishikuar ato. Aktivistët, akademikët dhe të tjerët janë gjithashtu më pak të gatshëm të flasin hapur, ngurrim që u përforcua muajin e kaluar kur një gjykatës, duke shpjeguar pse një ish ligjvënëseje të akuzuar përmes ligjit të sigurisë kombëtare i ishte refuzuar lirimi me kusht, citoi komentet që kishte bërë si në intervista ashtu edhe në mesazhet private me gazetarë në WhatsApp.

Mbyllja e një gazete popullore

Në gusht 2020, zyrtarët policorë arrestuan z.Lai përmes ligjit të sigurisë kombëtare, ashtu siç kishte parashikuar ai vetë në një ese për The Times. Disa orë më vonë, ata bastisën zyret e Apple Daily, gazettes së tij të guximshme pro demokratike. Disa reporterë transmetuan drejtpërdrejt bastisjen, përderisa zyrtarët rrëmuan tavolinat e tyre. Policia arrestoi gjithashtu dy fëmijët e z. Lai dhe katër funskionarë të firmës së tij Next Digital.

Z. Lai i cili ishte arrestuar edhe më parë lidhur me rolin e tij në protestat e paautorizuara të vitit 2019, u akuzua përmes ligjit të sigurisë kombëtare për marrëveshje të fshehtë me forcat e huaja, përfshi thirrjen për sanksione ndaj Hong Kongut. Ai është tashmë në burg ku do të vuajë dënimin prej 20 muajsh për dy konteste të ndryshme lidhur me protestat, por ende ballafaqohet me akuza shtesë, përfshi mashtrimin dhe tri pika tjera të akuzës nën ligjin e sigurisë kombëtare, të cilat mund të përbëjnë dënim me burg të përjetshëm. (procesi i parë gjyqësor i sigurisë kombëtare në Hong Kong filloi të mërkurën e shkuar).

Bastisjet e gushtit tash duket se kanë qenë vetëm nxemje. Javën e kaluar, qindra zyrtarë policorë bastisën zyret e Apple Daily për të dytën herë, duke arrestuar pesë udhëheqës dhe redaktorë, duke konfiskuar kompjuterët e gazetarëve dhe ngrirë llogaritë e kompanisë. Dy prej të arrestuarve janë akuzuar përmes ligjit të sigurisë për konspiracion për të bërë marrëveshje të fshehta me fuqitë e huaja. Një inspektor i lartë në departamentin e sigurisë kombëtare të policisë paralajmëroi gjithashtu publikun që të mos shpërndajë artikujt e Apple Daily.

Duke mos qenë në gjendje të paguajë punëtorët për shkak të llogarive të ngrira, Apple Daily tha të mërkurën se do të mbyllej pas 26 vitesh. Dita kishte filluar me arrestimin e opinionistit kryesor të gazetës Yeung Ching-kee, i cili shkruante nën pseudonimin Li Ping. Partia Komuniste e Kinës dhe aleatët e saj në Hong Kong “kanë vendosur t’i zënë frymën Apple Daily-t, të vrasin lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes në Hong Kong,” kishte shkruar z.Yeung pas arrestimit të z.Lai vitin e kaluar.

Radiotelevizioni publik nën presion

Radiotelevezionit publik RTHK të financuar nga qeveria dhe të njohur për gazetarinë e pavarur po i vihen frenat gjithnjë e më shumë. Në një raport të fillimvitit, qeveria e Hong Kongut akuzoi radiotelevizionin për mungesë transparence dhe objektiviteti dhe tha se duhet të mbikëqyret më për së afërmi. Zyrtarë të tjerë kanë propozuar që të mbyllet fare.

Një varg zyrtarësh të lartë janë larguar nga RTHK në muajt e fundit, përfshi edhe drejtorin e radiotelevizionit, i cili u zëvendësua nga një shërbyes civil pa përvojë në gazetari. Që atëherë, radiotelevizioni ka anuluar programe, nuk ka pranuar shpërblime për media dhe ka fshirë përmbajtje arkivore prej llogarive në YouTube dhe Facebook. Znj. Lam iu ofrua një program, i cili transmetohet katër herë në ditë, për të shpjeguar ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe kritikët thonë se gati sa nuk i përjashton fare kandidatët pro demokratikë.

Në prill, producentjae RTHK-së Choy Yuk-ling u dënua pasi u gjet fajtore për deklarata të rreme me qëllim të sigurimit të materialeve publike, në një kontest që Komisioni i Mbrojtjes së Gazetarëve e quajti “disproporcional në mënyrë absurde.” Znj. Choy, e cila ka qenë duke punuar një material kritik ndaj policisë, tha se kontesti i saj tregon se si zyrtarët përpiqen të kufizojnë qasjen në informata të cilat dikur kanë qenë publike. Ajo ka paraqitur ankesë për dënimin.

Barrierat burokratike

Përtej ligjit të sigurisë kombëtare, ka pasur ndryshime më të vogla në politika që gazetarët e Hong Kongut thonë se mund të pengojnë mundësinë e tyre për të punuar. Disa prej ndryshimeve kanë të bëjnë me ndërveprimin me policinë, e cila pati disa konfrontime të tendosura me gazetarët gjatë protestave të vitit 2019. Vitin e kaluar, policia tha se do të njohin kredencialet e gazetarëve vetëm nëse punojnë për mediat e regjistruara në qeveri, ose për organizata të spikatura ndërkombëtare të mediave. Komandanti Tang tha gjithashtu se qasja në operacionet e policisë  duhet të kufizohet te “mediat e besueshme”.

Veçmas nga kjo, qeveria do të lejojë kompanitë që të fshehin të dhëna të ndjeshme të pronësisë, gjë për të cilën kritikët thonë se mund të bëjë edhe më të vështirë zbulimin e mashtrimit.

Mediat kanë raportuar gjithashtu për vonesa në procedimin e vizave për punëtorët e huaj dhe në disa raste ato janë refuzuar fare. The Times përmendi ligjin e sigurisë kombëtare dhe disa telashe me vizat, në vendimin e verës së kaluar për të zhvendosur disa anëtarë të stafit prej Hong Kongut në Seul, ndonëse mediat e tjera ndërkombëtare kanë thënë se nuk e kanë në plan të largohen.

Pritet të ketë edhe sfida të tjera.

Znj. Lam shkaktoi panik muajin e kaluar kur tha se qeveria po shikonte mundësinë e legjislacionit kundër “lajmeve të rreme,” ku pyetja kryesore është se si duhet të përkufizohen lajmet e rreme dhe prej kujt. Ligjet e ngjashme të miratuara në vendet aziatike si Kamboxha, Malajzia dhe Singapori janë kritikuar si vegla për t’i zënë frymën disidencës.

***

Artikulli origjinal në New York Times, më 23 qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.