Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Çfarë na thotë sondazhi i ri për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë

Më 28 nëntor, siç ndodh rëndom çdo vit, shqiptarët në rajon do ta shënojnë përvjetorin e 107-të të pavarësisë së Shqipërisë, apo Ditën e Flamurit. Sivjet nuk do të ketë atmosferë feste për shkak të tërmetit që goditi Shqiperinë, por gjithsesi rrugët e Tiranës, Prishtinës, dhe qyteteve të tjera në Ballkan ku rrojnë shqiptarët do të mbushen me shkabën dykrenore.

Ky simbol me origjinë bizantine, i përdorur në mesjetë nga Skënderbeu gjatë qëndresës kundër pushtimeve osmane, u ringjall në kohët moderne nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila vuri Skënderbeun në qendër të narracionit kombëtar. Tok me gjuhën e veçantë shqipe, flamuri sot qëndron si shtyllë qendrore e identitetit kulturor dhe politik të shqiptarëve.

Por, prapa unitetit të fortë simbolik që do të ndihet në Ditën e Flamurit—dhe ndjesisë së vazhdueshme se identiteti kombëtar është diçka aq e ngulitur saqë identitetet e tjera shtetërore mund të qëndrojnë vetëm si paralele apo dytësore kundrejt saj—marrëdhëniet politike mes shqiptarëve në rajon po bëhen dita-ditës më të ndërlikuara.

Një sondazh i ri i kryer bashkarisht nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur në Shqipëri dhe Kosovë me qytetarë të të dyja shteteve, pjesë të së cilës janë botuar nga mediat, jep të dhëna mjaft të vlefshme rreth kësaj çështjeje. Ai po ashtu jep disa shenja se si këto marrëdhënie mund të zhvillohen politikisht gjatë dekadës së ardhshme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka flirtuar shpesh me idenë e bashkimit kombëtar, duke e përfytyruar madje në mënyrë provokative idenë se Shqipëria dhe Kosova mund ta kenë një kryetar të përbashkët brenda dhjetë viteve të ardhshme. Kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti, bashkimin kombëtar me Shqipërinë e ka pasur pikë qendrore të axhendës së tij. Dega e lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë madje ka planifikuar një Marsh për Bashkim në Ditën e Flamurit.

Shumë njerëz e shpërfillin retorikën panshqiptare duke e reduktuar në populizëm për përdorim të brendshëm, apo si shantazh ndaj komunitetit ndërkombëtar për ta përshpejtuar procesin e integrimit evropian. Gjithsesi, nuk ka dyshim se kjo retorikë abuzohet politikisht dhe u shërben elitave për ta shmangur vëmendjen nga problemet e tjera. Por përdorimi i kësaj retorike e ka një edhe një tjetër anë të medaljes, për faktin se thirret në ndjenja të fuqishme e me ndikim  në shoqëritë shqiptare.

Duke pasur parasysh rrethanat e trazuara gjeopolitike dhe shembjen e procesit të integrimeve në BE, ideja e bashkimit kombëtar është ringjallur meqë tani duket më e mundshme.

Sondazhi i Fondacioneve të Soros-it na tregon se bashkimi kombëtar gëzon përkrahje të shumicës në të dyja shtetet. Në rast të një referendumi, 75% të shqiptarëve të Shqipërisë dhe 64% të shqiptarëve të Kosovës do të votonin pro bashkimit kombëtar.

Por një lexim më i thellë i rezultateve të sondazhit gjithashtu na thotë se, pavarësisht se një përgjigje PO është shumë domethënëse si artikulim i aspiratave politike, ajo deri diku po ashtu vjen më shumë si përgjigje refleksive. Në realitetin politik, PO-ja përballet me shumë POR-ë, përfshirë këtu mungesën e qartësisë rreth kuptimit të vërtetë të bashkimit, si dhe çmimin që duhet paguar për ta arritur atë.

Pikësëpari, fakti që përkrahja për bashkimin del më e lartë në Shqipëri sesa në Kosovë shkon kundër intuitës. Ndjendjat nacionaliste gjithsesi janë më pak të shprehura në Shqipëri se në Kosovë. Por, të dhënat japin shenjë se narrativi i bashkimit në Shqipëri mbetet i pranishëm dhe i fortë, por rri disi i fjetur sepse nuk ka arritur të politizohet mjaftueshëm.

Shqiptarët në Shqipëri ndajnë bindjen se Kosova është ndarë padrejtësisht nga Shqipëria kur u shpall pavarësia. Por, gjatë dekadave të fundit, vështirësitë e brendshme ia kanë pamundësuar Shqipërisë luksin e ndjekjes së projekteve nacionale, përtej mbështetjes dhe solidaritetit që i ka ofruar Kosovës në përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Ky “prioritizim” i ulët i bashkimit mund të vihet re edhe në sondazhin e fundit te përgjigja ndaj një pyetjeje që mund të merret si tregues i tërthortë për intensitetin e dëshirës për bashkim. Kur respondentët janë pyetur se a janë të gatshëm ta paguajnë çmimin e projektit të bashkimit (më saktësisht “ta paguajnë një taksë”), përkrahja për bashkimin bie në 29% në Shqipëri dhe 44% në Kosovë. Në Kosovë bie më pak, por sidoqoftë bie nën shumicë.

Ky “intensitet i ulët i përkrahjes” për bashkimin në Kosovë është mjaft befasues dhe çon te përfundimi tjetër i rëndësishëm i anketës – te fakti se mendimi kosovarocentrik dhe krenaria për identitetin kosovar vërtet është forcuar gjatë dekadës së parë të shtetësisë. Botëkuptimi kosovarocentrik dikur ishte kryesisht i kufizuar në mesin e shqiptarëve të Kosovës që ishin integruar më shumë në Jugosllavi. Tani duket se ky botëkuptim është përqafuar pjesërisht edhe nga klasa e re e mesme e pasluftës.

Ka shumë arsye se pse kjo ka ndodhur, dhe ky shpjegim kërkon trajtim të posaçëm në një shkrim të veçantë. Por, arsyeja më e shpeshtë që përmendet nga respondentët e sondazhit të cilët pozicionohen kundër bashkimit është se “shtetet e ndara do të funksiononin më mirë”.

Në Kosovë pa dyshim vërehet një shqetësim ndaj asimetrisë së fuqisë dhe ngjalet një traumë nga mundësia që Kosova sërish të kthehet në periferi. Po ashtu ekziston një mosbesim te një pjesë të shoqërisë kosovare ndaj elitës së Tiranës, që buron nga përvoja historike. Ekziston përshtypja se Tirana nuk e kupton dhe nuk e njeh Kosovën mjaftueshëm, dhe se për këtë arsye ajo do të neglizhohet.

Në thelb, edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, shqetësimi kryesor mbi bashkimin qëndron te ndarja e pushtetit dhe te hiset respektive. Kjo deri diku e shpjegon faktin e dalë nga anketa se në të dyja shtetet përkrahja për bashkimin është më e ulëta në rajonet ku ndodhen kryeqytetet.

Përgjatë dekadës së fundit, marrëdhëniet mes të dy shteteve janë zhveshur nga romantizimi dhe simbolizmat që i prodhon identiteti i përbashkët, dhe kanë shkuar drejt kuptimit se ky identitet gjallon brenda dy realiteteve të ndryshme politike.

Asgjë s’e ilustron më mirë këtë fakt se gjendja e keqe e marrëdhënieve e tregtare. Edhe pse shkëmbimet mes Shqipërisë e Kosovës kanë lulëzuar në fushat e kulturës dhe medias (ku pengesat shtetërore s’ekzistojnë), deri në pikën ku hapësira kulturore është bashkuar, e njëjta nuk mund të thuhet për integrimin e tregut. Interesat e ngulitura ekonomike në të dy shtetet vazhdimisht kanë krijuar pengesa për njëri tjetrin, po aq sa me shtetet e tjera në rajon.

Takimet e shpeshta ndërqeveritare s’kanë prodhuar asgjë më shumë se retorikë të zbrazët në përpjekjet për t’i tejkaluar këto pengesa. Politikanët vazhdojnë t’u japin llogari zonave elektorale dhe interesave ekonomike brenda shteteve të tyre, dhe këto mbeten forcë më e fuqishme sesa nocionet abstrakte të identitetit.

E dhëna e tretë e rëndësishme nga sondazhi është se, përderisa shqiptarët e dëshirojnë bashkimin në parim, pak prej tyre (23% në Shqipëri dhe 17% në Kosovë) besojnë se bashkimi është i mundur. Megjithkëtë, pesimizmi nuk rezulton nga mendimi se dallimet e brendshme janë të pakalueshme—shumica i konsiderojnë komunitetin ndërkombëtar dhe shtetet e rajonit si pengesat më të mëdha.

Është e paqartë se si këto marrëdhënie do të zhvillohen në të ardhmen. Shumëçka do të varet nga forcat strukturore që po i largojnë dhe afrojnë dy shtetet. Por, një gjë është e sigurt:  ndërkohë që rrymat ekonomike dhe politike kanë prodhuar lëvizje të mëdha tektonike në rajon gjatë këtij shekulli, identiteti shqiptar dhe narracioni i tij historik ia ka dalë të jetë jashtëzakonisht i qëndrueshëm, duke shërbyer si bazë për solidaritet dhe veprim politik.

—–

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.