Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik?

Më 16 shkurt 2023, hyri në fuqi Ligji nr. 08/L-196 për Paga në Sektorin Publik. Ky ligj u kritikua jashtëzakonisht shumë nga sindikatat, partitë politike dhe shoqëria civile, që konsideruan se ky ligj është i padrejtë dhe diskriminues.

Krahas shkeljeve të të drejtave të njeriut te një pjesë e madhe e zyrtarëve publikë, ligji në fjalë ngriti pagat për disa kategori. Për këtë arsye, partitë politike nuk e kontestuan këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese (GjK), nga frika se si do të ndikonte në aspektin e mbështetjes elektorale.

Diskriminimi, cenimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe pabarazia, ishin disa nga elementet që karakterizuan këtë ligj popullor, për të cilat Sbunker botoi disa shkrime radhazi.

Megjithatë, ky ligji u kontestua në Gjykatën Kushtetuese më 7 prill 2023 nga Avokati i Popullit, pasi ky i fundit pranoi mbi 100 ankesa nga sindikata dhe kategori të tjerë të zyrtarëve, që u dëmtuan nga ky ligj.

Më 26 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese publikoi njoftimin për vendosjen e kushtetutshmërisë, me ç’rast shpalli ligjin në fjalë si pjesërisht kundërkushtetues.

Specifikisht, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ky ligj shkel Nenin 46 (Mbrojtja e Pronës), Nenin 24 (Barazia para Ligjit), Nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Nenin 4 (Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve) dhe Nenin 7 (Vlerat) të Kushtetutës së Kosovës.

Pra, ligji i propozuar nga Qeveria Kurti për pagat në sektorin publik përmban një mori shkeljesh flagrante. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese sqaroi se ky aktgjykim nuk prek kategoritë e zyrtarëve publikë të cilëve u është ngritur paga.

Shkeljet më serioze sipas Gjykatës Kushtetuese

Ligji për Paga në Sektorin Publik cenoi të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me konventa ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se paga është pjesë përbërëse e së drejtës në pronë, ulja drastike e pagës për disa kategori të zyrtarëve publikë dhe rritja për disa të tjerë, nuk ishte proporcionale, andaj pati shkelje të kësaj së drejte.

Aktgjykimi theksoi se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, jo vetëm që paraqet shkelje të së drejtës në pronë për këtë kategori, por shkakton edhe pasoja serioze në pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe prish ekuilibrin kushtetues të pushteteve (Gjyqësori, Legjislativi dhe Ekzekutivi).

Gjykata Kushtetuese, në vitin 2020, kishte shpallur kundërkushtetues në tërësinë e tij Ligjin paraprak të Pagave në Sektorin Publik, andaj edhe kishte vendosur disa parime, të cilat do të duhej të merreshin për bazë në hartimin e legjislacionit për paga.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës, njëherësh sponsorizues i këtij ligji, neglizhoi tërësisht standardet kushtetuese të vendosura në vitin 2020, andaj solli një ligj me elemente të shumta kundërkushtetuese.

Gjykata Kushtetuese rikujtoi faktin se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të zbriten përgjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç nëse zbritja është bërë për shkak të një krize kombëtare ekonomike të shpallur zyrtarisht.

Ligji i Pagave në Sektorin Publik ka shfuqizuar çdo dispozitë tjetër që rregullonte pagat në sferën publike, për pasojë edhe legjislacionin e pagave për institucionet e pavarura kushtetuese. Madje, ligji në fjalë i jep kompetencë vetëm ministrisë përgjegjëse (MPB) për të nxjerrë rregullore që konkretizojnë këtë ligj.

Një rregullim i tillë padyshim që është kundërkushtetues, duke pasur parasysh se institucionet e pavarura kushtetuese do të jenë të varura nga rregullimi i hartuar nga Qeveria, duke ua mohuar kështu institucioneve të pavarura kushtetuese të drejtën e garantuar që të operojnë financiarisht në mënyrë të pavarur.

Tutje, ligji në fjalë ka ndaluar edhe çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave, ndërsa çdo krijim i funksioneve apo pozitave të reja duhet të bëhet me miratimin e Qeverisë.

Rregullimi në këtë formë ka cenuar pavarësinë funksionale dhe organizative të brendshme të institucioneve të pavarura kushtetuese, duke sjellë ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor.

Në vazhdën e shkeljeve, karakteristikë është edhe pabarazia në punë, e cila u konstatua nga Gjykata Kushtetuese, sidomos te shërbimi i jashtëm dhe te zyrtarët që u punësuan pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Për zyrtarët publikë, të cilëve me ligjin e kontestuar u ishte ulur paga dhe të cilët këtë periudhë nuk afektoheshin nga ulja e pagës, parashihej një shtesë tranzitore prej 100% për vitin e parë, ndërsa për vitin e dytë parashihej një shtesë tranzitore prej 50%.

Në anën tjetër, të gjithë zyrtarët që filluan punën pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk gëzuan shtesë tranzitore, andaj për punën e njëjtë, punonjës të kategorisë së njëjtë, diskriminoheshin dhe nuk paguheshin në mënyrë të barabartë, duke shkelur parimin “pagë e barabartë për punë të barabartë”.

Pabarazi ende më e lartë vërehet në pagat e shërbimit të jashtëm, ku shtesa tranzitore nuk u gëzua asnjëherë, pavarësisht se ligji ua uli pagat, duke i diskriminuar kësisoj në raport me të gjithë zyrtarët e tjerë. Pra, zyrtarët nga shërbimi i jashtëm u afektuan nga ulja e pagave menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Cilat janë efektet e aktgjykimit?

Fillimisht, për zyrtarë të cilëve u është ulur paga me ligjin e ri, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e rikthen pagën e njëjtë paraprake, derisa kjo të bëhet e barasvlershme me pagën ekzistuese.

Në këtë drejtim, zyrtarët të cilët janë punësuar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të përfitojnë pagë më të lartë, sikurse kolegët e tyre që kanë qenë të punësuar para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke u bazuar në parimin “pagë e barabartë për punë të barabartë”.

Lidhur me uljen e shtesës për përvojën në punë nga 05% në 0.25, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo ulje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe, kësisoj, Kuvendi u urdhërua që brenda gjashtë muajve të bëjë plotësim/ndryshimet e nevojshme, ndërsa efekti i aktgjykimit për këtë pjesë shtrihet nga hyrja në fuqi e tij.

Ndërsa sa u përket dispozitave që cenuan pavarësinë funksionale, organizative dhe buxhetore të institucioneve të pavarura, Gjykata Kushtetuese ruajti pavarësinë e këtyre organeve, duke anuluar dispozitat që obligonin miratimin nga MPB-ja, me rastin e krijimit të funksioneve apo pozitave të reja. Andaj, Gjykata Kushtetuese nuk obligoi Kuvendin të bëjë ndonjë ndryshim lidhur me këtë çështje, por udhëzoi të veprohet konform gjetjeve të këtij aktgjykimi.

Ndryshe, të gjitha shkeljet e të drejtave individuale nuk do të mund të kompensohen për kohën e kaluar, për shkak të anulimit të dispozitave kundërkushtetuese, të cilat juridikisht konsiderohen që nuk kanë ekzistuar asnjëherë, gjithashtu edhe për faktin se Gjykata Kushtetuese ka paraparë që ky aktgjykim do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024 dhe do të prodhojë efekte juridike nga kjo datë.

Andaj, si rezultat i moshartimit profesional të ligjit, Qeveria Kurti neglizhoi standardet kushtetuese, duke diskriminuar zyrtarët publikë dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme financiare për ta.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.