Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Cikli ekonomik vicioz dhe e vetmja gjë që mund ta thyejë atë

Detyrë themelore e shkencës së ekonomisë është përpjekja për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë e shkakton varfërinë. Por çelësi kyç në dhënien e përgjigjes qëndron në riformulimin e vetë pyetjes. Çfarë, në të vërtetë, e shkakton pasurinë?

Pse ky riformulim? Sepse varfëria është gjendja fillestare në të cilën njerëzimi natyrshëm e gjen vetveten. Ajo nuk është e “shkaktuar” apo e “krijuar” nga asgjë. Ajo është thjesht mungesa e pasurisë, ashtu siç errësira dhe i ftohti nuk janë gjendje në vetvete por vetëm mungesa të dritës dhe nxehtësisë.

Duke e kuptuar këtë, prandaj, problemit i duhet qasur nga ana e kundërt për të zbërthyer faktorët që e mundësojnë pasurimin dhe rrjedhimisht eliminimin e varfërisë (në fjalët e Hajekut: “Para se ta kuptojmë pse gjërat shkojnë keq, duhet ta kuptojmë së pari si mund të shkojnë mbarë”).

Pasuria dhe përcaktimi i saj

Pasuria është tërësia e mallrave dhe shërbimeve që mund të konsumohen nga qytetarët e një vendi. Përcaktuesit e kësaj pasurie (përveçse në rastet e trashëgimit të saj) janë të ardhurat e individit, konkretisht, shpërblimi i tij ekonomik për punën. Këto të ardhura paraqiten në formë të fitimeve tek ndërmarrësit dhe në formë të pagës tek punëtorët.

Fitimet e ndërmarrësit përcaktohen nga aftësia e tij për të prodhuar produkte apo shërbime me kosto më të ulët të prodhimit sesa parasheh t’i shesë më vonë. Kostot e prodhimit përfshijnë çmimin e inputeve bazë, të shpenzimeve rrjedhëse si dhe të normës së interesit.

Tek rasti i punëtorëve, paga e tyre përcaktohet nga produkti margjinal i punës (gjithashtu zbritur për normë të interesit sepse punëtorët paguhen para se produkti i punës së tyre të shitet). Afërsisht, paga e tyre është vlera monetare që puna e tyre ia shton të ardhurave të biznesit për të cilin punojnë.

Edhe pse teknikisht ka dallime në mes të përcaktimit të fitimeve dhe të pagave, elementi kyç në përcaktimin e të dyjave është prodhimtaria. Prodhimtaria është thjesht rendimenti apo shkalla e prodhimit për një sasi të caktuar kohe.

Ky rendiment pastaj përcaktohet nga dy faktorë tjerë të rëndësishëm: kapitali njerëzor dhe kapitali fizik. Kapitali njerëzor është tërësia e diturisë, e trajnimit, e përvojës, e njohurisë profesionale dhe menaxheriale të punës. Kurse kapitali fizik është tërësia e makinerive, pajisjeve, mjeteve të punës.

Sa më të avancuara, të sofistikuara të jenë këto dyja, aq më i madh do të jetë rendimenti i ndërmarrësve e i punëtorëve, dhe rrjedhimisht aq më të mëdha do të jenë fitimet dhe pagat e tyre.

Image

Kapitali njerëzor e shpjegon, për shembull, pse njerëzit më të edukuar kanë kryesisht të ardhura më të larta, kurse kapitali fizik e shpjegon pse i njëjti punëtor merr pagë më të lartë në një shtet me kapital fizik më të zhvilluar.

Në përgjithësi, pra, pasurinë e një vendi e përcakton në formë zinxhirore stoku (tërësia) i kapitalit njerëzor dhe fizik. Vendet e varfra, kësisoj, janë në fakt vende ku niveli i kapitali njerëzor dhe atij fizik është shumë i ulët.

Cikli ekonomik vicioz

Nga kjo mund të logjikohet që për t’i rritur të ardhurat e qytetarëve të një vendi duhet patjetër të rritet kapitali njerëzor dhe ai fizik. Ai njerëzor rritet nga edukimi cilësor, i cili mbi të gjitha i bashkon përvojën teorike me atë praktike për të zhvilluar shkathtësitë që i duhen industrive tek fuqia punëtore.

Kurse kapitali fizik rritet vetëm nga kursimet (abstenimi nga konsumi). Atë që një individ e kursen duhet ta investojë diku, dhe ky kursim shërben si mbështetje për të nisur projekte të reja prodhimi që e rrisin stokun e kapitalit fizik.

Rritja e të dyjave paraqet sfidë tepër të madhe për vendet e pazhvilluara dhe kjo na sjell tek cikli vicioz ekonomik. Për ta rritur kapitalin njerëzor duhet ndërtimi i një sistemi edukativ të suksesshëm. Por në vendet e varfra mungon edhe buxheti edhe kuadro për ta bërë këtë.

Kurse për ta rritur kapitalin fizik është edhe më e vështirë, sepse vendet e varfra janë në pozitë më të vështirë për të kursyer për shkak të ardhurave të ulëta. Çdo kursim nënkupton abstenimin nga konsumi i gjërave më elementare. Për shembull, një zviceran që ka pagë të lartë është në gjendje më të favorshme për të kursyer sepse ai i mbulon shpenzimet elementare me një përqindje me të vogël të pagës së tij, kurse një kosovar nuk mund t’i mbulojë as me të gjithë pagën e tij.Image

Kjo nënkupton që vendet e varfra ndodhen para një cikli vicioz në të cilin janë të varfra për shkak te mungesës së kapitalit njerëzor dhe fizik, si dhe për shkak se janë të varfra nuk mund t’i rrisin ato. Ky cikël ia pamundëson pasurimin “nga brenda” edhe pse ato mund të tregojnë përmirësime në krahasim me periudhat e mëhershme.

Thyerja e ciklit

E vetmja gjë që mund ta thyejë këtë cikël vicioz janë… investimet e huaja direkte. IHD-të janë investime që sjellin drejtpërdrejt nga jashtë kapitalin njerëzor dhe fizik, përkatësisht nga vendet e zhvilluara të cilat veçse e kanë krijuar. Ky investim i huaj bëhet në këmbim të përfitimit nga fuqia e lirë punëtore, kapja e tregjeve të reja, ambienti i favorshëm i biznesit, etj.

IHD-të në formë infuzioni e thyejnë ciklin vicioz duke tejkaluar krejtësisht hapin e ndërtimit të sistemit cilësor edukativ dhe atë të kursimeve. Jo se këto bëhen të panevojshme, por se nuk janë më parakushte të patejkalueshme për ndërtimin e stokut njerëzor dhe fizik të kapitalit në vend.

Image

IHD-të nënkuptojnë hapjen e degëve dhe të fabrikave për bizneset multinacionale dhe sjelljen e njohurisë profesionale, ekspertizës menaxheriale dhe vetë mjeteve fizike të prodhimit. Ato nënkuptojnë hapjen e qindra-mijëra vendeve të reja të punës dhe ngjalljen e aktivitetit ekonomik.

Mises i quajti IHD-të si gjënë më të rëndësishme të shekullit 19-të pasi ato mundësuan daljen nga varfëria të shumë vendeve. Asnjë vend që është zhvilluar nuk ka mundur ta bëjë atë pa hapjen ndaj botës dhe tërheqjen e këtyre investimeve.

Por për t’i tërhequr ato duhet një ambient i favorshëm i biznesit i cili i plotëson disa kushte bazë. Këto kushte përfshijnë stabilitetin politik, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, zbatimin efikas të marrëveshjeve nga gjykatat, njohjen dhe mbrojtjen e pronës private, efikasitetin e administratës shtetërore, barrë të ulët rregullative dhe fiskale, liri tregtare e kështu me radhë.

Vetëm pasi të bëhen reforma të tilla mund të fillohet me një projekt të tërheqjes së IHD-ve, i cili duhet të shoqërohet gjithashtu me një fushatë ndërkombëtare vetëdijësuese për përparësitë krahasuese të vendit dhe mundësitë konkrete për investime.

Pa e njohur rëndësinë jetike të IHD-ve, vendet e varfra si Kosova më kot do të përpiqen të dalin nga varfëria, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë asnjëherë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.