Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Cilat mund të jenë disa nga alternativat në kushtet kur Integrimi Evropian është bllokuar?

Vendimi për të mos hapur negociatat me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe rezistenca që po shtohet brenda Bashkimit Evropian kundrejt zgjerimit, ndezi një debat publik që u kufizua vetëm tek përgjegjësia e nuk trajtoi hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë në këtë situatë. Kuptohet që përgjegjësia është e dyanshme, nga njëra anë është arroganca arbitrare e Makronit dhe nga ana tjetër është përgjegjësia e vendeve tona të cilat janë vonuar në procese që mund të ishin kryer më shpejt në të kaluarën. Mirëpo tema e diskutuar ngeli më shumë në nivelin e vajtimit e ankesës dhe nuk nxiti debate lidhur me veprimet që duhet të ndermerren nga vendet tona në kushtet kur Brukseli nuk po iu përmbahet angazhimeve të marra përsipër dhe po e zvarrit procesin e integrimit.

Përkundrejt bllokimit të zgjerimit, ne duhet të dalim nga gjendja e disfatizmit dhe të përpiqemi që të shqyrtojmë alternativa apo ndërmarrim veprime të tjera në arenën ndërkombëtare për të përmbushur interesat shtetërorë. Kështu në rastin e Kosovës,  për të kundërpeshuar deri diku qëndrimin e ngurtë të Makronit dhe liderëve të tjerë që po bllokojnë liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian, ka ardhur koha që të kërkohet së paku diçka tjetër në këmbim. Pra tashmë Kosova është në një pozicion moral për të kërkuar një lloj kompensimi nga aleatët kryesorë të cilët në njëfarë mënyrë kanë qenë dorëzanë të proceseve. Të qenit pezull për shtetndërtimin e Kosovës dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar paraqet një rrezik të madh, gati-gati të ngjashëm me atë të biçikletës e cila qëndron në këmbë vetëm kur është në lëvizje. Për këtë arsye është e nevojshme që Kosova të angazhohet në mënyrë ambicioze tanimë që ka një epërsi morale ndaj aleatëve, që të kërkojë së paku mbështetje për një avancim në disa nisma të tjera multilaterale.

Pikësëpari me rëndësi të madhe është padyshim Këshilli i Evropës, dhe nëse partnerët tanë perëndimorë do të kishin vullnetin e duhur, ky anëtarësim do të ishte i mundur sepse tashmë Kosova është pjesë e dy institucioneve të varësisë të kësaj organizate pra e Bankës së Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias. Kjo organizatë ka rëndësi shumë të madhe për qytetarët kosovarë sidomos për sa i përket sundimit të ligjit, sepse u siguron një mbrojtje ekstra në Strasburg nga shkeljet e të drejtave të tyre. Do ta ndihmonte shumë edhe shtetin e Kosovës sepse do ta fuste në bashkëpunim me shumë vende anëtare mosnjohëse të Evropës Lindore e Azisë Qendrore që janë në zonën ruse të influencës.

Duke qenë se perspektiva e hyrjes në BE po duket shumë e largët dhe e zbehtë, një zgjidhje alternativë do të mund të ishte anëtarësimi në Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (European Free Trade Association EFTA) ku sot bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Këto dy të fundit që janë shtetet kryesore, njihen edhe për marrëdhënien e ngushtë me Kosovën dhe praninë e madhe të diasporës sonë. Nëpërmjet anëtarësimit në EFTA Kosova mund të hyjë tek Zona Ekonomike Evropiane (EEA) e cila mundëson qasjen e plotë të tregut të përbashkët të BE-së anëtarëve të EFTA-s. Pra nëpërmjet EFTA-s Kosova mund të bëjë të mundur mundur lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit brenda tregut të vetëm evropian. Pra në njëfarë mënyre siguron përfitimet ekonomike të të qenit në një treg ekonomik por nuk ka ndikimin në vendimmarrjen në Bruksel. Kjo gjë e fundit nuk është ndonjë gjë e madhe se ashtu kështu kur të bëhet anëtare, pesha specifike e Kosovës në vendimmarrjen evropiane ka për të qenë shumë e vogël. Një vend i BE-së me popullsi të ngjashme me Kosovën është Letonia me 1.9 milionë banorë, e cila ka vetëm 8 deputetë në Parlamentin Evropian me 751 anëtarë. Një alternativë e tillë mund të ishte e volitshme edhe për Republikën e Shqipërisë.

Moshapjen e negociatave me BE-në, veri-maqedonasit po kompensojnë me finalizimin e anëtarësimit në NATO në pranverën e ardhshme, dhe këtu duhet gjithashtu që Kosova të marrë diçka të ngjashme. Përderisa ka një MSA mes Kosovës dhe BE-së në kushtet ku aty janë pesë anëtarë që nuk e njohin Kosovën, një marrëveshje kontraktuale do duhej që Kosovës t’i jepej edhe me NATO-n ku ka katër vende që mosnjohëse. Prandaj do të ishte e arsyeshme që për të zbutur sadopak lëndimin e ndjesisë së braktisjes nga Perëndimi, të kërkohej nga vendet partnere që të nisnin procesin e dialogut politik diplomatik për hapat e parë kontraktuale që do ta bënin Kosovën pjesë të Partneritetit për Paqe me NATO-n duke pasur ndër mend një platformë të qartë të procesit të anëtarësimit në këtë aleancë.

Një ndër pengjet më të mëdha dhe padyshim zhgënjimet më të mëdha me projektin evropian, dhe forcat liberale që e kanë shtyrë përpara ka qenë mos-heqja e vizave Shengen. Fakti që janë liberalizuar për Shengenin vende si Moldavia, Gjeorgjia e Ukraina nuk i janë liberalizuar Kosovës dëshmon qartë se këtu bëhet fjalë për standarde të dyfishta. Në këtë rast do të ishte e volitshme që derisa të hiqen vizat Shengen, së paku të lobohet me disa vende dashamirëse të BE-së që të japin viza sa më afat-gjata dhe me minimumin e kostove e kërkesave sidomos për kategori si akademikë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, studentë, sportistë, artistë, sipërmarrës, klerikë  e politikanë. Këto segmente të shoqërisë janë më nevojtarët për udhëtime të shpeshta në perëndim dhe përbëjnë edhe opinionbërësit kryesorë në vend. Prandaj lehtësimi për ta i marrjes së vizave nga ambasada si ajo e Gjermanisë dhe Zvicrës që japin më së shumti viza në Kosovë, në njëfarë mënyre do të ulte sensin e pesimizmit dhe indinjatës në popull. Idealja do të ishte që për personalitetet kryesore të këtyre segmenteve, që duhet të jenë diku tek 3-4 mijë veta, të jepeshin pasaporta të Shqipërisë në mënyrë që këtyre njerëzve t’u jepej mundësia që të udhëtojnë, krijojnë bashkëpunim dhe promovojnë interesat dhe imazhin e Kosovës edhe në vende që nuk e njohin Kosovën dhe dokumentet kosovarë të udhëtimeve.

Një tjetër aspekt i reagimit të Kosovës por edhe Shqipërisë e Maqedonisë Veriore në kushtet kur anëtarësimi në BE po largohet, është kompensimi me forcimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet kryesore partnere brenda Bashkimit Evropian. Pra në rastin e Kosovës do duhej të shtoheshin nismat për forcimin e raporteve ekonomike të tipit marrëveshje për heqjen e taksimit të dyfishtë; marrëveshje për nxitje e mbrojtje të investimeve reciproke apo për punësim me Gjermaninë e Slloveninë si partnere kryesore ekonomike. Njëjtë edhe Shqipëria do duhej që mosfutjen në BE ta kompensonte me intensifikimin të marrëveshjeve bilaterale me Italinë e Greqinë si partnere kryesore. Shtetet tona të lëna pas dore në procesin e integrimit do të duhej që të rendnin për të siguruar marrëveshje të tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar menjëherë pas ekzekutimit të Brexit-it. Po ashtu me rëndësi është forcimi i marrëdhënieve bilaterale me vende të rajonit gjithashtu sidomos me ata që janë në kufi dhe me ato shtete të orientuara drejt perëndimit si Kroacia, Bullgaria e Hungaria.

Duhet theksuar se në një situatë të tillë të venitjes së perspektivës evropiane, forcimi i marrëdhënies me Shqipërinë merr një rëndësi veçanërisht të madhe për Kosovën. Në këtë aspekt bilateral ngelet ende shumë për të bërë përtej retorikës romantike patriotike të mbledhjeve të deritanishme të dy qeverive. Këtu nuk ka nevojë të shpiket rrota. Mjafton të shikohen modele ekzistuese të bashkëpunimit intensiv ndërshtetëror si Beneluksi, Këshilli Nordik, Asambleja Balltike apo praktikat e ishullit të përbashkët mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. E rëndësishme është që nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, Kosova të sigurojë ato interesa shtetërorë që ende nuk i siguron dot si pasojë e mosnjohjes së plotë ndërkombëtare.

Një tjetër element qe duhet patur parasysh është edhe nevoja e një perspektive më të gjerë  në politikën e jashtme të Kosovës duke synuar ndërlidhjen me të tjera rajone të globit. Kështu për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të sajin do të ishte e arsyeshme që Kosova të përpiqej të anëtarësohej në Komonuelth duke siguruar lidhje edhe me në vende të shumta të kontinentit afrikan. Kjo organizatë ka si prioritet  promovimin e demokracisë, paqes dhe zhvillimit të vendeve anëtare dhe pranon edhe vende që nuk kanë qenë koloni britanike, sikurse ka ndodhur me Ruandën dhe Mozambikun. Po ashtu do të ishte me leverdi që të sigurohej edhe statusi i vendit vëzhgues në organizata ndërshtetërore me peshë në rritje si OAS, OIC apo Liga Arabe.

Kuptohet që të gjitha këto duhen bërë paralelisht me përpjekjet tona për të ndryshuar imazhin e shteteve shqiptare në sytë e Brukselit duke ndërmarrë reforma serioze të brendshme dhe duke i dhënë fund atyre problemeve që na kanë damkosur. Pra kërkimi i alternativave në politikën e jashtme nuk do të thotë që të heqim dorë nga integrimi evropian, por thjesht që të riparojmë dëmet e vonesës dhe që të kemi një plan B në rastin më të keq kur porta e hyrjes në BE mbahet mbyllur për ne. Ndryshimi i situatës në Bruksel duhet që të na vetëdijësojë për t’u treguar kreativ dhe zhbirues për të gjetur hapësira e rrugë të reja për të përmbushur interesat shtetërorë e kombëtarë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.