Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dallimet në mes shkollave rurale dhe urbane: Rasti i Kamenicës (I)

Ilustrimi nga: BigEye

Në vitin 2015 Kosova pati vendosur të marrë pjesë në PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve) për herë të parë. Rezultati i testit zbuloi se nxënësit që i ishin nënshtruar testit nuk arritën të përmbushnin kriteret që OECD parashtron për të vlerësuar aftësitë e nxënësve në shkencë, lexim dhe matematikë. Grupi i Bankës Botërore kishte publikuar një dokument pothuajse menjëherë në lidhje me performancën e Kosovës në PISA 2015, duke pohuar se kjo e fundit është gati katër vjet prapa në shkollë krahasuar me mesataren e OECD. 

[1] Për më tepër, ekziston një dallim midis atyre që ndjekin mësimin në zonat rurale dhe urbane, gjë që do të jetë fokusi i këtij shkrimi. I njëjti dokument ka nxjerrë në pah edhe diçka tjetër: se fëmijët që vijojnë mësimet në zonat rurale, mbeten prapa pothuajse një vit në krahasim me ata që vijojnë mësimet në zonat urbane. [2] Ndërsa kjo mendohej të ishte e vërtetë përpara se të merrej pjesë zyrtarisht në PISA, fatkeqësisht u bë një realitet i provuar empirikisht.

Kjo seri e shkrimeve do të përpiqet të kuptojë arsyet që shkaktojnë dallimet ndërmjet shkollave rurale dhe urbane në Kosovë dhe pse ato kanë mbetur kaq prapa. Specifikisht do të shqyrtohet një komunë në Kosovë, Kamenica. Arsyeja pse Kamenica do të jetë në fokus janë pikërisht të dhënat që disponohen për secilën shkollë në komunën e lartpërmendur, të cilat ofrojnë një bazë të mjaftueshme për të parë më në detaje sfondin e këtij hendeku. Të dhënat janë mbledhur si rezultat i një reforme për riorganizimin e shkollave fillore (që si rezultat kanë mbylljen e një numri të konsiderueshëm të shkollave) në Kamenicë e cila ka filluar në vitin 2019. Kjo reformë erdhi si rezultat i shumë faktorëve të ndryshëm: migrimi masiv (duke lënë një numër shkollash të largëta me vetëm një nxënës), sasia e tepërt e ndërtesave shkollore për kokë banori, mungesa e cilësisë dhe kualifikimeve të mësimdhënësve dhe mungesa e mjeteve adekuate infrastrukturore dhe financiare për të bërë investime kapitale në shkolla etj. [3]

Traditat e ndryshme sociologjike që do të përdoren përgjatë këtyre shkrimeve do të ndihmojnë për të kuptuar këtë fenomen në mënyra të ndryshme. Duke shqyrtuar marrëdhëniet mes komunitetit dhe shkollës në zonat rurale, si dhe duke e inspektuar këtë fenomen nga një kënd më të gjerë social dhe ekonomik. Kërkimi sociologjik në lidhje me këtë fenomen na detyron të thellohemi në të dhëna të cilat mund të na japin përgjigje të ndryshme si arsyeja e migrimit që mund të shpjegojë arsyen e numrit të vogël të nxënësve, pra, duke zvogëluar investimet; megjithatë kjo nuk nuk na jep arsyen e vërtetë mbi dallimet rurale-urbane në arsim.

Bowles dhe Gintis: Materializmi historik

 Në veprën e tyre të rëndësishme “Schooling in Capitalist America”, Bowles dhe Gintis marrin përsipër qasjen e Marksit, përkatësisht metodën e tij të materializmit historik për të shqyrtuar origjinën e sistemit arsimor që njohim sot, duke inspektuar zhvillimin e sistemit arsimor përkatësisht në SHBA. Bowles dhe Gintis, veprën e tyre e bazojnë në një qasje marksiste, ndërsa vetë Marksi nuk shkroi kurrë ekskluzivisht për arsimin, dhe se si kjo do të lidhej me rendin e përgjithshëm ekonomik dhe social, ku metoda e tij dialektike ka ofruar mjetet për të shqyrtuar sistemet arsimore.

Për t’u kthyer te autorët  dhe shpjegimet të tyre mbi mënyrën se si është konstruktuar sistemi arsimor në SHBA dhe pabarazia që ai prodhon, ka shumë faktorë që duhet të  merren parasysh. Për të kuptuar pse arsimi është në gjendjen që është aktualisht duhet të shqyrtohet origjina e sistemit arsimor dhe qëllimi i tij fillestar. Ata shpjegojnë shfaqjen e sistemit të ri arsimor në një vijë simetrike me industrializimin, hapjen e fabrikave dhe të nevojën për një fuqi të re punëtore. Kjo përfshinte gjithashtu një nevojë të pashembullt për punëtorë të arsimuar “mirë”.

Sistemi arsimor i atëhershëm nuk synonte vetëm t’i pajiste nxënësit me dije, por në të njëjtën kohë të nguliste një sërë principesh e vlerash morale. Gradualisht, masivizimi i sistemit arsimor në vendet ku kishte filluar industrializimi (shembulli i Massachusetts), [4] duke u zgjeruar në vende të tjera, kishte ndryshuar natyrën e sistemit arsimor: orë të zgjatura në klasë dhe vite më të gjata akademike. Bowles dhe Gintis janë të besimit që shkolla ishte kthyer në një arenë ku sistemi kapitalist riprodhohej duke kryer dy funksione; atë të transferimit të njohurive dhe aftësive (që i përgjigjen sistemit aktual socio-ekonomik) dhe rrënjosjes së disa vlerave, të cilat poashtu i përgjigjen po atij rendi. [5]

Shkurt, shkolla përgatitë njerëzit për punën e tyre të ardhshme. Sipas dy autorëve, për shkak të masivizimit të sistemit arsimor dhe inflacionit të kredencialeve që është fenomen i kohëve të fundit, u hap rruga për një valë tjetër të teorisë liberale. Kjo teori bazohej në idenë se shkolla duhet të përpiqet të jetë një institucion që siguron barazi për të gjithë ku të gjithë ata që hyjnë duhet ta kenë të njëjtën pikënisje. Gjithashtu mendohej se në një realitet të tregut të lirë, investimi në sistemin arsimor do të mundësonte progres shoqëror për të gjithë. [6] Por, autorët shtojnë se ndryshimi i sistemit arsimor pa ndryshuar strukturën ekonomike nuk do të reduktojë pabarazinë brenda sistemit arsimor. Kjo ide se demokratizimi i sistemit arsimor, i cili mundëson ‘përfshirjen’ [inkluzivitetin] përfundimisht do të përkthehej në sukses ekonomik, ka dalë i pavërtete: “Sistemi shkollor ka qenë gjithnjë e më i paaftë për të mbështetur mitin e mundësive të barabarta dhe zhvillimit të plotë personal.” [7]

Në vazhdën e kësaj, vitet e 60-ta karakterizohen edhe me rikthimin e IQ-izmit si përcaktues të suksesit. Kjo përfshinte ndarjen mes atyre që kanë talent (sukses ekonomik i garantuar) dhe atyre që nuk kanë, e rrjedhimisht do të dështonin ekonomikisht në të ardhmen. Kjo paraqiste një tjetër justifikim për varfërinë bazuar në kompetencat intelektuale. [8] Përveç kësaj, aktualizimi i sistemit arsimor ‘teknokratik-meritokratik’ dukej se mbështeti sërish idenë se aftësitë ‘mendore’ të dikujt duhej të vlerësoheshin në mënyrë që të kualifikoheshin për të qenë të suksesshëm ekonomikisht.[9]

Për t’u kthyer te tema qendrore, hendeku midis shkollave rurale dhe asaj urbane mund të argumentohet përmes zhvillimit të pabarabartë të kapitalizmit dhe se si ka krijuar tregje qendrore të cilat zakonisht përqendrohen në mjediset urbane dhe jo në ato rurale. Duhet thënë se kjo nuk mund të shqyrtohet plotësisht vetëm duke marrë parasysh rastin e Kamenicës në kontekstin e Kosovës, duke qenë se zhvendosja e popullsisë nuk ndodh vetëm nga fshati në qytet. Aspekti tjetër që duhet të shqyrtohet është migrimi nga Kosova drejt perëndimit, që mund të shpjegohet përmes po të njëjtit argument.

[10] Shfaqja e një industrie të përparuar dhe zhdukja e punëtorëve ruralë dikur të vetë-mjaftueshëm, i kanë detyruar njerëzit të lënë fshatrat dhe qytetet e tyre për t’u bashkuar me tregun. Ky fenomen ka bërë që shkollat të harrohen dhe të mos shihen si prioritet për shkak të distancës gjeografike nga mjedisi urban, i cili tashmë është qendra e prodhimit. Dhe ata që janë prekur nga kjo, të cilët vazhdojnë të jetojnë në varfëri në fshatra e qyteza, mund të mos shohin arsye për të apeluar për arsimim më të barabartë, pasi ideja e tyre për arsimin si një mjet për një jetë më të mirë mund të ketë ndryshuar në tërësi.

Shpjegimi i zhvillimit të sistemit arsimor përmes traditës marksiste të zhvillimit të kapitalizmit mund të na ndihmojë të kuptojmë sesi zona rurale e ka humbur rëndësinë e saj që dikur kishte, por nga ana tjetër, ndërkohë që gjithçka po ndryshon, arsimi mbetet një fushë shoqërore me më së paku transformime substanciale, i cili më tutje, shërben si hapësirë për përfitime politike dhe ekonomike në Kosovë, dhe ku akterët politik nuk kanë punuar për plotësimin e nevojave në zonat rurale. Ideja që arsimi duhet të jetë i barabartë dhe i hapur për të gjithë, ndërkohë që në realitet nuk është aspak ashtu sipas Bowles dhe Gintis, mund të sqarojë rënien e cilësisë së arsimit në zona rurale.

Disa mënyra për ta shpjeguar këtë janë duke parë politikat që zbaton qeveria dhe të mirat financiare që vendos të shpenzojë në shkollat rurale. Mungesa e mësuesve të kualifikuar dhe infrastruktura joadekuate tregon se ka një shpërndarje të pabarabartë të burimeve njerëzore dhe financiare. Kjo shpërndarje e pabarabartë e të mirave financiare mes shkollave rurale dhe urbane, mund të rrjedhë nga ideja se ata që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta duhet ta ‘dëshmojnë’ për ta merituar atë shpërndarje të barabartë, përndryshe shihet si shpenzim i panevojshëm.

Megjithatë, ndërsa kjo traditë mund t’i përgjigjet disa prej pyetjeve të bëra; ne shohim se të përgjatë veprës së Bowles dhe Gintis, ekziston një kufi i ndryshimeve të mundshme në kuadër të sistemit arsimor pa ndryshuar strukturën e përgjithshme ekonomike, kjo vlen edhe për për mundësinë e reduktimit të hendekut ndërmjet shkollave rurale dhe urbane.

 Talcott Parsons: Funksioni i Arsimit

Në esenë “The School Class as a Social System”, Parsons na jep një skicë të strukturës së shkollës dhe funksionin që duhet ta përmbushë. Sipas Parsons, shoqëria përbëhet nga një grup institucionesh shoqërore që ndërveprojnë me njëra-tjetrin në mënyrë që shoqëria në përgjithësi të funksionojë. [11] Në këtë kuptim, shkolla nuk funksionon vetëm si një institucion që transferon njohuri dhe që bën kultivimin e aftësive nga mësuesi te nxënësi (që është synimi i manifestuar i shkollës). Ajo gjithashtu ka një aspekt latent të lidhur me të, që është të rrënjos vlera shoqërore. Një funksion tjetër i rëndësishëm i sistemit arsimor është edhe shpërndarja e roleve të qytetarëve në shoqëri.

[12] Prandaj, njeriu mëson të performojë edhe si qytetar përveç përvetësimit të aftësive specifike. Mbi të gjitha, ajo që sigurisht duhet përmendur, që është hapi fillestar për funksionimin e mirë të shkollës, është se të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta dhe pikënisje të njëjtë në sistemin arsimor. [13] Ndryshe nga tjerë autorë, të cilët nuk japin një manual se si duhet të organizohet shoqëria, por më tepër e organizojnë metodologjinë përmes veprave të tyre, Parsons nuk parashtron vetëm metodën e tij me të cilën ne mund të shqyrtojmë probleme të ndryshme sociale, në shumë forma ai na paraqet një model të cilin arsimi duhet ta ndjekë për të përmbushur funksionin e tij brenda një rendi shoqëror.

Parsons flet për katër funksionet kryesore të sistemit arsimor. Kjo mund të përshkruhet si një lloj përmbledhjeje e asaj që trajtohet më gjerësisht përgjatë esesë së tij; e para është emancipimi fillestar i fëmijës nga familja dhe pjesëmarrja në një sistem të pavarur nga mjedisi prindëror. Edhe pse kjo pavarësi, sipas Parsons, nuk do të thotë që fëmija nuk e gjen fare figurën e prindit brenda klasës së shkollës, në fakt ai shpjegon sesi mësimdhënësi shërben si zgjatim i nënës (ndonëse kjo ka problemet e veta). Kështu, duke përmbushur nevojën emocionale dhe duke qenë autoritet i dijes brenda klasës. Parsons argumenton në kushtin e dytë se mësuesi në këtë rol është më i interesuar për nivelin e arritjeve sesa për plotësimin e nevojave emocionale që mund të ketë nxënësi.

Ai shpjegon gjithashtu se si përbrendësimi i vlerave universale nuk do të ishte i mundur nëse një mësues i vetëm do të shoqëronte një fëmijë gjatë gjithë shkollimit të tij, duke nënkuptuar se nëna e pandryshueshme kundrejt mësueses që ndryshon, ndihmon në përparimin e nxënësit brenda sistemit shkollor dhe mundëson riorganizimin e sistemit të personalitetit të nxënësit – duke kuptuar se ajo që duhet të përbrendësohet është në fakt roli i mësueses dhe jo personaliteti i saj (që mund të pasqyrojë atë të prindit). Kushti i tretë kërkon që të zgjerohet roli i mësuesit si agjent i njohurive. Kjo nënkupton se mësuesi do të bëhet përzgjedhës dhe vlerësuesi i dijes që është marr, duke na sjellur tek kushti i fundit i Parsons i cili sipas tij është “një përzgjedhje dhe shpërndarje të burimeve njerëzore në lidhje me sistemin e roleve të të rriturve”. [14]

Një argument i bazuar në metodën Parsons është se nëse shkolla nuk është institucioni përmes të cilit fëmija i nënshtrohet diferencimit fillestar nga familja, atëherë mund të themi se një funksion elementar nuk përmbushet brenda shkollave në Kamenicë. Ka raste në këtë komunë ku kemi të bëjmë me një numër shumë të vogël të nxënësve për klasë, ndonjëherë me një ose dy nxënës brenda një klase. Marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësit paraqet një problem tjetër për shkak se mësuesit që japin mësim në një fshat të caktuar janë zakonisht banorë të atij fshati, për më tepër janë shpeshherë familjarë të atyrë fëmijëve.

Një argument tjetër lidhet me kushtin e dytë të paraqitur nga Parsons, që është mësuesi si një agjent që mundëson përbrendësimin e vlerave universale nëpërmjet ndërkëmbyeshmërisë dhe njëkohësisht ua bën të mundurnxënësve të kuptojnë përtej rolit identik të pandryshueshëm të nënës, i cili mund të jetë shpjegohet përmes  mungesa e stafit të kualifikuar brenda një komuniteti të caktuar, gjë që detyron një mësues të japë lëndë të shumta në të njëjtën kohë (që është një problem tjetër strukturor që nuk do ta shqyrtojmë në detaje). Kjo e bën të pamundur që fëmija të jetë plotësisht i pavarur nga mjedisi i tij primar familjar. Kjo lidhet edhe me faktin se diferencimi midis përzgjedhjes dhe vlerësimit të studentit bëhet i pamundur në një mjedis të tillë ku mungojnë dy agjentët kryesorë që përbëjnë këtë ndërvarësi, përkatësisht nxënësit dhe mësuesit.

Së fundmi, ajo që është shumë e rëndësishme të merret në konsideratë është pikënisja e studentëve, e cila sipas Parsons është thelbësore, siç u përmend më lart, që çdo student të ketë të njëjtën pikënisje. Nëse e marrim këtë si një pikë për të cilën mund të argumentojmë, kjo sigurisht që ndërthur shumë faktorë që shtrihen jashtë sistemit arsimor, por, nëse krahasojmë shkollat rurale dhe urbane në qytetin e Kamenicës, shohim se ka mospërputhje të madhe në terma të rrethanave të pabarabarta ekonomike me të cilat përballen nxënësit.

[1] “Kosovo PISA 2015″. in , 2015, [accessed 20 November 2021].

[2] Ibid.

[3] “Raport mbi Riorganizimin e Shkollave Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Komunën e Kamenicës”. 2019, [accessed 22 November 2021]., p. 19

[4] S Bowles & H Gintis, Schooling in Capitalist America: Educational Reform and the Contradictions of Economic Life, Haymarket Books, Chicago, 2011. p. 155  

[5] Ibid. pp. 11-12

[6] Ibid. p. 5

[7] Ibid. p. 4

[8] Ibid. p. 6

[9] Ibid. pp. 23, 47

[10] Ibid. p. 64

[11] Dillon, M, Introduction to Sociological Theory: Theorists, Concepts, and their Applicability to the Twenty-First Century. John Wiley & Sons, Ltd, 2014. p. 183

[12] Parsons, T, Social Structure and Personality. London, The Free Press, 1970. p. 130.

[13] Ibid. p. 144

[14] Ibid. p. 143

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.