Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Derë e huaj

Foto nga Pixabay.

Të konsiderojnë si “derë të huaj” dhe “rob të shpisë”, pra të perceptojnë si diçka që bartet nga një familje (ajo e lindjes) në një familje tjetër (ajo e burrit). Pa marrë parasysh a pajtohemi a jo, ky është akoma realitet në Kosovë. Femra është pjesë e familjes, që udhëhiqet nga kryefamiljari, pra gjyshi, babai, vëllai, burri apo vjehrri dhe asaj i caktohet roli i mbesës, vajzës, motrës, gruas dhe nuses. Femrat mbesin larg trajtimit të barabartë në familje, në treg të punës në përfaqësim politik e në vendimmarrje.

Në Kosovën tonë me ligje të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, me zyra për barazi gjinore në çdo Komunë, me numër enorm të madh të OJQ-ve, me një sistem arsimor që promovon antivlera dhe
avancon gjysmanalfabetët kemi ndërtuar fasadën perfekte moderne që të shtiremi se jemi ajo shoqëri që nuk jemi. Sepse në thelb, prapa fasadës shtirëse, jemi kryesisht shoqëria partiarkale me botëkuptime të ngurta të ndërtuara mbi të drejtën zakonore, shoqëri që akoma toleron dhunën në familje, shoqëri që akoma i bën presion gruas me i lindë katër-pesë vajza derisa ta sjellë në jetë një
djalë, shoqëri që hyn borxh 5 000 euro për me kremtu një syneti, shoqëri që në vend se me investu në shkollim të fëmijëve merr kredi për dasmën e djalit.

Andaj nuk është shumë çudi që në kokat e shumicës është ende i rrënjosur perceptimi që vajza nuk duhet të trashëgojë. Sepse të jesh “derë e huaj” e “rob i shpisë” do të thotë të mos të jepet mundësia të jesh titullar i të drejtave pronësore, të kesh pronë tënden. Sikur të kishin femrat patundshmëri të veten, ta gëzonin një stabilitet financiar, ato do të mund të pavarësoheshin, nuk do të ishin të varura financiarisht nga strukturat patriarkale të familjes, e pastaj sistemi patriarkal do të shembej. E kush do ta donte një gjë të tillë në një shoqëri patriarkale? Prandaj, femra mbetet “derë e huaj”, këtë më së miri e ilustron hulumtimi i bërë në vitin 2015 nga programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore, nga i cili del se vetëm 3,8 % të femrave në Kosovë trashëgojnë nga familja e tyre e lindjes!

Ligjet në fuqi nuk e diskriminojnë aspak femrën nga trashëgimia. Ajo me ligj konsiderohet si e barabartë. Kjo është teoria. Mirëpo, nëse bazohemi në hulumtimet e bëra, statistikat ekzistuese  dhe atë se çfarë ndodh përditë në rrethin ku jetojmë e kuptojmë që në praktikë femrat nuk janë subjekt i së drejtës në trashëgimi në Kosovë, por meshkujt.

Në shumicën dërmuese të rasteve femrat deklarohen para gjykatës që me vetëdëshirë heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar. Sa e sinqertë është dëshira e heqjes dorë nga pjesa e pasurisë që u takon? Sikur të mos ishte vula e turpit që do t’u digjej në lëkurë.

Si këmbim për heqjen dorë nga pjesa që u takon, femrave u ofrohet „e drejta“ e kthimit të mundshëm në çdo kohë në shtëpi të vëllezërve, marrin premtimin për siguri. Po të insistonin ndryshe, rrethi e shoqëria do t‘i damkoste që kanë ndarë familjen e që u kanë marrë vëllezërve diçka që u takon
atyre. Atyre nuk do t’u lejohej as që ta vizitonin më familjen e lindjes. E në rrethin tonë, ku shumica jeton për atë se çfarë mendojnë të tjerët, askush nuk dëshiron të damkoset, të stigmatizohet e të turpërohet në sy të tjerëve. Prandaj rruga më e lehtë dhe socialisht e pranueshme është heqja dorë nga trashëgimia.

E nëse u shkon mendja të insistojnë të marrin atë që u takon përballen me presion, nga familja e shoqëria. Të shpeshta janë edhe rastet kur vëllezërit i fshehin motrat si trashëgimtare dhe ato as që ftohen për t’u deklaruar në gjyq.

E tërë kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit e ka zanafillën te Kanuni. Në Kanun parashihet që gjithçka, qoftë toka, shtëpia apo armët të ndaheshin ndërmjet vëllezërve. Sot, cili nga ne preokupohet se çfarë rregullonte e drejta jonë zakonore? Rrallëkush.

Kjo nuk ka të bëj vetëm me pronën që trashëgohet, por me pronën në përgjithësi. Vjehrri pas vdekjes së bashkëshortit i kërkon nuses të kthehet te baba e as mos t’i shkojë mendja t’ju marrë hise; ish-bashkëshorti e kalon tërë pasurinë e tij në emër të vëllait, apo të një personi tjetër me qëllim që
prona e fituar gjatë bashkëshortësisë në asnjë formë mos t’i ndahet bashkëshortes.

Pra, ekziston bindja që femra nuk ka nevojë për patundshmëri të veten.

E si të ndryshohen këto botëkuptime të dëmshme për gruan në shoqërinë tonë? Nuk është proces që arrihet brenda natës. Pikësëpari duhet që fëmijët t’i trajtojmë njëjtë, t’i rrisim njëjtë, pa marrë parasysh gjininë që kanë, të investojmë në shkollimin e tyre, në fuqizimin e ekonomik. Të flasim në familjet tona për pronë e trashëgimi, të mos jetë temë tabu, ku femra diskriminohet edhe nga diskutimi. Të punojmë me djemtë tanë, të mos jenë egoistë, t’i edukojmë që ta respektojnë motrën dhe gruan dhe t’i përkrahin ato me çdo kusht. Që edhe ata në të ardhmen të bëhen baballarë që do t’i përkrahin vajzat dhe djemtë e tyre njëlloj. Duke folur për këtë temë, por edhe duke qenë shembull me veprime konkrete në ndarje të pasurisë në familjet tona, mund të kontribuojmë që ta thyejmë tabunë.

Ndryshime mund të arrihen edhe përmes fushatave informuese, përmes tematizimit sa më të shpeshtë të kësaj çështjeje në opinionin publik jo veç me fraza të kota e citime të ligjeve, por me shembuj praktikë, që ta heqim ndjenjën e turpit apo fajësisë për ta trashëguar pjesën që secilës prej nesh u takon me ligj. Të jetë diçka normale dhe jo e jashtëzakonshme që prona të ndahet në mënyrë të barabartë.

Mirëpo, edhe ata që punojnë në informim dhe vetëdijesim shpeshherë qëllojnë të jenë njerëz hipokritë. Një pjesë bukur e madhe e personave që punojnë në institucione shtetërore dhe OJQ e që ndajnë drejtësi apo “avokojnë” për të drejta të barabarta qoftë në trashëgimi, qoftë për pronësi nuk e ndajnë këtë qëndrim edhe privatisht. Për fonde të donatorëve apo për një pagë nga buxheti i Kosovës ata flasin për gjendjen faktike, për bazën ligjore që femrave u garanton të drejta, për zbrazëtitë ligjore që femrat i pengojnë në realizimin e të drejtave, por jo edhe për qëndrimin e tyre personal ndaj çështjes, për të cilën ata “angazhohen”, sepse personalisht nuk duan të merren me çështje gjinore, e bëjnë veç se janë caktuar ta bëjnë një gjë të tillë dhe e kanë në “përshkrimin e vendit të punës dhe për pagë”, nuk duan “ta ndajnë tokën me dhëndrin”, “t’i marrin hise vëllait” se është turp me u “prishë me familje” se te shqiptari toka i jepet vëllezërve, djemtë trashëgojnë e vajzat shkojnë te burri. E në mungesë të vëllait apo djalit? Prona, edhe atëherë nuk u jepet vajzave por mashkullit më të afërt në familje.

Të bëhen gazetarët e moderatorët tanë pak më të guximshëm e t’i pyesin ata që ulen në panel në emisione televizive e në konferenca, sesi ia bëjnë në shtëpitë e tyre? Do të habiteshit sa mendime primitive kanë! Është pak a shumë e njëjtë sikur një homofob të luftojë për të drejtat e komunitetit LGBT, sikur një racist të punojë për refugjatë, sikur një person që nuk i konsideron personat me aftësi të kufizuar si pjesë e shoqërisë sonë, mirëpo për një pagë shtiret sikur po punon për inkluzionin e tyre. Ja pra, persona të tillë kemi nëpër OJQ, në Ministri, në Gjykata, në Zyra të Barazisë Gjinore anë e mbarë Kosovës që “angazhohen” për të drejta të barabarta në trashëgimi. Nëse kemi kaq shumë njerëz që punojnë për këtë “kauzë”, atëherë pse kemi një numër kaq të vogël të femrave që trashëgojnë, apo që kanë pronë në emrin e vet? Ndryshimet fillojnë nga unë, ti. Sot.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.