Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dështim i drejtësisë: Kryrësit e veprave penale kandidatë në zgjedhje?!

Përkundër përmirësimeve të vazhdueshme të proceseve zgjedhore në Kosovë, lëshimet dhe parregullësitë në aspekte të caktuara kanë vazhduar edhe në dy palë zgjedhjet e fundit, të cilat përgjithësisht u cilësuan të rregullta. Problemet si: (pa)përshtatshmëria e kandidatëve për të marrë pjesë në zgjedhje, përfshrija e fëmijëve në fushata zgjedhore, votat nga jashtë Kosovës si dhe pabarazia gjinore në trupat për administrimin e zgjedhjeve, janë vetëm disa nga problemet e hasura në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të vitit 2017.

Zgjedhjet u cilësuan përgjithësisht si të rregullta por, njëkohësisht janë vërjetur një varg i të metave dhe janë dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësime. Të dy misionet e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të vitit 2017, por edhe vëzhguesit vendorë, kanë konstatuar disa të meta që i kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovë. Këto të meta e kanë zbehur imazhin e përgjithshëm të zgjedhjeve të rregullta. Ndërkaq, “me një fytyrë tjetër” u karakterizuan zgjedhjet nëpër komunat me shumicë serbe.

Edhe pse lëshime të izoluara, pra pa ndikuar në rregullsinë e përgjithshme dhe të rezultateve, prapë se prapë nga misioni i BE-së për vëzhgimin e zgejdhjeve, është sugjeruar që të ndërmerren veprime në eleminimin e tyre. Rekomandimet e misioneve të BE-së sugjerojnë përmirësime të disa të metave që u shfaqën papritur dhe të disa tjerave që vazhdojnë të jenë prezente edhe nga e kaluara.

Një pjesë e konsiderushme e rekomandimeve kërkojnë ndryshime të legjislacionit për zgjedhje, andaj kjo e vështirëson mundësinë që të bëhen përmirësime eventuale në një afat të shkurtër. Kjo për faktin se reforma e legjislacionit zgjedhor, e nisur dhe e ndërprerë disa herë që nga viti 2011, nuk po duket se do të përmbyllet së shpejti.

(Pa)përshtatshmëria e kandidatëve për të garuar në zgjedhje

Një çështje që u shfaq për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe që shkaktoi precedent të refuzimit të zbatimit të ligjit, ishte moszbatimi i kriterit të (pa)përshtatshmërisë së kandidatëve.

Sugjerimi nga misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për të rishikuar kriteret ligjore mbi (pa)përshtatshmërinë e kandidatëve, adreson pasojat e shkaktuara me decertifikimin dhe mandej ricertifikimin nga KQZ të kandidatëve të cilët ishin dënuar për vepra penale. KQZ aplikoi nenin 29.1, pika (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), që përcakton ndalesën për të marrë pjesë në zgjdhje të një kandidati, i cili është dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit.

Hezitimet brenda KQZ-së për largimin nga gara të kandidatëve me vepra penale

Përbrenda vetë anëtarëve të KQZ-së kishte divergjenca në implementimin e kësaj dispozite ligjore. Anëtarët e KQZ-së varionin nga qëndrimi parimor se dispozitat ligjore duhen aplikuar ashtu siç janë, deri në njëanshmërinë e skajshme kundër implementimit të kësaj dispozite me arsyetime përgjithësisht të paqëndrueshme.

Veç tjerash, anëtarët e KQZ-së argumentonin që nuk kishte kategorizim të veprave penale dhe se disa kandidatë do të përjashtohen nga gara për vepra penale shumë minore. Por, në të kundërtën, moszabtimi i kriterit të (pa)përshtatshmërisë do t’i mundësonte të mbetej në garë, veç të tjerëve, edhe një kandidati që ishte dënuar me gjobë për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje. Për më tepër, kishte patur edhe arsyetime të tilla që, në të kaluarën, KQZ nuk e kishte aplikuar asnjëherë dispozitën e (pa)përshtatshmërisë së kandidatëve të dënuar në tri vitet e fundit.

Përkundër argumenteve kundërshtuese, KQZ votoi dhe vendosi që t’i largojë nga gara të dënuarit për vepra penale në tri vitet e fundit. Meqenëse, në Kosovë ende nuk ka një sistem të unifikuar të të dhënave mbi dënimet e shqiptuara për vepra penale, KQZ kishte mbledhur këto informata duke kontaktuar gjykatat themelore të komunave përkatëse nga të cilat vinin kandidatët. Bazuar në shënimet e ofruara nga gjykatat, KQZ-ja decertifikoi 87 kandidatë. Arsyeja për decertifikim ishte shumë e qëndrueshme, sepse KQZ kishte gjetur se kandidatët që po garonin ishin dënuar për vepra penale me vendime përfundimtare. Qofshin ato vepra minore apo më të lehta për të cilat ishin dënuar ata kandidatë, ishin dënuar për vepra penale.

Ndjekja e procedurave të ankesave dhe aktgjykimi për rikthim në garë

Duke vendosur në shkallë të parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi t’i hedhë poshtë ankesat e të decertifikuarve, duke miratuar si të drejta vendimet e KQZ-së për decertifikim. Megjithatë, tre nga 87 kandidatët e decertifikuar, patën ndjekur procedurat e mëtejshme të apelimit të vendimeve të PZAP-së dhe gjykata respektive aprovoi apelet e tyre.

Me aktgjykimet të cilat u aprovuan ankesat e kandidatëve dhe u rrëzuan vendimet e PZAP-së, gjykata respektive e shpalli jokushtetues nenin 29.1, pika (q) të LZP-së. Në të tri rastet e apeleve të kandidatëve të decertifikuar, gjykata kompetente (me tekst të njëjtë të aktgjykimit) ka pohuar se vendimet për decertifikim të KQZ-së ishin nxjerrë duke u bazuar në faktin se kandidatët ishin shpallur fajtorë për vepra penale dhe ishin dënuar me gjobë.

Aktgjykimet për t’i kthyer kandidatët në garë përmbanin arsyetimin se neni 29.1, pika (q) ishte në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës së Kosovës që përcakton se e drejta për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur ështe e drejtë e garantuar dhe se mund të kufizohet vetëm me vendim gjyqësor. Sipas aktgjykimit në fjalë, kjo e drejtë nuk mund të kufizohet me ligj, andaj sipas gjykatës, neni 29.1, pika (q) është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në tërësinë e tij, neni 29.1 i LZP-së, përcakton kategoritë e personave që nuk kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhje si; gjyqtarët dhe prokurorët, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ose, ndonjë force të armatosur, ose policë të ndonjë shteti, shërbimit doganor, agjencisë së inteligjencës, drejtues të një institucioni të pavarur, anëtarë të ndonjë trupi menaxhues të zgjedhjeve ose PZAP-së, diplomatëve etj.

Në të vërtetë, të gjitha kategorive të cekura më lart, me ligj u është ndaluar e drejta për të qenë kandidatë në zgjedhje. Ndërsa, sipas logjikës së ndjekur nga gjykata, e drejta për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhë nuk do të duhej të kufizohet me ligj dhe rrjedhimisht kjo e drejtë nuk mund t’u mohohet as kategorive të lartcekura. Prandaj, në mënyrë indirekte, edhe pse nuk e ka trajtuar si të tillë, gjykata e ka shfuqizuar edhe gjithë nenin 29.1.

Mirëpo, për dallim nga ky aktgjykim kontravers, ligjvënësi e ka menduar me kujdes përjashtimin nga procesi zgjedhor edhe të kategorive të cekura më lart dhe edhe të kryrësve të veprave penale Në njërën anë, me qëllim të ruajtjes së paanshmërisë nuk lejohen që të kandidojnë kategoritë e numëruara më lart dhe në anën tjetër, për shkak të së kaluarës kriminale, kryerësve të veprave penale nuk u lejohet mundësia që të fitojnë pozitë vendimmarrëse në shoqëri. Të paktën neni 29.1, pika (q) nuk ua kishte lejuar pjesëmarrjen kandidatëve kryrës të veprave penale derisa nuk u lëshua ky aktgjykim tërësisht jashtë parimeve të drejtësisë.

Kontrolli incidental i ligjeve pranë Gjykatës Kushtetuese

Në aktgjykimin e saj, gjykata konkludoi se nuk do ta përdorë procedurën e kontrollit incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve. Është kjo një procedurë kur, gjykata që është duke gjykuar një rast, referon një dispozitë të caktuar ligjore në Gjykatën Kushtetuesse me qëllim që të vlerësohet kushtetutshmëria e asaj dispozite. Mirëpo, gjykata kompetente që shqyrtoi apelet e kandidatëve të decertifikuar, konkludoi se kontrolli incidental kërkohet kur ka mëdyshje për papajtueshmërinë e ndonjë ligji me Kushtetutën. Ndërsa, në rastin konkret gjykata konkludoi se nuk kishte asnjë mëdyshje që neni 29.1 pika (q) ishte në papajtueshmëri me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në fakt, gjykata që shqyrtoi apelet e anashkaloi nenin 55 të Kushtetutës që në të vërtetë përcakton se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm me ligj. I tillë ishte edhe neni 29.1, pika (q) i LZP-së pra, ishte nen i një ligji të aplikueshëm që përcaktonte një kriter kufizues.

Rikthim në garë i kandidatëve të dënuar për vepra penale

Edhe pse aktgjykimet respektive vendosën vetëm për ricertifikimin e kandidatëve që kishin apeluar vendimet e PZAP-së, duke aplikuar parimin e barabarsisë dhe paanshmërisë, KQZ riceritfikoi të gjithë 87 kandidatët duke i rikthyer që të gjithë në garën zgjedhore.

Bashkë me ironinë e parimeve demokratike të barabarsisë, votuesve iu ofrua “mundësia e artë” që të votonin edhe kandidatin që kishte marrë pjesë në rrahje, edhe kandidatin tjetër që ishte kyçur ilegalisht në rrjetin elektrik, e edhe 85 kandidatë të tjerë të cilët e kishin vulën e gjykatave për vepra penale të kryera gjatë tri viteve të fundit.

Kompetenca në interpretimin e kushtetutshmërisë së ligjeve

Duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe pa dashur të komentohen aktgjykimet konkrete, disa çështje të aspektit parimor dhe të kompetencave të institucioneve relevante do duhej të adresoheshin.

Një çështje që ngre shumë dilema është se deri në çfarë mase gjykatat e rregullta mund ta interpretojnë kushtetutshmërinë e një dispozite ligjore. Për më tepër, sa kanë kompetencë gjykatat që ta refuzojnë zbatimin e një dispozite ligjore në fuqi, e cila është fundamentale për çështjen që është duke u gjykuar. Ndërkaq, kulmi i dilemës është se, përveç Gjykatës Kushtetuese, çfarë autoriteti kanë gjykatat e niveleve tjera ta shfuqizojnë një dispozitë ligjore duke e shpallur atë si jokushtetuese, pa ndjekur fare procedurën e vlerësimit të kushtetutshmërisë së dispozitës së kontestuar.

Gjykatat vërtet duhet të jenë të pavarura në përmbushjen e autorizimeve të tyre, por kjo pavarësi nuk nënkupton lirinë për arbitraritet dhe tejkalim të kompetencave të përcaktuara me ligj. Edhe në raste kur gjyqtarët nuk janë të sigurt në kushtetutshmërinë e ndonjë dispozite ligjore, ekziston mundësia e pezullimit të një procedure gjyqësore derisa institucioni tjetër kompetent të lëshojë vlerësime apo përfundime të nevojshme.

Shkaktimi i paqartësisë ligjore dhe efektet për zgjedhjet e ardhshme

Pas aktgjykimve për rikthim të kandidatëve në garë dhe sidomos pas kthimit në garë edhe të kandidatëve të cilët nuk kishin ndjekur procedurat e apelimit, tanimë është shkaktuar paqartësi ligjore dhe e kompetencave për KQZ-në.

Deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë veprim procedural për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 29.1, pika (q) pranë Gjykatës Kushtetuese të Repubilës së Kosovës, si institucion kompetent përfundimtar për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve. Poashtu, nuk është nxjerrë as ndonjë dispozitë brenda akteve nënligjore të KQZ-së që eventualisht do të aprovonte në parim përfundimet e nxjerra me këto aktgjykime. Përderisa nuk kemi as njërin dhe as tjetrin veprim, kriteri i moslejimit të garës zgjedhore për kandidatët që kanë kryer vepra penale është bërë shumë i paqartë.

Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme, KQZ do të jetë në një pozicion dualist juridik të aplikimit apo jo të nenit 29.1, pika (q) të LZP-së. Nëse e aplikon këtë nen, ekziston një pritje realiste se kandidatët që do të refuzoheshin do të apelonin vendimin e KQZ-së në gjykatën respektive sepse tashmë është krijuar precedenti gjyqësor. Apo që KQZ të mos e aplikojë nenin dhe hipotetikisht të trajtojë kërkesa të kandidatëve në zgjedhje edhe nga të burgosurit tashmë të dënuar për krime.

Si në njërin, ashtu edhe në rastin tjetër, kjo situatë e krijuar tregon më së miri se në çfarë gjendjeje mund të katandiset administrimi i zgjedhjeve, kur administrimi i drejtësisë dështon të jetë profesionalisht kredibil.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.