Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dhe Tash, Diçka Krejt Tjetër

Marrëveshja e shumëpritur mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington ishte natyrisht shumë zhgënjyese nëse krahasohet pesha e përmbajtjes së dokumentit me peshën e zyrës ku ajo u nënshkrua. Shumica do të thoshin se ky dokument i çuditshëm e i karashtisur nuk qe befasues, duke marrë parasysh stilin dhe motivimet e mbartësit të asaj zyre, si dhe ekipin e tij të pazakontë.

Por, ajo që ndolli habi dhe befasi ishte përfshirja në dokument e një vargu çështjesh që s’kishin kurrfarë lidhjeje as me ekonominë, as me Kosovën dhe Serbinë. Përcjellja e zhvillimit të procesit deri në daljen e atij dokumenti ishte pak a shumë sikur ta shikosh një episod të Monty Python – shikon paksa i zbavitur për dy vjet skeçin “Trump-i në Ballkan”, dhe kur e pret kulminacionin, në atë çast ia beh John Cleese me një dokument pesëmbëdhjetëpikësh në dorë duke thënë: “Dhe tash, diçka krejt tjetër!”

Është e lehtë që të shpërfillet kjo punë si “shumë zhurmë për asgjë”, por sidoqoftë, edhe ashtu si është, marrëveshja i vë disa gjëra në lëvizje – qoftë për të mirë a për të keq.

Përmbajtja e dokumentit dhe shfaqja në skenën e Zyrës Ovale na treguan se cilat ishin motivet e krejt këtij muhabeti. Pikësëpari kjo punë kishte të bënte me motivet e shitësit mjeshtëror dhe presidentit Reality TV Donald Trump, i cili u hodh në gjueti për pre të kollajshme që mund të paraqiteshin si suksese të politikës së jashtme. Synimi ishte që një marrëveshje të përshtatej me dy narracione të fushatës së tij. I pari është imazhi i Trump-it si njeriu që zgjidh “luftërat e përhershme” të Amerikës për dallim prej “Biden-it luftarak”, duke shpresuar që t’i bëj për vete majtistët izolacionistë që urrejnë rolin e Amerikës si polic global. I dyti ishte sigurimi i një fitoreje për Izraelin duke zhvendosur ambasada në Jeruzalem që t’u vijë në osh evangjelistëve (për çudi, njohja e Kosovës nga Izraeli u shit si fitore për këtë fundit!)

Natyrisht, motivet nuk janë kurrë vetëm zgjedhore ose vetjake – Grenell-i po ashtu përpiqej ta korrte një fitore personale – sepse kjo temë mezi ia doli të rrinte në ciklin e lajmeve të ShBA-së për një orë të vetme. Përgjatë dy viteve të fundit, “procesi i Trump-it” kishte po ashtu të bënte me shpresat dhe përpjekjet e Vucicit-it për t’u afruar me ShBA-në. I përballur me një administratë që ishte më e hapur t’i dëgjuar shqetësimet e Serbisë, Vucic dha sinjale (të cilat shumica i dyshojnë) se ishte i hapur për t’i dobësuar lidhjet me Rusinë në këmbim të ndihmës së ShBA-së për ta detyruar Kosovën ta pranojë një kompromis.

Si rrjedhojë, Kosova po ashtu u përpoq ta mbronte pozitën e vet me aleatin e saj më të rëndësishëm, duke shpresuar që paksëpaku të shmang ndonjë katastrofë nga kjo administratë jokonvencionale – teksa dy qeveri u rrëzuan gjatë mandatit të Trump-it! Në skenarin më të mirë, Kosova po kështu përpiqej ta përdorte këtë lloj administrate të vrazhdë dhe elementët mbështetës brenda saj për t’i bërë trysni BE-së që ta përshpejtojë zhdryrjen e bllokimit ndërkombëtar të Kosovës.

Në këtë kuptim të dyja anët ironikisht mund të pretendojnë një lloj suksesi – Vucic-i ia doli t’i përmirësojë marrëdhëniet me ShBA-në, ndërsa Kosova shmangu ndonjë katastrofë dhe i konsolidoi marrëdhëniet me administratën e Tramp-it, si dhe e fitoi një njohje të rëndësishme – të dyja palët pa e bërë ndonjë koncesion të madh.

Sidoqoftë, në luftën për ta bërë për vete Admnistratën Trump (dhe për ta ndëshkuar BE-në) të dyja vendet në fund të fundit paguan çmimin e vëmendjes së Trump-it. Me të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, ato u detyruan që t’i nënshtroheshin natyrës transaksionale të vendimmarrjes së tij. Presidenti i tanishëm i ShBA-së sheh botën si një vend që ka shfrytëzuar Amerikën tepër gjatë, prandaj çdokush që pretendon të jetë mik i saj duhet të përshtatet me botëkuptimin e tij realist dhe merkantilist. Kjo është arsyeja përse kjo doli të jetë jo edhe aq një marrëveshje që krijon detyrime mes Kosovës dhe Serbisë – sidomos pas nëntorit, kur këto mund të jenë të pavlera – sa një rreshtim i të dyja shteteve me orientime kyce të politikës së jashtme të Trump-it.

Ndonëse pjesa më e madhe e përmbajtjes së marrëveshjes lidhur me Kosovën dhe Serbinë është aq e paqartë dhe e përciptë sa mund të shpërfillet – sidomos nëse ndryshon administrata – kjo marrëveshje sidoqoftë ia ka dalë të shkaktojë njëfarë lëkundjeje gjeopolitike. Serbia efektivisht u zotua për gjëra që e bien në kontradiktë me një varg aleatësh sikur Kina, Rusia, Bota Arabe, Shiitët në Lindjen e Mesme, dhe BE-ja – gjë që u pa edhe nga shpërthimi i tensioneve publike me Kremlinin. Në anën tjetër, edhe Kosova u qortua edhe nga BE-ja, edhe nga Turqia për Ambasadën në Jeruzalem.

Edhe pse Kosova korri efektivisht të vetmen fitore të prekshme në Uashington – njohjen nga Izraeli – Vucic-i ia doli ta korrë fitoren më të madhe personale duke i bërë bisht kurthit të njohjes dhe duke u kthyer në dialogun e drejtuar nga BE-ja ku pozita e tij është më e favorshme. Serbia është larg na çasti i anëtarësmit, prandaj nuk përballet fare me trysni për njohje (ndërsa Kosova gjendet e bllokuar për shkak të shteteve mosnjohëse). Përshtypja ime përsonale është se dritarja për një marrëveshje në procesin e BE-së do të mbyllet brenda dy ose tre muajve të ardhshëm, pas së cilës kohë i gjithë procesi do të hyjë në territor të panjohur dhe potencialisht të pafund.

Në mungesë të një trysnie të fortë nga Berlini dhe Parisi, Vucic-i tash do të orvatet të krijojë aq pengesa dhe vonesa sa mundet duke u sjellë mirë me Perëndimin, thjesht për arsyen se është plotësisht i vetëdijshëm për paqëndrueshmërinë politike të Kosovës dhe krizën e që do të shkaktohet nga momenti i votimit të Presidentit të ri. Ai është po ashtu i vetëdijshëm për pamundësinë e Kosovës të pranojë çfarëdolloj kompromisi që Serbia dhe BE-ja do ta prisnin në këmbim qoftë edhe me një njohje të tërthortë, si dhe për armiqësinë e shtuar të cilësdo qeverie të ardhme paszgjedhore ndaj dialogut.

Vonimi i njohjes edhe për disa vjet duke e paraqitur Kosovën si palën fajtore që vazhdon ta qëllojë veten në këmbë me përçarje të brendshme dhe me popullizma – ky është skenari ideal për Vucic-in. Ai dëshiron, dhe me gjasë do t’ia dalë, të përfitojë nga moszgjidhja e çështjes së Kosovës për së paku edhe një mandat në Serbi, duke siguruar një pozitë më të fortë kundrejt kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për demokratizim. Ndërsa Kosova do të mbetet e izoluar dhe pa perspektivë transatlantike, me potencial për një lloj jostabiliteti që rajoni nuk ka përjetuar prej vitesh.

Ky skenar do të jetë trashëgimia kryesore e përçarjes transatlantike dhe e stragjegisë së marrjes me të mirë të Vucic-it nga Perëndimi, e cila po i mundëson atij ta cojë Serbinë drejt Perëndimit por me kushtet e tij. Ata në Evropë që sot po zbaviten duke u tallur me përpjekjet e Administratës së Trump-it për ta ngritur këtë çështje të lënë pas dore në nivelin më të lartë, tani duhet të jenë të vetëdijshëm që topi është në fushën e tyre për të vërtetuar që ata nuk janë akoma edhe më qesharakë me qasjen e tyre dhjetëvjetëshe thjesht të admirimit të problemit.

—-

Bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker është duke sjellur një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.