Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dialogu Kosovë-Serbi: një gjendje e përhershme stagnimi

Dialogu Kosovë-Serbi, që është ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian që nga viti 2011, është ballafaquar me sfida në udhën e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Megjithatë, lufta në shkallë të plotë e Rusisë në Ukrainë injektoi një ndjesi urgjence dhe prodhoi një shtysë të ripërtërirë për të adresuar dialogun.

Kjo gjë çoi në një ofensivë të re diplomatike, e cila kulmoi me finalizimin e Marrëveshjes së dytë të Brukselit dhe Aneksin e Zbatimit të saj në shkurt dhe mars të vitit 2023 respektivisht.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, marrëveshja e re dështoi në arritjen e rezultatit të synuar, pasi në shumë raste, presidenti serb Aleksandar Vuçiq shkeli dispozitat e saj.

Megjithëkëtë, BE-ja dhe ShBA-ja zgjodhën të heshtnin dhe nuk ia dolën ta mbanin Serbinë përgjegjëse për veprimet e saj. Kjo mungesë e reagimit nga Perëndimi minoi zbatimin dhe efektivitetin e marrëveshjes së re dhe, rrjedhimisht, nuk u shënuan përparime të dukshme të negociata.

BE-ja nuk ia doli të kapitalizojë situatën

BE-ja nisi dialogun Kosovë-Serbi më 2011 për t’i normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të nxitur bashkëpunim më të frytshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Negociatat shënuan një sukses fillestar dhe më 2013 BE-ja ia doli ta përmbyllte marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes, Kosova u pajtua të themelojë një Asociacion/Bashkësi të Komunave me Shumicë Serbe, duke u dhënë më shumë autonomi serbëve të Kosovës. Në këmbim, Serbia u angazhua të shpërbëjë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës dhe integrimin e tyre në sistemin juridik dhe atë të sigurisë të Kosovës.

BE-ja i shpërbleu të dyja vendet për qasjen e tyre konstruktive. Kosova nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit – hapi i parë i rëndësishëm drejt udhës së gjatë të integrimit në BE – ndërkohë që Serbia nisi bisedimet për anëtarësim në BE.

Megjithatë, BE-ja nuk shfrytëzoi suksesin e saj, pasi si Brukseli, ashtu edhe vendet anëtare, humbën interesimin për zgjerim të mëtejshëm, duke çuar në një fazë të lodhjes nga zgjerimi. Ky ndryshim pati një efekt domino në dialog. Vuçiqi i kuptoi implikimet shpejt dhe humbi interesin për procesin e normalizimit.

Rrjedhimisht, progresi në Kosovë ka ngecur duke qenë se zbatimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe është shmangur në mënyrë aktive.

Perspektiva e anëtarësimit në BE ishte instrumentale në kontekstin e lehtësimit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Procesi i dialogut u zhvillua vrullshëm në fillim të viteve 2010, kur premtimi për anëtarësim u konsiderua i besueshëm. Sidoqoftë, mungesa e progresit e bëri gjithnjë e më të vështirë për Kosovën dhe Serbinë bashkëpunimin midis tyre dhe përmbushjen e premtimeve të tyre fillestare.

Lufta në Ukrainë krijon një momentum të ri

Lufta totale në Ukrainë që nisi në shkurt të vitit 2022 shkaktoi valë tronditëse në Europë dhe nënvizoi rëndësinë e angazhimit më të afërt me Ballkanin Perëndimor, një tjetër pikë e cenueshme në sigurinë dhe stabilitetin e Europës.

Strategjia pas interesit të ripërtërirë të Perëndimit ishte e dyfishtë: që Kosova dhe Serbia të afroheshin në rrugën drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dhe në të njëjtën kohë Serbia të largohej nga orbita ruse.

Brenda pak muajsh filluan të qarkullonin lajme se ekzistonte një propozim franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Të dërguarit francezë dhe gjermanë vizituan Prishtinën dhe Beogradin në shtator të vitit 2022 për të diskutuar në lidhje me propozimin.

Në fund të vitit, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se një version i përditësuar u ishte dërguar përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar kësisoj një momentum për marrëveshjen e re.

Pas disa raundesh takimesh dhe diskutimesh, më 27 shkurt 2023, Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel dhe pranuan draftin e BE-së. Borrelli deklaroi se nevojiteshin bisedime të mëtejshme për ta diskutuar zbatimin e tij. Sidoqoftë, ai nënvizoi faktin se nuk nevojiteshin diskutime të mëtejme lidhur me propozimin e BE-së.

Marrëveshja e BE-së thotë se Kosova është pajtuar të vendosë një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb të Kosovës, ndërkohë që Serbia është pajtuar të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës një asnjë organizatë ndërkombëtare (Neni 4). Për më tepër, të dyja palët janë pajtuar të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe t’i njohin simbolet kombëtare dhe dokumentet e njëra-tjetrës dhe – më e rëndësishmja – të shkëmbejnë misione të përhershme, ndër dispozita të tjera të rëndësishme.

Tri javë më vonë, Josep Borrell shkroi në Twitter “Ne kemi një marrëveshje” – duke njoftuar se palët më në fund janë marrë vesh për një aneks zbatimi që përbën një pjesë integrale të marrëveshjes. Aneksi u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë të gjitha dispozitat që dalin nga marrëveshja dhe po ashtu njofton krijimin e një komiteti të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.

Asnjë progres i vërtetë

Entuziazmi fillestar i Borrellit u zbeh shpejt, pasi presidenti serb menjëherë minoi marrëveshjen. Edhe pse Vuçiqi u pajtua verbalisht me marrëveshjen, ai refuzoi ta nënshkruante atë. Dy ditë pasi marrëveshja ishte arritur, Vuçiqi u zotua se do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke shkelur Nenin 4. Dy muaj më vonë, Serbia votoi kundër kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, që është një tjetër shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes.

Pavarësisht këtyre shkeljeve, BE-ja dhe ShBA-ja qëndruan të heshtura. Kjo gjë shkaktoi zhgënjim të madh, sepse BE-ja mori përgjegjësinë për të krijuar një komitet të përbashkët për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.

BE-ja dhe ShBA-ja nuk ia dolën ta mbanin Serbinë përgjegjëse për respektimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes, gjë që krijoi një çekuilibër në dialog dhe minoi efektivitetin e marrëveshjes së re.

Për më tepër, Marrëveshja e dytë e Brukselit nuk i mori parasysh zgjedhjet lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe, që ishin planifikuar të mbaheshin në prill të vitit 2023. Presidenti Vuçiq organizoi një bojkot kolektiv të papritur, që rezultoi në një pjesëmarrje prej më pak se katër për qind në votime, duke lejuar rrjedhimisht partitë politike shqiptare të merrnin kontrollin mbi komunat.

Marrja e detyrës nga kryetarët e rinj hasi në rezistencë të shpejtë nga serbët vendas, që tentuan të sulmojnë ndërtesat komunale, duke çuar kështu në përleshje të dhunshme me policinë.

Pas përshkallëzimit të situatës, BE-ja dhe ShBA-ja i kërkuan veçanërisht Kosovës t’i ndalë menjëherë masat e dhunshme. Forca paqeruajtëse ndërkombëtare e NATO-s, KFOR-i, u vendos në veri, por kjo nuk mjaftoi për t’i ulur tensionet.

Turmat lokale sulmuan dhjetëra ushtarë të KFOR-it, duke përdorur granata dhe armë zjarri, me ç’rast lënduan 30 persona, tre nga ta në gjendje kritike. Njëkohësisht, Vuçiqi vuri ushtrinë në gatishmëri luftarake dhe i zhvendosi trupat afër kufirit të Kosovës.

Duke pasur parasysh tensionet e larta, qeveria e Kosovës refuzoi largimin e njësive speciale të policisë dhe arrestoi dhjetëra serbë të Kosovës, të përfshirë në sulme të dhunshme. Për më tepër, në një akt të qartë agresioni, xhandarmëria serbe rrëmbeu tri roje kufitare të policisë së Kosovës dhe refuzoi t’i lirojë për dy javë.

Perëndimi lëshoi deklarata të cilat i kërkonin Kosovës të tërhiqte njësitë e saj speciale, por Prishtina mbajti qëndrimin e saj dhe nuk u tërhoq. Megjithëkëtë, as BE-ja dhe as ShBA-ja nuk u treguan të gatshme të prisnin më tepër se disa ditë që kërkesat e tyre të plotësoheshin. Për rrjedhojë, ShBA-ja shpalli një raund të parë të pasojave duke përjashtuar Kosovën nga “Defender Europe 23” – një stërvitje ushtarake e udhëhequr nga ShBA-ja – dhe kërcënoi që do të shqyrtonte edhe veprime të mëtejshme.

Për më tepër, për të parën herë, BE-ja vendosi sanksione kundër Kosovës. Kjo renditje suksesive e ngjarjeve çoi në përkeqësimin e situatës në veri dhe zvogëloi shanset për zbatimin e marrëveshjes së re.

Zhbllokimi i ngërçit

Progresi në dialogun Kosovë-Serbi varet nga përpjekjet kolektive të BE-së dhe ShBA-së për t’i mbajtur të dyja palët në mënyrë të barabartë përgjegjëse dhe për të siguruar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

Shkelja fillestare e marrëveshjes nga Vuçiqi dhe organizimi i bojkotit të zgjedhjeve në veri të Kosovës ia vështirësuan Kosovës vazhdimin e planeve të saj për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Tensionet u përkeqësuan tutje me vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën dhe rrëmbimin e tri rojeve kufitare të Kosovës.

Derisa të dyja palët janë përgjegjëse për të qenë bashkëpunuese, është esenciale të merren parasysh modelet e sjelljes në momentin kur bëhet vlerësimi i situatës. Sjellja jokonstruktive dhe agresive e Serbisë mbetet e paadresuar.

Në të njëjtën kohë, Kosovës i është bërë presion që të tërhiqet nga një pjesë e territorit të saj për të mbështetur operacionet e sigurisë dhe përcjelljen e kryetarëve të komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike në postet e tyre. Kjo paskëtaj kulmoi me sanksione kundër Kosovës.

Përgjigjja aspak proporcionale e BE-së përfaqëson një gabim strategjik. Kjo qasje minon efektivitetin e zbatimit të marrëveshjes së BE-së dhe dëmton dialogun.

Ndërkohë që shtysa e ripërtërirë në dialog ishte një hap në drejtimin e duhur, mungesa e një reagimi të duhur karshi shkeljeve të marrëveshjeve dhe madje edhe progresit, ka bërë që dialogu të humbasë vrullin dhe kredibilitetin.

Për ta kapërcyer ngërçin, BE-ja dhe ShBA-ja duhet ta rivlerësojnë qasjen e tyre karshi dialogut dhe t’i mbajnë të dyja palët përgjegjëse. Pa veprim në kohë të duhur dhe pa angazhim kuptimplotë, dialogu rrezikon të mbetet i bllokuar në një gjendje stagnimi të përhershëm, duke komplikuar kësisoj edhe më tutje perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe duke kërcënuar stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Ky shkrim është publikuar fillimisht në New Eastern Europe në gjuhën angleze.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.