Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dialogu me Serbinë dhe nevoja për t’i mbajtur negociatat sekrete derisa të arrihet marrëveshja

Një ndër argumentet kryesore që është përdorur kundër dialogut teknik të deritanishëm me Serbinë dhe po përdoret edhe sot kundër fazës finale të dialogut është pretendimi se ato nuk janë transparente mjaftueshëm për publikun. Është e vërtetë që transparenca është një ndër shtyllat kryesore të demokracisë dhe se mbajtja e publikut në errësirë deligjitimon proceset dhe i bën ato të duken elitiste, aristokratike apo oligarkiste. Mirëpo, po ashtu dihet se ka sektorë që prekin interesat shtetërore për të cilat sekreti është i domosdoshëm si siguria, inteligjenca, rendi apo edhe diplomacia. Kardinali Risheli, kryeministri i famshëm i Francës dikur thoshte se “Sekreti është shpirti i punëve të shtetit”. Mungesa e informimit të publikut mbi të gjitha diskutimet e prapaskenat e negociatave në Bruksel, jo vetëm që nuk është ndonjë shkelje, por është normë apo praktikë tipike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, për hir të së vërtetës,  duhet thënë që këto pretendime për transparencë negociatash ose burojnë nga një injorancë e thellë për mënyrën se si bëhen negociatat nëpër botë ose janë thjesht një maskë për të kamufluar kundërshtimin që ekziston ndaj dialogut në përgjithësi e Thaçit si kryenegociator në veçanti.

Pikësëpari duhet bërë një dallim midis marrëveshjeve sekrete dhe negociatave sekrete. Në përgjithësi sot ka një konsensus ndërkombëtar kundër traktateve sekrete mes shteteve të cilat ishin shumë të shpeshta në shekullin e 19-të por janë shumë të rralla sot. Me ardhjen në pushtet të bolshevikëve, pas Revolucionit të Tetorit në nëntor 1917, Leon Trocki bëri publike traktatet sekretë që cari kishte bërë me fuqitë e mëdha të aleancës ë Antantës, duke theksuar këtu Marrëveshjen e Kostandinopojës e cila parashikonte ndarjen e Perandorisë Osmane mes Rusisë e vendeve të tjera partnere si dhe Paktin e Londrës që joshi italianët që të dilnin nga Blloku Trepalësh në këmbim të gllabërimit të një pjese të bregdetit shqiptar dhe dalmatin. Bërja publike e këtyre marrëveshjeve shkaktoi një indinjatë dhe siklet të madh anembanë botës duke fermentuar një klimë të përshtatshme ndërkombëtare kundër marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, jo rastësisht, pika e parë, në listën e 14 pikave të paraqitura në 1918 nga presidenti Uillson për të ndërtuar një rend të ri ndërkombëtar, ishte pikërisht pika për eliminimin e ujdive sekrete në diplomaci.

Krejt e kundërta qëndron me negociatat sekrete ku bisedimet janë sekrete, mirëpo rezultati i tyre, pra marrëveshja finale është  publike. Lidhur me negociatat ekziston një paradigmë e konsoliduar dhe e pranuar gjerësisht që ato është më mirë që të zhvillohen në mënyrë sekrete. Faktikisht, paprekshmëria e çantave dhe korrierëve diplomatikë, komunikimi me mesazhe të shifruara apo bisedimet e fshehta nën rrogoz janë pjesë thelbësore e diplomacisë e madje janë koduar në të drejtën ndërkombëtare. Mjafton të lexosh Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 për të kuptuar se ajo është konceptuar si një instrument që u mundëson diplomatëve për ta mbrojtur e mbajtur informacionin të fshehtë prej shtetit pritës, prej shteteve të tjera e prej mbarë publikut. Madje ka shpesh raste ku jo vetëm që bisedimet mbahen sekrete, por që shpesh për hir të interesave shtetërore, publiku nuk e di fare që është duke u bërë një negociatë. Kur u mor vesh gatishmëria e SHBA-ve për të bërë një marrëveshje paqe me Vietnamin Verior, Henry Kissinger kishte bërë tashmë 12 raunde takimesh sekrete me vietkongët dhe kinezët.

Po ashtu duhet thënë se publiku i gjerë nuk ka as aftësinë as kohën për të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në debatin diplomatik që mund të ndizet si rezultat i bërjes publike të të gjitha informatave lidhur me negociatat. Negociatat për përmbylljen e fazës finale të dialogut me Serbinë janë tejet të ndërlikuara e vijnë pas 7 vitesh negociatash të vazhdueshme të koklavitura teknike. Për këtë arsye është goxha e vështirë që të pritet që qytetarët e thjeshtë të kenë njohurinë, ekspertizën apo informimin e plotë që nevojitet për të patur një opinion të pjekur dhe të duhur mbi një çështje si kjo, e cila njëherazi ngjan shumë emocione dhimbje e marazi të cilat e mjegullojnë akoma më shumë mendimin e arsyeshëm.

Kur flitet për emocione, vlen të përmendet se më shumë sesa shqetësimi për transparencën, shumica e kundërshtarëve të dialogut thjesht i kanë ende sytë të errur nga instinkti i hakmarrjes e nuk ndihen gati për të kapërdirë një marrëveshje me armiqtë historikë. Mirëpo shtetet serioze dhe burrështetasit nuk e kanë luksin të ngelen peng të vajtimit e marazit dhe duhet të kapërcejnë pengesat emocionale për hir të interesave shtetërore. Rasti më ekstrem që e dëshmon këtë gjë nëpër botë është negocimi me aktorët jokonvencionalë apo joshtetërorë sikurse janë terroristët.

Në parim shtetet demokratike deklarohen se refuzojnë të negociojnë me terroristët, sepse nuk duan të bëhen peng të dhunës dhe nuk duan që ata që shkaktojnë dhunën të shpërblehen. Pranimi i terroristëve në tryezë të bisedimeve në njëfarë mënyre i amniston apo i legjitimon aktet e tyre të dhunshme dhe ndërkohë dekurajon ata aktorë dhe faktorë që përpiqet të arrijnë qëllimet e tyre politike me mjete paqësore. Megjithatë, në realitet, në praktikë, qeverive demokratike më të avancuara shpesh u duhet që të negociojnë me terroristët. Kështu për shembull qeveria spanjolle u ul në bisedime me terroristët baskë të ETA-s vetëm gjashtë muaj pasi ky grup kishte vrarë 21 qytetarë në 19 qershor 1987,  nëpërmjet një makine bombe të vendosur në supermarkatën Hipercor në Barcelonë. Izraeli që është i njohur për dorën e ashpër me të cilën e trajton terrorizmin, negocioi në mënyrë të fshehtë marrëveshjet e Oslos në vitin 1993 edhe Organizata për Çlirimin e Palestinës vazhdonte aktivitetet e saj terroriste dhe refuzonte që të njihte të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar. Britanikët e mbajtën një urë komunikimi me terroristët e IRA-as edhe në vitin 1991 kur kjo organizatë pothuaj shfarosi të gjithë kabinetin qeveritar të Britanisë nëpërmjet një sulmi me mortajë. Po ashtu në vitet e fundit është bërë tashmë publike se ka pasur bisedime intensive sekrete të amerikanëve me talebanët.

Gjithsesi rasti i dialogut me Serbinë nuk është aspekt ekstrem sikurse janë negociatat sekrete me terroristët, por është një rast relativisht i zakonshëm e i përhapur,  sepse sot pothuaj një e treta e shteteve të botës janë shtete që po tranzitojnë drejt demokracisë pasi kanë dalë nga një konflikt ndërshtetëror apo luftë civile. Pra ka një praktikë goxha të konsoliduar të mbajtjes së negociatave sekrete për të vënë kapak ndaj konflikteve të së kaluarës. Sekreti në negociata është i nevojshëm qoftë përkundrejt palës tjetër e qoftë përkundrejt opinionit publik të brendshëm. Ashtu sikurse një trajner nuk bën publike të gjitha skemat dhe strategjitë e parashikuara para një ndeshje futbolli sepse kjo gjë i jep mundësi kundërshtarit që t’iu paraprijë e t’iu gjejë një kundërpërgjigje efikase, edhe negociatori mban shumë gjëra në konfidencialitet të plotë. Të kërkosh nga negociatori që të negociojë me transparencë të plotë është njësoj sikur të kërkohet nga një lojtar pokeri që të luajë me letrat që ka në dorë zbuluar para kundërshtarit. Hapja e materialeve të negociatave do zbulonte ndjeshmëritë dhe rrethanat e tjera delikate të Kosovës duke e vënë palën tonë në pozicion inferior ndaj Serbisë por edhe ndaj shteteve të tjera.

Për ta kuptuar sesa i hershëm është ky tension midis transparencës që përbën një shtyllë të demokracisë dhe nevojës për konfidencialitet në negociata, mjafton të lexohet mesazhi i Xhorxh Uashingtonit për Kongresin në mars të vitit 1796, kur ai refuzoi që të bënte publike udhëzimet dhe dokumentet e përdorura në negociatat me mbretin Xhorxh III. “Natyra e negociatave të huaja kërkon kujdes, dhe suksesi i tyre shpesh duhet të varet nga sekreti; madje edhe kur të nxirret përfundimi, një zbulim i plotë i të gjitha masave, kërkesave apo koncesioneve eventuale që mund të jenë propozuar ose parashikuar do të ishte gjë jashtëzakonisht e pamatur, sepse kjo mund të shkaktojë një ndikim të dëmshëm në negociatat e ardhshme ose të krijojë vështirësi të menjëhershme, ndoshta rrezik dhe çrregullime, në lidhje me fuqitë e tjera”.

Mirëpo negociatat janë të nevojshme që të mbahen të fshehura jo vetëm ndaj vendeve të tjera por edhe ndaj opinionit publik të vendit të vetë negociatorit. Në fund të fundit negociatat çojnë drejt një kompromisi të dyanshëm që kërkon që të dy palët të fokusohen në interesa e tyre e jo në qëndrimet e deklaruara. Po ashtu kuptohet që duhet lëshuar diku për ta bindur palën tjetër që të ketë interes tek negociatat dhe rezultati i tyre. Asnjë negociator nuk do të donte që të merret vesh paraprakisht se çfarë lëshimesh apo tolerimesh janë të gatshëm të bëjnë pa u siguruar që kanë marrë së paku një gjë ngjashmërisht të vlefshme në këmbim. Pra  negociatorët që ta bëjnë punën siç duhet të jenë të siguruar se ata do të vlerësohen e gjykohen për rezultatin përfundimtar të bisedimeve e jo për procesin. Nëse procesi do të ishte objektivi kryesor e jo ujdia finale, atëherë kuptohet që negociatorët do të fokusoheshin më shumë tek procesi sesa tek arritja e një marrëveshjeje. Mirëpo të gjithë e dimë që për negociatorët dhe për mbarë shoqërinë, interesi kryesor është rezultati; pra ujdia e realizuar e jo mënyra sesi e arrijnë.

Është e kotë që të paragjykohet duke u thirrur në transparencë sepse ne nuk e dimë se çfarë ka brenda një marrëveshje derisa ajo të përfundojë, dhe  kjo nevojë publike për transparencë do të shterohet pas arritjes të saj sepse do të ketë kohë të mjaftueshme pas përfundimit të negociatave për të debatuar dhe ratifikuar paketën e ujdisë së arritur. Pra me rëndësi të madhe është transparenca e plotë e ujdisë së arritur e jo veprimet e ndërmarra për ta arritur atë. Paragjykimet në vetvete janë shpesh pengesa të mëdha për të arritur marrëveshje paqeje. Në mungesë të bisedimeve, negociatorët nuk e dinë a është e arritshme apo jo një marrëveshje nga e cila përfitojnë të dy palët. Po ashtu nuk e dinë se cili propozim për marrëveshje do të marrë mbështetjen e duhur nga parlamenti  e cili propozim do të bllokohej. Negociatat janë në mënyrë të pashmangshme ekuacione me shumë të panjohura dhe nëse shtetet e ndryshme do të prisnin deri sa të kishin informacion të plotë mbi të gjitha elementet e një konflikti apo mosmarrëveshje, gjasat janë të mëdha që nuk do të kishte ndonjëherë negociata për çështje komplekse si çështja jonë.

Duhet kuptuar se bisedimet sekrete u ndihmojnë diplomatëve që të jenë të lirë dhe të sinqertë në shprehjen e pikëpamjeve të tyre duke mundësuar ndërtimin e një raporti mirëbesimi dhe kanali të pranueshëm komunikimi me palën tjetër. Diplomacia e hapur e transparente tingëllon dinjitoze në teori por mund të jetë mashtruese në praktikë. Kjo sepse nevoja për të siguruar simpatinë publike për një çështje të rëndësishme shtetërore, mund të bëjë që diplomatët të shtiren, të praktikojnë propagandë apo makijazhe të pëlqyeshme për masat por që shkojnë ndesh me interesin e vendit.

Për ta kuptuar më mirë nevojën për aktrim para publikut të diplomatëve apo negociatorëve, mjafton të shikohet situata me elitën politike shqiptare dhe sjelljen në parlament. Në seancat me dyer të hapura që transmetohen nga televizioni, deputetët nuk komunikojnë më me njëri-tjetrin por me audiencën publike duke e shfrytëzuar situatën për të bërë elektoratin për vete. Pra aktrojnë duke u hequr si pasionantë, duke simuluar apo provokuar përplasje, mbajtur tonet të ndezura e agresive ndaj kundërshtarëve publikë. Në privat, jashtë kamerave, janë shumë më tepër konstruktivë e bashkëpunues, janë shumë më tepër të gatshëm për dialog, ndërveprim e mirëkuptim. Për këtë arsye, edhe pse mund të duket ironike, gjasat janë që puna e parlamentit të jetë më konstruktive nëse nuk ka kamera e bashkë me to, nevojë për aktrim.

Janë të shumta proceset e negociatave të paqes nëpër botë që, sikurse po ndodh në Kosovë,  janë penguar nga inate e hatërmbetje personale; janë bllokuar nga tendenca ekzibicioniste të shumë personave që kanë qëndrime e retorikë populiste për t’u bërë më popullorë; apo janë ndalur nga politikanë të papërgjegjshëm që për të marrë më shumë vota duke i fryrë emocioneve të urrejtjes, hakmarrjes e frikës. Status quo-ja ka një inerci të sajën që do shumë fuqi e energji për ta përballur e për ta ndryshuar. Arritja e paqes dhe mbyllja e kapitullit të konfliktit kërkon një sens të lartë përgjegjësie dhe detyre dhe kërkon një lidership kurajoz të gatshëm të sakrifikojnë popullaritetin e tyre për hir të interesave shtetërore. Fundja dihet mirë që dallimi kryesor mes politikanëve kalimtarë dhe burrështetasve është se politikanët mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burrështetasit për brezat e ardhshëm.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.