Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dialogu pa identitet

Në Kosovë prapë po krijohet një temë artificiale: Ajo e kalimit të bartësit të dialogut me Serbinë nga niveli i kryeministrit në atë të presidentit. Sipas deklaratave të kandidatëve për kryeministër të partive, shihet qartazi se nuk ka ndonjë platformë të përbashkët të unifikuar në lidhje me dialogun. Një dialog, sipas secilës logjikë, mund të bëhet vetëm pas një dakordimi paraprak të brendshëm, do të thotë pas një dialogu me vetveten. E ky dialog i brendshëm mungon në Kosovë. Në fakt, në Kosovë mungon parakushti për këtë dialog të brendshëm. E ky parakusht është përcaktimi i interesave shoqërore, të cilat do të duhej të rrjedhin nga definimi i një identiteti shtetëror. Po e quaj qëllimisht identitet shtetëror e jo kombëtar, sepse çdo përpjekje për të potencuar kombin, në rastin e Kosovës shkon në dëm të Republikës. Por kjo le të mbetet material diskutimi për një herë tjetër.

Kjo përqajse mëton të jetë një kontribut modest në vazhdën e debatit rreth krizës identitare të elaboruar më herët edhe nga kolegët tjerë në sBunker. Shtjellimet që do të paraqiten më poshtë argumentojnë se kemi një krizë identitare, e cila ka shkaktuar një degradim të vlerave shoqërore dhe rrjedhimisht edhe një katrahurë në politikë. Këtu, identiteti kuptohet si nevojë psikologjike esenciale dhe fenomen psikosocial me karakter evolutiv, i cili ndikohet nga narracionet diskurzive të shoqërisë. Krenar Gashi në artikujt e tij „Republika dhe tifozëria diskursive“  dhe „Jam shqiptar e kosovar“ veçse e ka shpalosur ndërlidhjen mes identitetit dhe diskursit. Pikërisht identiteti i krijuar në bazë të tjetrit dhe me narracion nacionalist, ka qenë pengesë për kristalizimin e një diskursi konsolidues dhe gjithëpërfshirës të identitetit të qytetarëve të Kosovës. Sepse është një interpretim i diktuar nga lart dhe jo i destiluar nga agregati i ideve të vetë qytetarëve. Ky lloj identifikimi vetëm pamundëson, siç thotë Ardiana Shala Prishtina, që “jehona kundër padrejtësive të përditshme me u ba pjesë e pronësueme e identitetit të qytetarit kosovar dhe e obligimit të tij si qytetar”.

Në Kosovë (por as në vende të tjera të Ballkanit) nuk është konsoliduar ndonjë identitet shoqëror, i cili nuk do të kishte si pikë reference “tjetrin“, “armikun“, “kundërshtarin“. Vendet e Evropës Juglindore identitetin e tyre “nacional“ e kanë bazuar në kundërshtimin e tjetrit. Por lënë anash kundërshtarët, duhet të ketë edhe një definim të vetvetes nga brenda. Nëse e analizojmë situatën në Kosovë prej këndvështrimit të identitetit dhe vlerave shoqërore, lehtë konstatohet se që prej pasluftës kemi përjetuar një degradim të tyre. Secila shoqëri në periudhë tranzicioni, pra në një periudhë kalimtare nga një sistem politik në tjetrin dhe nga një sistem vlerash në tjetrin, përjeton një amulli të përkohshme, një çorientim momental. Por pastaj doemos duhet të ndodhë riorientimi dhe instalimi i koordinatave të reja, të cilat shërbejnë për organizimin dhe orientimin shoqëror. Shoqëria kosovare për momentin jeton një jetë anomike, pra nuk ka kurrfarë udhëzimi apo shembulli se cilat do të duhej të ishin qëllimet e shoqërisë dhe me çfarë mjete do të mund të arriteshin. Anomia rezulton shkaku i krizës identitare në Kosovë. Në gjendje të krizës identitare, qytetarët lehtësisht manipulohen nga njerëzit e pushtetshëm. Qëllimi i këtij shkrimi është pikërisht sqarimi i procesit të identifikimit dhe ndërlidhjes së identitetit të popullit me shtetin dhe politikën.

Sipas Emile Durkheim dhe më vonë Robert K. Merton („Social theory and social structure“, 1949), anomia është një gjendje shoqërore, e cila karakterizohet nga një zmbrapsje apo shembje e normave. Një gjendje anomike e dëmton integrimin politik të një shoqërie, sepse kjo e fundit, në mungesë të normave dhe vlerave të përbashkëta, do të fragmentohet në grupe të ndryshme identitare. Pra, nëse shoqëria si tërësi nuk e ka definuar vetveten dhe qëllimet e saj në vija të trasha, qytetarët vetë do të fillojnë ta interpretojnë shoqërinë dhe orientimin që ajo duhet të marrë sipas mendimit të tyre personal.

Për të shmangur një gjendje anomie, shoqëria duhet të përcaktojë qëllime dhe norma shoqërore, të cilat burojnë nga dëshirat dhe pritjet e qytetarëve dhe të definojë me çfarë mjetesh arriten ato qëllime. Përcaktimi dhe promovimi i vlerave shoqërore do të duhej inicuar nga elitat intelektuale dhe shoqëria civile me ndihmën e institucioneve shtetërore. Mungesa e një identiteti të konsoliduar tek qytetarët evokon një krizë orientimi, fazë kjo tejet delikate për shoqërinë. Në këto rrethana, shtuar këtu edhe rritjen e ndjenjës së pasigurisë pas lëvizjeve të fundit gjeopolitike në arenën ndërkombëtare dhe në rajon, qytetarët lehtë binden nga politika populiste me oferta radikale, por edhe nga rrymime tjera shoqërore. Ndër to, më të rrezikshmet dhe më së paku të parashikueshme janë rrymimet fetare. Edhe këtu mungon një debat mbi identitetin musliman të kosovarëve. Shoqëria jonë e ka një identitet fetar musliman veçse të formuar prej kohësh, i cili është liberal dhe nuk ka të bëjë asgjë me salafizëm dhe vahabizëm. Qytetarët muslimanë kosovarë kanë qenë gjithmonë të vetëdijshëm për identitetin e tyre fetar. Mirëpo kohëve të fundit, identiteti jonë fetar po merr nuanca tjera dhe po rrezikohet nga rrymime që nuk i përkasin identitetit të trashëguar fetar të kosovarëve. Ky zhvillim regresiv ka ndodhur para syve të qeverive tona dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët do të jenë përgjegjës historikisht për depërtimet e huaja të dyshimta në Kosovë. Secili besim meriton respekt, mirëpo kur veçse ekziston një identitet fetar i formësuar, nuk ka nevojë për një misionim të ri. Kritikat e qytetarëve muslimanë ndaj një invazioni të një lloji tjetër muslimanizmi shpeshherë po etiketohen si islamofobe. Ky etiketim i një kritike, e cila në fakt vetëm dëshiron ta mbrojë identitetin fetar të trashëguar, thjesht është i pareflektuar mjaftueshëm. Nuk mund të ketë islamofobi në një vend me shumicë muslimane, përkundrazi një kritikë ndaj rrymimeve të reja muslimane është mbrojtje e islamit tradicional kosovar. Këto argumente në sfond, prijësit muslimanë dhe institucionet duhet të angazhohen për sqarimin e drejtë të traditës fetare në Kosovë dhe këtë ta përçojnë sistematikisht tek shoqëria. Edhe këtu duhet të vendosen qëllime dhe të përcaktohen vlerat përkatëse.

Por si do të bëhej një përcaktim i qëllimeve dhe krijimit të vlerave të mirëfillta përkatëse? Nëse, sa për ilustrim, si qëllim kulturor do ta përcaktonim arsimin, normat të cilat do të duhej të promovoheshin do të ishin zelli, inteligjenca, dëshira për mësim dhe arsimi kualitativ. Kështu, për secilin qëllim do të duhej të krijohen dhe promovohen vlerat adekuate. Dhe natyrisht, ato vlera do të duhej të jetohen dhe mbrohen nga elitat, të cilat shërbejnë si shembuj të sjelljes shoqërore. Por mbi të gjitha, për mosrespektim të tyre do të duhej të ketë sanksionim shoqëror, të paktën moral. Ndërsa në Kosovë, qytetarët kanë mbetur pa një busullë kulturore. Është bërë vendi i të gjitha mundësive. Thuajse asgjë nuk sanksionohet më shoqërisht, as vjedhja, as mashtrimi, as gënjeshtra, as tradhëtia, as përtacia. Sepse nuk po dihet se çka do të ishte ideali i një jete të mirë dhe të denjë. Sepse mungon orientimi në vlera. E ky është dështimi kryesor i elitave intelektuale dhe politike të vendit. Lëre që nuk e inicuan një proces të tillë të promovimit të vlerave, por përkundrazi shpeshherë i shembën ato. Duke korruptuar, vjedhur, mashtruar. Duke katandisur arsimin, drejtësinë dhe shumë sfera të jetës në një gjendje alarmante. Elitat tona vetë i degraduan identietitin dhe vlerat. Ia humbën orientimin qytetarit.

Fundusi identitar në të cilin thirren popullata shumicë e Kosovës është krijuar në rrethana tjera historike dhe duhet rimodeluar dhe përshtatur me realitetin dhe nevojat aktuale. Ndonëse një identitet shoqëror nuk mund të krijohet në formë të një inxhinierimi shoqëror, ngaqë secila shoqëri veçse i ka veçoritë e saj, mëgjithatë institucionet udhëheqëse e kanë për detyrë të orientojnë qytetarët me formulimin e politikave shtetërore. Dikush mund të thotë që identiteti ka të bëjë me mitet, normat dhe ngjarjet historike dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet. Mirëpo identiteti është çdoherë në evoluim, pra asnjëherë nuk duhet të shihet si një gjendje statike e shpirtit të shoqërisë. Ajo çfarë jemi, çdo ditë krijohet dhe kompletohet rishtazi nga debatet shoqërore rreth temave të ndryshme vitale për shtetin dhe popullatën. Varësisht nga trajtimi i një teme dhe pranimi i diskursit rreth asaj teme në shoqëri, ashtu edhe ajo temë dhe diskurs do të influencojë ndryshimin dhe zhvillimin e identitetit shoqëror. Duke pasur parasysh këtë ndërlidhje mes diskursit shoqëror dhe identitetit, një rëndësi dhe detyrë të veçantë kanë elitat intelektuale dhe politike me diskurset e tyre, sepse janë ato të cilat krijojnë opinione dhe trende. Shoqëria jonë, përpos që e din se nuk dëshiron të jetë nën presionin e politikës së Serbisë dhe don ta ketë shtetin e saj, ende nuk e din se çfarë dëshiron të jetë. Kosova që prej pasluftës është marrë me shtetndërtim, i ka instaluar institucionet dhe ka ngritur gjithë strukturën shtetërore si dhe simbolet e saj. Me këtë është kryer një pjesë e punës së shtetndërtimit, por pjesa më e rëndësishme e saj ka ngecur, e ajo është identifikimi psikologjik i qytetarit me shtetin, apo kultivimi i një identiteti shtetëror të adaptuar në rrethanat e reja.

Krijimi i identitetit të shoqërisë si proces ndodhë në analogji me krijimin e identitetit individual. Njeriu, për arsye të sigurimit të mbijetesës, identifikohet fillimisht me prindin, pastaj me rrethin. Sipas teorive psikologjike të Frojdit, Parsons, Erikson dhe të tjerë, identifikimi i përmbushë nevojat e natyrshme psikologjike të individit. Kjo nënkupton se identifikimi si proces psiko-social, ndodhë shkaku i një nevoje të natyrshme njerëzore për një siguri psikologjike, për mbijetesë. Mbijetesa nuk ka të bëjë vetëm më mbijetesë fizike, por edhe me pranimin tonë nga rrethi, do të thotë me mbijetesën psikologjike Krijimi i identitetit individual ndodhë përmes interaksionit të njeriut me rrethin e tij. Interaksioni, së këndejmi, paraqet një platformë shkëmbimi mes individëve dhe shoqërisë. Është pra diskursi, krijues të të cilit jemi vetë ne, ai që formon apo rrënon identitet. William Bloom thotë se secili individ posedon një ngulm “për tu identifikuar me sjelljet, veçoritë dhe atitudat e figurave signifikante të rrethit të tij/saj, dmth. njerëzit në mënyrë aktive kërkojnë identitetin”. Njëherazi, secila qenie njerëzore, sipas Bloom, tenton që t’i përforcojë dhe mbrojë identifikimet e formuara.

Meqë identifikimi gjithmonë është instrumental, rrjedhimisht qytetarët identifikohen me një strukturë politike vetëm nëse kanë një përfitim nga ai identifikim, pra nëse ai identitet përforcon mirëqenien shpirtërore dhe ju jep përshtypjen se do t’i mbrojë interesat e tyre. Identifikimi bëhet përmes internalizimit të simboleve (mitet, historia, flamuri, himni, institucionet) por edhe përmes eksponentëve dhe liderëve politikë. Në Kosovë simbolet shtetërore janë krijuar tek vonë dhe ende nuk kanë peshën e tyre optimale që të shërbejnë si mjet identifikimi për të gjithë qytetarët me kombësi të ndryshme. Edhe liderët do të mund të ishin shembuj identifikimi. Mirëpo shumë nga ta kanë qenë kontradiktorë dhe jo-koherentë në politikat e tyre për tu përzgjedhur si model identifikimi për qytetarin. Edhe kur kishin potencialin të jenë shembuj identifikimi, bënë gabime gjatë karrierës dhe formulimit të politikave të tyre, gjë që ju kushtoi. Së fundi gjatë zgjedhjeve të parakohshme.

Një tjetër gabim i elitës kosovare është përformanca e dobët në politikën e jashtme gjatë viteve të fundit, sidomos prej fillimit të bisedimeve rreth marrëdhënieve me Serbinë. Komuniteti shkencor qëmoti e njeh raportin dialektik mes identitetit shtetëror dhe politikës së jashtme, korrelacionin përforcues të dyanshëm mes tyre. Prandaj iniciativat në fushën e politikës së jashtme si dhe prezantimi i tyre në shoqëri duhet të jenë të planifikuara më një kujdes akribik dhe strategji holistike. Një qasje e tillë sistematike e politikës kosovare qartazi mungon. Këtë e dëshmojnë edhe krizat politike brenda vendit dhe në politikën tonë të jashtme. Për këtë shih edhe shkrimin e Armend Mazrekut „Mbi Republikën e Tretë Serbe në Ballkan“.

Këtu po flasim për një identitet të përveçëm të Kosovës, ndonëse jam shumë e vetëdijshme se shumica e kosovarëve janë kundër një veçimi të tillë. Nga frika se kjo do të ndikonte në një largim mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk duan as për qëllime analitike t‘i shohin si të ndara. Mirëpo është fakt se Kosova duhet të vendosë vetë për çështjet e saj. Forcimi i një identiteti shtetëror kosovar nuk na bën më pak shqiptarë, ngaqë këto dy identitete nuk duhet menduar si përjashtuese. Përkundrazi, janë komplementarë. Secili vendim që mirret, secili hap që bëhet, merr si bazë atë çfarë ne jemi dhe duam të jemi. Para së të dijmë ku po shkojmë, duhet ta caktojmë ku jemi, apo jo? Kosova ka rrethana tjera sesa Shqipëria, dhe rrjedhimisht edhe qëllime dhe detyra tjera. Për t’i kryer ato detyra dhe rrugëtime drejt një shtetndërtimi të mirëfilltë, Kosova duhet ta formojë identitetin shtetëror të saj. Përndryshe, në mungesë të një qartësie dhe një kristalizimi të vlerave, normave dhe identitetit shtetëror, lehtësisht në atë bshllëk depërtojnë elemente të huaja identitare, të cilat në Kosovë gjejnë një bazë të ushqyeshme fermentimi.

Arsyet për lehtësinë e depërtimit të elementeve identitare, përpos boshllëkut identitar ekzistues, janë të natyrës socio-ekonomike. Së pari, popullata e Kosovës është e re, me një moshë mesatare prej 30 vjet. Moshat e reja (sidomos adoleshenca, prej afërsisht 12-20) janë më të luhatshme ndaj ligjërimeve të huaja, sepse edhe vetë gjinden në një hapësirë kohore të jetës kur janë në kërkim dhe zhvillim të identitetit personal. Pastaj, në këtë moshë, dinamika e grupit ka një ndikim të madh. Sidomos në shkolla të mesme dinamika e grupit është thuajse determinuese për shumë të rinjë. E dyta, gjendja ekonomike në vend është e rëndë dhe njerëzit kanë nevojë për një platformë shpresëdhënëse. E treta, pas ngrirjes aktuale të procesit të integrimeve të shteteve të reja në BE, edhe perspektiva evropiane ka humbur fuqinë e saj tërheqëse si motiv orientues. Këta faktorë, në konstelacion të përbashkët pastaj e përforcojnë njëri-tjetrin. Njeriu ka nevojë për një sistem vlerash, dhe kur në rrethanat socio-ekonomike të Kosovës ai sistem mungon, është shumë njerëzore që orientimi të pranohet nga çfarëdo sistemi tjetër vlerash. Sepse njerëzit kanë nevojë të kapen për një fije orientimi për të mos mbetur në hapësirë të padefinuar.

Për Kosovën dhe qytetarët e saj, është jetike që tani e tutje të veprohet ndryshe. Nuk guxojmë të lejojmë që gjërat të na dalin jashtë kontrollit. Duhet mbledhur mendjen. Duhet punuar në mënyrë sistematike dhe urgjente rreth qartësimit të identitetit tonë dhe interesave tona si shoqëri, gjithmonë duke ditur se identiteti është nevojë esenciale njerëzore, i cili krijohet përmes narracioneve diskurzive dhe ndikohet nga persona signifikantë dhe simbole shtetërore. Se identiteti mund të jetë i shumëfishtë, me elemente të ndryshme dhe shtresa të ndryshme dhe që është vazhdimisht në evoluim. Mbi të gjitha, elitat politike dhe intelektuale duhet ta kenë parasysh dialektikën mes identitetit dhe politikës së jashtme. Mospërfillja e mundësisë së trasimit të një rruge pakthim në lojën me elemente identitare është një lojë më fatin e shtetit të Kosovës. E lënia pasdore e trajtimit profesional dhe të devotshëm të çështjes së identitetit të qytetarëve të Kosovës nga elitat, në fund të ditës do të jetë ose mungesë e dijes së tyre, ose neglizhim i qëllimshëm sall për të lënë hapur mundësitë e manipulimit me identitet për nevoja të mobilizimit të tij saherë ju duhen votat e qytetarit për sigurimin e pushtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.