Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dilema e rritjes të pagës minimale

Sindikatat e punës dhe aktivistët e të drejtave të punëtorëve historikisht e kanë përkrahur idenë e aplikimit të pagës minimale. Disa vende ishin më të hershme në zbatimin e kësaj politike. Në vitin 1894, Zelanda e Re u bë shteti i parë i cili miratoi ligje në lidhje me pagesën minimale. Në anën tjetër, Gjermania në vitin 2015 vendosi për herë të parë pagën minimale prej 8.5 Euro. Edhe pse të miratuara në kohë të ndryshme, sot 92% e vendeve të botës aplikojnë pagë minimale. Kosova, ndonëse më të ulëtën në rajon, aplikon pagë minimale prej 170 Euro për të punësuarit mbi 35 vjeç, dhe 130 Euro për ata nën këtë moshë. Pothuajse të gjitha partitë politike, të majtë e të djathtë, kanë premtuar rritje të pagës minimale gjatë fushatës të fundit zgjedhore. Por, cilat janë implikimet ekonomike dhe buxhetore të kësaj rritjeje?

Debati në mes të politikbërësve dhe ekonomistëve orientohet kryesisht në nivelin e pagës minimale, më shumë se në ekzistencën e saj. Teoritë tradicionale e shpjegojnë rritjen e pagës minimale me modelin bazik të ofertës dhe kërkesës. Kur rriten çmimet për një produkt, kërkesa për të bie. Në të njëjtën logjikë, kur rritet paga minimale, çmimi i punës bëhet më i shtrenjtë dhe rrjedhimisht kërkesa e firmës për punëtorë zvogëlohet. Ndryshe nga teoria, kërkimet empirike në shumë raste kanë provuar të kundërtën. David Card nga Universiteti i Kalifornisë dhe Alan Kruger nga Universiteti Princeton, në vitet e 90-ta, kanë publikuar studimin empirik pionier në lidhje me rritjen e pagës minimale.

Profesorët e shquar analizojnë efektin e rritjes të pagës minimale në New Jersey dhe Pensilvani, duke u fokusuar në personat që punojnë në rrjetin e ushqimeve të shpejta. Konkluzionet e tyre ishin se, rritja e pagës minimale nuk e dëmton punësimin; në disa raste, punësimi është rritur pas aplikimit të kësaj politike. Kuptohet, gjetjet e një studimi për një vend dhe sektor specifik, nuk mund të aplikohen në një vend dhe sektor krejtësisht të ndryshëm. Por, besimet tradicionale të ekonomistëve, në shumë raste, mund të mos jenë të qëndrueshme. Një studim i ri tregon që rritja e pagës minimale ka ndikuar që punëtorët të punojnë më pak orë në ditë dhe të paguhen më mirë. Veç kësaj, autorët gjejnë se rritja e pagës minimale nuk ka pasur efekt negativ në nivelin e punësimit.

Pagesa minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë, ani pse niveli i çmimeve është rritur vazhdimisht. Ky nivel i pagës minimale në Kosovë i prodhon tri efekte kryesore. E para, një numër i madh i kompanive i deklarojnë punëtorët në Administratën Tatimore me pagë minimale, edhe pse u paguajnë kompensim më të lartë. Pra, pjesën mbi 170 Euro punëtorëve ua japin kesh. Si rezultat, dëmtohet i punësuari, sepse kontributet pensionale i paguhen në minimumin e mundshëm; dhe dëmtohet buxheti i shtetit, pasi nuk paguhet plotësisht tatimi në të ardhura. Rritja e pagës minimale vështirë se do ta dëmtonte këtë kategori të të punësuarve. Kjo pasi rentën e mos deklarimit që aktualisht e merr firma, do ta ndanin punëtorët dhe buxheti i shtetit.

E dyta, niveli i pagës minimale i dekurajon punëtorët e ri. Sipas Agjencisë të Statistikave, shkalla e papunësisë tek të rinjtë në vitin 2020 ishte rreth 46%. Shumë prej tyre e kanë të përfunduar edhe shkollimin e lartë. Kemi raste kur dëgjojmë se firmat nuk po munden të gjejnë punëtorë, sidomos ato prodhuese. Të rinjtë e diplomuar, shpesh herë, preferojnë të qëndrojnë të pa punë, sesa të bëjnë punë jashtë profesionit dhe me kompensim minimal. E thënë ndryshe, niveli i ulët i pagës, në mes tjerash, është duke prodhuar stimuj negativ tek të rinjtë.

E treta, Kosova është ndër vendet me përqindjen më të madhe të individëve jo aktiv – personat që nuk regjistrohen si të papunë. Rritja e pagesës minimale do ta stimulonte këtë kategori të njerëzve. Ekonomisti i famshëm Daron Acemoglu, gjatë punës kërkimore për pagën minimale ka gjetur se rritja e kompensimit minimal e stimulon krijimin e vendeve të mira të punës, me paga më të larta, pastaj e rritë sigurinë e të punësuarve dhe ofron mundësi për avancime në karrierë.

Një dilemë tjetër që diskutohet nga ekonomistët e tregut të punës është ndikimi negativ i pagës minimale në produktivitetin e punëtorëve. Kur ekziston ligji që garanton kompensim të caktuar, punëtorët mund të mos kenë stimuj të mjaftueshëm për të punuar maksimalisht. Por, siç tregojnë edhe ekonomistët Steve Pischke nga London School of Economics dhe Daron Acemoglu, kjo dilemë është ekzagjeruar. Në një study të tyre, autorët gjejnë se kur punëdhënësit janë duke fituar rentë (më shumë sesa fitohet në kushtet normale të konkurrencës), një rritje në pagesën minimale mund të akomodohet, pa pasur nevojë që të pushojnë punëtorë nga puna. Kur shpenzimet e pagave rriten, punëdhënësit nuk do ta lejonin një ulje në nivelin e produktivitetit; përkundrazi, do t’i shtynin punëtorët drejt nivelit më të lartë të produktivitetit. Për këtë arsye, duket e panevojshme që dikush të brengoset se rritja e pagës minimale në Kosovë, do të shkaktonte ulje të produktivitetit në terma agregat.

Argumenti kryesor kundër rritjes të pagesës minimale që dëgjohet nëpër debate është Ligji për Veteranët, i cili e lidh pensionin e një veterani me pagën minimale. Në vitin 2020, ishin mbi 38 mijë veteranë përfitues të skemës sociale. Nëse paga minimale rritet nga 170 në 250 Euro, atëherë, nën supozimin që numri përfitues i veteranëve mbetet i njëjtë, do të kishte kosto shtesë buxhetore në vlerën prej rreth 36 milionë euro në vit, apo rreth 114 milionë në total. Kjo e vështirëson paksa ndryshimin e shpejtë të pagesës minimale. Por, duhet të bëhet e qartë që edhe veteranët që varen financiarisht nga skemat sociale kanë nevojë për mjete shtesë. Qeveria e re do të duhej ta modifikonte ligjin dhe të krijonte hapësirë për institucionet e drejtësisë për t’i hulumtuar listat, për të cilat duket se ekziston një konsensus që janë të fryra.

Është raportuar se në kohën kur filluan pagesat për këtë skemë, shumë veteran që kishin firma funksionale në pronësi, ua bartën familjarëve të tjerë. Kjo pasi ligji kërkonte që veteranët të cilët përfitojnë nga skema sociale, duhet të jenë të papunë dhe mos të kishte biznes në pronësi.  Nëse adresimi i këtyre çështjeve do ta ulte ndjeshëm numrin e veteranëve të skemës sociale, atëherë do të mund të akomodohej rritja e pensioneve pa krijuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Me fjalë tjera, nëse nga 38 mijë, do të kishim 26 mijë veteran në skemën sociale, atëherë të gjithë do të mund t’i merrnin nga 250 Euro në muaj, pa shkaktuar implikime të mëtejme buxhetore.

Problemi kryesor i tregut të punës mbetet mungesa e vendeve të mira të punës, të cilat janë të domosdoshme për strukturën e re të popullsisë. Politikbërësit nuk do të duhej të kishin dilema të bazuara në teoritë klasike të ekonomisë, pasi hulumtimet empirike tregojnë se rritja e pagës minimale i atakon vetëm disa sektorë, punët që janë të zëvendësueshme nga makinat  dhe kompanitë me margjinë të lartë të fitimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.