Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Diplomacia e Kosovës në dhjetëvjeçarin e ri: Rruga drejt konsolidimit

Foto nga Freepik.

Pak ditë pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Ambasadorit Nicholas Burns, diplomat të spikatur kanë përgatitur një raport  [1] duke reflektuar mbi shërbimin diplomatik të ShBA si dhe kanë propozuar një sërë ndryshimesh të nevojshme. Qasja e këtillë, e rivlerësimit dhe e propozimeve konkrete dhe konstruktive të ndryshimeve të vazhdueshme, të nevojshme, e ndihmon zhvillimin e mëtejshëm edhe të një diplomacie të konsoliduar me traditë si e ShBA-së, por mund të shërbejë edhe si model për secilin vend. Duke u nisur nga besimi që politika e jashtme duhet të jetë fusha e politikës publike me më së paku dallime ndërmjet partive politike në Kosovë, ky artikull mëton të ofrojë një analizë dhe disa rekomandime të cilat do të mund të shërbenin si bazë mbi të cilën mund të zhvillohet një debat gjithëpërfshirës drejt avancimit të shërbimit diplomatik dhe politikës së jashtme të Republikës sonë te re.

Fatkeqësisht, opinioni publik në Kosovë zakonisht i kthen sytë nga politika dhe shërbimi i jashtëm vetëm kur raportohen shkelje në procedurat e rekrutimit, përzgjedhjeve apo dërgimit në poste diplomatike. Një qasje e tillë kalimtare dhe sipërfaqësore, rrezikon të maskoj sfidat më të thella të politikës të jashtme të Kosovë dhe të shërbimit të saj të jashtëm, të cilat fatkeqësisht nuk janë të pakta e as të vogla. Më poshtë identifikohen një sërë veprimesh që do të mund të adresonin disa nga nevojat dhe mundësitë për avancim të politikës së jashtme dhe përfaqësimit të vendit.

Gjersa dhjetëvjetori i parë i shtetësisë së vendit kishte një dinamikë të madhe të zhvillimeve në dimensionin e marrëdhënieve të jashtme, tani natyrshëm kjo dinamikë është ngadalësuar dhe prandaj është moment i duhur për të rimenduar, konsoliduar dhe fuqizuar angazhimin e mëtutjeshëm.

Njohjet e njëpasnjëshme, anëtarësimet e rëndësishme në organizata ndërkombëtare (FMN, Banka Botërore, OBD etj.), opinioni pozitiv i GJND-së për shtetësinë e Kosovës, avancimi në rrugën Evropiane (MSA) konsolidimi dhe shpërndarja e rrjetit diplomatik ishin përpjekje dhe arritje të përmasave historike. Përveç këtyre, u zhvilluan edhe betejat për anëtarësim në organizata të rëndësishme si INTERPOL dhe UNESCO. Në këtë periudhë u zhvillua dialogu i lehtësuar nga BE për normalizim të marrëdhënieve, si dhe dialogu i ndërmjetësuar nga ShBA. Mirëpo kjo periudhë e parë dinamike medoemos do të përcillej me një ngadalësim në angazhimin dhe rezultateve politikës së jashtme. Zakonisht betejat më të vështira nuk janë të parat, dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Andaj do të jetë e rëndësisë edhe më të madhe që të pajiset me kapacitetet e nevojshme që mbron dhe promovon interesat e Kosovës në botë tash kur frutat e parë janë korrë.

Ajo që është më se evidente është se problemet e vazhdueshme, me të cilat është ballafaquar politika e jashtme, ashtu si mundësitë e pashfrytëzuara deri më tani, nuk mund të adresohen me qasjen e as me mjetet e përdorura deri tani. Sukseset e radhës do të varen nga puna e zellshme por edhe nga definimi i një vizioni strategjik të bazuar për atë se çfarë është e arritshme.

Për të adresuar sfidat e radhës, e nevojshme që të ndërmerren hapa të guximshëm për të bërë një rishqyrtim dhe rifokusim më të thellë të objektivave, organizimit, dhe ngritjen e mbështetjes dhe resurseve në dispozicion të politikës së jashtme të Kosovës dhe të institucioneve e strukturave që e zbatojnë atë. Gjersa sfidat me të cilat Kosova përballet në arenën ndërkombëtare mbesin prezente, vendi duhet ta parandalojë degradimin e mëtejshëm institucional, shthurjen operacionale dhe çakordimin e tejmë të këtij shërbimi që ka nevojë të skajshme për profesionalizim, depolitizim dhe organizim.

* * *

Sfida kryesore e Republikës së Kosovës në politikën e jashtme mbetet mosnjohja e fuqive botërore si Rusia dhe Kina, dhe moslëkundja e pozicioneve të pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në rajon, sfidë kryesore mbetet Serbia që përmjet mjeteve të ndryshme është në angazhim të përhershëm që të parandalojë afirmimin e shtetësisë dhe avancimin e interesave tjera.

Sikur këto të mos ishin të mjaftueshme, Kosovës i duhet të navigojë në një realitet tejet delikat në skenën globale që është duke kaluar nëpër lëvizje të mëdha të pllakave tektonike gjeopolitike. Ndryshimi i administratës në ShBA dhe pikëpamjet e reja ndaj politikës së jashtme; konflikti mes populizmit dhe rënies së qasjes së bazuar në vlerat demokratike perëndimore; presioni i vazhdueshëm i Rusisë dhe i Kinës në rritje ndaj vlerave demokratike dhe i rendit të botës perëndimore, i bazuar në rregulla; ngritja e populizimit dhe debatet e brendshme të BE-së për thellimin para zgjerimit, ridefinimi i marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar si dhe parandalimi i daljeve të reja nga unioni, janë vetëm disa nga konsideratat globale me të cilat duhet të ballafaqohet jo vetëm Kosova por edhe i gjithë rajoni i Ballkanit perëndimor. Në anën tjetër, zbehja e kredibilitetit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, presionet për një përafrim ekonomik rajonal përkrah një gare drejt BE-së me tendenca për të mënjanuar zgjidhjen e pengesave politike (si njohja e Kosovës nga Serbia) janë disa nga konsideratat e rëndësishme që Kosova i ka para vetes në rrafshin rajonal.

Në vazhdim do të propozojmë disa veprime që do të mund të ndikonin pozitivisht në rehabilitimin dhe rivitalizimin e këtij krahu të rëndësishëm për avancim të interesit shtetëror. Shtyllat kryesore mbi të cilat janë vendosur këto rekomandime janë besimi se institucionet dhe hisedarët tjerë shoqërorë të vendit kanë vullnet për të mobilizuar investimeve substanciale intelektuale por edhe financiare. Padyshim, disa nga masat e propozuara do të çonin drejt depolitizimit, gjë që do të shkonte kundër çdo instinkti të vendimmarrësve politikë. Por meqenëse kemi të bëjmë me diçka që i tejkalon interesat e ngushta politike, kjo është e domosdoshme.

1. Ripërcaktim i qëllimeve/përshkallëzimi i objektivave

Gjersa qëllimet e Kosovës mbesin afirmimi i shtetësisë, anëtarësimi në OKB, BE dhe NATO, duhet pasur edhe një qasje reale që i mundëson një vlerësim se kur dhe si do të arrihen këto qëllime në sy të bllokadave që e parandalojnë me të vërtetë një gjë të tillë.

Edhe sikur klima për absorbim të vendeve të reja të ishte ideale, Kosova duhet ta ketë të qartë që në rrugën e saj ekzistojnë probleme duke filluar me vetë faktin që nuk është e njohur universalisht. Prandaj i duhet që në mënyrë të koordinuar të zhvillojë një debat domethënës ndërinstitucional dhe pastaj të artikulojë një set të objektivave strategjike afatgjate për qasjen e saj në botë. Në të njëjtën kohë, duhet të pajiset edhe me një set të objektivave realiste inkrementale që shërbejnë si lëvizje taktike në mënyrë që vendi të pozicionohet më volitshëm për të përfituar atëherë kur kushtet janë të përshtatshme.

2. Forcimi i prezencës në rajon dhe nismat për bashkëpunim rajonal

Ajo që duhet bërë, mbi të gjitha, në këtë situatë, gjersa konteksti të mos ndryshojë, është që ta shtrijë prezencën e saj dhe një pjesëmarrje aktive dhe përmbajtjesore në të gjitha nismat rajonale. Nuk duhet lejuar që vendi të vetizolohet për shkak të simbolikave. Një ndër rreziqet që i kanosen Kosovës është që të shihet si një pengesë për avancimin e bashkëpunimit në rajon.

Ajo çfarë duhet të bëhet, është në fakt e kundërta. Kjo do të mund të përfshijë, por jo të kufizohet me përcaktime për përforcimin dhe thellimin e lidhjeve ekzistuese, ngritjen e përfaqësimit në organizatat ku Kosova është e anëtarësuar (përfshirë duke e kërkuar mundësinë e udhëheqjes së njërës nga nismat nga një kosovar) dhe rritjen e profilit në agjendën rajonale. Të njëjtën kohë duhet të insistojë që edhe të marrë përgjegjësi, si duke u bërë nikoqire e ngjarjeve, e nismave në mënyrë të barabartë me rajonin, ashtu edhe duke e kërkuar prezencën e përhershme për ndonjë nga organizatat rajonale. Ekziston mundësia që të gjitha këto të bëhen pa sakrifikuar as shkelur mbi parimet e simbolet e veta – gjithçka duhet të jetë e pranueshme derisa rregullat i aplikohen të gjitha vendeve në mënyrë të barabartë.

3. Dërgimi i përfaqësuesve në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare

Përkundër faktit që institucionet tona kanë bërë një punë monumentale për t’u anëtarësuar në organizata e iniciativa te ndryshme, shumë shpesh në momentin e anëtarësimit kanë përfunduar përpjekjet për të përfituar nga këto organizata. Këtë duhet adresuar edhe në aspektin e dërgimit apo të mundësimit të personelit. Duhet kultivuar një raport dhe dialog i vazhdueshëm me rrjete të profesionistëve nga Kosova në organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore apo FMN. Kosova duhet të ketë një plan që të mbështesë dërgimin e përfaqësuesve në mundësi të përkohshme në këto organizata. Në të njëjtën frymë duhet që të mundësohen dhe të inkurajohen edhe programe që do të mundësonin edhe dërgimin e personelit për shkëmbime (mësim në punë) me vendet mbështetëse.

4. Rritja e kredibilitetit dhe e besimit në shërbimin e jashtëm

Ministria e Punëve të Jashtme është përcjellë që nga fillimi me skandale të shumta mediale të cilat kanë ndikuar në kredibilitetin e këtij institucioni. Raportimet e deritanishme mediale janë arsye e mjaftueshme që të niset një hulumtim i pavarur për të adresuar akuzat për nepotizëm dhe shkelje tjera të procedurave në rekrutim dhe avancim. Gjithashtu duhet të rishikohet edhe procedura e vlerësimit të stafit, dhe duhet të bëhet më domethënëse në mënyrë që të avancimet eventuale të aftësive të ndërlidhen me avancime në karrierë. Duhet konsideruar edhe një mundësi për rishikim/verifikim të kualifikimeve përmes organizimit të testimeve të ndryshme (të standardizuara) dhe të testimeve të kompetencës gjuhësore përmes institucioneve të pavarura.

5. Rritja e kapaciteteve të formulimit dhe të zbatimit të politikave

Politika e jashtme duhet të burojë nga Ministria e Jashtme dhe qëndrimet të komunikohen qartë dhe shpesh me Misionet diplomatike. Koordinimi vertikal dhe horizontal i politikës së jashtme do të lehtësojë dhe të fokusojë punën e shërbyesve diplomatikë. Formulimi i mirëfilltë i politikës së jashtme dhe harmonizimi ndërmjet bartësve kryesorë të politikës së jashtme do të ndikojë pozitivisht në punën e misioneve diplomatike. Natyra e koalicioneve qeverisëse në Kosovë ka krijuar sfida në fragmentimin e përgjegjësive si dhe të fushëveprimeve, gjë që shpeshherë prodhon kakofoni të qëndrimeve. E vetmja mënyrë që kjo të mënjanohet është nëse ka një koordinim më të përforcuar, dhe nëse MPJ është proaktive në formulimin, koordinimin dhe komunikimin e politikave.

Për më tepër, transmetimi i qëndrimeve të ndryshme tek përfaqësitë diplomatike në Prishtinë shpesh ka shkaktuar hutí tek komuniteti diplomatik. Po aq i rëndësishëm është fakti që Ministritë e linjës vazhdojnë të bëjnë deklarime dhe veprime që do të duhej të vendosen nga MPJ në kuadër të një politike të jashtme gjithëpërfshirëse.

Për të adresuar disa nga sfidat e lartpërmendura duhet të konsiderohet themelimi i një instituti këshillues të pavarur për politika të jashtme. Njëkohësisht duhet të kultivohet një dialog i vazhdueshëm edhe me akterë jashtë mureve institucionale për të pasuruar pikëpamjet si dhe të thithen edhe kapacitete nga fusha akademike dhe shoqëria civile. Kjo përfshin organizimin e rregullt të konferencave/simpoziumeve, si dhe rritjen e bashkëpunimit me “think-tanks” vendore dhe të huaja përmes porositjes së studimeve specifike për nevoja të MPJ-së.

6. Profesionalizimi i mëtutjeshëm i diplomatëve ekzistues

Diplomatët nuk duhet të shihen si resurse të pandryshueshme. Në fakt, do duhej të bëhet gjithçka që të bëhen investimet dhe të vendosen në programe të aftësimit të diplomatëve përgjatë karrierës me trajnime plotësuese përmbajtjesore. Duhet të krijohet një plan gjithëpërfshirës, të bazohet në gjetjet e një hulumtimit të thellë të kompetencave të stafit ekzistues, duke mos përjashtuar edhe trajnime bazike të gjuhëve, deri në programe më të sofistikuara përmbajtjesore në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, drejtësisë etj.

Në këtë drejtim duhet konsideruar fuqizimi i mëtutjeshëm i akademisë diplomatike me fonde dhe staf dhe përmes dizajnimit të programeve të aftësimit përgjatë karrierës. Në të njëjtën kohë duhet të krijohet dhe një incentivizim i qartë i diplomatëve që të bëjnë përpjekje dhe të përkushtohen për aftësimin e tyre të mëtutjeshëm. Një mënyrë do të ishte përmes ndërlidhjes apo kushtëzimit të avancimit në karrierë apo shtimin e kompetencave me përfitimin e trajnimeve/kualifikimeve të nevojshme. Gjithashtu mund të krijohen edhe mundësi tjera më pak formale, por gjithsesi të dobishme si p.sh. përmes dizajnimit të një programi të mentorimit ku stafi i ri mund të këshillohet nga diplomatët që kanë krijuar përvojë më të gjatë të shërbimit.

Mbi të gjitha, në këtë drejtim, është më se i nevojshëm krijimi i një programi diplomatik njëvjeçar multidisiplinar për rekrutët e rinj. Kosova duhet t’i tejkalojë praktikat e organizimit të trajnimeve ad-hoc më shumë të formësuara nga oferta e donatorëve dhe e partnerëve sesa ndonjë plan të sajuar me kujdes më të standardizuar dhe që reflekton nevojat e shërbimit.

7. Tërheqja e talentit

Talentet kryesore duhet të tërhiqen dhe të punësohen në shërbim duke bërë një proces të besueshëm, të hapur dhe të promovuar mirë në vend, por edhe në diasporë. Nuk ka dyshim se ekzistojnë potencialet e reja shumë të motivuara dhe të përgatitura mirë. Ajo që mbetet për t’u parë është se shërbimi i jashtëm do të jetë në gjendje t’i shfrytëzojë këto mundësi. Një pjesë e suksesit do të varet nga bërja e proceseve të hyrjes të strukturuara mirë dhe të drejta, dhe pjesa tjetër e suksesit do të varet nga bërja tërheqëse e vendeve të punës që ofrohen duke paraqitur një mundësi karriere.

8. Rishikimi dhe konsolidimi i kornizës ligjore

Kosova ka nevojë të bëjë një rishikim të gjithë të kornizës ligjore, që ndërlidhet me politikën e jashtme. Ende ekzistojnë paqartësi në lidhje me vlefshmërinë e disa udhëzimeve dhe në raste të caktuara ka paqartësi rreth vlefshëmërisë dhe të zbatimit të urdhëresave administrative të cilat zbatohen në mënyrë arbitrare. Për më tepër korniza aktuale ligjore limiton mundësitë për rritje dhe zhvillim të shërbimit diplomatik. Fokusimi i zgjeruar në aspektin e ndarjes mes shërbyesve të karrierës dhe atyre të emëruar ka ndikuar në zhvendosjen e vëmendjes nga vlerësimi i performancës. Një sistem i ri diplomatik duhet të shfrytëzojë të gjitha resurset që janë në dispozicion, pavarësisht kategorizimit.

9. Diplomacia në epokën digjitale

Teknologjia informative dhe interneti e kanë ndryshuar mënyrën e operimit në çdo sektor. E njëjta vlen edhe për diplomacinë. Kosova në të kaluarën ka përdorur në mënyrë aktive mundësitë e ofruara nga teknologjitë e reja. Kjo duhet të vazhdojë edhe më tutje.

Në të njëjtën kohë duhet siguruar ruajtja e privatësisë dhe e konfidencialitetit.

Rrjedhjet e dokumentacioneve janë një dukuri e shprehur jashtë mase në Kosovë. Raportet e Ambasadave dhe të përfaqësive tjera diplomatike, jo rrallë përfundojnë në opinion publik. Për me tepër ato rrjedhin nga vetë bartësit e institucioneve. Është urgjente që të arrihet një standard i mbrojtjes së komunikimit diplomatik. Kjo do të sigurojë incentiva për diplomatet që të shkruajnë e të raportojnë shumë më lehtë seç bëjnë deri me tani.

10. Diplomacia e Kosovës duhet të shkojë përtej diplomacisë tradicionale

Përtej përdorimit të kanaleve digjitale për aktivitete diplomatike dhe për afirmimin dhe arritjen e qëllimeve të politikës së jashtme, Kosova duhet të zgjerojë përdorimin e diplomacisë ekonomike dhe asaj kulturore. Të dyja këto fusha kërkojnë përfshirje të Ministrive të linjës dhe koordinimin e akterëve përtej institucioneve publike. Për të arritur një promovim sa më të mirë të mundësive ekonomike dhe vendosjen e lidhjeve ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe jashtë vendit duhet një koordinim i shtuar me odat ekonomike, grupet e interesit dhe përfaqësitë jashtë vendit. E njëjta vlen për diplomacinë kulturore.

[1] A U.S. Diplomatic Service for the 21st Century | Belfer Center for Science and International Affairs.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.