Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

“Diskursi i luftës” dëmton ekonominë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ardhur në konkluzë se tensionet e shpeshta në veriun e Kosovës po e dëmtojnë ekonominë e vendit, duke penguar kështu shtimin e investimeve direkte. Sipas kryetarit të OEK-ut, Lulzim Rafuna, efekti negativ cenon edhe vendet e tjera të rajonit përpos Kosovës, pasi “korporatat multinacionale, rajonin e trajtojnë si një treg të vetëm”, duke iu referuar numrit të vogël të banorëve në Ballkanin Perëndimor. 

Gjatë dy viteve të fundit, për Kosovën është shkruar shumë më tepër nëpër mediat ndërkombëtare, të cilat raportonin kryesisht për situatën e tensionuar në veriun e vendit.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se “Serbia ka vendosur trupa ushtarakë afër kufirit me Kosovën”, lajm ky që bëri jehonë në mediat ndërkombëtare.

Interesimi i mediave ndërkombëtare ka qenë i përqendruar më shumë rreth zhvillimeve në Kosovë, duke intervistuar kështu presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti, si dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz.

Në intervistën për CNN, më 3 tetor 2023, teksa fliste për gjendjen pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, presidentja Osmani deklaroi se “presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, synon ta hapë një front tjetër lufte në Evropë”.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti, në një intervistë për mediumin italian La Repubblica, më 8 gusht 2023, kishte deklaruar se “Kosova rrezikon luftë”, duke e përmendur ndikimin e presidentit rus Putin në eskalimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Më direkte ka qenë ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, e cila, gjatë një interviste për mediumin gjerman Deutschlandfunk, më 2 tetor 2023, deklaroi se “do të ketë luftë nëse ndërkombëtarët e tolerojnë Serbinë”. 

Për më tepër, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, teksa kritikoi ashpër Bashkimin Evropian (BE), deklaroi: “mos na detyroni me eskalu situatën për me ju tregu që e de-eskalojmë prapë”, duke e shfaqur njëmend Kosovën si vatër krize.

Referuar këtyre deklaratave, ka konsensus mes politikanëve të pushtetit se ekziston probabiliteti i lartë që “do të ketë luftë”, ndërkohë që KFOR-i ka shtuar prezencën e trupave në Kosovë për ta ruajtur paqen dhe sigurinë.

Në këtë mënyrë, ekziston edhe skenari tjetër që “nuk do të ketë luftë”, ndërkohë që pasojat e dëmtimit të mëtutjeshëm të ekonomisë përmes diskursit të luftës do t’i vuajnë të gjithë, siç alarmon Oda Ekonomike. 

Përkundër situatës serioze për vazhdimin e pasigurisë në veri, presidentja dhe Qeveria e Kosovës e kanë për obligim të ndërmarrin veprime që botës t’i dhurojnë edhe të tjera lajme përpos deklaratave që do të ketë luftë.

Çfarë ka bërë Kosova?

Më 29 gusht 2023, në “The Economist” ishte publikuar një artikull me titullin “Kombi i start-up-ëve, ja sesi kompanitë kosovare po sfidojnë pritshmëritë për të udhëhequr vendin drejt së ardhmes”. Portali i Radiotelevizionit të Kosovës, RTKlive.com, kishte publikuar lajmin, duke mos treguar që artikulli është i sponsorizuar nga Oda Ekonomike të Kosovës.

Sbunker, në kuadër të evidentimit të lajmeve të rreme dhe keqinformimit, e kishte demaskuar, duke nënvizuar se artikulli ishte i sponsorizuar, pra nuk kishte të bënte me hulumtim të “The Economist.

Gjatë  kohës kur ishte arritur memorandumi për sponsorizimin e artikujve të tillë, në krye të OEK-ut kishte qenë Berat Rrukiqi, i cili pati stated se: “Qeveria nuk e ka paguar asnjë cent për këtë sponsorizim”.

Pikërisht, Qeveria duhet të ketë iniciativë që botës t’i shfaqen më shumë lajme pozitive për Kosovën.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në një përgjigje për Sbunker-in, ka radhitur disa prej aktiviteteve që kanë realizuar dhe janë në proces e sipër përmes Departamentit për Diplomaci Publike, në mënyrë që Kosova të promovohet ndërkombëtarisht.

Një prej tyre është lansimi i Javës së Kulturës jashtë vendit, që ka për qëllim shpërfaqjen e talentit dhe potencialit artistik të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Në vitin 2023, MPJD-ja ka lansuar Javën e parë të Kulturës në Portugali. Ndërkaq, në maj 2024, MPJD-ja ka treguar se ka lansuar Javën e Kulturës edhe në Kanada.

Një tjetër nismë që përmendet në përgjigje është Platforma Made in Kosova, që ka për synim promovimin e Republikës së Kosovës në fushat ekonomike, kulturore dhe ato turistike.

Po ashtu, përmendet edhe promovimi i filmit kosovar në arenën ndërkombëtare. Edicioni i parë është realizuar në Bangladesh dhe këtë vit janë realizuar dy edicione të tjera – në Norvegji dhe  në Suedi.

Pos filmit, në MPJD thonë se kanë edhe një tjetër nismë që quhet Këndi i Bibliotekës, ku janë dedikuar mjete për blerjen e librave që prezantojnë Kosovën për lexuesit e huaj.

Lajmet dhe pamjet e tjera që Kosova do të duhej t’ia ofronte botës

Megjithëse MPJD-ja pretendon se po ndërmerr shumë aktivitete kulturore e artistike për promovimin e Kosovës nëpër botë, aktivitetet e tilla mbesin në margjina në raport me atë se si përshkruhet Kosova në arenën ndërkombëtare – si një zonë e tensionit ndëretnik në veri të vendit. Kur përballesh me një imazh të tillë ‘baruti’, përpjekja e strategjia institucionale për t’i dhënë botës lajme të tjera për Kosovën duhet të jetë shumë më e thellë, strukturore e kreative.

Meqenëse pushtetarët kanë hapësirë nëpër mediat kryesore ndërkombëtare që të paraqesin versionin e Kosovës rreth tensioneve në veri, aty duhet të jepen edhe disa të vërteta të tjera, të cilat për investitorët potencialë do të jepnin një pasqyrë tjetër sa herë përmendet Kosova si një shtet i ri dhe i vogël në Ballkanin Perëndimor.

Udhëheqësit e shtetit duhet të tregojnë nëpër mediat e huaja që tensionet janë të lokalizuara në veriun e Kosovës. Një deklarim i tillë duhet të shoqërohet me marketing pozitiv, ku përmes fotografive, videove e artikujve të sponsorizuar, paraqitet jeta normale në Kosovë, me përpjekje për të nxitur investime direkte e turizëm. 

Një lexuesi të painformuar për Kosovën natyrshëm mund t’i krijohet përshtypja se eskalimi në veri përfshin gjithë vendin, pasi mjafton një kërkim ‘kosovo’ në Google, ku të shfaqen artikuj që mbulojnë vetëm sferën e sigurisë. Ndër pyetjet më të shpeshta që shfaqet në kërkim online është: “A është Kosova shtet apo jo”. Kjo pyetje shtrohet nga opinioni i gjerë botëror, që nuk ka njohuri për Kosovën. Ndërkaq, kontestimi i shtetësisë së Kosovës vjen si rezultat i fushatës agresive të Serbisë për ta kontestuar shtetësinë e Kosovës kudo që i jepet mundësia. Narrativës serbe i shërbejnë edhe krizat e shpeshta në veri, që prodhojnë lajme në mediume ndërkombëtare, për ta dhënë më pas këtë rezultat në google.

Për këtë, Osmani, Kurti e Gërvalla, në çdo intervistë, duhet ta përmendin opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që thotë se ”pavarësia e Kosovës nuk është në shpërputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Ky element do të paraqiste lehtësim për investitorët e interesuar që ta zgjerojnë afarizmin biznesor në Kosovë, duke u ofruar siguri që kapitalin po e dërgojnë në një vend të pavarur, ku funksionojnë institucionet dhe rendi kushtetues liberal.

MPJD-ja, po ashtu, duhet të rrisë bashkëpunimin me kompani të ndryshme lobuese europiane, amerikane dhe të tjera, që të shpërndahen fotografi e video nga jeta paqësore në Kosovë. Disa prej lokacioneve që mund të ekspozohen më shumë janë ato që tregojnë për gjallërinë rinore të qyteteve tona, bukuritë natyrore të Kosovës, por edhe imazhe që dëshmojnë bashkëjetesën në hapësirat shumetnike të Kosovës.

Pos MPJD-së, edhe Ministria e Kulturës duhet të jetë më aktive në organizimin e ngjarjeve që do ta përfshinin Kosovën në hartën e ngjarjeve botërore artistike, p.sh., një koncert i ngjashëm me atë të “Sunny Hill”, që ndikon në përmirësimin e imazhit për Kosovën, ngjarje sportive etj.

Më pas, Ministria e Arsimit, bashkë me Universitetin e Prishtinës, duhet ta shpeshtojnë  organizimin e  konferencave ndërkombëtare me karaktere studimore nga të gjitha disiplinat që i ofrojnë për studim, duke sponsorizuar kështu studentë të huaj që të vizitojnë Kosovën e ta kenë një pasqyrë pozitive në kontrast me atë të “imazhit të luftës”, që reflekton jashtë vendit shkaku i zhvillimeve të shumta në veri.

Përpos këtyre formave promovuese, Ministria e Tregtisë duhet të organizojë forume dhe konferenca të ndryshme me investitorë potencialë, duke ua  prezantuar atyre kushtet që ofron Kosova për të bërë biznes.

Punë të vlefshme në këtë drejtim mund të kryejë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke prezantuar sukseset e Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë për të gjithë.

Kosova ka nevojë për investitorët e huaj, por edhe për turistë. Në kohën e teknologjisë, informacioni është shumë i shpejtë kudo e te çdokush. Rrjedhimisht, aq sa Kosova prodhon lajme të krizave, së paku në të njëjtën sasi duhet të krijojë edhe lajme për kushte afariste, artistike e turistike.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.