Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Domosdoshmëria për një strategji afatgjatë në thellimin e marrëdhënieve me SHBA

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbërthyen interesin e publikut të gjerë, në Amerikë dhe jo vetëm. Duke presupozuar të mbyllur tashmë procesin elektoral, pavarësisht zgjatimit të disa proceseve burokratike dhe ligjore, diskutime të shumta kanë filluar nga të dyja anët e Atlantikut për ardhmërinë e politikës së jashtme amerikane në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Fitorja e ish-zëvëndës presidentit Biden u mirëprit gjerësisht në Shqipëri dhe në Kosovë dhe ka pasur një ekzaltim të përgjithshëm. Kjo lidhet pikë së pari me vetë historinë e zotit Biden. Si një mbështetës i hershëm i ndërhyrjes amerikane si kundërpërgjigjë ndaj fushatave të gjenocidit serb dhe të zgjatimeve të saj në vitet 90’, ndaj zotit Biden ka një ndjenjë mirënjohjeje të sinqertë në Ballkan. Në fillim në raport me luftën në Bosnjë dhe më pas në lidhje me Kosovën, ai ka qënë një zë i fuqishëm dhe i qartë në favor të lirisë dhe paqes. Në skenën amerikane janë të rrallë politikanët aktivë që mund të thonë se kanë qënë më eksplicitë se zoti Biden në raport me çlirimin, pavarësinë dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Me ardhjen e administratës Biden vlen të celebrohet kjo histori personale. Njëkohësisht, ekziston më shumë se kurrë nevoja dhe mundësia për një përgatitje serioze kundrejt sfidave me të cilat përballet Ballkani dhe qasjes së nevojshme për të forcuar raportet e Shqipërisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe kapërcyer sfidat rajonale. Në këtë aspekt, ka tre elemente kyç të cilat duhet të konsiderohen dhe me të cilat duhet të ballafaqohemi në një plan afatgjatë: ndryshimet thelbësore në arenën ndërkombëtare; konteksti i zhvillimeve në politikën amerikane; problematikat e brendshme që reflektohen ndërkombëtarisht.

Si një mbështetës i hershëm dhe i përkushtuar i strukturave transatlantike, Presidenti i ardhshëm amerikan ka theksuar rëndësinë që do ketë Europa në vizionin e tij. Pikërisht për hir të këtij fakti ka indikacione se vëmendje të përkushtuar do të marrë dhe gadishulli ballkanik. Megjithatë, bota që do gjejë zoti Biden në vitin 2021 ndryshon kryekëput nga ajo e kohës së tij si anëtar i Senatit amerikan ose qoftë edhe si Zëvendës President. Kjo u theksua rishtazi dhe nga këshilltari i tij Tony Blinken, zëri mjaft influencues për politikën e jashtme dhe, sipas gjasave, një nga drejtuesit e ardhshëm të kësaj politike në administratën e re. Konditat dhe realitetet që përcaktuan në një pjesë të madhe politikën e jashtme amerikane në katër vitet e fundit mbeten po ato.

Në këtë sens, qasja ndaj Ballkanit gjatë administratës Biden do të influencohet drejtpërdrejtë nga kjo situatë. Kina do të vazhdojë përpjekjet për t’u imponuar ekonomikisht në Ballkan dhe për të penetruar Europën nëpërmjet rajonit tonë. Rusia do të vazhdojë të kundërshtoje proceset integruese euroatlantike të vendeve të rajonit dhe të kundërshtojë fuqimisht shtetësinë e Kosovës. Ndërkohë që administrata e zotit Biden do të privilegjojë koordinim më të madh me Bashkimin Europian, kompeticioni i drejtpërdrejtë me fuqitë e tjera të mëdha do të vazhdojë të dominojë rajonin. Rajonalizimi dhe forcimi i fuqive rajonale do të pasqyrohet padyshim në Ballkan, sikurse është konkretizuar tashmë dhe në zonat përreth.

Elementi i dytë që vlen të merret parasysh është ndryshimi i brezave në politikën amerikane, një proces sa i natyrshëm aq edhe përcaktues për të ardhmen. Mbështetës të mëdhenj të çështjes shqiptare po shkojnë drejt braktisjes së politikës aktive ose janë subjekt i presionit të shtuar të rivalëve partiakë. Prandaj, duhet pasur një kujdes i shtuar në aktivizimin diplomatik. Gurthemeli i mbështetjes amerikane ndaj Kosovës dhe ndaj gjithë spektrit të interesave shqiptare mbetet mbështetja mbipartizane në politikën amerikane. Përpjekja për ta partizuar dhe individualizuar këtë marrëdhënie duhet të refuzohet me forcë dhe vendosmëri.

Për shkak të polarizimit politik, në Shtetet e Bashkuara po gjejnë vend gjithmonë e më shumë zëra radikalë nga të gjithë krahët politikë. Në të dy ekstremet e spektrit politik në Shtetet e Bashkuara ka elemente me qëndrime të dyshimta për sa i përket kursit të politikës së jashtme amerikane, qëndrimeve revizioniste ndaj historisë së rishtë dhe interesa që konfliktojnë në mënyrë të rrezikshme me interesin shqiptar në rajon.

Në rradhë të parë, në Amerikë ka një të djathtë izolacioniste dhe regresive që i ka dhënë historikisht luftës në Kosovë ngjyresa të thjeshta fetare dhe e cila e ka sulmuar ndërhyrjen historike të NATO-s për qëllime politike të ditës. Një eksponent i këtyre pikëpamjeve, koloneli në pension Douglas Macgregor, arriti deri aty sa të nominohej nga presidenti Trump si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani. Nga ana tjetër, segmenti më radikal i së majtës e ka parë luftën për çlirim të popullit shqiptar në Kosovë dhe fushatën e aleancës kundrejt spastrimit etnik serb nën lentet e një abstraksioni internacionalist socialist dhe e ka sulmuar si reflektim i të ashtuquajturës qëllim “imperialist” amerikan. Këto kritika janë ricikluar edhe ndaj zotit Biden në fushatën e fundit.

Rreziku që pikëpamjet dhe qëndrimet e këtyre ekstremeve të vazhdojnë të dalin nga margjinat është real. Sinjali më i dukshëm ishte fushata mediatike revizioniste që pasoi takimin në Uashington të presidentit Trump me kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiç dhe që synonte të relativizonte historinë dhe rolin çlirimtar të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore.

Së fundmi, vlen të rikujtohet se aleancat dhe marrëdhëniet ndërshtetërore të qëndrueshme ndërtohen, në rradhë të parë mbi introspektimin – aftësinë për ta analizuar veten dhe problemet e brendshme dhe për të reflektuar mbi to.

Problemet e mbartura demokratike të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe mungesa e një uniteti politik në raport me proceset përcaktuese për ardhmërinë e vendit janë elemente nevralgjike që pasqyrohen përtej politikës së brendshme. Në mjaft raste, janë pikërisht këto shfaqje që shfrytëzohen nga fqinjët tanë për të ndërtuar fushata malinje lobimi në Uashington, Bruksel, Paris dhe më gjerë.

Pikërisht nga kjo pikë e fundit duhet nisur ndryshimi. Baza më e fortë e intensifikimit të marrëdhënieve me SHBA-në kalon nga forcimi i institucioneve, shteti i të drejtës dhe mirëqeverisja në Shqipëri dhe Kosovë. Stabiliteti i brendshëm që vjen si pasojë e demokratizimit dhe ekonomi të shëndosha janë garancia më e mirë e faktorizimit rajonal të shqiptarëve përtej kufijve shtetërore. Ravijëzimi i një politike të jashtme të qartë dhe afirmimi i interesave kombëtare kah orientimit transatlantik, mbi të gjitha në konditat e arenës aktuale ndërkombëtare, është domodoshmëri. Dhe duhet të jetë e tillë si fakt, jo vetëm si retorikë.

Në të njëjtën kohë, është i domosdoshëm përafrimi dhe edukimi i brezit të ri të vendimmarrësve amerikanë, të cilët mund të kenë interes dhe njohuri të përcipta për Ballkanin, çështjet shqiptare dhe kontekstin e veçantë të aleancës së shqiptarëve me Amerikën. Në këtë aspekt, nevojitet syçeltësi, koordinim dhe një strategji për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata si me brezin e ri të politikëbërësve, ashtu dhe me kastën e re të ekspertëve dhe diplomatëve që do të profilizojnë politikën e jashtme amerikane gjatë administrates së ardhshme dhe përtej saj.

Presidenca Biden është një moment kyç për Shtetet e Bashkuara, por edhe për rajonin tonë. Ndërkohë që paraqiten prirje negative dhe situata komplekse në arenën ndërkombëtare, katër-vjeçari i ardhshëm mund të paraqesë njëkohësisht edhe mundësi historike. Faktori shqiptar duhet të tejkalojë konfliktet me vetveten, sikurse dhe romanticizmat, për të reflektuar dhe vepruar në shfrytëzimin e këtij momenti dhe avancimin e interesave kombëtare.

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.