Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Draghi dhe mbrojtja e demokracisë

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden e ka bërë shtyllë të politikës së saj të jashtme, krijimin e një qasjeje të përbashkët, së bashku me aleatët, ndaj Kinës dhe Rusisë. Mundësia që ish presidenti i Bankës Qendrore të Europës Mario Draghi, t’i bashkohet lidershipit kryesor të Bashkimit Europian, paraqet ndihmesë të madhe drejt arritjes së atij qëllimi.

Ish presidenti i Bankës Qendrore të Europës Mario Draghi, është ftuar të formojë qeverinë e bashkimit kombëtar në Itali në një moment kyç. Menjëherë pas hyrjes së Joe Biden-it në Shtëpinë e Bardhë, dhe me pensionimin e kancelares gjermane Angela Merkel, mandati i Draghi-t do të thotë se presidenti francez Emmanuel Macron nuk do të duket më si figurë e dëshpëruar kur mbron Perëndimin dhe vlerat demokratike.

Mandati katërvjeçar i Donald Trumpit ka dobësuar ato vlera, dhe Perëndimi mbetet i shaluar nga kryeministri britanik Boris Johnson, “Trump-i i Britanisë,” si dhe një larushi sunduesish popullistë në Hungari, Poloni, Slloveni, e vende të tjera. Marrë parasysh aftësitë e dëshmuara udhëheqëse të Draghi-t, dhe besnikërinë e padiskutueshme ndaj normave demokratike, arritja e tij në Këshillin e Europës mund të dëshmohet të jetë po aq e rëndësishme për të ardhmën e Europës dhe marrëdhënieve transatlantike, sa edhe ikja e Merkel-it.

Ballafaqimi me sfidat e jashtme si Rusia dhe Kina, dhe kërcënimet e brendshme nga popullistët vendorë dhe autoritarët, në një Europë pas Merkel-it, kërkon liderë të cilët janë në harmoni me adiministratën pro demokratike të Biden-it. Prania e një proamerikani si Draghi në lidershipin kryesor të Bashkimit Europian, do të jetë ndihmesë e madhe drejt arritjes së këtij qëllimi.

Deri më tash, BE-ja nuk ka ofruar shumë dëshmi se e kupton që Shtetet e Bashkuara kanë udhëheqësi të re, dhe se te Biden-i kanë një partner që është më i informuar rreth Europës se cilido president që prej Dwight Eisenhower-it. Përkundrazi, qeveritë europiane dhe BE-ja ka treguar, të paktën deri më tash, më pak gatishmëri që të bashkëpunojnë me Biden-in, sesa me Trump-in.

Në vend se t’i bashkangjiten Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, në dënimin e ashpër të Rusisë për tentimvrasjen dhe tash burgosjen e disidentit Alexei Navalny, BE-ja të shumtën e rasteve e ka kthyer faqen tjetër. Në vend se t’i bëjë ballë kërcënimit me veto të buxhetit dhe fondit të rimëkëmbjës të BE-së, ajo ka paqësuar Viktor Orban-in, ish mikun më të mirë të Trump-it në Europë. Pastaj, vetëm disa javë pas inaugurimit të Biden-it, dhe duke injoruar lutjet e ekipit të tij që të mos ngutet, por të krijojë qendrim të përbashkët ndaj Kinës, BE-ja njoftoi se ka përmbyllur me sukses negociatat shtatëvjeçare me Kinën, duke nënshkruar Marrëvëshjen Gjithëpërfshirëse për Investime (CAI).

Fusha e politikbërjes europiane që ka më së shumti nevojë për ndryshim, si në nivelin e BE-së, ashtu edhe në atë kombëtar, është ajo qasje, që mund të quhet “së pari tregtia” me Rusinë dhe Kinën. Numrat nuk janë të parëndësishëm. Ruisa është partneri tregtar i pestë më i madh, dhe BE-ja është partneri më i madh tregtar për Rusinë, me qarkullim të të mirave prej €232 miliardë dollarësh më 2019. Deficiti tregtar i BE-së me Rusinë (€57 miliardë më 2019) është vetëm deficiti i dytë më i madh, pas Kinës.

BE-së i duhet një politikë tregtare që merr parasysh faktin se tregtia është burimi më i mirë i Europës për të fituar siguri. Për shembull, Merkel tash duhet t’ia bëjë të qartë Putin-it se persekutimi i vazhdueshëm i Navalny-t do të rrezikojë përfundimin e gazsjellësit Nord Stream 2, që do të dërgojë gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën dhe aleatët gjermanë në Europën Qendrore.

Trajtimi i shteteve gjithnjë e më autoritare si Hungaria dhe Polonia duhet të jetë po aq i ashpër. Dështimi për të respektuar sundimin e ligjit do të thotë kufizim i qasjes, jo vetëm në financim nga buxheti i BE-së, por edhe në tregun e brendshëm gjithashtu. Në fund të fundit, traktatet e BE-së nuk janë pakte vetëvrasjesh; asnjë vend nuk duhet të ketë lejen që të shkatërrojë BE-në nga brenda.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden e ka bërë shtyllë të politikës së saj të jashtme, krijimin e një qasjeje të përbashkët së bashku me aleatët, ndaj Kinës dhe Rusisë. Përmirësimi i marrëdhënieve transatlantike, për të cilën përgjatë presidencës së Trumpit europianët thanë se është qëllim i tyre, tash varet nga ajo se a do ta takojnë liderët e BE-së Biden-in në mes të rrugës. Mospërfilljet e tilla të vazhdueshme, siç qe ngutia për të shpallur marrëveshjen BE-Kinë, veçse do të shkaktojnë më shumë tension.

Sigurisht, ndryshimi i politikës së saj tregtare do të jetë çështje e ndërlikuar për BE-në. Asnjëri nga vendet jugore të BE-së, nuk duket se do të jenë të gatshëm të përvetësojnë një qasje të ashpër ndaj Rusisë. Për shembull, shumë parti politike në Itali janë që një kohë pro-ruse. Ish përfaqësuesja e lartë për çështje të jashtme dhe të sigurisë Federica Mogherini, ka qenë jashtëzakonisht e butë ndaj Rusisë, veçanërisht gjatë viteve të para të mandatit të saj. Italia ka rezistuar gjithnjë sanksionet mbi Rusinë pas aneksimit ilegal të Krimesë dhe luftës në Ukrainën lindore.

Do të ketë nevojë për negociata delikate për të bindur vendet jugore të BE-së që të pajtohen me një politikë tregtare që pasqyron interesat e sigurisë së BE-së. Por ka gjëra për të cilat vendet jugore kanë nevojë: hua, rregulla më të buta buxhetore, mbrojtje për bankat e tyre, apo edhe pako fiskale nga Europa veriore. Këto mund të bëhen pjesë e negociatave.

Pikërisht këtu mund të merret parasysh roli i Draghi-t. Njeriu i cili shpëtoi euron, ka përvojën dhe dijen e duhur për të ndërmjetësuar një ujdi mes veriut dhe jugut të Europës: koncesionet ekonomike në shkëmbim për një politikë tregtare të vendosur e të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës.

Në fakt, reshtimi për një qendrim më të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës të cilën e kërkon administrata e Biden-it, mund të sjellë fat të mirë politik për Europën. Koncesionet e vendeve veriore rreth politikave ekonomike mund të përforcojnë solidaritetin e BE-së dhe të përshpejtojnë integrimin veri-jug – qëllime me të cilat Draghi është marrë pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale.

***

Artikulli origjinal në Project Syndicate

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.