Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Drejtësia e zorshme e meritokracisë

Sa herë që në Kosovë shpërthejnë në formën e skandalit punësime të ‘pamerituara’ të njerëzve në institucione publike, shihen disa shkëndija që duken sikur burojnë nga besimet e idealet dominuese të shoqërisë sonë në meritokraci. Duke qenë se meritokracia sot në shumë vende të botës së zhvilluar është fryma që informon besimet në drejtësi sociale, jo rrallë herë në diskutimet publike aludohet në meritokracinë, sikur të ishte një nocion tërësisht pozitiv dhe paekuivok. Mund të vërehet gjithashtu se në Kosovë ekziston një lloj bindjeje dominante që problemet tona marrin fund me ardhjen në pushtet të ‘njerëzve të aftë‘. Mirëpo, rrallë e hiç diskutohet a hamendësohet se si do të dukej shoqëria jonë me një aplikim të skajshëm të parimeve meritokratike në kontekstin tonë social. Kështu, kemi një përqafim symbyllur të meritokracisë, pa e konsideruar faktin që ajo, siç thotë politologu Henry Farrell, është e verbër përballë faktit që disa njerëz përballen me disavantazhe strukturore edhe në garën ‘e barabartë‘ të mundësive. Rreziku që ngre krye në horizontin shpresdhënës të meritokracisë është instrumentalizimi i saj për të përligjur një sistem arbitrar ndaj pabarazisë strukturore në shoqëri.

Ndonëse termin meritokraci, në një konotacion negativ, e hodhi i pari sociologu britanik Michael Young, në librin e tij distopik të vitit 1958, The Rise of the Meritocracy, duke i kombinuar fjalët e greqishtës së lashtë, mereo (meritë) dhe cratos (pushtet), ky term u përqafua në shoqërinë perëndimore si bazament i një filozofie politike që vazhdon të dominojë. Young në librin e tij që shfaqet si një temë doktorature, paraqet ardhjen e një shoqërie në të cilën do të sundojë një klasë e njerëzve inteligjentë, të cilët do e zhveshin klasën e sunduar jointeligjente nga të drejtat dhe liritë demokratike. Por, padyshim që Young nuk është i pari që flet mbi parimet që ngërthen në vete nocioni i meritokracisë. Për parime që rregullojnë raportet e akomodimit të njerëzve në shtet sipas aftësive dhe prejardhjes flitet qysh në pllakat e bambusë së Guodian Chu në Kinën e Lashtë, të cilat datojnë rreth vitit 300 para erës sonë.

Nga debatet mbi meritokracinë që zhvillohen gjithandej, shkollarët arrijnë të dallojnë lloje të ndrydhme të meritokracisë, që prodhojnë rezultate të ndryshme sociale. Inspirues ndër këto tipologji është dallimi mes meritokracisë që priret kah lloji kundrejt meritokracisë që priret kah përpjekja (shih Low, 2014). Në një meritokraci që priret kah lloji shoqëria investon resurse të mëdha në mekanizmat që qëmtojnë ‘të aftit’ në mesin e të tjerëve, pra që ndajnë shapin prej sheqerit. Madje, në një meritokraci të tillë, edhe institucionet që janë të thirrura për aftësimin e të gjithëve padallim, përfundojnë duke kryer më shumë funksionin e filtruesit të talenteve, sesa të vetë prodhuesit të tyre. Në një shoqëri që investon shumë resurse në shpërblimin sa më të majmë të një pakice super-talentësh, shkollat rrezikojnë të shndërrohen në institucione klasifikuese e jo kultivuese të aftësive individuale. Më tej, shkollat që në klasifikimin e tyre nxjerrin më shumë individë të aftë bëhen thjesht dorëzanë të individëve me ‘atribute të duhura’, më shumë se prodhues a katalizatorë të këtyre atributeve. Për shembull, shumë universitete e mbajnë me krenari moton e prodhimit të liderëve, jo pse ato e kanë formulën se si prodhohen liderët, por sepse përzgjedhin dhe përzgjedhen prej studentëve që prej shkollimit paraprak dalin si forma e kulluar e llojit ekselent.

Argumenti kokëfortë kundër meritokracisë që priret kah lloji është ai që e nxjerrë në pah kotësinë e përpjekjes së kushtueshme të selektimit: nëse ata që kanë aftësi më të larta se shumica tjetër janë të dallueshëm, atëherë pse duhet gjithë ajo përpjekje për një garë që dihet kush do ta fitojë? Nëse, siç tregojnë disa rezultate të shumëpërfolura për shkollat e Kosovës, një pjesë e madhe e nxënësve nuk e kuptojnë tekstin që e lexojnë, atëherë mund të thuhet se vetë qëllimi i shkollave është i reduktuar në evidentimin dhe filtrimin e kësaj shumice, ose, siç argumentojnë sociologët francezë, Bourdieu dhe Passeron (1977), në përkthimin e kapitalit kulturor, të cilin fëmijët e trashëgojnë nga prindërit, në kualifikim arsimor të tyre. Meritokracia mund të përputhet saktë me bindjet tona derisa nuk i shikojmë disavantazhet strukturore të atyre që përballen në një garë të barabartë. Madje ka pretendime që prekin edhe efektet biologjike të këtyre disavantazheve shoqërore. Sipas studimeve në Amerikë dhe Britani mbi zhvillimin e fëmijëve, rezultatet sugjerojnë korelacione mes zhvillimit trupor dhe aftësive kognitive të fëmijëve, prej moshës trevjeçare fëmijët e mirëushqyer dhe me trupa më të zhvilluar dalin më mirë në testet e aftësive kognitive (shih Therborn 2013).

Si një vend i varfër dhe i izoluar, Kosova do të përballet gjithnjë e më ashpër me këtë tensionin mes pabarazisë sociale dhe meritokracisë, ose, në rastin më të keq, me dështimin ku meritokracia e legjitimon pabarazinë sociale. Shkollimi jashtë vendit është mundësi e një pakice studentësh, dhe kthimi i garantuar i tyre mund të arrihet vetëm kundrejt garantimit të një pozite të dëshirueshme sociale dhe ekonomike. Deri në këtë moment, akoma nuk jemi në terrenin e sunduar nga meritokracia. Në atë terren hyjmë tek atëherë kur ata që shkollohen në Kosovë përballen në garën ‘e barabartë‘ për pozita shoqërore me ata që kanë studiuar në universitete të vendeve të zhvilluara. Kjo do të përbënte një konkurrencë të pamundur, sepse meritokracia që priret kah soji e përzgjedh sojin, ‘atributet e duhura‘ të të cilit i garanton institucioni që njihet si më kredibil. Njëkohësisht kjo do të shkaktonte edhe një thellim të hendekut mes pozitave shoqërore dhe riprodhim shumë besnik të tyre.

Zbutjen e këtij tensioni, shumë ekspertë të psikologjisë sociale ia atribojnë pikërisht besimit në meritokraci, ku individi beson që në shoqërinë ku jeton secili merr atë që meriton dhe meriton aq sa ka. Por, në vende ku ka të dhëna vërehet se edhe ky besim varion mes klasave shoqërore: individët nga shtresat e privilegjuara ia atribojnë pozitën e tyre meritokracisë, ndërsa ata në pozita të ulëta ia atribojnë më shumë faktorëve jashtë kontrollit të tyre (shih Duru-Bellat & Tenret, 2012). Nëse e shohim këtë besim në meritokraci në kontekstin e Kosovës, duket se meritokracia është më shumë ideal në shoqërinë tonë sesa një besim i krijuar prej praktikimit aktual të meritokracisë. Shoqëria kosovare vjen prej një përvoje të gjatë të diskriminimit etnik të ushtruar mbi të. Prandaj shihen prirje që i nënvlerësojnë disavantazhet që akumulohen në pjesën e poshtme të shtresëzimit social. Kapërcimi i nepotizmit dhe i ryshfetit perceptohet si fundi i problemeve, ndërkohë që edhe në sundimin e meritokracisë (së verbër ndaj pabarazisë sociale) fshihen lumenj kundër rrjedhës së të cilëve noton shoqëria për shekuj të tërë.

Sidoqoftë, përvojat më të mira të shoqërive të zhvilluara tregojnë për sukseset e sistemeve arsimore të orientuara kah sheshimi i disavantazheve të prejardhjes sociale të fëmijëve dhe aplikimi i meritokracisë mbi performancën absolute ku gara nuk është një lojë me shumë-zero. Në aspektin politik, përvojat tregojnë që parimet e meritokracisë që nyjëtohen në ligjerimin e partive politike priren të sajojnë një epërsi morale me të cilën mvishen anëtarët dhe përkrahësit e partisë për fituar garën me të barabartit e ‘pamoralshëm‘. Sado që meritokracia mund të na duket si nocioni që përmbledh të gjitha besimet tona për drejtësi sociale, edhe ajo mund të jetë drejtësi e zorshme, madje edhe e stisur, nëse nuk vjen së bashku me përpjekje për të adresuar pabarazinë sociale dhe disavantazhet me të cilat një shumicë e shoqërisë përballet në garën ‘e barabartë’.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.