Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Drogë, krime, vrasje: Si ranë grupet kriminale malazeze

Grupet kriminale vazhdojnë kontrabandën dhe shitjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, pavarësisht pasojave të luftës së përgjakshme dhe dekonspirimit të aplikacionit të koduar “Sky”. A e ka përfunduar aplikacioni Sky luftën e klaneve?

Banori i Kraljevës, Milan Raduloviç (51), i njohur ndryshe si Mile Kapetan, ishte rrëmbyer dhe më vonë ishte vrarë në Mal të Zi. Ai është anëtar i rangut të lartë të ashtuquajturit “Klani Shkaljari” dhe organizator i vrasjeve të klanit kundërshtar në Serbi.

Prokuroria malazeze dyshon se Raduloviç është rrëmbyer në muajin tetor të vitit të kaluar në territorin e komunës malazeze të Danilovgradit (jo larg nga Podgorica). Për këtë kidnapim dyshohen liderët e klanit kundërshtar “Kavaç”, Slobodan Kashçelan dhe Igor Bozhoviç. “Kavçanët” kanë përdorur Raduloviqin për të joshur dhe vrarë disa anëtarë të klanit “Shkaljar”. Klanet kanë marrë emrin sipas dy fshatrave pranë qytetit portual Kotor në Malin e Zi – Kavaç dhe Shkaljari.

Kjo është një nga pesëdhjetë vrasjet e kryera mes dy klaneve kundërshtare. Shumë prej tyre mbetën të pazbardhura, kurse një numër i madh personash evidentohen si “të zhdukur”. Megjithatë, shërbimet amerikane dhe evropiane arritën të thyejnë dhe dekonspirojnë aplikacionin e koduar “Sky”, pas së cilës u çmontuan lidhjet e krimit. Dolën në sipërfaqe fotografitë e vrasjeve të kriminelëve, emrat e policëve të korruptuar dhe informacione të caktuara në lidhje me kontrabandimin e drogës.

Çfarë është aplikacioni “Sky”?

Thyerja e aplikacionit “Sky” [d] zbuloi një sërë krimesh të kryera ose të planifikuara nga anëtarë të klaneve kundërshtare. Nëpërmjet këtij aplikacioni të mbrojtur, kriminelët kishin shkëmbyer mesazhe, plane, madje edhe foto të krimeve që kishin kryer apo planifikuar. Vrasja e Raduloviqit është e fundit në serinë e vrasjeve.

Prokuroria malazeze njoftoi se një tjetër hetim është duke u zhvilluar në lidhje me korrespondencën e deshifruar të dërguar nga organet hetimore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një aplikacion të ngjashëm me “viber” ose “whatsapp”, vetëm se përdoruesit kishin besuar se ky aplikacion ishte i mbrojtur. Prandaj përmes saj kishin diskutuar hapur pothuajse të gjitha veprat kriminale.

Kriminelët nga Ballkani pa asnjë dyshim i kishin besuar shumë aplikacionit, ndaj kishin shkëmbyer mesazhe përmes tij si në telefonat e zakonshëm. Ata dyshohet se i kanë paguar disa mijëra euro kompanisë kanadeze “Sky Global” për kodet e aplikacionit të tyre. Megjithatë, Byroja Amerikane e Hetimit (FBI) kapi faqen e internetit dhe arrestoi drejtorët e kompanisë në fillim të vitit të kaluar. Pajisjet e kompanisë janë “projektuar posaçërisht për të parandaluar policinë nga monitorimi aktiv i komunikimit midis anëtarëve të organizatave kriminale transnacionale”, siç thuhet në aktakuzën amerikane kundër drejtorit të kompanisë.

Nga ana tjetër, ky rast tregon se sa përparimi i teknologjisë ka ra në duart e njerëzve të rrethit kriminal, e jo vetëm të shtetit.

Shefat e kompanisë me bazë në Vankuver janë paditur nga zyra e prokurorit të San Diegos për “pjesëmarrje të vetëdijshme dhe të qëllimshme në një sipërmarrje kriminale që ka lehtësuar importin dhe shpërndarjen e drogës duke përdorur pajisjet e komunikimit të koduar të kompanisë, në këtë mënyrë duke gjeneruar qindra miliona dollarë fitime”.

Sekuestrimi i faqes së internetit Sky Global ka sjellë arrestimin e qindra kriminelëve në mbarë botën dhe pas deshifrimit të aplikacionit janë arrestuar anëtarë të shumtë të klanit “Shkaljari” dhe “Kavaç”. Kriminelët nga Serbia dhe Mali i Zi kishin shkruar njëri me tjetrin duke përdorur emra të koduar, por nuk i kishin fshehur qëllimet dhe veprimet e tyre.

Hetimet kanë qenë të fshehta deri në ngritjen e aktakuzës. Mbrojtja konsideron se vetë korrespondenca nuk mund të jetë provë në gjykatë, sepse bazohet në mesazhet e disa personave që shkruajnë me emra të koduar. Ndërsa provat nuk janë sekuestruar nga organet hetimore malazeze, por ato janë dërguar nga një shtet tjetër.

Ajo që është e sigurt se korrespondenca e deshifruar “Sky” ka zbuluar përmasat e krimeve të dy grupeve kriminale. Rreth 50 persona, kryesisht shtetas malazezë, janë vrarë në përleshjet mes grupeve kriminale që nga viti 2015. Vrasjet kanë ndodhur në Mal të Zi, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në mbarë Evropën.

Shumë spekulojnë se lufta ka mbaruar, sepse pothuajse askush nuk ka mbetur për të luftuar. Shumica e drejtuesve të klanit të ashtuquajtur “Shkaljari” janë likuiduar, ndërsa “Kavaçët” janë në burg ose në arrati. Megjithatë, biznesi i kontrabandës së kokainës, i cili drejtohej kryesisht nga dy grupe kriminale, vazhdon edhe ditët e sotme. Këtë e dëshmojnë sekuestrimet e sasive të mëdha të kokainës gjatë këtij viti, të cilat ishin kontrabanduar nga anëtarët e këtyre dy grupeve nga Amerika Qendrore dhe Jugore drejt Evropës.

Ky problem është detektuar edhe në raportet e Komisionit Evropian. Ky institucion beson se bastioni i krimit të organizuar është ende shumë i fortë në vendet në zgjerim. Në dokument thuhet se në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi veprojnë grupe të fuqishme dhe se e ashtuquajtura rruga ballkanike mbetet një rrugë e rëndësishme hyrëse për tregtinë e mallrave të paligjshme, veçanërisht të drogës dhe armëve, si dhe të njerëzve drejt Bashkimit Evropian.

Prandaj, institucionet e Brukselit kërkojnë vendosjen urgjente të provave konkrete dhe të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Kush janë “Kavçani” dhe “Shkaljari”

Pas aksionit të policisë serbe “Luftëtari ballkanik”, në të cilin u arrestua një nga bosët më të mëdhenj të drogës në këtë rajon, Darko Shariq, punën e kontrabandës së kokainës e morën përsipër klanet e Kotorit. Duke bashkëpunuar me grupe të ndryshme kriminale në mbarë ish-Jugosllavinë, ata arritën të mbushnin tregun që ishte furnizuar nga paraardhësi i tyre. Ndryshe nga grupi i Shariqit, këto struktura kriminale nuk kanë një hierarki të qartë dhe anëtarësi të qëndrueshme. Ata bashkëpunojnë me njëri-tjetrin vetëm për aq kohë sa kanë një interes të përbashkët, kryesisht para.

Source: slobodenpecat.mk

Megjithatë, shumë shpejt pasuan përplasjet mes grupeve kriminale. Situata arriti kulmin në vitin 2014 me zhdukjen e 200 kilogramëve kokainë nga një apartament në Valencia. Bëhet fjalë për drogën që kontrabandohej me kartelet përmes Spanjës drejt Europës. Atëkohë filloi lufta dhe i vetmi klan i Kotorit u nda në dysh – klani Shkaljari dhe Kavaç. Konflikti mori më shumë se 50 jetë në rrugët e Malit të Zi, Serbisë dhe qyteteve evropiane.

Pas deshifrimit të aplikacionit “Sky”, shumica e anëtarëve dhe drejtuesve që kanë mbetur janë në arrati ose pas grilave. Në mesin e krerëve të të ashtuquajturit klan “Shkaljari” kanë mbetur vetm vëllezërit Jovan dhe Igor Vukotiq. Të dy janë në arrati për organizimin e më shumë vrasjeve në Mal të Zi. Për ta është lëshuar një urdhërarrest i kuq ndërkombëtar. Bashkëpunëtorët më të fuqishëm të klanit Shkaljari janë grupe të mbledhura rreth liderit dikur më të fuqishëm të nëntokës së Beogradit, Luka Bojoviq, respektivisht zëvendësit të tij aktual Filip Koraç. Më herët, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e kishte akuzuar Koraçin si “furnizuesin kryesor të drogës”.

Në krye të klanit “Kavçani” janë ende Slobodan Kashçelan dhe Radoje Zvicer nga Kotori. I pari ndodhet aktualisht në paraburgimin në Mal të Zi për krijimin e një grupi kriminal dhe organizimin e disa vrasjeve. Radoje Zvicer “i ka shpëtuar arrestimit” dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar dhe dyshohet se fshihet në Amerikën e Jugut, ku mbrohet nga kartele të afërt me klanin Kavçani.

Grushti goditës i klanit Kavçani në Serbi ishte Veljko Belivuk (36), i njohur ndryshe si Velja Nevolja, udhëheqësi i grupit të tifozëve “Principi”. Ai u arrestua në fillim të shkurtit dhe u akuzua për disa krime të rënda. Ai drejtoi grupin e tij të tifozëve të klubit të Beogradit “Partizan” së bashku me “dorën e tij të djathtë” Marko Miljkoviq (32).

Për klanin Kavçani, ekipi i tij më së shumti bënte punë lidhur me shpërndarjen e kokainës, por edhe “punë të pista”. Ata kishin likuiduar disa anëtarë të klanit rival në zonën e Beogradit. Ky grup është i lidhur edhe me grupe të caktuara nga pushteti, të grumbulluara rreth ish-sekretares shtetërore të MPB-së së Serbisë, Dijana [g]Hrkaloviq dhe ministrit të atëhershëm të Policisë, Nebojsha Stefanoviq.

Vetëm pasi u deshifrua aplikacioni “Sky” u bënë të njohura përmasat e krimeve të Belivuk dhe Miljkoviq, të kryera kryesisht në bodrumin e një shtëpie në Ritopek, një lagje afër Beogradit. Bëhet fjalë për foto të vrasjeve më brutale, ndërsa trupat e bluar në mulli mishi ishin hedhur në lumë. Ata kishin shkëmbyer fotot me njëri-tjetrin dhe ua dërguan si paralajmërim anëtarëve të klanit rival.

Në Prokurorinë malazeze vazhdimisht arrijnë korrespondenca nga aplikacioni “Sky” dhe zbulojnë përmasat e krimeve të kryera. Disa pjesë mbërrijnë me kërkesë të prokurorit, kurse disa dërgohen nga shërbimet e Europolit pasi zbulojnë se bëhet fjalë për vepër penale. Megjithatë, në Mal të Zi dhe në Serbi, është e pabesueshme që krimi të jetë zhvilluar në atë nivel. Ekspertët thonë se shërbimet e sigurisë së shtetit duhej të ishin jashtëzakonisht të paaftë ose se grupet kriminale kishin mbështetjen e disa (pjesëve) të strukturave të sistemit. Pas një hetimi të detajuar nga prokuroria do të mësojmë saktësisht se për çfarë bëhej fjalë.

Duke deshifruar aplikacionin “Sky” organet hetimore malazeze zbuluan se anëtarë të klanit “Kavaç” kanë qëlluar ndaj gazetares investigative Olivera Lakiq. Nga korrespodenca rezultoi gjithashtu se në sulmin ndaj gazetares ishte përfshirë një oficer policie, i cili u ofronte mbështetje logjistike klaneve. Por pyetja është se sa njerëz të tjerë nga sistemi ndihmuan grupet kriminale dhe ndoshta luajtën një rol të rëndësishëm në hierarkinë e tyre.

Por, të mësuar nga rastet e mëparshme ku prokuroria malazeze nuk ishte aq e përkushtuar kur persona të sistemit akuzoheshin për krim dhe korrupsion, ekziston dyshimi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me këto raste. Nëse nuk zbulojmë tani se cilët zyrtarë janë përmendur në këto korrespondencë, pyetja është nëse herën tjetër kriminelët do të jenë aq naivë sa t’i japin gjithçka në letër organeve të ndjekjes.

The blog was created as part of the "Tales from the Region”initiative led by Res Publica and Institute of Communication Studies, in cooperation with partners from Montenegro (PCNEN),), Kroacia (Lupiga, Kosova,Sbunker, Serbia,, (Autonomija), Albania, (Exit)and Bosnia and Herzegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare ” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.