Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dy fjalë për lotët e tij

Kur dikush folë për gratë e përdhunume gjatë luftës, mjafton me kenë veç pak njeri, që me e kuptue se tema nuk t’len vend për lotin tand me u vnu mbi shpatullat e tyne e me ju gjujtë lexuesit ky imazh pastaj, si portret i dhembshunisë tande, ndërkohë që në proces vlon prej paragjykimeve dhe nuk ban as përpjekjen ma të vogël përmes vetes, me i lanë me folë ato.

Berat Buzhala, në shkrimin e tij “Nuk kisha takuar kurrë gra të dhunuara në luftë. Sot qamë së bashku” të botuem në Gazetën Express, ma shum se çashtjen e grave të përdhunume gjatë luftës në Kosovë, sjell në pah fenomenin e protagonizimit, që me ndihmë të fejsbukut u ba e lehtë, dhe nënkupton, pavarësisht që s’di çka thue, me hy n’valle me trendet tematike të kohës, sepse rrëfimi yt t’sheh, ty autorin, si protagonist. Tjerat, e këtu hyjnë tana temat, tregohen për me i dhanë kuptim ekzistencës tande si personazh.

E trend asht ba gjithashtu me derdhë lot, ose ma saktë me kallxu që ke kajtë për me e ba edhe viktimën me ndje me ty. Nëse kjo nuk e kthen vëmendjen ndaj teje, a thu çka kish mujtë me e kthy? Trend asht ba me keqpërdorë autoritetin, me e nënvlerësu lexuesin, ose me e njoftë qaq mirë sa mos me ta ni për te, e mos me u lodhë as me lexue çka citon.
Pikërisht me nji citim të tillë, prej librit të Tolstoit ‘Ana Karenina’ që thot kështu: “Familjet e lumtura janë njësoj; ndërsa secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet.” Buzhala e nisë tregimin mbi dhembshuninë e vetes. Buzhala e nisë nji temë të ndjeshme, për me rrëfye për lotin e tij që vjen si pasojë e kuriozitetit, jo përgjegjësisë. Qyshdo me kenë, kur t’vjen me kajtë, t’vjen. Pytja asht, pse asht loti i tij qaq i randësishëm për me e pa kjo shoqni lotin e saj? Ose pse po menon ai që asht qaq i randësishëm? Ose a asht tue u pa loti i saj nën hijen e tij? Pra, pse asht loti i tij përmbajtja e rrëfimit? Me fjalë tjera, shkurt e shqip: pse asht loti i Buzhalës titull?

A asht Buzhala tue folë për veten a për gratë e përdhunume gjatë luftës? A asht tue i reklamu “punët e mikeshave t’tij” që për te nashta asht veç mënyrë tjetër me folë për veten anash tyne? A asht tue folë për trajtimin e padrejtë ndaj grave të përdhunume gjatë luftës apo asht tue folë për kuriozitetin e vet me e pa qysh duken, sepse krejt viktimat tjera i paska takue e intervistue ma herët? A asht Buzhala tue u mundue me i kuptue ato, apo po na lutet neve me e harrue që s’foli kurrë për to në tryezë të emisionit të vet, se atëherë nuk ke “n’modë”. Po pra, n’atë emisionin ku u zgërdhijke me krejt politikanët, të cilët sot kishe po i “kritikon” pa i emnu natyrisht, për padrejtësinë e mungesën e përgjegjësisë të tregume ndaj grave të përdhume në luftë?

Shtrohet pytja a asht qëllimi i tij me vnu dritë mbi vujtjen e tyne a mbi hijen e vet? Atij që i bjen drita anash, ai gjuen hije ma shum. Hija e Buzhalës asht kolosale. Pse Buzhala nuk e shtron pyetjen: çka asht hisja e përgjegjësisë tem, përtej foreve në fejsbuk, me i luftu padrejtësitë që i bahen viktimave të këtij vendi, veçanërisht grave, përfshi edhe ato që s’dijnë me i grahë kerrit?

Ndër të tjera, Buzhala shkruan “Mendime të liga në kokën time: doja ta shihja se si duket një grua që do ta nxiste një manjak për ta dhunuar.”  Nuk asht mendim i ligë ky. Asht mendim burri, burri që gjen fjalë të mëdha për lexuesin e tij që ai e sheh t’vogël, me nda politikanin e keq t’këtij vendi të akuzuem për tana të zezat prej burrit të mirë brenda t’njajtit njeri, dhe e quen profesionalizëm gazetaresk këtë bullshitizëm. Në fakt nuk asht mendim hiç. Se t’kish kenë, tue e dijtë që nuk asht dokja e nji grueje që nxit “manjakët” me i përdhunue ato, Buzhala nashta ia kishte dijtë kufinin vetes me ‘tingllue sarkastik’, nëse ka provu me tingllu i tillë, por që mue po më doket që as qate s’e ka provue.
I ka dalë pahiri dyqysh, qysh dalin statusat në fejsbuk, si reagim impulsiv kur njeriu sheh nji shansë me ra në sy pak, dhe i ka tingllu mençëm.

Atij s’i shkon as mendja që përdhunuesit e këtyne grave nuk ishin “manjakë”, por ishin ushtri. S’ka të baj me karakter njeriu përdhunimi i tyne, sepse ishte veprim sistematik. Ushtritë kanë qef me i ba njerëzit me mendu që përdhunuesit në mesin e tyne janë thjeshtë do “manjakë”. Por kta “manjakë” rrallë ndëshkohen, e sidomos jo prej ushtrisë së tyne, sepse droh iu thot najnjani “ishte urdhën”.

Buzhalës gjithashtu s’i shkon mendja që vujtja e këtyne grave s’asht çashtje e heroizmit, që ato s’janë heroina, dhe që krejt kjo s’ka të baj me trimninë e burrave. Përdhunimi asht armë lufte. Asht vegël sistematike që përdoret në lufta kundër ma të dobtit. Asht krim lufte, që duhet me u pa si i tillë, e nuk asht çashtje karakteri të burrit manjak ose jo manjak.

Asht çashtje patriarkati, natyrisht, por ajo asht temë e gjanë, që Buzhala ka dëshmue se nuk asht i pjekun me e kuptue. Ma së fundi edhe në shkrimin e naltpërmendun ku shpreh paragjykimet e tij ndaj grues, e kahnjiherë, jam e bindun ndërkohë, ai nuk e kupton hiç sa shum paragjykime ka ndaj saj.

E kuptoj unë lotin e tij, thjeshtë ju ka kujtu nana dhe asht ligshtu. Sepse, për me i dhimt atij përdhunimi i nji grueje, duhet me kenë personale. Duhet gruja me kenë nanë, i duhet amëlsia e kësaj fjale. I duhet nji grue që sakrifikon për te. I duhet nji grue që thot “ikni”.

Paramendojeni t’kish kenë nji grue që kisht bërtitë “mos ikni”. S’kish me kenë hiç heroike. E atij i duhet heroizmi e sakrifica me simbolizue krimet ndaj grues, për me ia “falë” që asht përdhunue.
I duhet gjithashtu paramendimi i dokjes së saj. I duhet femna. Grue, jo nanë, jo motër, jo bukuri, për te nuk asht boll.

Nuk asht boll për krejt shoqninë patriarkale ku jetojmë.

Buzhala e paramenon nji grue që u përdhunue gjatë luftës, si nji nuse të re, të bukur, që përdhunimi ia shkatrroi bukurinë. Të tingllon sikur krimi i vërtetë asht shëmtia e asaj bukurie, tek e përshkruen Buzhala idenë e tij mbi këtë grue viktimë, e nuk përmend asnjiherë frikën e saj, dinjitetin, mendjen, shpirtin. Krejt ideja e tij sillet rreth dukjes së saj. “A thua si duket tash një grua e dhunuar?” pyet Buzhala. Si njeri – më bërtet mue krejt qenia. “Ajo nuk është më nuse e re dhe e bukur, sepse tashmë kanë kaluar 17 vjet nga krimi i kryer mbi trupin e saj. Fillova t’i numëroja vitet. Nëse atëherë ka qenë 30 vjeçare, tash duhet të jetë rreth 50. E thinjur. Me buzë të rrudhura. Sigurisht pa makijazh. E munduar dhe e mundur.” vazhdon Buzhala. Fiksimin e tij burrnor me dukjen e nji grueje, nuk arrin me e tejkalue edhe atëherë kur mundohet me u tregue i ndjeshëm për nji krim të madh që u ba mbi gratë tona. Ai nuk mundet me e paramendu gruen si njeri. Për te, mishnimi i tragjedisë së përdhunimit që ajo përjetoi, asht “krimi mbi trupin e saj” atëherë të ri, tashti me “buzë të rrudhura”. As përpjekjen ma të vogël nuk e ban me e kuptue temën ku futet, e mbi të gjitha së paku “buzët e rrudhura” me i shtjellue simbolikisht për me kuptue diçka ose për me i shti njerëzit me dyshu naj mendim, masi veç i ranë në mend si fjalë. Jo. S’ka shtjellim, sepse mos të harrojmë, u futëm këtu përshkak të kuriozitetit, jo përgjegjësisë.

Tue kenë i padijtun ose së paku i pasigurtë në këtë temë, tue kenë që nuk i futet asaj për hatër të temës e grave të prekuna, por për imazh të vetes, rrezikon dukshëm me u tregue injorant, por nuk ja ninë. Sepse, Buzhala e di që pak njerëz kanë me e kuptu sa pak di ai. Ai e di sa mirë shiten pallavrat, sidomos kur të kombinohen me lot.

E kuptoj, pse sfidimi i tij ndaj burrnisë të këtij vendi merr n’thu në paragjykimet e tij për gratë dhe forcën ose dobësinë e saj, imazhin ose rolin e saj shoqnor. Sepse ai, si shum burra që lodhen me pretendu që janë progresiv, se s’dojnë me u lodhë me u ba përnime të tillë, s’dojnë me e sfidu moralin burrnor të të parëve, asht në mëdyshje qysh me i nda këto dyja prej njana tjetrës: bukurinë e grues dhe burrninë e burrit; çnderimin e grues dhe burrninë e burrit; moralin e grues dhe burrninë e burrit.

Merr n’thu Buzhala gjithashtu në kurriozitetin e tij, sepse për te puna e tij prej gazetari, asht çashtje kurioziteti, jo përgjegjësie. Prandaj dhe prodhimin e nxjerr për me t’ba kurioz e jo me ta çukatë kryet e me ta shkund përgjegjësinë. E tha vet ai. “…një lloj kurioziteti e kam pasur vazhdimisht për t’u përballur me një grua, me një nënë, që kishte kaluar nëpër atë tmerr.” Ndërsa, pasiguria e tij, a me thanë grue, a me thanë nanë, a dyjat nji mas nji, asht, mos me e pastë njoftë mendjen e tij, gati simpatike.

Për aq sa vlen, gratë janë përdhunue pavarësisht qysh janë dokë, duhet me i kallxu dikush Buzhalës. A t’i kallxoj edhe nji herë çka ish nxitja? Gjaku në damar. Urrejtja ndaj gjakut t’huej. Lufta, ish nxitja për përdhunim. A thu, a e kuptoi tash? Apo s’ka kuriozitet?

Unë pata kuriozitet me e dijtë a e ka lexu ai përnime Tolstoin. Konkludimi se “tragjeditë janë të ndryshme”, që e bani Buzhala mbi citimin prej Ana Karenina të Tolstoit që e sjell në fillim të shkrimit, m’la me kuptu që, jo. Nuk e ka lexu Ana Kareninën. E kjo, veç çka sjell në pah maninë e tij me mbetë me çdo kusht në vijë me trendin, bile bile me u ba vet trendi, e me thanë diçka edhe kur s’di çka asht tue folë, me randësi që tjerët me mendu që ka lexu diçka.

Por kur s’ka lexu, natyrisht që as citimin që e ka marrë prej listës së ‘goodreads’ që i ka kushtu 10 sekonda në ‘google search’ nuk ka mujtë tani me kuptu. Me e kuptu që nuk asht fjala te citimi që ka përzgjedh që tragjeditë janë të ndryshme, por që njerëzit janë të ndryshëm në arsyet që gjejnë e që i bajnë të palumtun edhe përballë të së njajtës tragjedi.

Bile bile asht tragjike në vetvete, kur njerëzit reduktohen në kategorizimin e tragjedisë që përjetojnë, e prej tyne pritet nji ballafaqim i caktuem sikur që u prit prej grave tona të përdhunume me shuejt e me u ardhë marre. Ose me pasë “zero vetëbesim” e me kanë “pa makijazh” qysh paragjykon Buzhala për me u tregu aq i padijshëm sa asht, por ama tue mos dyshue as nji fije që i shihet paaftësia edhe në gjithë at det lotësh.

E edhe përballë kësaj tragjedie, pra tragjedisë me e reduktue gruen e përdhunume në nji kategorizim normash se qysh ajo duhet me u sjellë e qysh me u dokë përballë dhimbjes së saj, njerëzit janë të ndryshëm në arsyet e palumtunisë.

P.sh.: Un jam e palumtun që gratë janë të mbushuna ndër shekuj me qaq shum marre që ju vjen me gjini, pra vaginë, saqë edhe për krimet e tjerëve që kryhen ndaj tyne, ato duhet me ni faj e me nejt të heshtuna ose me mshef fëtyrën për me mbrojtë nerën e burrit, sot e kësaj dite.

Buzhala në anën tjetër asht i palumtun që “manjakët” përmes dhunës mbi gruen, sfiduen burrninë e tij e të burrave tjerë.

Përzgjedhjen në vetvete të këtij citimi as nuk po e diskutoj, se merr shum kohë, por po du me thanë kaq: Buzhala e kupton gruen veç përmes rolit të saj shoqnor, ku grueja e ka detyrë me ruejt lumtuninë e familjes. Pavarësisht tragjedive. Kështu në thelb e kupton Buzhala, prandaj së paku nënvetëdije përzgjodhi këtë citim.

Kur e mendon mirë, jo fjalët e Tolstoit por përzgjedhja e citimit të cilin Buzhala nuk e ka kuptue, dhe mënyra qysh e ka kuptue sjell në pah çka asht në fakt arsyeja pse grueja e përdhunume e Kosovës duhet me e mshef fëtyrën. Grueja asht përgjegjëse për krejt lumtuninë e palumtuninë e familjes. Peshë e randë kjo për nji njeri.

Nuk e di a i ka ra në sy Buzhalës që citimi prej librit Ana Karenina që ka përzgjedh ai, isht i pari në listë n’goodreads? S’u lodhë njeri bile qaty me lexu pak ma thellë. Sepse, ka besue nashta që në gjithë këtë dritë që ia gjuen vetes, loti i tij ka me i ba hije trunit tonë.

Po aty në ‘goodreads’ thanja e dytë prej Ana Karenina të Tolstoit ke kjo: “Nëse lypë me u ba perfekt, ke me humb përmbajtje.” Buzhala vuen me konë perfekt. Dhe në nji shoqni apatike përballë fatit të saj e që nuk ka vullnet ma me gërrye për përmbajtje, kurioziteti t’shitet lehtë si përgjegjësi dhe bahesh lehtë ‘perfekt’. Titulli asht krejt përmbajtja.

E i nandi citim prej Tolstoit, që m’pëlqej shum, ke ky: “Ma mirë me kenë i keq në diçka, se rrenc e mashtrues.” E numër pesdhetë e nandë e gjeta këtë margaritar: “Atij i pëlqejke me peshku dhe u dokke sikur isht tue mbajtë njifarë krenarie që isht në gjendje me ushtrue nji profesion të tillë të budallavt.”

Por, ndër perlat e këtij libri që s’e kam lexu, e gjeta këtë thanje dhe ktu po e përmbylli: “Ah, sikur t’ish çdonjani kaq i ndjeshëm si ti! Se s’ka vajzë që s’ka kalue nëpër krejt kte. Dhe asht krejt aq e parandësishme.” Kjo m’doket ke numër shtatëdhetë.

Oh, veç edhe nji sen, ju lutem, se s’du me e lanë pa e thanë: do prej grave të përdhunume gjatë luftës janë me “makijazh”. Sigurtë. Dhe dhimbja e tyne vlen po aq sa ato pa makijazh. Nuk i kanë buzët e rrudhuna, por të kuqe, të njoma. Do prej tyne nuk thanë “ikni”. Pra nuk dashtën me sakrifikue veten për ty. Do prej tyne i përdhunuen në sy të burrave t’tyne. Gjithashtu, do prej tyne s’kanë kenë shqiptare. Por krejt këto gra, janë gra të përdhunume prej burrave që jau urrejshin farën edhe gjinore edhe etnike, prej burrave që e kishin nji ushtri mbrapa që jau rrehke krahët, ose së paku nji ushtri që u ba kishe s’pa.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.