Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dy frymë të lirisë

Bota do të mund të mund të shfrytëzonte më mirë guximin e Christopher Hitchens-it dhe tolerancën e Isaia Berlin-it.

Menjëherë pas vdekjes së Isaia Berlin-it, Christopher Hitchens-i kishte nisur me sulme ndaj tij në London Review of Books (Revistën e librave të Londrës). Filozofi i famshëm liberal, argumentonte polemisti i famshëm, kishte qenë frikacak, i dobët, jokonsistent, apologjet i Luftës së Vietnamit, servil i të pushtetshmëve. Berlin, shkruante Hitchens, ka qenë “pompoz dhe në të njëjtën kohë i pandershëm përballë një krize të gjatë morale, ku pikëpamjet dhe lidhjet e tij mund të kishin bërë ndryshime.” Dhe Hitchens-i kishte kritikuar me keqardhje faktin se reputacioni i Berlin-it qëndronte “si luan që të del përpara” nëse “e ngacmon konsensusin e vetëkënaqur ‘liberal’ të ditëve të sotme.”

Eseja më e famshme e Berlin-it është “Dy koncepte te lirisë”, por më duket se Hitchens-i dhe Berlin-i kanë personifikuar dy frymë të lirisë. Dallimi mes këtyre dy frymëve nuk është filozofik, si ai mes dy koncepteve. Përkundrazi, ai është çështje e temperamentit, karakterit, zakoneve të zemrës. Thënë më thjesht, Hitchens-i ishte shembull i guximit, Berlin-i i tolerancës. Hitchens-i ishte i zëshëm, i ashpër, asnjëherë pa frikë për të fyer, i pafrenueshëm (në një mënyrë që të linte përshtypje) nga kërcënimet me vdekje nga islamistët. Ai gjithashtu ishte pothuajse në çdo rast i gatshëm të pranonte gabimet që bënte, duke ndryshuar qëndrim në mënyrë të mprehtë për të mbrojtur, me po të njëjtin vrull, çfarëdo qoftë qëndrimi të vetin kundërthënës që zgjidhte të merrte në një moment të caktuar. Por ai ishte i guximshëm, dhe krejtësisht konsistent në mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Berlin-i nuk shquhej për guximin e tij. Kjo ishte një dobësi me të cilën kishte luftuar. Në një letër dërguar një miku të ngushtë, të shkruar atëherë kur kishte arritur moshën e mesme të një njeriu shumë të respektuar, kishe shkruar: “Uroj që të mos e kisha trashëguar natyrën e ndrojtur e llafazane të babit tim! Unë mund të jem i guximshëm, por oh çfarë mbinjeriu tmerrues lufton me frikacakë!” Dhe në një ese kushtuar Turgenev-it të tij të dashur, ai evokon “tufa njerëzish të vegjël, në mëdyshje, vetëkritikë, jo çdoherë aq të guximshëm, të cilët zënë një pozicion diku në të majtë të qendrës, dhe që neveriten moralisht si nga fytyra të ashpra në të djathtë të tyre, ashtu edhe nga histeria dhe dhuna e demagogjia e pamend në të majtë të tyre…”

Megjithatë Berlin-i ishte një nga mbrojtësit më elokuentë e konsistentë të një liberalizmi i cili krijon dhe mbron hapësirat në të cilat njerëzit që përqafojnë vlera të ndryshme, kanë pikëpamje të papajtueshme, ndjekin projekte të papajtueshme politike, – me pak fjalë, Hitchens-ët dhe anti-Hitchensët, – mund të përplasen në liri, pa dhunë. Berlin-i personifikonte jo thjesht tolerancën, por edhe një dhunti të jashtëzakonshme për të bashkëndjerë, atë aftësinë për të hyrë brenda kokave dhe zemrave shumë të ndryshme, e cila është shenjë dalluese e imagjinatës liberale.

Lypset njëfarë qëndrimi
i pathyeshëm, i qetë
që ta ruash pavarësinë
intelektuale kur të gjithë
rreth teje bëhen të njëanshëm.

Në një fjalim të mbajtur më 1944 duke shpjeguar se çfarë po luftonin Shtetet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore, para një audiencë që përfshinte shumë njerëz që ishin bërë qytetarë amerikanë së fundmi, gjykatësi Learned Hand kishte deklaruar: “Çfarë, pra, është fryma e lirisë? Nuk mund ta përkufizoj; vetëm mund t’ju them besimin tim. Fryma e lirisë është fryma e cila nuk është aq e sigurt se ka të e drejtë; fryma e lirisë është fryma që kërkon të kuptojë mendjet e burrave dhe grave të tjera; fryma e lirisë është fryma që peshon interesat e tyre krahas të vetave, pa anime. ”Kush mund të vërë në dyshim se Berlin-i ishte i mbushur me atë frymë të lirisë? Por edhe Hitchens-i ishte i mbushur me frymën e lirisë.

Ndonëse priren të kenë mosbesim, madje përbuzje ndaj njëra-tjetrës, të dyja këto frymë janë të domosdoshme. Secila ka të metat e saj karakteristike. Një botë e përbërë tërësisht nga Hitchens-ët do të prirej kah jotoleranca. Ajo do të ishte përplasje e përhershme, ndonëse shpesh zbavitëse, britmash. Botë në të cilën nuk do të kishte as kohë e as hapësirë ??për të kuptuar, – në kuptimin më të thellë të të kuptuarit që përfshin studim të thellë, reflektim të qetë, dhe simpati përfytyruese, – nga vjen personi tjetër. Një botë e përbërë tërësisht nga Berlin-ët do të prirej kah relativizmi dhe toleranca e tepruar ndaj armiqve të përbetuar të tolerancës.

Thënë thjesht, ky tension nuk fillon me këta dy autorë të fundit të shekullit të 20-të. Kah fundi i jetës së tij, mendimtari liberal gjermano-britanik Ralf Dahrendorf kishte shkruar një libër rreth një linje intelektualësh politikë të cilët i kishte quajtur erasmianë, në mesin e të cilëve kishte përfshirë Isaia Berlin-in. Dhe argumenti mes këtyre dy frymëve të lirisë veçse po ndodhte në marrëdhëniet, në shekullin e 16-të, mes Erasmus-it të Roterdam-it dhe Martin Luther-it. Erasmus-i, dijetari më i famshëm i kohës së vet, kishte përgatitur rrugën e Reformimit. Aq i afërt ishte afiniteti i tij intelektual me Luther-in në vitet e mëhershme sa që qarkullonte shakaja aut Erasmus Lutherat, aut Erasmissat Lutherus, — tani Erasmus-i lutheron, tani Luther-i erasmuson. Por, kur Luther-i e arriti ndarjen nga Kisha e Romës, Erasmus-i nuk do ta ndiqte atë. Burrat e vullnetit të mirë, këmbëngulte ai, duhet të jenë në gjendje të argumentojnë kështu me njëri-tjetrin në mënyrë të civilizuar dhe me arsye, brenda organeve kishtare. Në komentin e tij lidhur me thënien e urtë latine “Sa njerëz, po aq mendime” (Quot homines, tot sententiae) ai ia atribuon Shën Palit mendimin se: “për të vënë mënjanë grindjet, duhet t’ia lejojmë secilit njeri që të ketë bindjet e veta.” (Kjo ishte, dikush mund të shtojë, ixhtihad aventuresk i Shën Palit). Më 1517, viti kur Luther-i kishte gozhduar tezat e tij protestante në një derë kishe, Erasmus-i kishte shkruar një ese me titull “Ankesa e Paqes”, ku vajtonte “luftëtarët e fjalëve” të cilët “sulmojnë njëri-tjetrin me lapsa me helm, që grisin njëri-tjetrin me togfjalësha të mprehtë satire dhe hedhin shigjeta vdekjeprurëse insinuatash.”

Dahrendorf-i kujton një skenë kur i sëmuri 35-vjeçar për vdekje Ulrich von Hutten, reformator i cili në disa mënyra ishte edhe më i guximshëm se Luther-i, faktikisht kishte trokitur në derën e shtëpisë së Erasmus-it në Basel për të kërkuar ndihmë, “por Erasmus-i, edhe vet i sëmurë dhe i frikësuar si nga infeksioni fizik ashtu edhe ai shpirtëror nuk e kishte pranuar në shtëpinë e tij. I tërë Baseli e kishte parë…” Hutten-it i kishte mbetur pak forcë, por mjaftueshëm që ta hidhte me stilolaps në letër një Expostulation With Erasmus (Bindje kundërshtuese me Erasmusin), përfshirë këtë qortim thumbues: “Librave tuaj do t’u duhet të luftojnë mes tyre.” Për disa vite, Erasmus-i i kishte rezistuar presionit të udhëheqësve të kishës që të përballej me reformatorët dhe kur më në fund e kishte bërë këtë, e kishte bërë në formën e një dialogu të mësuar në të cilin kishte kundërshtuar pikëpamjet e Luther-it mbi vullnetin e lirë. Thumbi i Hutten-it ishte një version i hershëm i talljes së shekullit të 20-të sipas së cilës liberal është dikush që nuk mund të marrë anën e vet në një diskutim. Kjo lidhet me një kritikë të shpeshtë ndaj liberalizmit si i zbehtë, pa gjak, shëndetlig, i paaftë për të t’i dalë zot vetes në një grindje.

Njerëzit mund t’i kenë këto dy cilësi në masë të ndryshme, në kohë të ndryshme. Vetë Dahrendorf-i kishte qenë erasmian në pleqëri, por si nxënës 15-vjeçar në Berlinin nazist kishte formuar një grup rezistence dhe ishte burgosur në një kamp të Gestaposë. Ekziston guximi i rinisë dhe toleranca e lindur nga përvoja. Përzierja e tyre te cilido person asnjëherë nuk është krejtësisht e thjeshtë. Hitchens-i mund të kishte qenë jotolerant, në mënyrë përçmuese e përbuzëse, në shtyp dhe në skenën publike, por privatisht kishte një dhunti që të shoqërohej mirë me një gamë shumë të gjerë njerëzish. Një nga shprehjet e tij figurative retorike, karakteristike e vetja, po shpesh lehtësisht irrituese për ata që u thuhej, ishte të thoshte: “X është mik i imi, por…”, pasuar me një sulm shpërthyes ndaj diçkaje të thënë ose shkruar nga X.

Erasmianët gjithashtu kanë markën e tyre të guximit, ose, mbase më saktë, të qëndrimit të pathyeshëm. Lipset njëfarë qëndrimi i pathyeshëm i qetë që ta ruash pavarësinë intelektuale kur të gjithë rreth teje bëhen të njëanshëm. “Në asnjë rast tjetër nuk e përgëzoj veten më shumë,” – kishte shkruar Erasmus-i kah fundi i jetës së tij,– “se sa për faktin që kurrë nuk jam kapur pas ndonjë partie.” Lipset këmbëngulje e fortë që të vazhdosh të mbrosh me qetësi një qëndrim të pavarur liberal – të balancuar, të drejtë, me respekt ndaj ndërlikueshmërisë më tepër me synimin që të arrish tek e vërteta sesa të jesh argëtues – në një kohë kur ajo që Jacob Burckhardt-i e kishte quajtur terribles simplificateurs po korrë entuziazmin e të rinjve dhe emocionet e përbashkëta.

“Pra, duhet të peshojmë dhe të matemi, të bëjmë ujdi, kompromise, dhe të parandalojmë shtypjen e një forme të jetës nga rivalët e saj”, – kishte shkruar Berlin-i tri vjet para se të vdiste në një tekst i cili më pas ishte botuar nga The New York Review of Books (Revistën e librave të Njujorkut) si “mesazh shekullit të 21-të.” “E di shumë mirë se ky nuk është një flamur nën të cilin mund të dëshironin të marshonin të rinj dhe gra idealiste dhe entuziaste – duket shumë e urtë, shumë e arsyeshme, shumë borgjeze, nuk përfshin emocione bujare. Por, duhet të më besoni, nuk mund të keni çdo gjë që dëshironi; jo vetëm në praktikë, por edhe në teori.”

Raymond Aron ishte një tjetër erasmian i tillë, dhe orët e tij të fundit janë shembull i përsosur i këtij virtyti më të ftohë. I bindur se miku i tij Bertrand de Jouvenel ishte parodizuar në një libër nga një historian izraelit, Aron kishte rënë dakord të dëshmonte në një rast të shpifjes të iniciuar nga De Jouvenel kundër autorit dhe botuesit. Duke theksuar në gjykatë se De Jouvenel kishte qenë i gabuar në vlerësimin e tij fillestar rreth Hitlerit, ndërsa vetë Aron “menjëherë kishte parë djallin te Hitleri”, – dhe siç e dinte audienca e tij, kishte shkuar për t’i shërbyer qeverisë së Charles de Gaulle-it në mërgim, në Londër, – ai megjithatë kishte kritikuar me keqardhje librin si ahistorik: “Autori asnjëherë nuk i ka vënë gjërat në kontekst. Përkufizimi që ai jep për fashizmin është aq i vagullt dhe i pasaktë se që mund të përfshinte çfarëdo gjëje.” Prandaj ai përbënte “llojin më të keq të shpifjes, – rezultat i një procedure që e shoh me keqardhje dhe e dënoj,– faj të bazuar në asociim.”

Duke qenë i tillë që deri më tani kishte ngritur zërin për qartësi intelektuale, të kuptuarit historik dhe drejtësi elementare, filozofi i moshuar e i brishtë ishte larguar nga dhoma e gjyqit dhe kishte hyrë në një makinë, ku kishte pësuar sulm masiv në zemër dhe kishte vdekur. Në momentin para ikjes, Aron i kishte thënë gazetarit Mark Ullman: “Je crois avoir dit l’essentiel.” (E cila përafërsisht përkthehet si: “Besoj se kam thënë atë që besoj se ishte e nevojshme të thuhej.”) Çfarë vdekje më të mirë do të mund të kishte për një erasmian?

Ndodh mjaft rrallë që këto dy frymë të lirisë, me cilësitë e tyre të dallueshme të guximit dhe të tolerancës, kombinohen në mënyrë të barabartë në një individ. Rasti ku i kam parë që këto afrohen më së shumti ka qenë Vaclav Havel-i, një disident trim, në gjurmët e bashkëatdhetarit të tij të shekullit të 14-të Jan Hus. Ai e ka dëshmuar këtë guxim gjatë katër viteve burgim dhe arrestimeve të shumta të mëpastajme. Solidariteti i tij me disidentë në pjesë të tjera të botës ishte i palëkundur. Një nga veprimet e tij të fundit publike, kur ishte shumë i sëmurë, ishte qëndrimi i tij përballë ambasadës kineze në Pragë, për të protestuar kundër burgosjes së Liu Xiaobos, – akt ky i jashtëzakonshëm e jodiplomatik për një ish president. Megjithatë, Havel-i ishte gjithashtu mishërim i tolerancës erasmiane, jo vetëm i sjellshëm në mënyrë që nuk mund të dështonte, por përnjëmend i hapur ndaj një game të gjerë filozofish dhe mënyrash të jetesës, më dëshirën që të gjitha të dëgjohen dhe shihen. Megjithatë, zakonisht të dy frymët e lirisë gjenden të shpërndara në mënyrë të pabarabartë te individë të ndryshëm: njëri më lutheran, tjetri më erasmian. Liria ka nevojë për të dyja.

U mbetet të tjerëve të thonë nëse mund të identifikojmë një dikotomi të ngjashme në kulturat dhe traditat joperëndimore. Përshtypja ime sipërfaqësore nga vendet që i njoh shumë më pak, si Kina, Mianmari dhe Egjipti, është se mund ta bëjmë këtë. Në udhëtimet e mia kam takuar njerëz thellësisht të admirueshëm të cilët më duket se mishërojnë secilën prej këtyre dy frymëve të lirisë. Dhe a ka qenë mbase Gandh-i, ashtu si Havel-i, një përjashtim që vërteton rregullin, i cili bën bashkë guximin dhe tolerancën? Ajo që është e sigurt është se ata që ngrenë zërin për fjalën e lirë në këto vende, kundër ortodoksisë së armatosur dhe përbuzëse të kohës së tyre, marrin vendime më të vështira dhe përballen me pasoja më të rënda, më të vështira se shumica prej nesh në Perëndim që do të marrim ndonjëherë.

 

 

______________________

Timothy Garton Ash është studiues i asocuar në Kolegjin St. Antony, në Oksford, dhe studiues i lartë i asocuar në Institucionin Hoover. Kjo ese është përshtatur me leje të autorit nga libri i tij i ri Free Speech: Ten Principles for a Connected World (Liria e shprehjes: dhjetë parime për një botë të ndërlidhur) (Yale University Press).

Artikulli origjinal

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.