Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

E vërteta që do të na çlironte

Gjatë mbajtjes së fjalimit të tij në ceremoninë e pranimit të Çmimit Nobel më 1986, shkrimtari Elie Wiesel, i cili i kishte mbijetuar Holokaustit, ndër të tjera e shtron edhe një dilemë. Ai thotë kështu: “A e kam unë të drejtën të përfaqësoj morinë e atyre që u tretën? A e kam unë të drejtën ta pranoj këtë nder të madh në emër të tyre? Nuk e kam. Askujt nuk i lejohet të flasë në emër të të vdekurve, askush nuk mund t’u japë zë ëndrrave dhe përfytyrimeve të tyre të sakatuara”. Me rastin e skandalit që na e solli para mediave deputetja Brovina, m’u kujtua kjo pjesë e fjalimit nga shkrimtari Wiesel. Domethënë, si i mbijetuar i Holokaustit, Elie Wiesel nuk i jep vetes të drejtën të flasë në emër të viktimave. Ai ka respekt deri në përulje për to. Ai kërkon drejtësi për viktimat, flet për to, shkruan për atë se çfarë u ka ndhodhur, por çdoherë në emrin e tij, jo në emër të tyre. Ai nuk dëshiron të përfitojë nga gjëma e tyre, përkundrazi, ai gjëmën e tyre mundohet ta transmetojë tek njerëzimi që të ndërgjegjësohet, sepse ai është i ndërgjegjshëm për vujatjet e tyre dhe për të ardhmen e të gjallëve.

Pra, më intrigoi ky fjalim i Wiesel dhe fillova të mendoj rreth asaj se si ne, shoqëria kosovare, e sidomos politika i ka trajtuar viktimat, qoftë ato që nuk janë më, qoftë ato që kanë mbijetuar. Më ka bërë të mendoj se kah buron i gjithë ky mosrespekt për ata që vuajtën dje dhe që ende vuajnë sot. Si u bë që në plagët e tyre i futëm duart, duke ua mundësuar mosshërimin? Ndoshta e gjithë kjo sjellje burimin e ka tek rrënimi i strukturës vlerore sociale. Kur njeriu, por edhe shoqëria me ose pa vullnetin e tij/saj heq dorë nga mundësia apo krijimi i mundësive për të ndërtuar një platformë të rregullave dhe vlerave, mbi të cilën do të qëndrojnë, atëherë do të dalin në sipërfaqe egot shfrenuese që kanë për synim rrënimin sa më të madh të vlerave, sepse sa më kaos që të jetë shoqëria, aq më mirë do të jetë për ta. E, pikërisht këtë gjendje kaotike tash e njëzet vite e ka krijuar kjo klasë politike. Sa më shumë kaos, aq më gjatë në pushtet. Sa më pranë ekzistencës kolektive, aq më i fuqishëm pushteti i tyre. Dhe duke qënë kështu kjo klasë për dy dekada ka arritur kulmin e stërkeqjes. Thuhet se sa më gjatë dhe sa më i pushtetshëm që je aq më shpërdorues dhe arrogant bëhesh. Prandaj, kjo klasë politike është mjaft shpërdoruese ndaj shoqërisë dhe shtetit saqë arroganca e tyre shpeshherë e vë shoqërinë para përgjegjësisë për papërgjegjësitë e pushtetit të tyre. Për ta qartësuar edhe më shumë këtë sjellje shpërdoruese dhe arrogante të kësaj klase politike, këtu do të sjell një ngjarje që e përshkruan shumë mirë një sjellje të tillë të pushtetit, shkrimtari nga Guatemala, Miguel Ángel Asturias, në romanin e tij “Zoti President”. Duke e përshkruar pushtetin despotik të udhëheqëist, e që Asturias në kontekstin pezhorativ i drejtohet me Zoti President, në një moment tregon se sa larg shkon arroganca e pushtetit. Aty Asturias tregon se si një ditë një njeri i cili punonte në ngjitjen e pllakatave nëpër kinemat dhe teatrot e qytetit, shkon në kinema për ta vendosur pllakatën e filmit që do të shfaqet në ditët në vijim. Pasi e vendos pllakatin, ai të nesërmen arrestohet nga policia sekrete, sepse pllakatin e kishte vendosur mbi një fotografi të një gruaje të moshuar. Kjo fotografi paralajmëronte një festën kombëtare disaditëshe, sepse gruaja e moshuar në foto kishte ditëlindjen e saj dhe ishte nëna e Zotit President, e, ku i gjori pllakatavënës e kishte mbuluar këtë ngjarje të madhe kombëtare me një pllakat që paralajmëronte filmin e radhës që do të shfaqej. Pra, jo në këto përmasa, por në një linjë pothuajse të ngjashme klasa politike kosovare e ka keqpërdorur pushtetin, e ku arroganca e tyre ka arritur deri në atë skaj ku për pushtetin e tyre nuk kursehen as vikrimat e dhunës seksuale nga forcat serbe. Këta pushtetarë nuk kanë asnjë pikë respekti për viktimat, përkundrazi viktimat i kanë përdor dhe i përdorin si mundësi për konsolidimin e pushtetit të tyre. Atë dilemën e shkrimtarit Elie Wiesel që e shfaqa në fillim të këtij shkrimi, klasa politike akutale kosovare (kush më pak, e kush më shumë, por pa përjashtim) nuk e kanë pjesë të menusë së tyre. I gjithë preokupimi i tyre është pushteti i tyre dhe pikë.

Mirëpo, në gjthë këtë zallamahi, duhet ta themi edhe këtë, se edhe ne si shoqëri për dy dekada në njëfarë forme edhe vetë i kemi dhunuar këto viktima të dhunës seksuale (sidomos). Duke ua mohuar të drejtën që ato të flasin për atë se çfarë u ka ndodhur, sepse nuk u kemi krjuar kushte për faktin se më me rëndësi e kemi pasur ruajtjen e ftyrës sonë, se sa lehtësimin e dhimbjes së tyre. Në emër të pastërtisë morale kolektive, e kemi fshehë (qëllimshëm) për njëzet vjet fatkeqësinë që u ka ndodhur këtyre viktimave gjatë luftës. Dhimbjen dhe mërzinë e tyre e kemi izoluar deri në ngulfatje. Dhe ky është dhunimi i dytë që u ka ndodhur, por tani nga ne (sic).

Kështë që, sado që dhemb, sado që të jetë e papranueshme, dua ta theksoj, jo për të relativizuar, assesi, mirëpo, për ta vënë në spikamë se, pothuajse secili nga ne këtu e njëzet vjet kemi kontribuar, direkt a tërthorazi, në një gjendje të tillë. Shpërfaqja e një klase të tillë politike, e cila gjithçka e përdor si mjet për marrjen ose ruajtjen e pushtetit te tyre, deri ku shkon edhe manipulimi me foto/skena pornografike vetëm dhe vetëm që të mbesin në pushtet, i kam kontribuar edhe unë që po i shkruaj këta rreshta, i ke kontribuar edhe ti që po i lexon këta rreshta. Unë dhe ti, ne të gjithë së bashku (sic), njëzet vjet pas luftës dhe njëmbdhjetë vjet pas pavarësisë e kemi bërë këtë Republikë të pabanueshme, sepse u kemi dhanë mundësi një klase të tillë politike të kalbur. Pra, ne jemi ata që u kemi dhënë legjitimitet. Edhe ne kemi kontribuar në gërryerjen e këtij shteti dhe ardhmërisë sonë. Andaj, para se t’i vëmë fajin botën, t’i flasim pak vetes, t’ia themi të vërtetën sado e idhët qoftë ajo, sepse ndryshe nuk do të çlirohemi nga e vërteta. Ne jemi çliruar nga pushteti represiv serb, e kemi fituar lirinë dhe shtetin, por asnjëherë nuk kemi mundur të çlirohemi nga e vërteta. Dhe një shoqëri sikur e jona e ka të domosdoshme të çlirohet nga e vërteta, sepse nuk thuhet kot se sado që dhemb e vërteta të çliron.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.