Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

​Ekzil – shënime pa ngjyra

Për babën, që gjithmonë e dinte

Credits: Massimo Sestini  | AP

Edward Said ka thënë “Të mendosh për ekzilin është çuditërisht tërheqëse, por e tmerrshme për t’u përjetuar. Është një e çarë e pashërueshme, e sforcuar në mes të qenies njerëzore dhe vendit të vet, në mes të vetes dhe shtëpisë së vërtetë: pikëllimi i tij esencial kurrë nuk mund të tejkalohet”. Për të arritur së shkruari këto fjalë, Said do të jetë informuar më pak nga leximi e letërsia, e më shumë nga përvoja e tij personale dhe e popullit që i takonte. Dhe vërtet, duhet t’i përkasësh një populli me shtet të kontestuar siç janë palestinezët, që të ndjesh thellë historinë tragjike të tyre, që të arrish të formulosh fjalë me kaq peshë dhe domethënie.

Është e vërtetë: pikëllimi është mu në esencën e ekzilit. Pikëllimi dhe humbja. Përderisa pikëllimi është i patejkalueshëm dhe gjithëherë prezent, humbja është e pariparueshme, përherë e pangushëllueshme. Me daljen jashtë vendit njeriu mund të ketë fat, të punojë e të përparojë, por gjithë kjo ndërtohet përmbi boshllëkun që ka mbetur përgjithmonë aty, nën sipërfaqe.

Ka mënyra të ndryshme se si lëshohet vatra. Udhëtimi turistik është më i lehti, pasi që një udhë e tillë bëhet me qejf. Është i përkohshëm, argëtues, dhe ngërthen në vete kthimin mbrapa në vend. Pastaj, shpërngulja në vend tjetër për arsye pune është një udhëtim pak më i vështirë, por që bëhet në kërkim të një jetese më të mirë. Të tillëve iu referohemi zakonisht si migrantë ekonomikë. Mirëpo udha më e zorshme për t’u ndërmarrë është ajo e refugjatitEkzili dallon dramatikisht nga llojet e mësipërme të rrugëtimit, pasi që në sfondin e tij gjendet lufta, dhuna, apo ndonjë traumë tjetër personale a shoqërore.

Ekzili është dëbim traumatik nga shtrati bazë, është goditje çorientuese që ndryshon çdo gjë një herë e përgjithmonë. Njeriu që shtrëngohet të dalë në ekzil nuk ka ndërmarrë thjesht një akt udhëtimi nga një vend në tjetrin. Udhëtimi i një turisti e i një refugjati ndryshojnë si dita me natën. Të dy mund të jenë në të njëjtin aeroplan apo tren, mund të jenë të ulur afër njëri tjetrit, por megjithatë u takojnë dy botërave të ndryshme. Kjo sepse ekzili nuk është thjesht udhëtim, por prerje e beftë dhe violente me jetën e njeriut deri në atë moment. Është sikur e çara e trungut: kur një degë çahet ajo do të ketë rrugëtimin e vet: o do të thahet, o do të lulëzojë sërish. Pa marrë parasysh se çfarë bëhet, tash e tutje e gjithë kjo do të ndodhë larg trungut.

Aksidenti dhe rastësia janë të natyrës së ekzilit. Aventura e rrugës së pakthim nuk është se planifikohet. Askush nuk ëndërron që të braktisë pa dëshirë vendin e vet. Në anën tjetër, është normale që të rinjtë të kenë ëndrra të tilla – për një jetë më të mirë, për më shumë rehati – por këto ëndrra nuk llogarisin në efektin çarës të ekzilit. Nuk kanë se si, derisa të mos kenë kaluar nëpër purgatorin e tij. Pra, vetë ekzili është aksidental, tragjik. Ai ndodhë një ditë befas, kur të merret vendimi për të ikur.

Refugjatët – kjo radhë e pafund turistësh të palekë që askush s’i dëshiron, janë grigja e humbur e Zotit. Çdokush, në çfarëdo rrethane, që shtrin dorën e kujdesit ndaj refugjatëve, ka bërë një mirësi. Madje edhe librat e shenjtë flasin për këtë. Vetë Hyjnia çmon përkujdesjen ndaj refugjatit, të pastrehit. Dëbimi nga vendi i vet dhe nga familja, pasuar nga vetmia dhe tëhuajësimi, figuron si mallkim i veçantë në libra të tillë. Zbimi është i barabartë me çrrënjosje. “Të jesh i rrënjosur,” thoshte Simone Weil, “është mbase nevoja më e rëndësishme, e më së paku e njohur si e tillë, e shpirtit njerëzor.”

Shtegtimin dhe akomodimin në një vend të huaj e përcjell euforia momentale e lirisë së beftë. Lumturia e pafre që vjen me një jetë të re, në vend të ri, i jep zjarr një entuziazmi të papërmbajtur. Mirëpo, si mëngjesi i esëllt pas një natë të dehur, shpejt gdhihet përplasja me realitetin e ri. Ashtu si një rrufe iluminuese për këtë liri të sapozbuluar, ekzili gjen zbatueshmëri vetëm brendapërbrenda konturave të burokracisë sfilitëse të vendit nikoqir, si dhe kufijve shtetëtorë të tij. Pastaj do të vinë gjashtë muaj të çmendjes që çdo refugjat i njehë më mirë se çdokush tjetër. Epifania se jeta e përparme ka mbaruar një herë e mirë shkakton një valë paniku. Sa kaplohesh nga një dëshirë e përndezur për t’u kthyer, por nuk mundesh, sa përhumbesh në një vend të ri pune, a me një dashuriçkë të rastit, me glitzin dhe dritat e metropolit.

Tekefundit, vjen nga një vend provincial, dhe e gjithë kjo është e re për ty, atraktive, si në filma. Por pastaj, ethet e ftohta të panikut të kapin sërish dhe të duket se nuk ngopesh dot me frymë. Dhe më vonë, si dallgët e detit, edhe kjo valë paniku venitet dhe kupton se je ende gjallë. Kështu, rreth gjashtë muaj më vonë ti ke dalë në anën tjetër të bregut, i dërrmuar por edhe i ringjallur paksa. I ringjallur me fytyrën e re që ka filluar të ta formësojë ekzili.

Siç thotë Saidi, nga ekzili njeriu edhe përfiton, por njëkohësisht humbet diçka. Humbë kohën me ata që lë pas. Humbja është në esencën e tij. Një pikëllim i heshtur e përcjell gjithnjë. Çka nis si shkëputje e përkohshme, një devijim i momentit nga trajektorja e deriatëçastshme e jetës, përfundon në degëzime të reja jetërash, shfytyrime e ndërrime personalitetesh. Për të mirë e për të keq.

Si Janusi nga mitologjia që kishte dy fytyra – para and prapa – ekzili të detyron të formosh një personalitet të dyfishtë, skizofrenik. Një fytyrë do të jetë gjithmonë e kthyer pas – drejt vendit të lënë, drejt familjes, të kaluarës, kujtimeve, të ngrohta apo të hidhura. Ajo fytyrë gjithmonë do të shikojë mbrapa. Ngjan që në një përpjekje për të rikonstruktuar e modifikuar të kaluarën, syrgjyni kalon vite duke imagjinuar kthimin mbrapa në momentin e shkëputjes.Por shkëputja ka ndodhur tashmë, ajo është e vërtetë, dhe rruga e vetme është para, përgjatë degëzimeve të reja. Kjo është metamorfoza e ekzilit. Dy fytyrat e tij.

Paul Klee – Angelus Novus (1920) 

Kështu, ngadalë dhe natyrshëm, ekzili formëson fytyrën tënde të re – ajo që shikon përpara. Në këtë fytyrë skalitet pjesa e personalitetit të ri, apo identiteti që ndikohet nga streha e re e refugjatit. Puna, gjuha e re, kultura, zakonet e reja, të gjithë këto fillojnë të pleksen ngadalë në personin e refugjatit, duke krijuar kështu një identitet hibrid. Ekzili ka pjellë Angelus Novus, këtë engjull modern të dalë nga thellësitë talmudo-biblike i cili, gjersa është dëshmitar dhe aktor i progresit modern, nuk mund të mos hedhë shikimin melankolik mbrapa, në shtrëngatën e pluhurtë të thyerjeve që mundësuan këtë progres.

Dhe kështu, gradualisht jeta e personit në ekzil arrin të futet në binarët e shoqërisë së re të vendit nikoqir. Edhepse vokabulari modern përdorë termin “integrim”, ky proces është në fakt asimilim. Shkrirje në shoqërinë e re, shoqëruar me shkëputje të gjatë dhe të dhimbshme me vendin amë.

Ndoshta kjo është një mënyrë tjetër e të thënit se jeta e të syrgjynosurit ecën sipas një kalendari tjetër, dhe është më pak sezonale dhe më pak stabile se jeta në vend të vet. Ekzili është jetë që çohet jashtë rendit të zakonshëm. ”Është nomadike, pa qendër dhe në iso paralele; dhe para se t’i përshtatemi asaj jete, forca e saj shkundëse shpërthen përsëri”, do të thoshte Said.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.