Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Elementet e një qyteti funksional

Gjatë historisë, arkitektët dhe urbanistat kanë provuar dhe aplikuar shumë metoda të planifikimit urban. Kritikët e planifikimit urban pajtohen në një pikë, se planifikimi i qyteteve pas viteve 1900-ta është absurd dhe nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e atyre që jetojnë në qytet dhe atyre që vizitojnë qytetin. Çfarë e identifikon një qytet funksional? Ose, cilat elemente duhet të përfshijë një qytet, për të qenë funksional dhe njëkohësisht atraktiv për vizitorët?

Në Kosovën e pasluftës ka pasur vetëm ndërtim, e aspak planifikim. Popullata në mungesë të strehimit si dhe dëshirës për një jetë të re kryesisht në qytete, iku nga zonat rurale dhe u zhvendos në qytetet e afërta. Më e goditura ishte Prishtina si kryeqendër.

Kjo është krejtësisht normale për shoqëritë e dala nga lufta. Ky fenomen i ikjes nga zonat rurale në qytete është i njohur edhe në vendet tjera. Si arsye e ikjes, shumë autorë e përmendin faktin që luftërat guerile zhvillohen kryesisht në zonat e thella rurale. Ky fakt edhe ndikon që zonat rurale të mos jenë të sigurta dhe atraktive për vazhdimin e jetës. Pastaj është krejt normale që multifunksionaliteti i qyteteve dhe mundësitë që ofrojnë tërheqin si me magnet banorët e rinj.

Në Suedi ku jetoj dhe kryej punën e urbanistit, gjatë procesit të planifikimit dhe ndërtimit, prioritet i jepet modeleve dhe mostrave të planifikimit që janë përdorur para viteve 1900-ta, para revolucionit të industrisë së automobilave. Si përbërës kryesorë, apo gurthemel për një qytet funksional dhe të qëndrueshëm, janë: blloqet- kvarteret, rrugët e qytetit dhe hapësirat e hapura.

Blloqet- kvarteret

Gati në çdo strukturë të secilit qytet, blloqet kanë një rol të madh në jetën e një qyteti dhe janë si pikënisje e ndërtimit. Gjeometria e rrugëve duhet të jetë e dizajnuar në një formë rrjetash që kanë formë gjeometrike katrore. Blloqet gjatë gjithë ndërtimit përcjellin kufinjtë e rrugëve dhe formojnë forma të mbyllura, ku në mes krijojnë një hapësirë të gjelbërt të quajtur oborr. Pjesa përdhese e objekteve që përbëjnë blloqet nga rruga, zakonisht përdoret për lokale afariste. Katët e epërme mund të përdoren për çfarëdo qoftë: banim, zyre e kështu me radhë. Kjo në gjuhën e urbanistëve quhet ”karakteristika të përziera”. Karakteristikat kryesore të një blloku- kvarteri janë:

Përcjell strukturën e rrugëve.

Nuk len kurrfarë hapësire të zbrazët ndërmjet objekteve.

Lokale afariste në pjesët nga rruga.

Një oborr brenda

Karakteristika të përziera

Rrugët e qytetit

Për shkaqe krejt normale në secilin qytet, rrugët janë e vetmja mënyrë për të arritur nga një pikë A në pikën B. Një rrugë qyteti NUK guxon të jetë vetëm për mjetet motorike, ku veturat kanë monopolin dhe këmbësorët imponohen gjatë gjithë ecjes t´i bëjnë sytë katër, dhe të kenë frikën se në çdo çast do të goditën nga veturat. Gjithashtu një rrugë qyteti NUK është vetëm për këmbësorë ku veturat janë rreptësisht të ndaluara për qarkullim. Një rrugë qyteti identifikohet me një trafik të integruar. Një rrugë ku ka hapësirë për këmbësorë, çiklistë, trafik kolektiv DHE vetura. Mbi të gjitha një rrugë qyteti është më shumë se një korridor transporti. Një hapësirë publike, një dhomë e ditës ku të gjithë kanë hapësirë të ndalen dhe argëtohen. Si përmbledhje, këto janë karakteristikat e një rruge qyteti:

E hapur dhe e qasshme për të gjithë

Trafiku i rregulluar në bazë të kushteve të qytetit

Poashtu një dhomë dite e qytetit

Hapësirat e hapura

Krejt në fund, në çdo qytet duhet të gjindet hapësirë për takim dhe rekreacion. Ekzistojnë dy variante: sheshet dhe parqet e gjelbëruara. Kurrsesi NUK duhet përzier me parkingje, pjesë malore apo diçka tjetër. Të dy variantet, sheshi dhe parku janë hapësira të hapura të dizajnuara ekskluzivisht brenda hapësirave urbane. Hapësirat e shesheve janë kryesisht të mobiluara nga materialet e forta ndërsa parqet janë hapësira të mbuluara me gjelbërim të selektuar (lulishtë, shkurre të ulta urbane etj.). Sheshet dhe parqet janë ekskluzivisht vetëm për njerëz, dmth mjetet motorike nuk kanë vend aty. Karakteristikat kryesore të hapësirave të hapura janë:

Hapësira ekskluzive

Brenda qytetit

Krejtësisht të lira nga trafiku i mjeteve motorike

Një vend ku mund të ndalesh

Një vend që ofron hapësirë për takim mes njerëzish dhe njëkohësisht rekreacion. 

Anatomia e një qyteti të ndërtuar mbi këto elemente më së shumti i përshtatet banorëve. Në anën tjetër në Kosovë, dhe sidomos në Prishtinë, për shkak të mungesës së planifikimit urban, janë pikërisht banorët ata që vuajnë më së shumti.

Duhet sjellë ndërmend se në rastin e Kosovës dhe kaosit të pasluftës, fajin kryesor përveç ndërtuesve, e kanë edhe institucionet përgjegjëse për planifikim, të nivelit lokal dhe qendror. Në atë periudhë kritike kohore është humbur një rast i mirë i vendosjes së një kulture të re të planifikimit dhe ndërtimit. Sikur këto institucione të ishin më vigjilente dhe të dilnin me plane konkrete, me siguri nuk do të krijohej gjithë ky kaos. Por, nuk duhet humbur shpresat, dhe situata e krijuar nuk duhet të shihet si finale dhe e pandreqshme, sepse ende ka mundësi të intervenohet në ato pjesë ku ka nevojë, si dhe të bëhet një planifikim i mirëfilltë për zonat e reja urbane.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.