Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Është koha e Albinit që të mos zhgënjejë

Para dy jave bëra bast me veten për rezultatin zgjedhor të 11 qershorit. Edhe pse në mungesë të një kulture politike është vështirë të bësh çfarëdo analize të mirëfilltë të politikës në Kosovë, megjithatë shenjat e mëdha mund të lexohen.

Duke u nisur nga llafet e vogla e deri te debatet e mëdha, lehtë kuptohej se ishin të shumtë ata që ishin për ndryshim, biles, mendoj se kërkesa ishte më e madhe se sa oferta, nëse e përkthejmë në terma ekonomik.

Të frikësuar nga kjo kërkesë, si asnjëherë më parë pozitë e opozitë, të korruptuar e të pakorruptuar, të akuzuar e të pastër, të djathtë e të majtë, fetarë e ateistë u bënë bashkë në një përpjekje për ta rritë ofertën e për ta paketuar të njëjtën si ndryshim.

Gabimi i Ramushit

Ka një arsye pse në demokraci ekziston opozita. Ajo ekziston për t’i ofruar popullit mundësinë për ndryshim të qeverisjes. Kur populli është i kënaqur me qeverisjen e një partie në pushtet, ai nuk e ndërron atë, shembull kemi rastin e partisë CDU të Angela Merkel, e cila ka mandatin e tretë dhe që besohet se mund të ketë një të katërt.

Roli i Ramushit në opozitë ishte shpeshëherë i rëndësishëm, sidomos gjatë mandatit të fundit ku ai me sukses u përball me një shumicë absolute në parlament që shpërfillte opozitën.

Një fletëarrest i padrejtë i Serbisë që e ndali me muaj në Francë i shtoi edhe më shumë popullaritetin dhe duke e nxjerrë në pah më shumë si një lider që sakrifikon për të mirën e përgjithshme.

Por Ramushi nuk e asnjëherë lojën e politikës dhe nuk e lexoi mirë asnjëherë momentin e tij. I verbuar pas karriges së kryeministrit ai bëri shpeshëherë gabime që i kushtuan. Në nëntor 2012, Hashim Thaçi, një kundërshtar politik i Ramushit, i shtroi atij tapetin e kuq pasi u kthye si fitimtar nga Haga. Në atë kohë, Hashimi e kuptoi që Ramushi kishte një momentum në karrierë dhe me mjeshtri ia rrëmbeu atë. Njëjtë veproi edhe Kadri Veseli. Sondazhet brenda partisë duhet ta kenë bindur Veselin që të shtyejë postin për kryeministër për një kohë tjetër.

S’ka dyshim se Ramushi për shumë kënd është një hero i luftës. Një gjeneral që lavdinë e fituar në luftë e zbehi në paqe. Duke pranuar të bëhej bashkë me PDK-në, bashkë me Kadri Veselin, Ramushi dogji kartën e tij të vetme, atë të ndryshimit.

Ramushi nuk ishte më (pas koalicionit) dhe nuk është më ndryshimi, ai duhet ta kuptonte këtë atë natë kur pranoi të shpëtonte partinë që duhej të ndëshkohej. Përkundrazi, Ramushi u bë kalorësi shpëtues i Veselit dhe PDK-së të cilët po kërkonin të mbulonin plagët e hapura nga një qeverisje fatale e Hashim Thaçi&Co, që krijoi makinerinë më të madhe zhvatëse të taksave të qytetarëve.

Për fatin e tij të keq, ky ishte edhe dhe mbetet rasti i tij i fundit. Nëse kalkulimet nuk e nxjerrin edhe këtë herë atë kryeministër, ai do të mbetet në histori si kryeministri që s’u bë, kryeministër i mitit të 100 ditëshit, që s’u bënë 101.

Gabimi i Isës

Historia do të shkruajë për LDK-në, për partinë e madhe dhe aftësinë asaj për t’u vetshkatërruar. E bekuar me vota dhe me një elektorat që nuk kërkonte dëshmi për aftësi qeverisëse por mjaftohej me mitin e një lideri, ajo u reduktua në një klub që përmbushte dëshirat rinore të pensionerëve politikë.

LDK e kishte rastin që krijonte një alternativë qeverisëse në këto zgjedhje duke i dhënë mundësinë një brezi të ri. E në mungesë të një lideri, në këto zgjedhje ajo mund t’i ofronte Ramushit të vetmen gjë për të cilin ai bënte kompromis – posti i Kryeministrit. Me këtë LDK siguronte që të dilte e para në zgjedhje dhe të merrte atë pjesë të elektoratit e cila besonte në potencialin e Ramushit si kryeministër, por jo me PDK-në. Elektorati kërkonte që PDK të shkonte në opozitë, pjesë kjo që Ramushi dhe të tjerët nuk arritën ta lexojnë.

Zhdërvjelltësia dhe gabimi Veselit

Veseli vie nga e njëjta shkollë politike sikurse paraardhësi i tij, Hashim Thaçi. Veseli luajti nga i njëjti manual politik i përgaditur nga këshilltarë të paguar mirë që politikën dhe liderin e shohin si produkt – mall që duhet shitur. Veseli nuk e dhuroi postin e kryeministrit, kjo nuk është në stilin e tij dhe në strategjinë e tij si ish-shef i SHIK-ut, siç u munduan ta shisnin disa, ai e kuptoi që nuk ishte momenti për të dhe nëse nuk e ofron postin e kryeministrit do të mbetej në opozitë.

Por ky veprim i dogji disa kundërshtarë politik. Natyrisht kjo zhdërvjelltësi nuk do t’i sjellë lavdi Veselit dhe PDK-së. Veseli arriti të djegë Ramushin por ai nuk e shpëton dot veten nga mëkatet e PDK-së. Për të “freskuar” veten dhe partinë, ai duhet të shkojë në opozitë për një kohë të gjatë, aq gjatë sa populli të “harrojë” se si qeveriseshin me PDK-në.

Transformimi Albinit

Albini është personazh i rëndësishëm i pasluftës në Kosovë. Në fjalët e huazuara të fjalimit të Steve Jobs, Albini është “i çmenduri, jo konformisti, rebeli, ngatërrestari. Ai që ai që nuk respektonte rregullat dhe nuk pranonte status quo. Mund të mospajtohesh me të, ta adhurosh e ta përbuzësh, por nuk mund të injorosh atë”.

Në politikë secili ka rrugën e tij, Albini zgjodhi të vetën, një rrugë që nuk i solli çdoherë lavdi dhe që shpesh e dërgoi në përballje me pushtetin. Sidoqoftë, potenciali i tij për të krijuar tema, kauza dhe për të lëvizur masat ka qenë gjithmonë aty.

Unë jam në mesin e atyre që nuk ka pëlqyer mënyrën se si Albini zgjodhi të bënte politikë dhe nuk kam qenë ndjekës i tij.  Edhe sot ndaj të njejtin mendim se Albini ishte gabim për pakon e Ahtisarit kur thonte se nuk sjellë pavarësi; ishte gabim kur kundërshtonte kushtetutën; kur kundërshtonte EULEX-in; dhe kur refuzonte gjykatat.

Por Albini ndryshoi ndër vite. Toni lartë në protesta dhe gjuha e ashpër u zëvendësuan me një ton më të butë e me një gjuhë me të kontrolluar në foltoren e parlamentit, akuzat dhe kundërshtimet e dhunshme në protesta, u zëvendësuan me padi në gjykata, e në këto zgjedhje ne ishim dëshmitar se si retorika e nacionaliste i la vend retorikës së problemeve sociale.

Ky ndryshim ishte i kërkuar. Albini e provoi me tema të mëdha e me gjuhë të ashpër në dy zgjedhje të kaluara dhe nuk arriti askund. Në fakt, gjuha e ashpër e tij përkthehej në gjithë trupin e Vetëvendosjes, pra, të gjithë ata që bashkoheshin me Vetëvendosjen nga pjesa tjetër konsideroheshin si “Albinë të vegjël”, pra një kopje identike e Albinit. Disa madje shkonin aq larg sa të kopjonin edhe stilin e tij të veshjes, të flokëve e të folurës. Sikurse Rugova në LDK, Albini u bë një mit i gjallë, një idol për adhuruesit e Vetëvendosjes. Albini përcaktonte ritmin e të folurit, tonin e zërit dhe gjuhën që duhej përdorur si dhe formën e veprimit. Kur Albini ashpërsonte zërin, kështu bënte i gjithë trupi i Vetëvendosjes, kur Albini zbutej dhe ndërronte diskurs, të tjerët ndiqnin.

Kjo bëri që në Vetëvendosje të mos ketë shumë pluralizëm të mendimeve, ose thënë thjeshtë, të mos ketë mendime të ndryshme me ato të Albinit. Dhe si rrjedhojë, askush nuk mund të shpëtonte Vetëvendosjen nga rrethi vicioz që ishte futur me gjuhë të ashpër dhe me retorikë nacionaliste përveq atij që e kishte themeluar, Albini.

Vetëm ndryshimi i Albinit e me të edhe VV-ja, i solli atij votat e atyre që nuk i kapnin dot.

Për popullin e paditur

Populli nuk është paditur. Populli mund të jetë i varfër dhe me edukim jo cilësor, por ai e kupton kur dikush është i korruptuar dhe i pandershëm. Aftësitë për të ndarë të drejtën nga e gabura, gënjeshtrën nga e vërteta, i ka çdo shoqëri.

Por populli beson dhe shpreson se liderët bëjnë më të mirën për ta; se ata thonë të vërtetën kur flasin; se ata kërkojnë votat për të ju shërbyer atyre dhe jo vetvetes.

Albini mori pikërisht votat e atyre që u lodhën duke pritur, që u dëshpëruan vit pas viti duke kërkuar punë dhe mirëqenie, liri dhe të drejta, rrugë dhe spitale, çerdhe dhe kopshte, edukim dhe pensionim me dinjitet.

Populli i dha mundësi të gjithëve, ai e njeh tashmë qeverisjen e PDK-së, mjerimin dhe shkatërrimin që solli makineria e saj; e njeh ambicien e Ramushit për t’u bërë vetëm kryeministër;  e njeh edhe vogëlsinë dhe lakminë e një partie për të humbur lavdinë për pushtet.

Qytetarët nuk janë të paditur siç rëndom aludohet në Kosovë, sa herë që gjërat nuk shkojnë mirë. Por kur në politikë mungojnë parimet bazë, ato gjëra me të cilat ne jemi rritë në familjet tona, sinqeriteti dhe e vërteta, mirësjellja dhe bujaria, atëherë mashtrohemi.

Është koha e Albinit që të mos zhgënjejë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.